Published On: 28 Gusht, 2017

Kosova është gjithçka. E të gjithëve, përmbi të gjithë

Genc Drini

Kosova është gjithçka. E të gjithëve, përmbi të gjithë. Vendimi i shqiptarëve në bisedimet për marrëveshje për fqinjësi të mirë, u takon të gjithëve dhe kurr veçmas disa politikanëve shqiptar të radhës.

                                  DIPLOMACI AGRESIVE POLIVALENTE SERBE- (4)

vijim 4         

I shqetësuar, në rolin e analistit, prof. I. Berisha mendon se letra Vuçiq “për të nisur dialogun e brendshëm serb për Kosovë”, mund të jetë ndër më fatalët për tërësinë integrale dhe sovranitetin e Kosovës Në një mënyrë apo tjetrën Vuçiq formalisht ka kërkuar hisen e Serbisë në Kosovë dhe kjo mund të jetë edhe një paralajmërim për asociacionin e komunave serbe në Kosovë.” Është në një zë me Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçin që e gjykon si: “Lëvizja më e rrezikshme e këtyre dy dekadave të fundit.” Por jo. gjithçka mvaret nga ne, vetëm ne mund ti bëjmë dëm vetes tashmë dhe jo serbët. Dialogun serbët e kanë për vete dhe Serbia mund të kërkojë çfarë ti teket! Edhe të tjerë e patën bërë…me të gjitha mjetet. Bisedat brenda serbe, vendimet serbe nuk prekin dot as tërësinë integrale dhe as sovranitetin e Kosovës dhe kurrë më nuk kanë për ta prekur. Zaret janë hudhë dhe kanë zënë vend tashmë përfundimisht, Kosova është e Pavarur dhe e njohur nga një mori shtetesh. E rëndësishme është çfarë duam ne, çfarë bëjmë ne shqiptarët, si e mbrojmë atë që është e jona. Serbët bisedojnë në mes vetes, megjithëse e kanë në kushtetutën e tyre Kosovën si pjesë të Serbisë, le ta mbajnë, përse shqetësohen kaq shumë? Sepse Shteti Serb nuk ka më asgjë të vetën në Kosovë, përpiqet të ruaj fytyrën, po dhe të përfitojë sa të mundet, po nuk ka çfarë të kërkojë më, minoriteti serb është trajtuar në mënyrën më maksimaliste.  Po në bisedime për fqinjësi të mirë mund të përfitojë abuzivisht vetëm nëse shqiptarët do jenë të verbër, të shurdhër, të pa ditur dhe jo unik në platformë dhe diplomaci. Tash, vetëm ne shqiptarët mund ti bëjmë mirë dhe keq Kosovës.

Behgjet Pacolli shqetësohet me “përgatitjet e Serbisë për të na vendosur në arenën ndërkombëtare në një situatë të pa lakmueshme diplomatike”. Një këndvështrim ky që gjykon veten nëpërmes tjetrit, ndërkombëtarëve, e bën të futet në vetëtrysni dhe lëshon një formulë orientuese të gabuar dhe shumë të rrezikëshme për mendësinë e qëndrimin diplomatik shqiptar: ”.. le të kuptojmë qëndrimin serb, për të vendosur më pas, se cila do të ishte zgjidhja më e mirë e jona”. Kur në fakt është krejtësisht e kundërta. Lëvizja e parë është e shqiptarëve që luftuan iu u kundërvunë serbëve dhe e bënë Kosovën të pavarur dhe është kjo që përcakton çdo qëndrim të mëtejmë të shqiptarëve. Qëndrimi shqiptar nuk kushtëzohet nga synimet e qëndrimet serbe. Shqiptarët e kanë të vendosur se çfarë duan, e kanë Kosovën të tyren, e mbrojnë. Është e drejta e tyre, vendi i tyre, tokë e tyre shqiptare që e kanë rifituar me luftë dekadash dhe sakrifica kolosale, e kanë të përcaktuar, e kanë të shkruar Pavarësinë dhe integritetin territorial në Kushtetutën e Shtetit të Kosovës. Nuk kanë përse shohin nëpërmes syve të zgurdulluar të serbëve nga etja shovene e pasqyruar në qëndrimet serbe dhe pastaj të shohin çfarë duhet bërë. Shqiptarët, shqiptarët e Kosovës e dinë çfarë duan. Shkëputur përfundimisht nga Serbia. Informimi është kategori tjetër.

