Published On: 3 Gusht, 2017

Kërcënimet në redaksi, Ibrahim Kelmendi paralajmëronte vënien e flakës

Gani Mehmetaj (Kujtime 27)

Botimi i gazetës “Rilindja” në Perëndim ishte veprim i qëlluar që pati efekte të shumanshme. Diaspora shqiptare relativisht e re, nisi të informohet për ngjarjet në Kosovë, në Shqipëri, në territoret etnike shqiptare e në botë nga dora e parë dhe nga redaksia shqipe e frymës demokratike. Deri atëherë shqiptarët e Kosovës e të territoreve etnike në Perëndim informoheshin kryesisht nga ndonjë gazetë jugosllave, apo nga shtypi marksist-leninist, i cili megjithëse Muri i Berlinit ra, Bashkimi Sovjetik u shpartallua, ndërsa diktatura në Shqipëri u shkërmoq, vazhdonte të botohej me logon e draprit e çekanit si “Pravda” moskovite. Edhe tekstet brenda të kësaj fryme i kishin. Ndërkaq, këto grupe jetonin në Perëndim, ushqeheshin nga parat “e botës së qelbur kapitaliste”, por propagandonin socializmin stalinist e varfërinë. Asnjëherë shtypi i tyre i tipit të pamfleteve nuk e shau Bashkimin Sovjetik. Disa prej tyre, madje qenë ngritur kundër rënies së Murit të Berlinit.
“Rilindja” botohej me tirazh të madh, asnjëherë një gazetë shqipe nuk e pati deri në atë kohë një tirazh të tillë. Shkrimet ishin të larmishme, ndërsa mbizotëronin lajmet nga Kosova. Gazeta pos me abonim, shpërndahej jo vetëm në qytetet e mëdha perëndimore, por edhe në qytetet e vogla, ku kishte shqiptarë. Asnjëherë shqiptarët nuk qenë më të informuar, ndërsa në vend se të vajtonin fantazmat, merrnin pjesë në ngjarjet e reja me kastën e intelektualeve që po e ndërkombëtarizonin çështje shqiptare. Grupet e majta, të cilat nuk donin ta pranonin realitetin e ri, e pritën me nervozizëm fillimin e botimit të “Rilindjes” në Evropën Perëndimore dhe në SHBA. Një herë mendonin se do ta pengonin, pastaj kur e panë se kjo punë është e pamundur, atëherë nisën të bëjnë presione nga më të ndryshmet që të ushtronin ndikim në redaksinë e Zvicrës, duke i imponuar tekstet e caktuara. Kur e panë se as në këtë mënyrë nuk do të ushtronin propagandën e tyre të perënduar, nisën me kërcënimet, herë të fshehta, herë publike. Njëkohësisht kurdisnin letra anonime, përpiqeshin në stilin e intrigave staliniste të baltosnin njerëz etj. Gazeta “Rilindja” u bë pengesë për ta, sepse me letra e shkrime nga diaspora ua zhveshën veprimet e tyre për të zhvatur dhe grumbulluar para në paketa vetëshërbimesh.
Me rënien e shtetit shqiptar sikur morën frymë grupet ilegale të majta në Zvicër e në Perëndim përgjithësisht. Që nga fillimi ata iu gëzuan trazirave në Shqipëri, mbanin anën e të rebeluarve, kurse të rebeluarit nuk e dinin pse rebeloheshin, sepse ata nuk e rrënonin pushtetin, por i digjnin qytetet.
Me euforinë që i mbërtheu, me mënyrën sesi flisnin vetëm sa nuk dilnin në rrugë të festonin, kur Shqipërinë e kaploi kaosi e vrasjet e shumta. Sikur të gjitha punët t’i vinim në vijë, për habi në vend se të mobilizoheshin kundër Serbisë, meqë mbështetjen shqiptare sado të flashkët, nuk e kishim më, majtistët nisën të kërcënoni për hakmarrje, megjithëse kundërshtarët e tyre politikë që i kërcënonin, nuk morën pjesë as në pushtetin shqiptar dhe as në pushtetin jugosllav, prandaj qe vështirë të kuptoje pse u drejtoheshin grupeve të këtilla e nuk u drejtoheshin atyre që duhej kërcënuar. Njëkohësisht nisën përpjekjet e tyre për të imponuar qëndrimin e degraduar, që e flakën i tërë kampi socialist. Për këto grupe shqiptarësh në Zvicër ora ndaloi me vdekjen e Enver Hoxhës.
