Published On: 1 Gusht, 2017

Kujdes, se po qorroheni!

Ag Apolloni

Ministri Enver Hoxhaj paska thënë se është lexues i pasionuar dhe se i lexon deri në tre libra në muaj. Mendova se prononcimin e tij e kanë shtrembëruar gazetarët, prandaj kërkova burimin e citimit. E gjeta në youtube: në Rubikon, më 26 korrik 2017. Ende nuk po mund ta besoj sesi mund të mburret njeriu pse lexon dy ose, në rastin më të mirë, tre libra në muaj. Sipas një matematike të thjeshtë, ai gjatë një viti lexon 36 libra, ndërsa për t’i lexuar 100 libra i duhen tre vjet (3 x 36 = 108), ndërsa nëse lexon pa i dhënë zor (pra, nga dy libra në muaj), i duhen mbi katër vjet për ta përmbushur numrin 100, ndërsa mbi 12 vjet për ta arritur numrin 300. Dreqi e marrtë! Unë, përveç filmave, gazetave, shkrimeve dhe dokumenteve të ndryshme, nuk e mbyll vitin pa i lexuar 300 libra në vit, përndryshe do të më vinte turp të dilja para studentëve.
Ashtu si me deklaratën e ministrit, para do kohe u shokova prej dy kolegëve të mi profesorë, të cilët mburreshin se lexonin njëri 15, tjetri 25 libra në vit. Njëherë mendova se po bënin shaka, prandaj qesha. Më shikuan me habi dhe më pyetën se sa libra lexoja unë. Thashë: “jo, aq sa ju.” Dhe thirra kamerierin, se më dukej humbje kohe biseda me ta.
Ndërkaq kur isha student, me një cimerin tim, aktor, takuam një profesor të Fakultetit të Filozofisë që na ndali për kafe në “Down Town”. Gjatë bisedës, profesori fshinte syzet dhe mburrej se lexonte deri në 20 faqe në ditë. Cimeri im më pa mua dhe qeshi, pasi e dinte që kisha lexuar romanin “Lufta dhe paqja” (rreth dy mijë faqe) për katër ditë. Qesha edhe unë. Profesori na shikoi i hutuar. I thashë: “Ruaji sytë, profesor!”
Prejse jam bërë profesor, shpesh i kam qortuar studentët kur nuk kanë lexuar veprat obligative, ndonjëherë kam qenë i ashpër me ta, por kur kujtoj këta profesorë dhe këtë ministër që e mbajnë veten për lexues të pasionuar, më vjen t’u kërkoj falje. Nuk di nëse studentët do të më falin mua, por unë kurrë nuk do t’i fal profesorët dhe ministrat që për 12 vjet s’janë në gjendje të lexojnë aq libra sa lexoj unë brenda një viti. Sepse, unë e di shumë mirë që nuk jam mbinjeri, por një njeri normal për të cilin, siç thotë J. L. Borges, kënaqësia e të lexuarit qëndron mbi kënaqësinë e të shkruarit.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...