Published On: 21 Nëntor, 2016

Kolonja – Republika e Stalinit

Nga Rexhep Shahu

Nuk e dija, sot e mësova nga miku im Izeti se ushtaraku anglez Dejvis Smajli e paska quajtur Kolonjën e famshme Republika e Stalinit në librin e tij shkruar për kohën e Luftës së Dytë Botërore kur ai ka qenë në Kolonjë si misionar anglez gjatë kësaj lufte. Jam shumë i dobët në histori. Këtu në Republikën e Stalinit fiton gjithmonë e majta padyshim, nuk mendohet të humbasë e majta kurrë, ndaj PD bëri mirë që nuk u përfshi në zgjedhje. Për ta qetësuar veten dhe justifikuar PD që nuk mori pjesë në zgjedhjet lokale për kryetar të bashkisë Kolonjë, vetëm për kaq më duhet kjo histori me Republikën e Stalinit. Ndaj nuk kam ndërmend të investigoj si e pse e qysh mbeti Kolonja Republikë e Stalinit. Veç duhet ta dije lexuesi se mbeti e tillë nga dashuria e pakufishme e kolonjarëve komunistë për baba Stalinin, dashuri që nuk di të plaket as të shuhet, por nxjerr xixa sa herë ka zgjedhje. Republika e Stalinit qënka pagëzuar nga ushtaraku anglez që në kohën e luftës nacionalçlirimtare, kur ky anglez ka qenë misionar në Shqipëri dhe kanë ngritur brigadën e parë sulmuese të Mehmet Shehut në Vithkuq. Republika e Stalinit, kala mbi kalatë e pamposhtura të komunizmit qysh kur në Vithkuq u krijua brigada e parë partizane që u vesh e mbath nga anglezët sikur të ishin pjestarë të ushtrisë angleze, ani se edhe kryeministri inë i sotshëm i akuzon anglezët e atëhershëm se sollën këpucë të një këmbe dhe ia kanë borxh atij këpucën e këmbës tjetër… Mos marrja pjesë apo tërheqja e PD nga zgjedhjet farsë në Kolonjë – Republikën e Stalinit është vendimi më i drejtë, i mençur, i pjekur dhe serioz që ka marrë Partia Demokratike rreth zgjedhjeve dhe për këtë duhet falënderuar Lulzim Basha që nuk u flliq në këtë farsë. Por nuk duhen bërë akuza për blerje e shitje votash. Jo! Kolonja është Republika e Stalinit dhe ajo nuk e tradhëton Stalinit, nuk shitet e blihet me para. Nuk ka pse shkon PD në Kolonjë, atje ku ende aktualisht ngrihet madhështore shtatorja e baba Stalinit në mendjen e kolonjarëve që jetojnë në Kolonjë. Ndërsa kolonjarët që jetojnë në Tiranë dhe janë një faktor i dorës së parë në metropolin tonë, e kanë hedhë në erë Stalinin sapo ata kanë ardhë në Tiranë dhe janë kampionë demokracie. Në Tiranë kolonjarët nuk e durojnë e as e lejojnë Stalinin, ndërsa në Kolonjë e duan ta kenë. Që ta kenë baba Stalinin në Kolonjë duan shumica e kolonjarëve që jetojnë në Tiranë. Se po të duan kolonjarët e Tiranës, asnjë thërrime nuk i kishte mbetur Stalinit dhe republikës së tij në Kolonjë. Por kanë leverdi disa kolonjarë të Tiranës që Republika e Stalinit të lulëzojë në Kolonjë. Pse nuk e do dhe nuk e duron Edison Ypi, lokomotiva e kolonjarëve të ditur të vendit, kjo nuk do të thotë se nuk e duan baba Stalinin në Kolonjë një shpurë majtiste e kolonjarëve të Tiranës që marrin përsipër të qeverisin edhe Kosovën e jo më Shqipërinë. Kolonjarët e Tiranës janë tjetër, janë ajka, janë etalon demokracie, kulture, qytetërimi. Por e duan muze të pacënuar diktature Kolonjën – Republikë të Stalinit, e duan që të jenë atje ca njerëz që nuk duhet të dinë se bota ka ndryshuar e ndryshon, që duhet të ruajnë shpezët e egër që të shkojnë e të gjuajnë bijtë tanë të Tiranës kur të kenë nge në Republikën e Stalinit. Kurrë PD nuk ka vepruar më me mend se kësaj radhe që ia fushën bosh Partisë Socialiste dhe një partie të vogël të majtë. Kolonjarët e Tiranës, sipas poezisë së Nolit të shpikur janë për ministra, për udhëheqësa. Kolonjarët e Kolonjës i bie të jenë muzhikë që s’e tradhëtojnë baba Stalinin.. Kolonjarëve të Tiranës ashtu u duhen kolonjarët e Kolonjës, nuk u duhen të ndryshuar. Kolonjarët e Tiranës ndonëse bëjnë garë të fortë e të padukshme mes tyre se kush është penë më e fortë, se pena të forta kolonjare ka shumë, se kush i hyn më në gji partisë dhe shokut Edi, apo partisë dhe zotit Basha, bien në një mendje heshturazi se lokomotivë të dijes e guximit kanë Edison Ypin, siç më thoshte para ca kohësh një taksist kolonjar që më rrëfente se si talleshin kolonjarët me tironsit e gjizës, se si kolonjarët kanë sjellë qytetërimin në Tiranë. Rroftë Kolonja – Republika e Stalinit!

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...