Published On: 16 Korrik, 2017

Krejtësisht në dëm të shqiptarëve dhe mbështetje për strategjinë agresive ekspansive serbe përpjekja e BE për të krijuar një treg të përbashkët të BP, një jugosllavi tjetër

Një cikël shkrimesh       

 6– KRYEMINISTRIT TË SHQIPËRISË, KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS  

Genc Drini    

Nacionalizmat dhe e ardhmja e BE    

Pas referendumit të qershorit 2016 në Britaninë e Madhe dhe daljen e saj nga BE, vështirësitë në BE u shtuan dhe më shumë, po jo vetëm nga kjo, po dhe nga rritja e rrymave nacionaliste të ekstremit të djathtë të cilat duan shpërbërjen e Bashkimit Europian. Zgjedhjet presidenciale në Austri, dhe veçanërisht në Francë, lanë pa frymë Europën sepse nëqoftëse Marie Le Pen do zgjidhej presidente e Francës, siç ishte shprehur ajo do transformonte krejtësisht politikën e jashtme. Do forconte lidhjet me Rusinë duke kaluar në politikën franceze të para Luftës së Dytë. Mund të largonte Francën nga BE dhe kjo do çonte në shpërbërjen e BE. Franca do tërhiqte njohjen e Kosovës. Europa ishte shumë e alarmuar. Po këtë radhë Makron, arriti të fitojë, ia doli, dhe Bashkimi Europian e pa veten të shpëtuar dhe i lehtësuar mori frymë thellë. E çuditëshmja është se sikur të mos kishte qenë në buzë të katastrofës, iu dukën larg votimet e ardhëshme në Francë pas pak vitesh dhe nuk pyeti më se cila parti do fitojë në zgjedhjet e ardhëshme. Vijoj i qetë politikën e paravendosur duke e quajtur të superuar krizën.

As Lordi Ashdown, që në shkrimet tona e kemi marrë si etalon ideshë politike për të ashtuquejturin “Ballkan Perëndimor“, i fresk-relaksuar” tashmë nga fitorja e Makron, nuk shqetësohet fare se cilat forca do fitojnë në zgjedhjet e ardhëshme në Francë, po deklaron me ngut të pakuptueshëm se: “është tejkaluar periudha e pasigurisë dhe ..është koha që BE të kthehet në Ballkan dhe të rregullojë gjendjen e cila është “kaotike”. (intervistë për gazetën sarajevase “Dnevni avaz”) dhe pret ofensivë politike të Berlinit dhe Parisit në Ballkan, gjë që vërtet po ndodh dhe po përpiqet të konkretizohet në Samitin e Triestes me 12 Korrik 2017. Por optimizmi flagrant i tij pas konstatimi se “është koha që BE të kthehet në Ballkan”, ngjitur me pohimin e tij për gjendjen kaotike që është aktualisht në këto vende, është një akuzë për politikat BE që edhe pas 18 vitesh prezence të plotë në këto shtete dhe investimin e bërë, nuk frymëzon aspak për një politikë më të qartë dhe më të suksesëshme të BE për në vitet në vijim. Edhe kërkesa e verbër e BE për një Treg të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor, një bashkësie gjashtë shtetesh që për nga strukturimi është një kthim në një Jugosllavi tjetër traumatike, është dhunuese dhe paraqet një shmangëje strategjike nga strukturimi europian në BE direkt i të gjashtë shteteve. Madje nga zelli i madh rrumbullakues, nuk formulohet si integrim i secilit prej këtyre gjashtë shteteve në BE por si integrim i rajonit në BE dhe kjo është një diferencë konceptuale rrafshuese, zhvleftësuese për identitetet kombëtare të këtyre shteteve, dhe është një rrugë e gabuar dështuese.

