Shqipëria

Kryemadhi: E hapur për një front kombëtar opozitar pa dallime ideologjike (Video)

Në intervistën e parë politike pas marrjes së detyrës si kryetare e LSI, Monika Kryemadhi shuan të gjithë zërat lidhur me qëndrimin kësaj force politike, pas dorëheqjes se nënkryetares së Bashkisë së Tiranës.

“Tërheqja e saj ishte një tërheqje politike për të bërë të qartë që ne tashmë në Bashkinë e Tiranës do të jemi në opozitë”, deklaron Kryemadhi.

Në opozitë LSI do të jetë dhe në të gjithë këshillat bashkiakë, por qëndrimet do të jenë në varësi të çështjeve në diskutim. “Aty ku janë vendime që janë në funksion të qytetarëve, absolutisht ne nuk kemi asnjë gjë dhe do t’i votojmë”, thotë Kryemadhi.

Kryetarja e LSI siguron se nuk do të ketë lëvizje kryetarësh te këshillave bashkiakë, pavarësisht rreshtimit të ri të LSI.

“Çdo kryetar këshilli apo çdo njeri i cili është i emëruar me votat bashkarisht duhet të zbatojë ligjin, duhet të zbatojë rregulloren e Këshillit Bashkiak, sepse ajo është që e bën të domosdoshme. Unë nuk mendoj që heqja e Monikës dhe vendosja e dikujt do të sillte ndonjë ndryshim. Ajo çka është e rëndësishme është që LSI do të jetë tashmë shumë prezente dhe shumë më aktive”, thotë Kryemadhi.

Ajo nuk ka preferuar të komentojë sulmet e Lulzim Bashës, por ka patur një mesazh për të. “Unë nuk dua të merrem fare me PD, të them të drejtën. Ne tashmë kemi pozicionin tonë, kemi strategjinë tonë, kemi paltformën tonë. Paltforma jonë është në koalicion të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe në shërbim të qytetarëve. E kam thënë edhe më parë se opozita nuk është çështje numrash, opozita është çështje morali”, nënvizon Kryemadhi.

Kryemadhi ndalet dhe tek aksioni opozitar i LSI në Parlament. “Opozitë frontale pa asnjë lloj kompromisi. Frontale por edhe konstruktive, sepse opozitë nuk do të thotë të thuash jo për çdo gjë. Opozitë do të thotë të bësh opozitë dhe të japësh alternativa, të cilat janë në funksion të qytetarëve, janë për një jetë më të mirë për qytetarët dhe mbi të gjitha krijohet dhe një lloj stabiliteti jo vetëm politik por edhe ekonimik, financiar dhe njerëzor”, vijon Kryemadhi.

Në fund, ajo shton se LSI ka qenë gjithnjë e hapur për krijim e një fronti kombëtar opozitar pa dallime ideologjike, pasi sipas saj, mbrojta e interesave të qytetarëve nuk ka ngjyrë partiake.

Intervista e plotë

Në fakt ngjarjet e të mërkurës dhe të enjtes duket se prodhuan krisjen përfundimtare mes PS dhe LSI edhe në këshillin bashkiak tashmë. Si është e vërteta e asaj mbledhjeje, pasi fillimisht u fol që u pranuan kushtet e LSI-së nga ana e Kryetarit të Bashkisë, Veliaj, më pas u pa që nuk ishin prezent këshilltarët e LSI-së?

Kjo është tashmë një etapë e mbyllur për ne. Gjërat janë shumë të qarta. Unë mendoj se nuk ka as krisje, as çarje dhe as ngjitje në marrëdhëniet me PS. Marrëdhëniet institucionale të LSI-së, jo vetëm me PS, por me çdo parti politike, janë marrëdhënie që kanë të bëjnë me qytetarin dhe në shërbim të komuniteteve.

