Published On: 2 Gusht, 2017

Ku ka ikur PS-ja?

  • Rama po personalizon gjithçka, por në mënyrë të palexueshme. Ai po shkëputet pa mëshirë nga njerëzit që në terren i kanë siguruar fitoren me pushtetin që kanë patur atje për shkak të pozicionit si drejtorë hipotekash, spitalesh, tatimesh, etj. 

Mentor Nazarko

Është plotësisht e vërtetë se Partia Socialiste mori një fitore të madhe dhe të çuditshme në zgjedhjet e fundit: nuk ka ndodhur në historinë e shkurtër të pluralizmit shqiptar që një parti në mandatin e dytë të rritë rezultatin dhe përfaqësimin e vet parlamentar, ndonëse pjesëmarrja në zgjedhje ishte më e ulët. Për më shumë, PS-ja doli e vetme në zgjedhje, me gjithë rreziqet që kishte një sfidë e tillë, që peshonte në kandar real gjithë forcat politike.

E kjo periudhë pas kësaj fitoreje u karakterizua nga një cikël dëgjesash publike, ku personazhi kryesor ishte kryeministri socialist… dhe populli, me ankesat e tij, të ndjera, apo të simuluara, të ligjshme apo të paligjshme, i joshur tmerrsisht në kohërat e mediatizimit absurd të jetës, të merrte pjesë në seanca të tilla gjyqesh televizive. Joshja rritet nga njëfarë inisiative e çuditshme e shpikur nga Rama, që dhe ajo dublon partinë: një farë platforme të qeverisjes së mirë, ku duhet të anëtarësohen online dhe qytetarët. Në këtë shfaqje, e gjitha e televizuar, u dukën vetëm fare pak deputetët e vjetër dhe të rinj; ceremonia e zgjedhjes së presidentit ishte rast për t’u shfaqur të gjithë, ish-ët dhe të rinjtë; u përmend pak sekretari i përgjithshëm Gramoz Ruçi, një herë si i propozuar për kryetar parlamenti, një herë tjetër si refuzues i edukuar i ofertës. Duket Erion Velia me betejat e tij, sa ndryshuese të Tiranës, aq dhe të aleancës së të majtës në nivel lokal. Dhe më tej…asgjë.

E në kushte të tilla, megjithatë shtrohet pyetja : po partia ku është? Ata që janë kritikë të Ramës e gjejnë në këtë mungesë, më saktë në vijimin e kësaj mungese, hapësirën për kritikë të re. Rama realisht po dominon jetën institucionale si autokrat i vendeve të Lindjes së largët, shkarkon drejtorë, projekton politika publike në shëndetësi, në administratën publike, etj., të cilat në fakt nuk u shpallën asgjëkundi gjatë fushatës elektorale, por vetëm tani, në shtesën e ndeshjes elektorale, ku luan… vetëm ai. Dhe suksesin e periudhës post, shoun, popullaritetin e përfton vetëm ai. Përballë një shou të tillë, opozita nuk po di si të sillet, madje kalon në mbrojtje të të shkarkuarve! Ose maksimumi i thotë Ramës se ai fitoi pikërisht me ata që po shkarkon. Inisiativa politike mbetet tek ai, dhe mediat përforcojnë idenë se çdo gjë në vend rrotullohet rreth tij, qoftë për fatin e njerëzve, qoftë për fatin e politikave. Politikat (fillesat e divulguara të tyre) fatmirësisht nuk duket se janë improvizime të çastit si shkarkimet e drejtorëve të tij, por me gjasë janë frymëzuar pikërisht nga ai takimi i madh me personalitete ndërkombëtare, ekspertë, etj., për të cilin një herë u fol se ishte mbajtur në Holandë, një herë tjetër u sqarua se ishte mbajtur këtu. Në fakt, procesi i konsultimit të Ramës për atë që e njeh mirë, është i pandërprerë, me sms-të e vazhdueshme me ata që ai i beson, me takimet jashtë vendit apo gjatë pushimeve, etj., etj. Dhe natyrisht dhe me filmat: Rama ngjan se shikon shumë filma politikë, por jo vetëm. Rama u konsultua me ekspertë ndërkombëtarë, dhe në mandatin e dytë si në të parin, por jopublikisht.

