Published On: 4 Janar, 2017

Kosova nuk mund ta ndërtoj ardhmërinë dhe mirëqenien e vet mbi tragjedinë e Luginës së Preshevës!

Shkruan: Nehat Hyseni
Njëra ndër tragjeditë më të mëdha që i ka ndodhur shqiptarve në përgjithësi, sidomos shqiptarve të Luginës së Preshevës në fillimshekullin XXI është mbetja e tyre nën Serbi edhe pas  çlirimit të Kosovës.
 Kjo tragjedi e tyre u përjetua rëndë, meqë kanë mbetur nën regjimin antishqiptar të Serbisë, të cilëve u mohohen të drejtat më elementare njerëzore e kombëtare.
Kjo pjesë e Shqiptarisë aktualisht konsiderohet si komuniteti më i diskriminuar në Europë!
Kujdesi, apo më mirë me thënë moskujdesi dhe mosinteresimi ndaj tyre nga dy shtetet shqiptare në Ballkan është mospërfillës dhe fyes.
Por, edhe tragjik, meqë shqiptarët e shkretë të kësaj ane, duke humbur shpresën për një perspektivë dhe jetë të dinjitetëshme, ia kanë mêsyrë shpërnguljes kah Europa, Turqia dhe Kosova a Shqipëria, duke i lënë shkret pronat, pasurinë dhe varret e gjyshërve e stërgjyshërve.
Por, gabimi më i rëndë dhe i pafalshëm ndaj tyre u bë nga klasa politike kosovare, fillimisht nga Qeveria e Hashim Thaçit, që e filloi dialogun Kosovë-Serbi, për të drejtat dhe liritë e serbëve të Kosovës, pa përfshirjen e çështjes së të drejtave dhe lirive të shqiptarve në Serbi.
Madje, në këtë dialog, ata nuk përmenden askund, qoftë edhe në margjinat e këtij dialogu dhe në Marrëveshjen e 19 prillit 2013, të nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe nga kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e komisioneres së lartë të BE-së, baroneshës Catherine Ashton, e as në Marrëveshjen e 25 gushtit 2015, të nënshkruar nga kryeministri Isa Mustafa dhe nga kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e komisioneres Frederica Mogherini.
Kjo padrejtësi e madhe dhe kjo sjellje e paprecedent dhe injoruese e palës kosovare nga shqiptarve të Luginës së Preshevës u kuptua se akt i rëndë tradhëtie kombëtare dhe si “thikë pas shpine” interesave kombëtare të shqiptarve.
Duke ia kthyer shpinën shqiptarve të Luginës së Preshevës, Kosova rrezikoi jo vetëm qenien kombëtare shqiptare, por edhe ia futi thikën pas shpinës edhe tërësisë territoriale dhe sovranitetit e mirëqenies së Republikës së Kosovës, duke mos e obliguar fare Serbinë që t’u siguroj shqiptarve të drejtat dhe liritë që i gëzojnë serbët në Kosovë, që janë mbi çdo kriter e standard të botës së zhvilluar e demokratike.
Prandaj, prononcimet e ministrit të jashtëm të Kosovês, Enver Hoxhajt se edhe çështja e Luginës së Preshevës do duhej të ishte pjesë e dialogut të Brukselit, është e vonuar dhe duket e pasinqert dhe cinike!
Sepse, Z. Hoxhaj ishte ministër i punëve të jashtme edhe në qeverinë e Hashim Thaçit dhe anëtar i Kryesisë së PDK-së, por asnjëherë të vetme nuk e ngriti zërin dhe as që i ka përmendur fare shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Ai, ministria  dhe qeveria e partia të cilës i përket, nuk kanë bërë as “lavrën e miut” për t’i ndihmuar vëllezërit preshevarë.
Mjerisht, kjo është një histori e trishtë, e turpëshme dhe rëndon ndërgjegjen për veprimet e tilla, që nuk do ua falë historia dhe brezat e tanishme, si dhe ato të ardhëshme.
Askund në botë nuk mund të hasim një veprim kaq injorant, të padinjitetshëm e antikombëtar të ndonjë shteti a qeverie ndaj bashkëkombasve të vet, siç është rasti i qeverisë së Republikes së Kosovës ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës.
Prandaj, dialogu i Brukselit nuk duhet të vazhdoj kurrësesi pa përfshirjen e çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës, si çështje plotësisht e barabartë me atë të serbëve të Kosovës.
Vetëm në këtë mënyrë do të mbrojen shqiptarët e Luginës, por edhe kërkesave të pafund dhe obstrukcioneve të serbëve të Kosovës dhe Serbisë do t’i vihej fré, me kushtëzim dhe obligimin e saj me të drejtat e shqiptarve në Serbi, sipas parimit të barazisë së plotë dhe reciprocitetit me të drejtat e serbëve në Kosovë.
Pra, me futjen e çështjes së shqiptarve të Luginës në dialogun e Brukselit do të fitoj edhe Kosova, por dhe drejtësia dhe paqa, siguria dhe stabiliteti shoqëror, ekonomik e politik në Ballkan dhe më gjërë.
Klasa politike e Kosovës, më në fund duhet ta kuptoj se nuk mundet ta ndërtoj fatin, mirëqenien dhe prosperitetin e vet, duke i sakrifikuar dhe duke i bërë “kurban” shqiptarët e Luginës së Preshevës. Përkundrazi, sa më shumë që t’i përfillë dhe respektoj të drejtat e bashkombasve të vet edhe në Dialogun e Brukselit, aq më shumë do të zmbrapset Serbia, do të evitohet ndarja e Kosovës dhe serbët do të inkuadrohen në institucionet e Republikës së Kosovës.
Mbase, do të duhej të ishim mbushur mend nga përvoja e hidhur e performanceës së komunistëve kosovarë dikur, në luftën e tyre sizifiane “kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”, duke e sakrifikuar edhe qenien kombëtare shqiptare me qëllim të ngopjes së aperiteve e epsheve serbomëdha.
Atëbotë, ata u vunë në shërbim të djallit dhe vonë, shumë vonë e kuptuan se synimet e pretendimet serbe nuk ishin për barazi e mirëqenie të serbëve në Kosovë, por ishin për ta rrënuar përtokë Kosovën dhe kosovarët.
Prandaj, duhet mësuar nga ajo histori e hidhur dhe të mos i përsërisim gabimet e komunistëve të dikurshëm sot, në Dialogun e Brukselit dhe në raportin e Republikës së Kosovës ndaj sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës dhe pozitës së shqiptarve të Luginës së Preshevës.
Sepse, në të kundërtën, historia më nuk do të na falë!
Kuvendi i Gjilanit miratoi emrimin e rrugës: "Mërgimtarët e Gjilanit" në shenjë nderimi e falënderimi për kontributin e juaj për Lirinë, Pavarësin dhe Republikën! #Mirësevini n'shpi!
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...