Tregojnë për ata që gjithë ditën rrinin më laps të kuq në dorë, duke nënvizuar tekste gazetash e duke rrethuar emra autorësh. Ma kujtonin një ish-drejtor të “Rilindjes”, i cili e bënte të njëjtën gjë në kohën e Jugosllavisë për shkrimet kundër sistemit dhe për emrat që dilnin në pah me guximin. Kur shpërthyen demonstratat e vitit 1981, e hoqën nga posti, pa e përfillur për zellin e tij të denoncuesit policor.
Me gazetën “Rilindja”- botimi për Evropën Perëndimore e SHBA, të cilën e udhëhiqja, i mbështesja proceset demokratike në Kosovë e në Shqipëri. Natyrisht lajmet kryesore vinin nga Kosova e nga Shqipëria, secila më e zymtë se tjetra. Bota shqiptare e trazuar nga armiqtë historikë dhe e trazuar nga marrëzitë shqiptare. Grupeve të tilla sikur nuk u bëhej vonë për shqiptarët fatkeq, merreshin me kërcënime e shantazhe. Kërcënimet në redaksi vinin gati çdo ditë, herë me letra anonime, herë me telefonata, herë me copa letrash nga telefakset me numra të shlyer, herë me copa zarfesh, në fahun postar të redaksisë. Një herë më kërcënonin se do të më ekzekutonin në filan datë, pastaj vazhdonin se filan Komiteti, që nuk ua mbaja mend emrat më ka gjykuar dhe do të më dënoj me vdekje. E dija se kërcënimet e tilla s’kishin këllqe t’i realizonin në Zvicër, megjithëse më bënin nervoz, më pengonin në punë, ndërsa herë – herë më detyronin të përdorja një gjuhë që nuk ishte në natyrën time. Shpesh tallesha me kërcënuesit e paemër. Sidomos kapja situatat kur paraqiteshin me thirrje telefonash nga kabinat publike. Kur nisnin të recitonin frazat që ua kishin mësuar përmendsh shefat e tyre të mendësisë staliniste, ua prisja në gjysmë bisedën, duke i pyetur: A je duke telefonuar nga kabina publike në Banhof? (Stacionit të trenit) të Bernës (kryeqytet i Zvicrës). Nuk e kuptonin nga e dija unë. Në redaksi e kishim linjën ISD, që atëbotë ishte risi teknologjike, sepse na i tregonte në ekran numrat e telefonit kur na thërrisnin. Kërcënuesi anonim stepej. I mbetej fjala në grykë.
Pastaj unë nisja ta kërcënoja: Dëgjo rrugaç, kur të bëhen dy minuta do të të rrethojë policia zvicerane dhe do të të lidhin në pranga, ia prisja me vetëbesim, thuajse policia ishte në gatishmëri si në filma. Kërcënuesi anonim, sigurisht edhe ai i ndikuar nga filmat, e merrja me mend se si shikonte një herë me frikë anash, prandaj e shkëpuste linjën e telefonit, e dëgjoja krismën e thatë të aparatit, kur mbyllej. Imagjinoja sesi ia kriste vrapit, duke u larguar nga kabina telefonike. Shumica e kërcënuesve të porositur kërkonin strehim politik, sikurse i deklaronin policisë zvicerane për shkak se ishin të kërcënuar në vendlindje nga policia serbe, kurse këtu e bënin të njëjtën punë të policisë serbe, kërcënonin bashkëkombës.
Edhe kur nuk kishte kërcënime të drejtpërdrejta, dinin të bënin presione që të linin pa frymë me mënyrën perfide të organizimit. Në një rast një lexuese, emri i së cilës dihej në redaksi, shkroi për një njeri “të shquar” të LPK-së, që kishte mashtruar. Në vend që ta përgënjeshtronin shkrimin, disa prej atyre që thirrën me telefon, kërkonin emrin e autores. Kur ua preva shkurt se emrin e autores nuk do t’ua jap kurrë, por mund ta përgënjeshtroni nëse doni, atëherë nisën telefonatat e pesë-gjashtë femrave, njëra pas tjetrës, kryesisht nga Gjeneva. E nisnin me kërcënime, e vazhdonin me patetikë për gjakun e derdhur të trimave të UÇK-së, kalonin në gradacionin e nënave që mbeteshin pa bijtë më të mirë etj. Ne, sipas tyre, po talleshim me gjakun e derdhur të dëshmorëve, meqë qenka botuar një shkrim kundër njërit nga përfaqësuesit e LPK-së, që identifikohej më UÇK-në.