Lordi Ashdown pas fitores së Makron në Francë ngutet jo pafajësisht, kur shkruan se“është tejkaluar periudha e pasigurisë!” Është një“konstatim”anekdotik dhe aspak i vërtetë. Kaq shpejt mori fund ringjallja e nacionalizmave që duan ta dezintegrojnë Bashkimin Europian, dhe koha e pa sigurisë së BE, veç pas një palë zgjedhjesh të fituar nga Makron dhe kaq? Ish Sekretarja amerikane e shtetit, Kondoleza Rice kalon mbi këtë optimizëm naiv, ose vetësugjestiv që vëren në Europë dhe paralajmëron: “nuk duhet të jeni të sigurtë për humbjen e Mari Le Penit në Francë.” ( Susan Page , “USA TODAY” 7 maj 2017) Nacionalizmat ekstremë dezintegrues të BE janë aty në rritje dhe presin situata krizash që nuk vonojnë asnjëherë për tu aktivizu rrezikshëm. Fitorja e Macron mbi Le Pen, shihet veç si një fitim kohe kundër valës së emërtuar arbitrarisht si populiste që po ngrihet në të gjithë botën dhe mjaftojnë dy pare mend për të kuptuar se pa përjashtuar optimizmin që duhet të shoqërojë politikën, nuk ka aspak vënd për entuziazëm të pa kontrolluar. Marie Le Pen, forcat nacional “populiste” nuk ndjehen aspak të dëshpruara nga “humbja” në votimet e sapo kaluara, ata dhe kushdo e priste por përkundrazi ndjehen shumë të gëzuar kur shohin që është rritur shumë mbështetja elektorale e francezëve për ta. Në vitin 2012 kishin marrë vetëm 17.9% përkundër konkurrentëve F.Holande dhe N.Sarkozi ,ndërsa në turin e dytë të vitit 2017 morën 33.9% të votave të francezëve dhe ky ishte një hop shumë i madh I nacionalistëve. Asnjë arësye tjetër nuk do bënte që të nesërmen e “humbjes”, Marie Le Pen të kërcente dhe të festonte përveçse rezultati shumë i kënaqshëm që kishte arritur dhe që premton fitore në zgjedhjet e ardhëshme.

Do donim të ishte e vërtetë që forcat dezintegruese të BE në Europë të mos sillnin shkatërrimin e saj dhe të besoninim se ajo që pretendon Ashdoen që Bashkimi Europian e ka kaluar krizën është e vërtetë, por në fakt jemi të detyruar me keqardhje ta quajmë veç një optimizëm subjektiv.

 serbët në rajon

Në këtë botë aktuale ku parashihen lëvizje të mëdha tektonike ekonomiko politike, në të gjithë globin, dhe ku vetë Bashkimi Europian nuk e ka të ardhmen e sigurtë, drejtuesit e politikës shqiptare nuk mund të ndjekin politikat rrafshuese, arbitrare ngjeshëse të Bashkimit Europian në rajon që sakrifikojnë shqiptarët për ti mbajtur serbët qoftë dhe relativisht afër BE. Çdo popull, çdo shtet, mbron interesat e veta dhe nuk sakrifikohet për të tjerët pra kjo është dhe politika e Shqipërisë, Kosovës dhe më gjërë, të gjithë shqiptarët. E ilustron këtë dhe gjykimi i mëposhtëm se “Gjermania nuk ka pranuar kurr mantelin e lidershipit europian apo global që shumë do donin tia hidhnim mbi supe sidomos kur vjen puna për politikat e energjisë. Të jashtmit nuk do të habiteshin nëse shihnin (Gjermaninë-shënim.), të vepronte si çdo vend tjetër europian në favor të konsumatorëve dhe kompanive të veta.” (“Luftë energjetike, Gazsjellësi rus i Gjermanisë nxjerr tym në Amerikë” -Tema , 5 korrik 2017) kjo frazë na bjen në vete duke na kujtuar se çdo vend europian që është dhe në BE vepron në favor të konsumatorëve dhe kompanive të veta, në favor të interesave kombëtare. Kështu dhe Gjermania që mbështet projektin NS2, linjën që sjell gaz rus në Gjermani nuk shqetësohet se i bjen ndesh interesave të Ukrainës dhe të Polonisë, shpërfill protestat e tyre dhe kjo i jep Gazpromit mundësinë të abuzojë me tregun e gazit në Europë duke dobësuar diversifikimin e burimeve.

Gjermania që nuk pranon të lidhë vendin me valenca kufizuese, por e lë veten të lirë në veprimet e veta. Na jep shembullin ideal sesi mbron interesat e veta qoftë dhe në kurriz të shteteve të tjera anëtare të BE. Qoftë ky detaj duhet tu kujtojë politikanëve shqiptarë drejtues që duhet të mbrojnë interesat perspektive të shqiptarëve dhe prandaj nuk duhet të firmosin dhe zhysin veten dhe shqiptarët në aleanca të mjegullta dhe të errta drejt së pa njohurës.

Po qoftë Bashkimi Europian, qoftë lordi Ashdown para se të rekomandonin zgjidhjen e tyre “mbërthimin e gjashtë shteteve të rajonit në një, për të krijuar rreth Serbisë post milosheviçiane trego-sllavinë, Jugosllavinë, nuk u përpoqën fare për të pyetur veten dhe kuptuar nëse kishin një bazë morale dhe politike idetë e tyre për të ngritur një Treg të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Po kësaj pikëpyetjeje i jep përgjigje filozofi francez Lévy . Pak javë më parë u tha serbëve në Beograd që: “Serbia e ka ende Milosheviqin në pushtet”.. Milosheviç pa luftë”..e “njëkohësisht kryetari juaj pohon të jetë europian dhe se dëshiron që Serbinë ta fusë në Europë. Europianët…i marrin për të vërteta këto deklarata”. Demokracia ende nuk ka fituar në Beograd. Të vërtetën në këtë qytet nuk duan ta dëgjojnë të gjithë”. (Koha.net) Për më keq ky “Presidenti dyfytyrësh i Serbisë Aleksander Vuçiq, përuroi në 14 shtator memorialin e ushtarëve serbë të vrarë në prillin e vitit 1999, në kulmin e ofensivës ushtarako policore sërbe për spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër popullit shqiptar të Kosovës ku u vranë 15 mijë shqiptarë, u zhdukën disa mijëra të tjerë dhe u dëbuan me dhunë mbi një miljon shqiptarë. ..nga krimi i madh shtetëror serb kundër njerëzimit..Nuk kuptoj sesi mund të justifikohet avancimi në rrugën e BE të një shteti, udhëheqja e të cilit jo vetëm që nuk kërkon falje, por mbron krimin dhe kriminelët e luftës dhe politikën gjakatare të Serbisë së Milosheviçit kundër popujve jo serbë.(“Voice of Albania” 19.6.17, Sh.Murati, “Serbia e do një reagim nga BE, Tirana dhe Prishtina”) E plotëson rrethin gjykimi kritik i cituar në një shkrimin të mëparshëm i shkrimtarit, diplomat sërbit Vuk Drashkoviçit që deklaron që serbët janë të bindur që “krime janë bërë, po jo nga serbët”. Sipas kësaj mendësie, “të tjerët që kanë bërë krime” mbi serbët, sikur të krijohej një treg i përbashkët-një Jugosllavi tjetër ku të ishin bashkë boshnjakët me serbët, boshjakët do duhej tu jepnin llogari serbëve për “krimet” që boshnjakët myslimanë “ bënë” mbi serbët, p.sh. “në Srebrenicë ku “boshnjakët myslimanë vranë 8000 serbë për dy ditë”..”,ose serbët mund tu kërkojnë llogari shqiptarëve që “detyruan 1 miljon serbë të braktisin shtëpitë e tyre dhe të ikin nga Serbia për në Rusi…”Kjo mendësi serbe ushqen të njëjtën filozofi agresive shoviniste si dhe Milosheviçi, të frenuar sot përkohësisht vetëm nga rrethanat.