A është kjo një situatë normale, ku Partia Socialiste nuk duket? Apo koha e pushimeve e justifikon? Me gjasë, e gjitha kjo nuk ka lidhje me pushimet. Kjo ka lidhje me vijimin në praktikë, të një filozofie të re drejtimi, ose edicion të ri të një filozofie të mëhershme, që bën konfuzë të gjithë. Rama po personalizon gjithçka, por në mënyrë të palexueshme. Ai po shkëputet pa mëshirë nga njerëzit që në terren i kanë siguruar fitoren me pushtetin që kanë patur atje për shkak të pozicionit si drejtorë hipotekash, spitalesh, tatimesh, etj. Ky veprim është rigjenerues i pushtetit (edhe të tij) ekzekutiv që sigurohet nëpërmjet prerjes së kokave të feudalëve lokalë, të cilët, nëse do të qendronin gjatë, do të bëheshin të fuqishëm, për të sfiduar dhe atë. Në territor do shfaqen, do afirmohen, figura të reja, nëpërmjet kritereve të reja meritokratike, të cilat ai po ngutet t’i shpallë pikërisht në këto dëgjesa. Sipas parimit që Rama e qartësoi në një intervistë të fundit, « unë investoj besim tek të rinjtë dhe pastaj pres që ata të ma kthejnë besimin », Rama po krijon ramistët e rinj, që sot nuk po guxon askush t’i quajë Rilindësit, sepse as ai vetë nuk po e përdor më këtë term. Feudalët në nivel qendror, domethnë ish-ministrat, apo ministrat ende në detyrë, drejtorët e agjencive që do shkurtohen apo riorganizohen, janë gjithë veshë nga dëgjesat, apo nga Dhërmiu ku do pushojë Rama, për të marrë vesh nëse do jenë pjesë e qeverisë së vogël, ku nuk ka vend për të gjithë, aq më tepër nëse do jenë vetëm 10 ministri dhe agjencitë do reduktohen drastikisht. Ato 5 ekipet që do bëjnë riorganizimin e ri institucional me sens racionalizues, kanë fuqi, por derisa të mbërrijnë tek ai me propozimet në dorë: më pas, gjithçka vendoset prej tij. Kësisoj, lobimi tek ai, për t’u bërë titullar diku, fuqizohet, por suksesin nuk e di askush.

Po partia? Me gjithë zhgënjimin e ligjshëm të ithtarëve të një partie të fortë, demokratike, Partia Socialiste thuajse nuk ekziston, as në gusht, as… më vonë deri në zgjedhjet e radhës. Si është bërë zakon, nuk do ketë si statuti parashikon, mbledhje forumesh, kryesish, etj., të cilat thirren zakonisht vetëm për shpallje programesh, inisiativash të organizuara bukur dhe me pompë. Forca gjatë mandatit kalon tek ekzekutivi, tek kryeministri, sipas modelit të një kancelariati.

Po asistojmë në një model pushteti hibrid të çuditshëm: kryeministër i fortë, parti e origjinës së tij, e dobësuar gjatë mandatit, por pushteti shtetëror ndahet ama sërish. Me pole të tjerë fuqie: si kurrë më parë, opozita arriti të merrte disa ministri kyçe dhe të bashkëjetojë me të majtën; LSI-ja, që është shkëputur nga aleanca e majtë, ruan ministritë e veta, është në pushtet në nivel lokal, kontrollon presidencën. Çfarë çudie që megjithatë nuk pritet të rrojë gjatë. LSI duhet të vendosë në fund të shtatorit ç’do bëjë. PD-ja ende nuk e di askush çdo bëjë me marrëveshjen e famshme të majit, por perëndimi i thotë: respektoje! Por do të rrojmë, që të shohim.

Pikëpyetjet nga këndvështrimi i interesit publik

E gjithë kjo që po duket, aq sa duket, mban era centralizim pushteti. Centralizimi jo gjithmonë është i keq, aq më tepër kur bëhet fjalë për vende të vogla si tonat ku shumësia e niveleve të pushtetit, vertikal dhe horizontal rrit koston dhe kohën e reformave, shton koston e korrupsionit, etj. Mbajtja e dy mandateve, nga një parti, nga një njeri, rrit stabilitetin përballë të huajve, (investitorë, kancelari, etj) dhe nga ana tjetër kemi përballë një opozitë dykokëshe që nuk ka ndërmend të rrijë duarkryq, dhe për më shumë ka njeriun e vet në presidencë. E gjitha kjo e bën lojën politike të paparashikueshme dhe të pangjarë më parë. Partia Socialiste po ofron një model ekzistence, ku fuqia e saj kalon tek qeveria dhe grupi parlamentar, që nuk dihet a do ndiqet nga partitë e tjera.

Po a është duke vepruar Rama sipas ndonjë modeli? Këtë ne duam ta kuptojmë, që ta gjykojmë, ta gjykojë dhe ai qytetari që thirret nëpër dëgjesa, nëse ka vetëdije modelesh. A ka Rama qasje sistemike, si ka parathënë në shpjegimin e vet dhe për mediat e huaja kur fliste për luftën ndaj korrupsionit dhe cila është ajo? Çfarë institucionesh të reja parashikohen dhe si do bashkëjetojnë ato me protagonizmin e tij? Cilat ka qenë dhe cila do të jetë pesha e atyre që quhen oligarkë në vendimmarrjen e tij, apo ai ka akumuluar aq shumë fuqi sa dhe do të rikrijojë hartën e biznesit të madh në vend?

Këto janë pikëpyetjet e mëdha të këtij aksioni politik të çuditshëm (por jo dhe aq) që po jetojmë.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...