Published On: 25 Prill, 2017

Kosova importon shumë më tepër se që eksporton

Importi në Kosovë është 6 herë më i madh se sa eksporti, u vlerësua të martën në konferencën “Partneriteti për Bujqësi të Qëndrueshme, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Kosovë 2017”, e cila u iniciua nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe ishte ndihmuar financiarisht nga Banka Botërore.

Memli Krasniqi, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, duke prezantuar të arriturat e ministrisë që ai e drejton, foli për prioritetet kryesore të cilat përqendrohen në masat që ndihmojnë prodhimtarinë primare bujqësore, rritjen e vendeve të punës, rritjen e konkurrencës, në mënyrë që të arrihet nivel më i lartë që në të ardhmen fermerët nga Kosova të përballen edhe me konkurrencën jashtë vendit.

“Rezultatet e viteve të fundit 2014-2016, mbështetja financiare për programin e grave dhe subvencioneve duke përfshirë zbatimin e pagesave të bëra në këto tri vite edhe duke i llogaritur ato që janë miratuar në vitin paraprak 2013, në total janë 183 milionë euro. Përmes granteve është investuar në sektorë të ndryshëm të prodhimtarisë primare, ku është shënuar progres i konsiderueshëm në bashkinvestim me fermerët përfitues dhe agrobizneset përfituese. Janë ngritur 571 hektarë, 134 hektarë sipërfaqe të reja vreshtare, 62 ha sera të reja , 224 ferma blegtorale ku janë shtuar 2076 ha, janë realizuar 22 projekte të turizmit rural dhe 560 ferma, të cilat janë prodhojnë energji të ripërtëritshme”, tha ai.

Krasniqi u shpreh se të vazhdojë bashkëpunimin me Bankën Botërore, si dhe do të fokusohen në rritjen e buxhetit për subvencione.

Ai tha se planifikohet ndryshimi i aplikimit për grante dhe subvencione për fermerë, nga aplikimi manual në atë online, në mënyrë që procesi të jetë sa më transparent.

Kryekuvendari Kadri Veseli theksoi se ekonomia e posaçërisht sektori i bujqësisë duhet të jenë çështja kryesore e politikës dhe politik-bërësve në Kosovë, andaj politika në vend se të fokusohet në ekonomi, ajo është kthyer në barrë për fermerët dhe në këtë mënyrë politika është shkëputur tërësisht nga qytetarët dhe se kjo situatë duhet të ndryshojë urgjent.

Ai konsideron se pa zhvillim ekonomik nuk mund të ecim asnjë hap përpara dhe se vetëm zhvillimi ekonomik sjell ndryshim për çështjet siç është papunësia.

 

“Njerëzit tanë të thjeshtë dhe punëtorë kanë ide të mrekullueshme dhe këto ide do të jenë baza e platformës sime politike. Qeverisja e mirë është për qytetarët dhe duke qenë e tillë ajo duhet të fillojë nga qytetarët. Problemet e qytetarëve janë input i Qeverisë, ndërsa zgjidhja e tyre është output i saj. Secila qeveri që nuk e ndjek këtë rregull herët apo vonë është e dështuar. 24’17” Nuk ka vend më të sinqertë dhe më të drejtë të investohen paratë e taksapaguesve tanë se sa në prodhim dhe në produktin tonë. Dhe kjo do të ndodhë në Kosovë. Kosova do të transformohet nga ekonomia tregtare konsumuese në ekonomi prodhuese”, tha kryeparlamentari Veseli.

Për të rritur eksportin Veseli tha se Kosova duhet të drejtohet drejt tregtisë së hapur. Meqenëse kapaciteti i tregut në Kosovë është i mangët, për t’i ikur kësaj, sipas tij, në fokus duhet të jenë qytetarët dhe duhet të investohet në bizneset që bëjnë ata.

Për përkrahjen aktuale dhe të ardhme për bujqësinë, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë Libor Chlad tha se me marrëveshjen IBA I, janë investuar mbi 30 milionë euro për grante, ndërkaq nga marrëveshja IBA 2 e cila përfshin vitet 2014-2020, tha se janë paraparë edhe 30 milionë të tjera investime në Kosovë.

 

“Nuk është e befasishme kur them se Bashkimi Evropian është donatori më i madh i ndihmës në Kosovë dhe ndihma jonë përfshin përafërsisht gjysmën e ndihmës totale që Kosova pranon çdo vit. Dhe nuk është e befasishme kur them se ka shumë vite që nga koha kur në identifikojmë sektorin e bujqësisë, të cilin folësit paraprak e kanë përshkruar shumë mirë sot, si një sektor më një potencial të madh, me një potencial për të krijuar punësim dhe për të gjeneruar rritje. Ndihma jonë është e fokusuar në mbështetjen e sektorin të bujqësisë, të dyja në një linjë të punës së ngushtë me autoritetet e Kosovës për të rritur kapacitetet e tyre për të menaxhuar strukturat e nevojshme për zhvillimin e këtij sektori, por edhe me mbështetje direkte për fermerët kosovarë. Gjatë viteve 2007-2013, ne i kemi dedikuar këtij qëllimi më shumë se 50 milionë euro, nga të cilat 18 milionë euro janë dedikuar skemave madhore. Norm alisht që në shohim mbrapa dhe vlerësojmë ndikimin e veprimit tonë. Duhet të jeni shumë të lumtur pasi që vlerësimi ka rezultuar të jetë mjaft pozitiv. Asistenca jonë ka shërbyer si levë e sigurimit të investimeve nga të gjitha burimet e Kosovës”, tha ai.

Chlad theksoi faktin se MSA krijon një mundësi të mirë për Kosovën dhe se hap tregun e Kosovës drejt atij evropian. Ai ka përkujtuar se vitin e kaluar importet në Kosovë kanë qenë për 6 herë më të mëdha se eksportet. Ndërsa, ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, konsideroi se kontributin më të madh në Kosovë Franca e ka dhënë në fushën e indikacioneve gjeografike. Kjo sipas tij, ka ruajtur mjedisin dhe ka ndikuar që prodhimi të jetë më në nivel.

 

“Bashkëpunimi mes dy vendeve tona ka filluar dy vite më parë dhe tani është duke u shndërruar në rezultate konkrete, veçanërisht duke iu falënderuar përkushtimit të Ministrit Krasniqi dhe ekipit të tij. Këtë vit, ambasada po planifikon të organizojë trajnim për provë të verërave dhe gjithashtu është e gatshme të sigurojë ekspertizë dhe udhëzime për prodhuesit e verërave për të rritur kualitetin e prodhimit të tyre dhe eksportin. Kjo është një fushë në të cilën dy vendet tona mund të punojnë së bashku”, u shpreh Chabert.

Goran Tinjiq nga Banka Botërore, tha se investimet do t’i kenë prioritet kryesor dhe se koordinimi i donatorëve dhe i asistencës ka më së shumti efekt kur është i udhëhequr nga qeveria.

 

“Banka Botërore ka dy qëllime, njëri qëllim është eliminimi i varfërisë ekstreme dhe qëllimi është që nga viti 2030 të mos kemi varfëri ekstreme dhe qëllimi i dytë i cili është shumë më rëndësi është rritja e prosperitetit e kësaj popullate prej 50%. Edhe nëse Kosova shënon rritje për 7% ose 10%, nuk do të jetë e mjaftueshme nëse në të njëjtën kohë njerëzit e varfër të cilën janë në pjesën e fundit të 50% të popullatës nuk përfitojnë nga kjo rritje në mënyrë disproporcionale. Intervenimet dhe investimet në bujqësi kanë 2 deri në 3 herë më shumë potencial për të nxjerrë njerëzit nga varfëria sesa çdo intervenim tjetër”, ka thënë Tinjiq.

Ottilie Mooshofer, udhëheqëse e projektit të GiZ, tha se kanë përkrahur bujqësinë posaçërisht në fushën e verarisë. Ajo u shpreh se me projektin e tyre kanë formuar shoqatën dhe tregun e brendshëm në sektorin e verarisë.

Sipas saj, fokusi do të jetë në sektorin privat ku do të ofrohen mundësi për t’u arritur objektivat, në mënyrë që të rritet numri i të punësuarve nga zonat rurale.

Ajo, gjithashtu, tha se do të përpiqen që të hulumtojnë shkakun se pse të rinjtë e Kosovës po migrojnë dhe se do të përpiqen të marrin hapa konkret për të ofruar zgjidhje në këtë aspekt në mënyrë që të ndalet migrimi.

Edhe Andrew Russell nga UNDP u shpreh se duhet të punohet për integrim në aspektin global për të parë mundësinë e promovimit, në mënyrë që të rinjtë në Kosovë të kenë një të ardhme të sigurt për të mos e lëshuar vendin.

Russell mes tjerash tha se UNDP është e përqendruar në tregjet e Kosovës dhe synon të ruajë sektorin publik për të ruajtur rritjen dhe për të ulur korrupsionin.

Përfaqësuesja e Bankës Zhvillimore Gjermane Esther Gravenkötter, tha se kanë krijuar fondin për garanci kreditore në Kosovë me ç’rast kanë ndarë mbi 2 milionë euro deri më tani. Ajo u shpreh se një nga çështjet problematike janë fermerët e vegjël, ku në këtë rast sipas saj, çështje tjetër urgjente në këtë sektor është edhe madhësia e tokës punuese që ata posedojnë.

Ajo tha se ka shumë gjëra të cilat janë të ndërlidhura dhe si shumë vende të tjera sipas saj po fokusohen të inkurajojnë qeverinë në zhvillimin e bujqësisë sektor që në vete ngërthen edhe sektorin e ujit, mjedisit, industrisë dhe çështjen e riciklimit.

Ndryshe, edhe përfaqësues të tjerë të organizatave ndërkombëtare u shprehën se do të vazhdojnë të ndihmojnë sektorin e bujqësisë ne Kosovë dhe do të japin kontributin e tyre në përmirësimin e standardeve dhe cilësisë, në mënyrë që produktet e fermerëve nga Kosova të arrijnë të përballojnë konkurrencën edhe në tregun evropian.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...