Published On: 28 Gusht, 2017

Koalicioni PAN është përgjegjës për krizën politike aktuale dhe për bllokadën institucionale të Republikës së Kosovës

Shkruan: Nehat Hyseni

Si të shpëtojmë dhe të dalim faqebardhë nga kriza politike aktuale dhe nga bllokada instucionale, është bërë preokupim kryesor i qytetarëve të shtetit më të ri dhe më të izoluar të Europës, Republikës së Kosovës.

Të pamësuar në demokraci dhe në pamundësi që të na çlironin nga Serbia fashiste e gjenocidale e Millosheviqit, “çlirimtarët” tanë, pa bombardimet e NATO-s 18 vjet më parë, Republika e Kosovës aktualisht është peng dhe e robëruar pikërisht prej tyre.

Edhepse nuk ditën, apo nuk mundën që me luftë të na çlirojnë nga Serbia, “krahu i luftës”, i grumbulluar kësaj here në koalicionin PAN ia arriti që ta bllokoj Republikën e Kosovës dhe institucionet e saj, sa herë që kishte nevojë.

Pra, edhepse nuk ditën e nuk mundën sa duhet të luftojnë, sa duket, ata ia kanë marrë dorën taktikave e marifetllëqeve dhe lojrave të pista politike, që të na bllokojnë.

Fillimisht u kujdesën që ta hartojnë një Kushtetutë “sui generis”, me demek “veç dynjasë”, për ta ngatërruar mozomakeq e për ta bërë lëmsh, për faqe të zezë këtë vend të bekuar, jofunksional dhe të ngatërruar e të nemur dhe të dënuar për të qenë vazhdimisht në krizë.

Madje, në krizë të dyfishtë: politike dhe institucionale.

Ky taraf politik i “çlirimtarëve”, i tubuar në koalicionin PAN, e ka fituar të drejtën e përjetëshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, por jo dhe mundësinë, meqë nuk i ka numrat”, deklaroi përfaqësuesi i tyre, Enver Hoxhaj, në vazhdimin e gjashtë me radhë të Mbledhjes konstituive të 24 gushtit 2017. Dhe për këtë i ka fajet populli i Kosovës, meqë nuk diti apo mbase nuk dashti “të votoj si duhet”.

Sepse, sikur ta votonte koalicionin PAN “si duhet”, tani ata do i kishin numrat dhe pa kurrëfar problemi do e zgjidhnin kryeparlamentarin dhe Qeverinë e re të Kosovës, me Ramush Haradinajn si kryeministër.

Sikur të ishte Kushtetuta “si duhet”, apo sikur të ishte populli “si duhet”, tani do e kishim situatë politike të zgjidhur.

Pra, Kushtetuta ja një “defekt” serioz, meqë nuk e ka përcaktuar edhe emrin e kryeparlamentarit dhe të kryeministrit, pavarësisht “numrave”.

Sepse, sipas PAN-it, vetëm atëherë nuk do të kishim kriza politike e bllokada institucionale, kurse Republika e Kosovës do ishte shtet funksional e “demokratik”!

Pra, kriza politike dhe bllokada institucionale aktuale është imponuar artificialisht dhe padrejtësisht nga koalicioni PAN, me bekimin dhe dirigjimin e heshtur nga prapaskena të Presidentit Hashim Thaçi dhe me zbatimin e devotshëm dhe të paskrupullt nga Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, ka pasoja të rrezikëshme dhe komprometuese për ekonominë e vendit dhe për imazhin e shtetit të Kosovës në botë.

Gjithësesi, koalicioni PAN është përgjegjës dhe duhet ta ndërpresë dhunimin e demokracisë dhe të praktikave të mirëfillta politike europiane, duke e zhbllokuar skenën politike aktuale dhe duke i hapur rrugë zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe Qeverisë së re e institucioneve të Republikës ë Kosovës.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...