Published On: 17 Maj, 2017

Koalicionet, profilizim i skenës politike apo ‘frikë’ nga humbja e zgjedhjeve

Krijimi i dy blloqeve të mëdha në Kosovë thuhet të jetë një përgjigje ndaj sistemit zgjedhor i cili favorizon një koalicion parazgjedhor, të cilit i mundësohet marrja e mandatit qeverisës, thonë njohës të rrethanave politike në Kosovë.
Sipas tyre, blloqet e krijuara së fundmi përmes koalicioneve parazgjedhore nuk e bëjnë ndarjen ideologjike të partive, përmes profilizmit të tyre në parti të majta ose të djathta, por ajo tregon për një qasje ad hoc të partive në prag të zgjedhjeve të parakohshme.

Në mesnatën e së martës, një koalicion i madh zgjedhor ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën u zyrtarizua pak orë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës lidhi marrëveshje koalicioni me Aleancën Kosova e Re të Behgjet Pacollit dhe nismën Alternativa të Mimoza Kusari-Lilës.

Koalicionet parazgjedhore u panë si përpjekje për të profilizuar skenën politike në vend, por që sipas analistëve zgjedhja në momentin e fundit erdhi për shkak të, siç thanë, ‘frikës së humbjes së zgjedhjeve’.

“Ne jemi ende në faza të hershme të krijimit të sistemit demokratik dhe të gjitha partitë janë duke mësuar rregullat e sjelljet. Të gjitha partitë para disa ditësh u deklaruan se kanë vija të kuqe por tash e pamë se ato vija u tejkaluan”, tha analisti Shkelzen Maliqi, sipas të cilit koalicionet janë formuar për të vetmin qëllim, që sa më lehtë të shkohet drejt pushteti dhe marrjes së pozitave. “Ky është bashkim i interesit ose që të plasohen sa më mirë në zgjedhje dhe qëllimi tjetër është që të vijnë në pushtet”.

Aktualisht, e vetmja parti që nuk ka arritur asnjë koalicion parazgjedhor është Lëvizja Vetëvendosje, megjithëse edhe partitë politike të komuniteteve nuk kanë shfaqur gatishmërinë e tillë. Analistët politikë konsiderojnë se lidhja e koalicioneve të mëdha është pasojë e agjendave politike të Kosovës, që sipas tyre vazhdojnë të jenë komplekse.

Avni Mazreku, njohës i rrethanave politike dhe profesor i së Drejtës Evropiane, shprehet se në Kosovë nuk ka një profilizim të qartë të partive politike dhe ato me programe janë shumë të ngjashme dhe shpesh herë bien në kundërshtim më deklarimin e tyre politik. Ai thotë se krijimi i koalicioneve të reja për zgjedhje, i orientuar në blloqe politike partiake, është një hap para në funksion të ‘profilizimit të qartë të partive politike’.
“Eksperienca e historia jonë e shkurtër në skenën politike ka treguar që jo rrallë jeta parlamentare në Kosovë ka qenë e bllokuar si rezultat i sistemit politik parlamentar që e kemi. Normalisht, kjo në të ardhmen mund të përcillet me vendime përkatëse ligjore, që vendimmarrja politike të jetë më e thjeshtë”, tha Mazreku.

Ai ka shtuar se në gjendjen në të cilën kanë ardhur partitë politike e kanë determinuar një qasje më gjithëpërfshirëse politike, duke pasur për bazë që agjenda e politike dhe e shtetformimit të Kosovës është komplekse si në rrafshin e brendshme po ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Analistët thonë se partitë politike duhet t’i identifikojnë disa çështje kryesore për të cilat angazhohen dhe në ato qëllime edhe të synojnë t’i sigurojnë mbështetësit dhe votat e tyre. /REL/

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...