Si disa analistë të tjerë, Pacolli beson se: “Është krejt e qartë tashmë se Serbia është para një hapi të madh në lidhje me Kosovën…, ky hap serb nënkupton “lëshime të mëdha”…: “-Qoftë heqjen e Kosovës nga Preambula e Kushtetutës së Serbisë dhe përshkrimin e interesave shtetërore serbe në Kosovë “. Dhe pyet:-Çfarë do të kërkonte Serbia në këmbim të lëshimeve? “A do të jemi mjaftueshëm të mençur dhe mjaftueshëm të bashkuar, pra të fortë që ndërsa fitojmë diçka, të mos humbim akoma më shumë? Një gjykim krejtësisht i gabuar në nisje ku flet për“lëshime të mëdha”nga Serbia, e ka çuar në një seri pyetjesh të gabuara. Do sjellim vetëm dy konsiderata krejt ndryshe nga gjykimi i tij, e para nga një serb:“Rrëfimi për Kosovën si territor i yni, krahinën tonë jugore në përbërje të Serbisë, sot ka përfunduar. Asnjë preambulë nuk mund ta kthejë atë”( në intervistën për “Vreme” deputeti i Partisë Demokratike Dragolub Miqunoviq. -Koha.net.)E pse do ta quajmë lëshim serb atë që de facto është e lëshuar? Serbia asgjë nuk ka çfarë të lëshojë në Kosovë dhe asgjë çfarë të kërkojë në Kosovë. E dyta, përsërisim përgjigjen dhënë nga V.Çitaku, ministrit Daçiq: “Ne nuk kërkojmë leje nga ju për asgjë, ne në dialog nuk kemi hyrë që të tjerët të na e njohin pavarësinë sepse ajo ka ndodhur, por jemi për fqinjësi të mirë. “Mjafton ky përcaktim për të kuptuar se pyetja “Çfarë do të kërkonte Serbia në këmbim të lëshimeve është shtruar krejtësisht gabim. Synimet, politika dhe diplomacia e shqiptarëve duhet të jetë në unison. Kosovën dhe të ardhmen e saj nuk e kushtëzon dot Serbia. Asnjë lëshim ndaj Kosovës nuk do jetë heqja nga Preambula e Kushtetutës së Serbisë, po në rrethanat e krijuara do jetë vetëm heqje nga qafa e Serbisë e një barre të rëndë që nuk e mban dot më. Shqiptarët e dinë përse kanë luftuar dhe fituar. Platforma shqiptare nuk ndryshon, dhe vetëm përmbi të ndërtohet strategjia që nuk lëkundet e nuk mvaret fare nga ajo çfar do kërkojnë serbët para apo pas diskutimeve në mes tyre. Nuk kemi pse të merremi me etjen serbe për ta pasur prap Kosovën koloni, etjen për të shqyer pjesë të saj, apo etjen për të krijuar parcela të ndara etnikisht dhe për tu vendosur këmbë kryq në mes të Kosovës njëherë e mirë, për të mos e lënë Kosovën kurrë të bëjë çap pa lejen e Serbisë si të ishte provincë e sajë. Po të ishin kushtëzuar shqiptarët nga qëndrimi sërb, e pastaj të vendosnin çfarë të bënin, sot Kosova do vazhdonte të ishte në situatën para vitit 1990 nën pushtimin serb. Bisedime vetëm për fqinjësi të mirë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Në editorialin “Treni i fundi për një paqe të qëndrueshme në “F.A. Zeitung”, ( Lajmi.net.), pas takimit në Bruksel, 24 janar 2017 në mes zyrtarëve më të lartë shtetëror të Kosovës dhe Serbisë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se “Kosova do të përgjigjet në mënyrë institucionale ndaj provokimeve të Serbisë, si ai me trenin.“..Kërcënimeve më luftë që vinë nga Serbia, Kosova do t’i përgjigjet me paqë”.. ndërsa ka shtuar se “është kërkuar nga Serbia që ta njohë Kosovën dhe të heq dorë nga pretendimi i saj për territorin e Kosovës”. Gjatë takimit “nuk është arritur ndonjë rezultat” por ama Aleksandar Vuçiq është shprehur se “ka qenë një takim shumë i vështirë…Sa mbaj mend, asnjëherë nuk kam pasur takim më të vështirë” dhe ka shtuar se “janë pajtuar që të ulen tensionet mes dy vendeve…dhe që Është vështirë që të paramendohet se pas këtij takimi do të ndodhin gjëra që kanë ndodhur kohë më parë”. Ky ndryshim thuaj i përmbysur në gjykimin e Vuqiq, dhe më vonë në sjelljen serbe ndodhi vetëm pak ditë pasi Qeveria e Kosovës bëri të dështojë përpjekja agresive serbe e 14 janarit për të futur në Kosovë trenin provokues me parullën “Kosova është Serbi”. Vendimi i prerë ndalues i Qeverisë së Kosovës rezultoi një lëvizje kyçe në një moment kyç. Kjo do të thotë se që në atë moment për serbët ishte vendosur një kufi që nuk mund ta kalonin. Serbët e kuptuan mirë ‘në të gjitha nuancat’ se nuk mund të provokonin më Kosovën e Pavarur. Kur e panë veten pa alternativë filluan të kërkonin një “rrugë tjetër fituese” siç shkruan Vuçiq atë të bisedimeve dhe marrëveshjes. Disa nga politikanët tanë që kanë nevojë për folklor, dhe nuk lodhen me analiza nisën të thërrasin të lumturuar: po ndodh ndryshimi i madh serb, “bravo Vuçiqit” si në stadium! Bravo politikanë.

