Published On: 4 Gusht, 2017

Ku janë, si janë dhe nga shkojnë shqiptarët në Maqedoni?

Abdulla Mehmeti

Kush tha se shqiptarët në Maqedoni kanë përparuar në periudhën e pluralizmit dhe demokracisë, se i kanë përparuar liritë dhe të drejtat e tyre qytetare dhe kombëtare, se nuk janë si më parë nën regjimin komunist?!

Sipas kushtetutës së këtij shteti, të vitit 1991, me ndryshimet e plotësimet e saj më 2001, në frymën e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, shqiptarët në Maqedoni janë pakicë kombëtare, ndërsa sipas ligjeve që i rregullojnë të drejtat themelore të tyre, siç është ndarja, organizimi dhe finanacimi i pushtetit lokal, përdorimi i gjuhës shqipe dhe përdorimi i flamurit kombëtar, shqiptarët në këtë shtet nuk janë as pakicë kombëtare, por bashkësi etnike prej 20%, ose grup qytetarësh sipas përqindjes.

Edhe nën regjimin komunist, deri në vitin 1990, nga më të egrit dhe mohuesit për shqiptarët, ata i kanë gëzuar disa të drejta elementare, si statusin shtetformues të kombësisë shqiptare, përdorimin e lirë të flamurit kombëtar dhe të gjuhës shqipe në nivel të komunave me shumicë të popullsisë shqiptare. Kjo e drejtë është zgjeruar me automatizëm pas miratimit të ligjit të ri për ndarjen territoriale dhe krijimin e komunave të reja me shumicë të popullsisë shqiptare (2004), jo si rezultat i avancimit të këtyre të drejtave, siç është ligji për përdorimin e flamujve dhe ligji për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike në Maqedoni (jo për flamurin shqiptar dhe për gjuhën shqipe).

Çfarë kanë arritur shqiptarët në Maqedoni gjatë një çerekshekulli të kaluar, nga pavarësimi i këtij shteti (1991), me shkatërrimin e ish federatës jugosllave e deri më sot?

Thonë se, gjatë kësaj periudhe janë punësuar një numër i madh i qytetarëve shqiptarë, pa i bërë publike të dhënat zyrtare, sa më i madh ka qenë numri i shqiptarëve të punësuar, në nivel republikan dhe në nivel të komunave, para privatizimit kriminal të fabrikave dhe ndërmarrjeve me kapital shoqëror (1993-2003).

Thonë se, është zyrtarizuar Universiteti i Tetovës, i cili ka qenë edhe më parë i pranuar në heshtje nga pushteti, ndërsa me diplomat e këtij universiteti janë dhënë vendime pune që nga viti 1998, kur kanë filluar të diplomojnë studentët e gjeneratës së parë, ndërsa në vitin 2004 është përmbyllur kjo çështje me miratimin e një ligji të domosdoshëm për njohjen zyrtare të këtij universiteti, kur pushteti ndodhej para një akti të kryer dhe nën presionin e fuqishëm të faktorit ndërkombëtar.

Thonë se, për herë të parë gjatë kësaj periudhe janë zëvendësuar masovikisht drejtorët e disa shkollave, institucioneve dhe ndërmarrjeve publike në nivel rajonal dhe nivel të komunave në Maqedoninë Perëndimore me shumicë të popullsisë shqiptare, por nuk thonë se kjo është arritur në saje të marrëveshjes strategjike të partnerëve politikë në Qeverinë Georgievski, në kuadër të një plani strategjik për ndarjen e Maqedonisë (Plani është bërë publik në vitin 2001, nga Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve dhe partia OBRM-PDUKM, sipas elaborateve dhe strategjisë së mëhershme serbe, sidomos Memorandumet e Akademisë serbe, që të krijohen kushte optimale për shkëputjen e rajonit të Pollogut, Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës, nga shteti i ri ,,nacional i sllavëve” të Maqedonisë.

Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë as shkolla shqipe, por shkolla me sistem arsimor eksperimental, të integruara dhe për edukim kozmopolit; me plane dhe programe mësimore, tekste shkollore dhe literaturë të përkthyer; me administratë dhe evidencë pedagogjike në dy gjuhë, ku gjuha zyrtare e shtetit (maqedonishtja) është gjuhë e parë dhe e detyrueshme me ligj, ndërsa gjuha shqipe është gjuhë përkthimi nga gjuha zyrtare; me drejtorë shkollash dhe udhëheqës partiakë (pushteti), me çka dhunohet dhe cenohet rëndë identiteti, gjuha, kultura dhe historia, liritë dhe të drejtat themelore njerëzore, qytetare dhe kombëtare të shqiptarëve në këtë shtet.

Heshtja, fshehja dhe mbulimi me propagandë i këtij realiteti të dhimbshëm, degradues dhe shqetësues i shqiptarëve në Maqedoni, si dhe kamuflimi i tij me demagogji politike dhe partiake nga organet e pushtetit dhe mediat komerciale, zëdhënëse të këtij diskriminimi të shqiptarëve nga pushteti dhe oligarkia politike e vetë shqiptarëve, të cilat e ushqejnë vetëdijen e ulët politike të këtyre qytetarëve me manifestime spektakulare dhe ikonografi kombëtare; me shënimin e ngjarjeve të rëndësishme nga e kaluara historike dhe sidomos gjatë fushatave parazgjedhore; me ngritjen e busteve, shpalimin e pllakave përkujtimore, shtatoreve të personaliteteve të shquara nga e kaluara historike, e largët dhe e afërt e popullit shqiptar, si një e drejtë e cila nuk u mohohet shqiptarëve në asnjë shtet të botës, nga Europa deri në Amerikë dhe Australinë e largët.

Përfaqësimi formal i shqiptarëve në organet e pushtetit, në Parlament, pushtetin gjyqësor dhe sidomos në Qeveri, me disa ministra, zëvendësministra dhe drejtorë të disa ndërmarrjeve publike, ku janë të detyruar ta zbatojnë kushtetutën dhe ligjet diskriminuese ndaj shqiptarëve, vërtet është përfaqësim formal karshi opinionit të brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar, që nuk mund ta arsyetojë degradimin e statusit juridik-kushtetues të shqiptarëve dhe shkeljen e lirive e të drejtave themelore qytetare dhe kombëtare në këtë shtet.

A janë të vetëdijshëm qytetarët dhe udhëheqësit e subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoni, se çfarë krime, shkelje të rënda dhe padrejtësi janë bërë ndaj shqiptarëve gjatë kësaj periudhe?

Ku janë sot, si janë dhe nga shkojnë shqiptarët në Maqedoni?!

 

(4 gusht 2017)

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...