Serbia jo vetëm nuk e njeh Kosovën, nxit serbët për të penguar funksionimin e Republikës së Kosovës, dhe krijon probleme të pa fund në veriun e Kosovës. Çon drejt Kosovës një tren me parullat provokuese për luftë, “Kosova është Serbi” dhe plot ikona shoqëruese. Qevria e Kosovës e ndaloj me rrezikun e një përplasjeje. Treni u kthye mbrapsh por po u shërben prap serbëve për të njëjtin qëllim që është krijuar. Është vu në shërbim të çifteve serbe që martohen që si në një pelegrinazh patriotik, filmohen para parullës së shkruar në të: “Kosova është Serbi”.Një mesazh lufte që duhet përcjellë në breza serbësh për të “rimarrë Kosovën”. Serbët ardhacakë dhe pushtues që nga mesjeta e herëshme në Kosovë dhe pushtues të kohëve të reja, pushtun Kosovëna në Luftat Ballkanike më 1912-1913 dhe vazhduan ta mbajnë të pushtuar deri në v. 1999. E pse, a më kot kërcënoj “sërbëçe” presidenti serb Nikoliq, sot i larguar se do fuste ushtrinë serbe në Kosovë? Edhe presidenti i ri Serbisë Vuçiq, ish bashkëpunëtor i Milosheviçit në fjalën e tij të inaugurimit me 31 maj 2017 deklaroj: “Betohem se gjithë energjinë time do t’ia përkushtoj ruajtjes së sovranitetit dhe tërsisë territoriale të Republikës së Serbisë, duke përfshirë edhe Kosovën e Metohinë si pjesë përbërëse të saj, si dhe mbrojtjes e respektimit të ligjeve dhe të Kushtetutës së Republikës së Serbisë…” (http://www.balkanuzivo.net/..) Kushtetutë ku Kosova është pjesë e Serbisë. Jashtë opozita serbe bën demostrata dhe e quan diktator. Dhe kryeministrja e Serbisë Bërnabich kërkon autonomi për serbët e Kosovës.

Është intriguese të kuptosh kontradiktën dhe të zbulosh mendimin e vërtetë dhe linjat e diplomacisë serbe kur Vuçiq duke e krahasuar zotimin “solemn” të presidentit Vuçiq me atë që tregoj ish kryeministi Vuçiq para pak muajsh, se po, do bëjmë ish “Jugosllavinë e vjetër plus Shqipërinë.” Sido që të shprehen sot, pas luftës së UÇK dhe sulmit të NATO-os që godititi caqet sërbe në Jugosllavi, serbët e kuptuan përfundimisht se pushtim i tyre afër 90 vjeçar mbi Kosovë kishte marrë fund, ndryshe nuk do ndodhte ajo ndërhyrje aq e madhe e Fuqive Perëndimore. Gradualisht dhe madje me mprehtësi, të mbështur dhe nga faktorë të BE, serbët konceptuan dhe ndërtuan një strategji milosheviçiane maksimaliste pa Miloshiviçin, që në rrugë të tjera të futnin sërish Kosovën bashkë me ish republikat tjera të ish Jugosllvisë, dhe Shqipërinë nën dominacën e vet.