Dua ta them këtë dhe për ta bërë të qartë, sepse edhe vendimi i anëtarëve të këshillit bashkiak dhe pozicionimi i znj. Paskali ka të bëj me pozicionimet politike në funksion të vendimeve. të cilat nuk cenojnë absolutisht qytetarin dhe janë vetëm në shërbim të tyre. Raste si çështja e rritjes së çmimit të ujit, që për ne është shumë i rëndësishëm, jo vetëm që qytetarët të kenë të mundur furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë, janë reforma të cilat duhet bërë edhe pse mund të kenë kosto dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme, por të gjitha këto reforma duhen të kenë një transparencë të hapur dhe transparenca është çelësi kryesor i bashkëpunimit që LSI-ja do ta japë si një domosdoshmëri të funksionimit.

Sepse transparenca në radhë të parë është ajo që zhduk dhe eliminon çdo lloj keqkuptimi dhe mbi të gjitha çdo lloj abuzimi. Pastaj sa i përket marrëdhënies me PS-në, e kemi deklaruar pas zgjedhjeve të 25 qershorit, që LSI do të jetë opozitë. Opozita nuk është më çështje numrash, opozita është çështje morali, sepse fundja opozita ka moralin dhe fjalën e lirë. Kështu që pozicionimi i LSI-së tashmë është shumë i qartë, jo vetëm në Parlament, por edhe në të gjitha këshillat bashkiak, aty ku merren vendime në funksion të qytetarëve. Absolutisht nuk kemi asgjë dhe do t’i votojmë duke bërë transparent çdo votim tonin dhe duke bërë transparent çdo argumentim apo çdo detaj të informacioneve të tyre.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, edhe pse LSI kishte një vendim të qartë, dhe pse z. Veliaj i pranoi publikisht, por ne ishim në pritje, unë ndërkohë isha në një aktivitet me të rinjtë në jug të Shqipërisë, por dua të përgëzoj Erjona Bixhën dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak, të cilët qëndruan edhe pse e kishin një nga sfidat e tyre të para, pra për të treguar që edhe të rinjtë dinë të bëjnë opozitë të mirëfilltë. Ajo çka më lëndoi fort është që Bashkia e Tiranës nuk zgjodhi të kishte një bashkëpunim institucional me partitë politike të këshillit bashkiak, por zgjodhi që të kishte një bashkim institucional individual, pra me individë të caktuar.

Kjo është zgjedhja e tyre dhe unë shpresoj t’ju dalë për mbarë, sepse mendoj që politika nuk bëhet duke blerë individë, politika bëhet duke qenë transparent me qytetarët dhe duke qenë të hapur me ta.

Znj. Kryemadhi ju thatë që LSI është qartësisht në opozita qoftë edhe në këshillat bashkiak. Çfarë do të ndodh tashmë me kryetarët e këshillit bashkiak, të cilët janë zgjedhur me votat e PS dhe të LSI-së, a do të lëvizin ata…

Unë nuk mendoj që zgjidhja e problemeve të qytetarëve është heqja e një kryetari dhe vendosja e një kryetari tjetër, të çdo kryetari këshilli apo çdo njeri, i cili është emëruar me vota të përbashkëta. Duhet të zbatojmë ligjin, duhet të zbatojmë rregulloren e këshillit bashkiak.

Nuk mendoj që heqja e njërit dhe vendosja e tjetrit do të sillte ndonjë ndryshim. E rëndësishme është që LSI-ja do të jetë tashmë shumë prezente, shumë më aktive në të gjitha institucionet ku është e përfaqësuar për të pasur një transparencë të hapur të të gjitha vendimeve të këshillave bashkiakë dhe për të pasur një informacion të drejtpërdrejtë. Mendoj që tashmë edhe vetë pozicionimet e LSI-së do të jenë shumë më të qarta, shumë më të kthjellëta, strukturat tona do të fillojnë të mblidhen dhe të organizohen.