Kur më erdhën në majë të hundës me gjithë demagogji e patetikën marksiste, njërës ia thashë: Moj, motër, pse merresh me politikë që nuk e kupton, pse nuk e bënë një pite të na thërrasësh tërë redaksinë në fundjavë? Ajo, e acaruar pse e nënçmova, ma ktheu plotë mllef, “qe besa kurrë s’do ta hash piten time!” Dhe e mbylli telefonin. Kishte raste edhe më të rënda. Kur paralajmëronin gjak e vdekje, kur të akuzonin për tradhti kombëtare, sepse e paskam kritikuar Fatos Nanon, babanë e tyre, apo ndonjë enverist tjetër.
Një ditë e thirra me telefon një ish-koleg që jetonte refugjat në Zvicër, e luta të shkonte te njeri nga kreu i LPK-së, për ta pyetur a ishte ai prapa këtyre kërcënimeve apo ndonjë grup tjetër. Sipas kolegut, njëri ndër kokat e LPK-së me siguronte se ai e grupi i tij nuk qëndronte prapa kërcënimeve.
Athua sa grupe të tilla kërcënuese ishin në Perëndim?
Kur nisën shantazhet. Kërcënimet nisën disa vjet më parë me letra të gjata, të cilave as që u ktheja përgjigjen, as nuk i botoja. Një ditë erdhi në redaksi Ibrahim Kelmendi me dy “truproja”. Pata dëgjuar për të, sidomos nga Hysen Gërvalla, vëllai i Jusuf Gërvallës. Hyseni e akuzonte I. K. për pjesëmarrje në vrasjen e vëllezërve. Pak më herët Kelmendi i diasporës e thirri kolegun tim, redaktor në “Rilindje”, për ta informuar se do të vinte në redaksi të më takonte. Kolegu im ma tha lajmin, ndërsa më tregoi se do të shkonte në një punë që nuk priste, kështu që mbeta me Avni Bulliqin e shoferin e redaksisë. Që të tre ne së bashku nuk bënin me trup sa I. Kelmendi i bëshëm i diasporës. Si të mos i mjaftonte kjo epërsi fizike, i rrinin pranë dy “truproja” pak më të gjatë se shefi i tyre. Nuk më bëri përshtypje prania e tij kërcënuese, sepse ai për debate intelektuale s’kishte tru, megjithëse në një situatë më tha: E di ti se mund t’i shkojë flakë redaksisë. E dija se puna e flakës në redaksi ishte kërcënim kallpe, prandaj i thashë, në mënyrë provokuese, nuk ta mban, objekti është pronë e zviceranëve.
Nga bisedat e acaruara në fillim, sikur ra intensiteti, prandaj kaluam në batutat lokale të Dukagjinit. I kujtuam edhe njerëzit e përbashkët që i njihnim. Ai iku, por mbeti përshtypja e pakëndshme me dyshimin: kush ma ndërseu?
Pak kohë më vonë Hysën Gërvalla në një intervistë, botuar në gazetën “Rilindja” i bëri ftesë publike I. Kelmendit që të lahej para opinionit, por edhe para burrave si në odat e Dukagjinit që s’kishte dorë në vrasjen e të dy vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla. I.K. nuk i ktheu përgjigje në gazetë, por nuk i doli as para burrave.
Më vonë pati presione edhe për botimin e komunikatave të UÇK-ë që vinin kinse nga terreni, ndërsa në fakt vinin nga një gazetë javore në Zvicër, organ i LPK-së me drapër e me çekan. Prandaj, dukja e policisë zvicerane në redaksi qe e pashmangshme, megjithëse ata qenë në dijeni të këtyre maskarallëqeve shqiptare që nga fillimi.

Nesër:
Kontributi historik i diasporës shqiptare

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...