                                                                               X

tre momente të kalkuluara të diplomacisë serbe

E fshehta e kësaj manovre sërbe nxjerr kokën pikërisht tek tre momente që në dukje shfaqen kontradiktorë. Së pari tek kundërshtimi kategorik për njohjen e Kosovës. Së dyti tek deklarimi i vullnetshëm i Vuçiq si kryeministër se do krijojmë “ish Jugosllavinë e vjetër plus Shqipërinë”. Së treti deklarimi si Presidenti i Serbisë, në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë” se: “ka ardhur koha të bisedohet guximshëm për Kushtetutën e Serbisë dhe Kosovën”! Pasuar me deklaratën e Kryeministres Brnaviç për përmirësim marëdhëniesh me Kosovën, sigurisht “me kushte”… Vuçiq, që kur deklaroi se do bënin ish Jugosllavinë plus Shqipërinë, e dinte mirëfilli se kjo ide për krijimin e Jugosllavisë do ishte nul në rastëse Serbia nuk do njihte më parë Shtetin e Kosovës, sidoqë serbët kishin kundërshtuar “kategorikisht”duke thënë se kjo nuk do të ndodhë kurrë. Atëherë si duhet kuptuar “kontradikta”? Spjegimi gjindet duke u kthyer pas në v.1999. Menjëherë pas përfundimit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, shtetet pjestare të BE, mike të Serbisë ithtarë të gjeopolitikës së vjetër tradicionale që donin ta ruanin, planifikuan dhe ribërjen e Jugosllavisë. Ky rrugëtim do kalonte në disa etapa dhe çdo hap do ishte pa tjetër përfitues për Serbinë. Hapi i parë do ishte mbrojtja me këmbëngulje e pretendimit që Serbia të mos njohë Shtetësisë së Kosovës. Së dyti në bisedimet që do hapeshin pa tjetër në mes Serbisë dhe Kosovës, do bëhej presion përfitues për Serbinë, dhekjo shihet se çfar ka ndodhur në ato bisedime ku“BE është kritikuar shumë për qasje të pabarabartë në bisedime duke favorizuar Serbinë mbi Kosovën.”  (7.6.2016, D.Emini, “Procesi i Berlinit, Rruga për në BE apo rruga për askund?” Qendra kosovare për Studime të Sigurisë dhe Friedrich–Ebert-Stiftung(FES). Fazë e realizuar tashmë. Së treti pasi të vilej mirë e mirë “lopa” e bisedimeve deri sa të mos prodhonte më qumësht për Serbinë, përfshirë dhe atë që kërkon pasuesja e Vuçiq në rolin e kryeministrit, Brnabiç, autonomi për serbët në Kosovë, do kalohej në etapën tjetër, përpunimin e kushteve për të kapur copën e madhe, krijimin e një Jugosllavie tjetër, në të cilën Serbia do ushtronte hegjemoninë e saj. Por kjo Jugosllavi me Kosovën në të nuk mund të krijohej kurrë pa u njohur Shtetin e Kosovës nga Shteti i Serbisë.  Dhe ja ku Kancelarja Merkel në urimin që i bën kryeministres serbe Bërnaviç shton dhe porosinë që kriter për të hyrë Serbia në BE ka normalizimin e marëdhënieve me Kosovën.(“Merkel Serbisë..“Sot”f. 14, dt.14.07.2017)

Dhe ja ku vjen zgjidhja e enigmës me pohimin e fundit cilësor të Vuçiq se “ka ardhur koha të bisedohet guximshëm për Kushtetutën e Serbisë!” Po ama më parë shqiptarët duhet të kalojnë “të përulur” nën disa “ura”të tjera… Serbia do ta njihte shtetin e Kosovës vetëm atëherë kur rrjeta Jugosllavi, bashkë me katër shtetet sllave do ishte gati për të kapur brënda pa rrugëdalje si Shtetin e Kosovës ashtu dhe Shtetin e Shqipërisë. Ky moment i planifikuar me kohë dhe që entuziazmon serbët është afruar tashmë te dera. Kështjella Jugosllavi po ngren muret me ndihmën e BE dhe ka hapur derën për të gllabëruar në të shqiptarët dhe popuj të tjerë. Një derë që do mbyllet nga Serbia e prirur për hegjemoni serbe dhe e “pastër nga krimet” , për të mos lejuar më daljen e tyre, veçse duke e shpërthyer me rrugën e luftës, ashtu siç ndodhi dhe në dy Jugosllavitë tjera. “Historia dridhet” kur sheh të përsëritet pa pikë dhimbjeje për njerëzit i njëjti eksperiment i dështuar me pasoja të rënda për gjithë popujt e rajonit, për fat të keq tashmë nga një politikë iluzore e BE. Politikanët duhet të kujtohen për atë që popujt e kanë pësuar mbi kurriz gjatë historisë se situatat politike mund të përmbysen ose të ndryshojnë si stinët.

Më 1911-12 Serbia, me etje të tërbuar për pushtim territoresh, me armë ruse plasi luftat Ballkanike dhe pushtoj mbi gjysmën e territoreve shqiptare në aleancë me Bullgarinë dhe Greqinë. “Me 28.06.1914, terroristi 19 vjeçar serb Gavrilo Princip vrau Dukën Franz Ferdinand dhe gruan e tij..në Sarajevë.. Nxitur nga Rusia, Serbia…. Vrasja e Dukës i duhej për të ndezur zjarrin e luftës. Austria i deklaroj luftë Serbisë. Të nesërmen Rusia shpalli mobilizimin për të mbështetur serbët”…”(f.153-154, W.Woodruff, Një Histori e shkurtë e Botës Moderne, nga 1500-deri më sot”, H. Woodruff, 1998) Dhe nga lakmia ruso serbe nisi Lufta e Parë Botërore. Lakmia ruso serbe me ngjyrime komuniste krijoj Jugosllavinë e viteve 1945-1999. që u ndërpre nga luftat e viteve 1990-1999 kundër Serbisë.

Është Bashkimi Europian këtë radhë që në vështirësitë e veta egzistenciale që ia shterrin idetë krijuese, po krijon një Jugosllavi tjetër në përputhje me ambicien serbe që nuk shterr. Gjithashtu dhe Rusia po e nxit Serbinë dhe konfliktet. Anëtari i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) në Washington DC, J. Bugajski, në një intervistë për EWB, ka deklaruar se: “Rusia ndoshta do t’i fusë në luftë Kosovën dhe Serbinë për të parandaluar zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s dhe BE-së, për të minuar dhe ndoshta për të shkatërruar Perëndimin..”Serbia mund të futet në këtë lojë aq sa Zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee në Serbi lëshon një paralajmërim dhe për serbët: “..duhet të jemi të vigjilentë… Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me Rusinë..por do t’i mbrojmë fuqishëm interesat amerikane sikurse edhe interesat e aleatëve dhe partnerëve tanë”, (“Kujdes ndaj qasjes ruse në Ballkan” Gazeta Shqip – 24 Maj 2017). Në Washington para nënkomitetit të Kongresit për Marrëdhëniet me Jashtë… ai ka zbuluar se qëllimi i vizitës së tij ishte ndikimi rus,.. Moska ka shtrirë tentakulat në Ballkan, teksa po tenton të bllokojë edhe integrimin në Europë të Shqipërisë. Sipas tij, Rusia nëpërmjet qendrës së saj e cila ndodhet në Nish të Serbisë, ka rritur përpjekjet për të ndikuar politikën në Ballkan, ..duke e përkufizuar këtë si “ndikim malinj” të Rusisë në Ballkan….(“Sot”,19/05/2017). Në këto kushte nanurisja, hezitimi i BE për të pranuar 6 shtetet në BE, që i ka lënë vendin idesë për krijimin e një Tregu të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor, një Jugosllavie tjetër, është një orientim fatalisht i gabuar. Një Jugosllavi tjetër që do realizohej dhe nëpërmes “përdorimit të muskujve” kryesisht mbi politikanët shqiptarë dhe gjithë shqiptarët, po dhe të të tjerë të rajonit dhe që BE nuk mund ta ketë kurrë nën kontroll, duket sa e pa mundur aq dhe një marrëzi pa fund dhe fatkeqësi sjellëse. Një projekt që i bjen ndesh interesave kombëtare shqiptare. Dhe për këtë qëndrim irreal të BE, Kryeministri Rama në një intervistë deklaron siç kemi cituar në një shkrim pararendës:“Europa po i trajton vendet e Ballkanit si të ishte në kohët e veta më të mira, ndërkohë që Europa është në kohët e veta më të këqija, dhe bota nuk është në ditët e veta më të mira.” Ta shohim sa do ti qëndrojnë Kryeministrat e Shqipërisë dhe të Kosovës mbrojtjes së inteteresave shqiptare përballë interesave gëllabëruese të Serbisë dhe presionit rrafshues të Bashkimit Europian. Po qenë shqiptarë të një fjale do tia arrijnë.

 

8 korrik 2017

 

 

Kuvendi i Gjilanit miratoi emrimin e rrugës: "Mërgimtarët e Gjilanit" në shenjë nderimi e falënderimi për kontributin e juaj për Lirinë, Pavarësin dhe Republikën! #Mirësevini n'shpi!
A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...