Nesër për shembull është mbledhja e këshillit bashkiak të Korçës, ku ne po mbajmë kontakt me këshilltarët tanë kudo në fakt, që të jenë shumë të vëmendshëm, të shqyrtojnë dokumentacionin e mbledhjes me vëmendje, ato që kanë të bëjnë direkt me qytetarët sa i përket ndihmës ekonomike dhe shumë shërbimeve të tjera. Të jenë të kujdesshëm në mënyrë që institucionet e bashkive, ku ata janë këshilltarë të jenë të ndershëm, të jenë të drejtë, të jenë parimorë dhe të zbatojnë ligjin. Ashtu sikurse të jenë të vëmendshëm dhe vigjilentë për çdo koncesion apo për çdo dhënie me qera, apo çdo abuzim që mund të bëhet me fondet e bashkisë apo me pasuritë e bashkive të Shqipërisë.

Pra, nëse ju citoj drejtë, LSI-ja do të votojë pro atyre projekteve apo vendimeve që janë në favor të qytetarëve?

Absolutisht jo, por për LSI-në nuk do të thotë që të jesh në opozitë dhe të thuash gjithmonë e vetëm “jo”. Opozitë do të thotë të bësh një politikë konstruktive dhe me alternativë. Për shembull, unë mund të mos jem dakord me “X”-in, por kam argumentin dhe alternativën time dhe më pas janë qytetarët ata që e vendosin këtë gjë. Nuk është angazhimi individual i një personi me dëshirat e tij, por duhet të vendosë për të mirën e qytetarëve, nëse kjo është e mundshme apo jo, nëse është e mirë apo është e keqe dhe nuk është asgjë.

Duke marrë shkas nga Bashkia e Tiranës, a ka drejtues të LSI-së në këtë bashki…?

Ne nuk kemi shumë përfaqësues aty, sepse Bashkia e Tiranës ka qenë e fokusuar tek individë që kanë qenë të papërfaqësuar politikisht. Ne kemi pasur vetëm një post politik, që ishte Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Brunilda Paskali, e cila ka qenë një përfaqësuese shumë dinjitoze e jona në këtë institucion dhe bashkëpunimi ka qenë shumë serioz. Tërheqja e saj ishte një vendim politik për të bërë të qartë që tashmë ne në Bashkinë e Tiranës do të jemi në opozitë.

Gjatë ditës së djeshme patët një debat në distancë përmes rrjeteve sociale me kreun e PD-së, z. Basha. Si e shikoni këtë marrëdhënie me z. Basha?

Unë nuk dua të merre fare me PD-në. Ne tashmë kemi pozicionin tonë, kemi strategjinë tonë, kemi platformën tonë, që është një koalicion i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe në shërbim të qytetarëve. Opozita nuk është çështje numrash, opozita është çështje morali. Ne kemi alternativat tona dhe për çdo alternativë apo propozim që do të na jepet ne do të shqyrtojmë dhe nëse ajo është në funksion të qytetarëve do ta përkrahim. Por ajo çka duhet të them është që LSI-ja në pozicion e saj e ka të drejtpërdrejtë opozitë frontale pa asnjë lloj kompromisi. Frontale por edhe konstruktive. Sepse opozitë nuk do të thotë të thuash “jo” për çdo gjë, opozitë do të thotë të japësh alternativa, që janë në funksion të qytetarëve, janë për një jetë më të mirë për qytetarët dhe mbi të gjithë krijojnë një lloj stabiliteti, jo vetëm politik, por edhe stabilitet ekonomik, financiar dhe njerëzor , për të cilin shqiptarët kanë sot nevojë më shumë se kurrë.

Nuk përputhet në asnjë pikë programi juaj me programin e Partisë Demokratike?

Mund të them që PD nuk është se ka një program për momentin. Ata akoma janë në lëvizjet e tyre. Megjithatë ne do të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Nuk na kanë votuar shqiptarët që të jemi vëzhgues se çfarë do të bëjë PD. 225 mijë e 73 qytetarë të Shqipërisë kanë votuar Lëvizjen Socialiste për Integrim, kanë besuar tek programi i saj dhe ne jemi të hapur dhe të vendosur më shumë se kurrë për të pasur një rrugë të gjatë dhe të vështirë. Është e vështirë sepse vetë ambienti politik, vetë mentaliteti politike e bën të vështirë opozitën. Por unë mendoj që një opozitë e fortë në Shqipëri do të sillte edhe një demokraci më të fortë, e cila sot është shumë e brishtë. Ditët e fundit po shikojmë një shtet i cili po shkërmoqet çdo ditë e më shumë, me të gjitha këto kërkesa për dorëheqje. Nuk mund të kërkosh dorëheqje të tilla sepse ka njerëz që edhe kanë punuar. Unë mendoj që institucionet shtetërore nuk funksionojnë me humorin e Kryeministrit por funksionojnë në bazë të rregullores së tyre, në bazë të ligjit, në bazë të sistemit shtetëror. Ne nuk mund të themi që jemi në një shtet me tradita shumë të mëdha por aq sa kemi pasur mundësi, me të mirat dhe të këqijat, shteti ka funksionuar. Megjithatë kjo është një zgjedhje që ka bërë Kryeministri shqiptar, për të cilin mua nuk më ngelet gjë tjetër veçse të them që Zoti e ruajt.

Parashikon LSI një bashkëpunim me PD-në apo do të jetë në varësi të kauzave?

Ne jemi të hapur dhe të vendosur në rrugën tonë. Ne e kemi opozitën pa kushte. Dua të ripërsëris vazhdimisht që opozita është çështje morali dhe jo çështje numrash. Morali ynë është në funksion të qytetarëve. Sigurisht që ne do të jemi prezent për të gjurmuar çdo problematikë, me këshilltarët, me deputetët tanë në çdo cep të Shqipërisë. Nuk do të ndalemi. Në që tani kemi filluar takimet me njerëzit dhe po bisedojmë me ta. Edhe pse njerëzit janë akoma të pa orientuar, dhe këtu nuk bëhet fjalë për njerëzit e LSI-së por njerëzit e PD-së janë të pa orientuar, njerëzit e PS-së gjithashtu, ata që nuk kanë shkuar fare të votojnë janë të pa orientuar sepse janë edhe të shokuar me atë që ka ndodhur me zgjedhjet e 25 qershorit. Ata tashmë e kanë kuptuar se çfarë ka ndodhur aty ku është deformuar vota me paratë e drogës dhe të krimit. Unë jam e bindur që shumë shpejt shqiptarët do të kthjellohen sepse janë shumë inteligjentë për të kuptuar se çfarë drejtimi do të marrin. Ne jemi gjithmonë të hapur për një front kombëtar opozitar, pa dallime ideologjike. Të luftosh për qytetarët e tu nuk do të thotë të kesh ideologji politike.

Në fjalimin tuaj të parë si kryetare e LSI-së keni thënë që sheshet nuk janë për administratën por për qytetarët. Çfarë nënkuptoni me këtë?

Vërtet sheshet nuk janë për administratën, pra për drejtuesit e ndërmarrjeve shtetërore që nxjerrin nëpunësit në miting për t’i treguar shefit të tyre që populli është me të por sheshet janë për popullin për të protestuar, duke filluar që nga protestat për çmimin e ujit, për çmimin e bukës, për mbylljen e vendeve të punës, për rritjen e taksave, për mungesën e energjisë elektrike, për mungesën e rrugëve, për mungesën e arsimit cilësor etj. Pra, është shumë e rëndësishme që ne të jemi shumë vigjilentë ndaj çdo gjëje që ndodh sepse në fund të fundit kjo është edhe një nga arsyet që njerëzit votuan LSI-së, besuan te LSI dhe të ajo çfarë ajo përfaqëson, por mbi të gjitha besuan te rinia që është e ardhmja e këtij vendi.

Premtoni edhe një opozitë me protesta?

Patjetër, pse jo? Në momentin kur nuk hyn logjika pse të mos ketë protesta? Në fund të fundit opozita ka fjalën dhe protestën.

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *