Ekonomi

Kosova bllokon 40 autobote me naftë nga Shqipëria

Autoritetet doganore në Kosovë bllokuan 40 autobote me naftë që kishin hyrë nga Shqipëria, me origjinë nga Spanja. Bllokimi erdhi si pasojë e dyshimeve se sasia prej 1 milionë litrash naftë është jocilësore. Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci e konfirmoi këtë për mediat në Kosovë.

“Nga analizat e bëra në laboratorin e Doganës, si dhe në dy laboratorë privatë të akredituar në Kosovë, ka rezultuar se nafta në fjalë nuk i plotëson kriteret e parapara në vendin tonë”, shkruan gazeta “Zëri”.

Pas tre analizave që e nxjerrin naftën jashtë parametrave, njëra nga tre kompanitë që kanë porositur sasinë e naftës në Shqipëri, “HIB Petroll”, ka insistuar për analiza të tjera.

Me kërkesë të saj, dogana ka dërguar disa mostra për t’i analizuar në Maqedoni.

Gazeta “Zëri” hedh dyshime se në Maqedoni analizat mund të manipulohen, teksa ngre pyetjen se përse është i nevojshëm një kontroll tjetër kur tre analiza të mëparshme e kanë nxjerrë naftën jashtë standardeve të cilësisë.

Doganat në Kosovë dhanë këtë sqarim:

“Dogana rregullisht aplikon kontrolle të cilësisë së naftës dhe ne marrin mostra të cilat pastaj dërgohen në laborator për t’u kontrolluar, me udhëzimin mbi konformitetin e naftës dhe derivateve të saj. Dogana pas marrjes së përgjegjësisë, sipas udhëzimit 01/2017 të MTI-së, ka aplikuar sistemin e kontrolleve të bazuara në analizat e riskut. Pra, ne kontrollojmë në aspekt cilësor, përmes matjeve kundrejt konformitetit. Derisa rasti i fundit është i ndërlidhur me tejkalimin e parametrave të lejuar për disa dërgesa të naftës, gjithsesi se me duhet të theksoj se sipas analizave tejkalimi i parametrave është i ulët. Meqë dallimi është shumë i ulët, prandaj edhe janë dërguar edhe një herë për superanalizë (në Maqedoni)”.

Jozyrtarisht mësohet se nafta e bllokuar gati prej një jave në Terminalin Doganor ka qenë e destinuar për “HIB Petroll”-in, “Lab Oil”-in dhe “Ex Fis”-in. Nga ana tjetër, një tjetër kompani porositëse e naftës, “Lab Oil”, ka hedhur dyshime mbi “profesionalizmin e doganës”.

Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, konfirmon se nafta e bllokuar nuk është cilësore dhe kjo nuk është hera e parë që futet naftë e tillë.

“Tani kjo dëshmon se edhe në të kaluarën është futur naftë jocilësore nga importi, ky është një shembull se derivatet nuk prishen në pika karburanti, por importohet jocilësore. Derivati ka qenë i destinuar për tregun e Kosovës. Sikur mos të ishte kontrolluar në kufij, ky derivat do të shpërndahej nëpër pika karburanti dhe me rastin e monitorimit nga MTI-ja për cilësi, ishin gjobitur minimumi nga 10 mijë euro për këtë derivat jocilësor jokonform, pa fajin e tyre”.

Kryetari i Shoqatës ka zbuluar se nafta e bllokuar ka ardhur nga Shqipëria dhe ka origjinë nga Spanja.

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *