Published On: 14 Nëntor, 2016

Kolegët e Fakultetit përkujtojnë Astrit Deharin

Në Fakultetin e Mjekësisë është mbajtur mbledhje komemorative në nderim të studentit të këtij fakulteti, Astritit Deharit, i cili u humbi jetën të shtunën e kaluar në burgun e Prizrenit, ku po qëndronte në paraburgim.

Në prezencë të familjes Dehari dhe stafit akademik, kolegët dhe shokët e kanë kujtuar Astritin.

Pas mbajtjes së një minutë heshtje për të nderuar Astritin,  dekanja e Fakultetit të Mjekësisë  Suzana Manxhuka-Kërliu,  kujtoi dhe lartësoi  personalitetin e Astritit, për të cilin tha se ishte një njeri i dashur për të gjithë dhe student i dalluar, duke pohuar se ai do mbetet udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme.

 

“ Lajmi për vdekjen e befasishme të Astrit Deharit ishte i pikëllueshëm dhe i trishtueshëm, për të gjithë ne. Kjo vdekje ka afektuar të gjithë komunitetin e Fakultetit të Mjekësisë. Prandaj të gjithë ne shprehim ngushëllimet me të përzemërta dhe me të thella familjes së Astritit kolegeve dhe miqve. Nga ata që njohën Astritin kërkojmë që ta kujtojmë dhe lartësojnë personalitetin e tij, të një njeriu të dashur, student i dalluar dhe kolegial me të tjerët. Nga ata  të cilët nuk e njohën personalisht astritin, kërkojmë që ta respektojnë dhimbjen tonë dhe të na mbështesin me mirëkuptim. Është shumë e vështirë për të gjithë ne që të pranojmë vdekjen e një personi të ri, veçanërisht të një studenti  të fakultetit të mjekësisë, mu para përfundimit të studimeve”, tha ajo.

Kurse në emër të studentëve ka folur kolegu dhe shoku i Astritit, Egzon Pnishi, për të cilin tha se me shëmbëlltyrën dhe gjallërinë që kishte, kundërshtonte çdo të padrejtë që i bëhej secilit.

 “Sot jemi këtu për të kujtuar shëmbëlltyrën e tij, gjallërinë e virtyteve të tij. Astriti ishte këtu bashkë me ne kundër manipulimit dhe titujve e diplomave. Ai kërkonte dije përkundër injorancës. Astriti kundërshtonte çdo rritje të kostos së studimit në kurriz të studentëve. Ishte për dije publike, që i garantohej secilit. Kundër përvetësimit dhe kapjes së universitetit. Ai nuk pyeste kush je dhe nga vjen, por në cilën anë ndodhesh dhe çfarë bënë. Prandaj Astriti kishte shokë nga çdo krahinë, e nga secili qytet, por  asnjë prej tyre spekulant, asnjë prej tyre grabitës. Ai kërkonte bashkimin kundër ndarjeve të paqena, sepse kërkonte ndarjen e të mirave për të gjithë“, tha ai.

LEXO:  Tomë Gashi: Ja kush i nxori pamjet e burgut të Prizrenit, ditën kur vdiq Astrit Dehari!

E babai i Astritit  Avni Dehari, teksa fliste para  kolegëve të djalit të tij, tha se Astriti që i vogël është brumosur me dëshirën për tu kthyer dhe për t’i ndihmuar Kosovës.

“Astriti së bashku me motrën dhe vëllain edhe pse në Zvicër janë rritur në mesin e  mërgimtarëve tanë, janë rritur në një mjedis shqiptar që ishte përcaktuar të kthehej në Kosovë dhe të ndihmonte në ndryshimet për të cilat kishte nevojë vendi ynë.  Që në ditët e para të fëmijërisë është brumosur me dëshirën për kthim. Është përgatitur që kur të kthehet të bëhet një profesionist i mirë, në fushën e mjekësisë dhe i vetëdijshëm që përpos përgatitjes profesionale, do t’i duhej dhe përgatitja politike, që të ndikonte jo vetëm në përmirësimin dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të vendit, por dhe në luftimin  e dukurive negative të trashëguara nga e kaluara dhe të lindura në rrethana konkrete që pengonin zhvillimin dhe përparimin. Ai nga Zvicra solli dhe vyrtrytet më të larta nga ai vend siç është liria dhe përkushtimi, për tu sakrifikuar për gjithë shoqërinë tonë“, tha Dehari.

Ndryshe, pas përfundimit të mbledhjes komemorative studentët, bashkë me familjarët dhe profesorët e Astritit kanë vendosur një fotografi të Astrit Deharit në hollin e Bibliotekës së Fakultetit të tyre./KosovaPress/

 

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...