Published On: 1 Gusht, 2017

Konspiratorët kundër Rugovës

 “Rugova nuk e ka gjatë”, më thoshte njëri syresh, “sepse s’mund ta kundërshtonte përherë  presidentin shqiptar, i cili e ka pushtetin real”, ma paraqiste ish-miku im forcën e shtetit shqiptar si kërcënim e jo si ndihmë. Ai në mënyrë dashamirëse më këshillonte të mos e lidhja fatin me Rugovën.

Gani Mehmetaj (Kujtime 25)

 

Asnjë personalitet me peshë nuk e pranoi kundërvënien publike Rugovës. TV Shqiptar e ftoi H. Hysenin që t’u fliste “kosovarëve” për një kurs të ri politik. Foli gati një orë, por s’tha asgjë, sepse të dilte haptas kundër presidentit të Kosovës, nuk ia mbante, të bënte  ftesë për dalje në rrugë që ta shpëtonte Drashkoviqin, e dinte se do të bënte vetëvrasje politike, ndërsa ai ishte mësuar vetëm me konspiracion. Kështu doli nga emisioni televiziv ashtu si i fut, pa u marrë vesh çka tha dhe kundër kujt e tha. Disa muaj më parë disa këshilltarë të presidentit shqiptar  më patën thënë se shefi i tyre do të jetë i detyruar të ftojë në koalicion H. Hysenin, Sh. Maliqin e V. Surroin.

“Sa do të kenë sukses edhe po e patën mbështetjen tuaj?” – u thashë i mllefosur me këto intriga të padinjitetshme. Mbetën të hutuar, por më shikuan me mosbesim. Nuk e di a i ftuan në kanalet e fshehta apo jo emrat që i përmendën, e di se nëpër Tiranë u sollën e u mbështollën, ndërsa deri dje i shanin dhe i akuzonin me fjalë të rënda. E di se me disa prej tyre mbajtën kontakte, pavarësisht se publikisht nuk i përfillnin. I quanin spiunë të Serbisë, por donin t’i bënin edhe spiunë të vet. 

Një mik imi në mënyrë profetike më fliste sesi Rugova nuk e ka të gjatë, se do ta rrëzojnë projugosllavët në bashkëpunim me enveristët e Perëndimit, një pjesë e mirë e të cilëve tashmë sorollateshin nëpër Tiranë. Më dukej se disa nga “refugjatët” e Kosovës në Tiranë shëtisnin në delir me teoritë e konspiracionit, kështu që asnjë figurë politike nuk e shihnin në vendin  e vet, por diku tjetër, në burg, a të vrarë. Sillnin në ndihmë luftën politike të eliminimeve fizike që nga viti 1912. Nuk ishin kundër kësaj praktike të shëmtuar të vrasjeve politike shqiptare, por atëbotë nuk patën këllqe. Nisa t’ua kem frikën, ata po ndryshonin në mënyrë të frikshme.

Disa ia parashikonin rënien e shpejtë edhe presidentit Berisha. Nuk ishin të kënaqur Perëndimi me të, më thanë në një kafene të kryeqytetit shqiptar, pak muaj para shpërthimit të trazirave të piramidave. Politika e madhe ziente në kafenetë-baraka të Tiranës. I shihja me ironi. Shumica e tyre nuk bënin gjë prej gjëje, gjithë ditën e lume, pos që merreshin me intriga në kryeqytetin shqiptar, përderisa shkumëzonin kundër të tjerëve, të pakënaqur pse nuk u jepnin poste a para. Po ashtu nuk e dija kush i mbante me para. Ata patën shpenzime…       

“Me  politikën tuaj të madhe jeni jashtë realitetit!”-  ua ktheja me ironi. 

 “Rugova nuk e ka të gjatë”, më thoshte njëri syresh, “sepse s’mund ta kundërshtonte përherë  presidentin shqiptar, i cili e ka pushtetin real”, ma paraqiste ish-miku im forcën e shtetit shqiptar si kërcënim e jo si ndihmë. Ai në mënyrë dashamirëse më këshillonte të mos e lidhja fatin me Rugovën.

“Por fatin me Rugovën e lidhën dy milionë shqiptarë të Kosovës dhe jo vetëm ata”, i thashë me zemër të plasur. Unë nuk varesha nga askush materialisht, ushtroja profesionin tim në gazetë e në një radiostacion të huaj. Jetoja nga puna ime. Asnjëherë nuk e mora asnjë cent nga LDK-ja, ose Presidenca, për dallim nga ata që donin të shqiteshin nga Rugova, sepse druanin se ylli i tij po shuhej. Ndërkaq, shfrytëzonin mijëra marka a lekë nga fondet e LDK-së. 

 

 

 

 

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...