Për Thaçin:“Kosova dhe Serbia janë duke dialoguar për më shumë se gjashtë vjet…drejt synimit të normalizimit të marrëdhënieve.…hapa të mëdhenj janë bërë…..megjithatë normalizimi i plotë i marrëdhënieve mbetet një qëllim i paarritur”…është në thelb një konflikt i ngrirë ndërmjet dy shteteve tona” ..“Unë kam qenë pjesë e të tri negociatave dhe jam krenar të them që Kosova gjithmonë është dakorduar me marrëveshjet të cilat ishin të ndërmjetësuara nga komuniteti ndërkombëtar. (Lajmi.net) ky dakordësim nuk ka pse të bën krenar, sepse themelorja është a janë dakordësuar shqiptarët me marrëveshjet që ke nënshkruar, ky duhet të ishte sodisfaksioni më i madh, i mjaftueshëm përmbi çdo krenari.

Së pari presidentit Thaçi nuk i ka lënë ndonjë mbresë direkte letra Vuçiq, siç duket ngaqë është takuar shpesh me të e njeh, dhe kjo është mirë. Por duhet të ishte i vetmi që ti kishte lënë mbresë në një kuptim tjetër. Edhe Vuçiq ka qenë pjesë e delegacioneve kohezive serbe për bisedime, të kordinuara në nivel shteti, me platformë të miratuar në nivel parlamenti në të gjitha hallkat proceduriale, deri në miratim të vendimeve të marruna në ato bisedime. Megjithëse ka shumicën në parlament mund të merrte vendime dhe të vazhdonte me bisedime e marrëveshje pa pyetur, por jo, vendos për një ndryshim në konceptimin e politikës serbe dhe për vendime të rëndësishme dhe i futet një komunikim direkt me serbët me të gjitha rrymat politike.  Kështu para serbëve dhe historisë ai ka vërtetuar diçka shumë të rëndësishme se e drejta e tij nuk është pushteti dhe e drejta për të vendosur në pozicionin ku rasti e ka sjellë, por detyrimi moral ndaj serbëve, dhe ndaj vetes si një serb që është. Kjo është është mbi të gjitha. Detyrimi moral krijon shtetin dhe jo e kundërta. A. Vuçiq ka pohuar një të vërtetë të thjeshtë, se është një sërb, brënda ca milionësh, dhe pse në një pozicion të caktuar, nuk ka asnjë të drejtë më shumë se cilido serb tjetër të vendosë për fatin e Serbisë dhe të popullit serb, nëse do vepronte ndryshe do ishte thjesht hajdut i të drejtës serbe, dhe hajdutët dënohen nga ligji dhe historia. Prandaj Vuçiq i druhet historisë dhe nuk përpiqet ai vetë të jetë “kreativ” që të lëshohet në kompromise. Për mendësinë serbe, për këtë qëndrim Vuçiq mund të quhet i shpëtuar, para vetes, para serbëve, para historisë, brënda mundësive që i dha koha, i qetë për arritjet serbe në bisedime me shqiptarët. Ndërsa politikani Thaçi, tash në rolin e presidentit e di se në Kosovë kanë ndodhur përplasje të thella me opozitën, dhe nga mos mos konsultimi i përbashkët I mjaftueshëm dhe nga mosndjekja e të gjitha hallkave të caktuara ligjore për hartimin e politikës së përbashkët as të paraqitjes dhe miratimit të marrëveshjeve me Serbinë duke shkelur dhe regullat parlamentare, dhe për këto është bërë lëmsh politika dhe njerëzit në Kosovë kët o kohët e fundit. Pasojat po shihen dhe sot në mos krijimin e qeverisë. Kështu është kur një parti ose individ e redukton arbitrarisht politikën në partiak-fituese, duke bërë protagonistin në një personal-politikë vendos pa pyetur opozitën. Por Kosova është gjithçka. Është mbi të gjithë politikanët shqiptar dhe e të gjithëve, dhe vendimi në marrëveshjet u takon të gjithëve. Jemi shumë larg nga sjelljet institucionale ndërserbe, dhe moral-politika në raportet ndërserbe të letrës Vuçiq. Presidenti Thaçi shprehet:”Marrëveshja e muajit prill 2013 ishte një triumf politik, por kanë kaluar tashmë katër vjet që kur u arrit dhe zbatimi i disa pikave të marrëveshjes është duke ngecur ende dhe sot pas katër vitesh”. V.Surroi dhe jo vetëm ai mendojnë ndryshe: Nga një mungesë e madhe e kohezionit në shqiptarë, nga protagonizmi i vetë-politikës në ato bisedime Kosova ka humbur shumë: “Në Kornizën kushtetuese (që më vonë u bë Kushtetutë) pranuan që serbët të jenë detyrimisht pjesë e Qeverisë – dhe Kosova kështu u bë vendi unikat ku kualifikimi i vetëm i nevojshëm për ministër është përkatësia etnike, serbe. Dhe pa filluar negociatat u krijua parimi etnik i decentralizimit, me formimin e komunave të reja serbe (në mënyrë që pas disa vjetëve të kërkohet centralizimi etnik, pra grupimi i komunave serbe). Në këto njëzet vjet.. Kosova ka bërë lëshime në strukturën e vet shtetërore deri në kufijtë ekstrem të funksionalitetit. Dhe sfida …është se çka të bëhet me tërë ato konçesione të bëra deri tani? Sepse, nuk do mend, çfarëdo negociatë e ardhshme prapë do të kërkojë që, siç thotë dhe vetë presidenti serb, të bëhen kompromise…“Prishtina zyrtare duhet të ulet dhe të analizojë veprimet e veta, së paku nga çlirimi deri më sot, të konstatojë dështimet dhe të krijojë një platformë të re. (V.Surroi, “Rreth paralajmërimit të… Vuçiç për..” “Pamfleti.com” 28 korrik 2017) Në rastëse Kosova ka lejuar lëshime në strukturën e vet shtetërore deri në kufijtë ekstrem të funksionalitetit, dhe fajtorë për këtë janë hartuesit e platformës shqiptare dhe përfaqësuesit në delegacionet shqiptare, si mund të guxojë të imagjinojë Surroi se duhet lëshuar dhe më, dhe të bjerë dhe në kurthën serbe duke përsëritur Vuçiqin: “lëshime siç thotë dhe vetë presidenti serb”? Si mund të guxojë mbi të gjitha Presidenti Thaçi që dhe ai të futet në kurthën e gjuhës Vuçiq, dhe të gjuhës së disa përfaqësuesve ndërkombëtarë që për komoditetin e tyre shtyjnë për kompromise dhe të thotë: ..të gjithë duhet të jemi kreativë dhe të jemi të gatshëm që të bëjmë kompromise të mëtutjeshme”. Si? …Kush të gjithë? Detyra e presidentit Thaçi është të mos lejojë kompromise të mëtutjeshme të dëmëshme në kurriz të Kosovës. Kështu mund të   zhbëjë disi dhe brendinë e shprehjes, “Jepi Thaç jep” që është gjykimi i shqiptarëve për politikën e lëshimeve “kreative”.  Kosova nuk është një tortë për ta ndarë “me kreativitet”. Shqiptarët, mes tyre dhe Thaçi kanë luftuar, duhet të kujtohen se protagonizmi kreativ për të lëshuar nga e drejta, dhe lëshimet nga e drejta projektohen si krim. Mbrojtja e Kosovës kërkon bindje në kauzën e drejtë, urti dhe këmbëngulje të pa epur.. Vuçiq për lëshimin e detyruar dhe të ndodhur në Kosovë, nuk do që historia ta gjykojë si protagonist, qoftë dhe të asaj politikë që ai po propozon. Protagonist është populli shqiptar dhe politikani diku veç një në mes tyre. Shqiptarët kanë forcën e kauzës shqiptare dhe detyrimin që të mos lëshohet asnjë e drejtë në Kosovë. Më lejoni të parafrazoi dy rreshta nga një libër letrar: “Përgjigjëja shqiptare, ngaqë ishe e pakët në fjalë, ngjante më pak romaneske. Kosova është Shqipëri dhe pikë. Aty kemi qenë gjithmonë. Aty kemi jetën. Aty dhe vdekjen.(I.Kadare, “Mëngjeset në Kafe Rostand”, Makth, f.160, “Onufri”2014) Kosova e plotë e pa prekshme. Shqiptari dhe Kosova shqiptare një sintezë e historisë, e të vërtetës dhe ndërgjegjes.

       VIJON

Genc Drini,

25 gusht 2017

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...