Published On: 26 Gusht, 2017

Kërcënime të hapura të ambasadorëve turq në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë

Me kërkesat e saj agresive që autoritetet kosovare, shqiptare dhe maqedonase të mbyllin «shkollat, mediat dhe ndërmarrjet» e Lëvizjes Gülen, qeveria turke po përpiqet ta eksportojë një konflikt të brendshëm të Republikës së Turqisë. Kjo qasje dëmton raportet e mira mes shqiptarëve dhe turqve.

Nga Enver Robelli

Në prag të përvjetorit të parë të përpjekjes për grusht të shtetit në Turqi, ambasadorët e këtij vendi në shumë shtete u urdhëruan të organizojnë konferenca për media për të prezantuar qëndrimet zyrtare të Ankarasë. Rrëfimi për puçin nga prizmi i pushtetit turk është ky: më 15 dhe 16 korrik 2016 demokracia e Turqisë dhe shteti u goditën pabesisht nga Lëvizja Gülen e predikuesit fetar Fethullah Gülen. Por, populli doli në rrugë dhe trimërisht mbrojti demokracinë. Rreth 250 heronj ranë në betejën për mbrojtjen e demokracisë. Për fat të keq, pretendon pala turke, bota, e sidomos Perëndimi, nuk po e vlerëson sa duhet aktin heroik të popullit turk në mbrojtje të demokracisë, madje shtete si Gjermania dhe Amerika akuzohen se po u ofrojnë strehë «armiqve të Turqisë», «terroristëve të Gülenit» dhe «terroristëve kurdë».

Fizikanti i NASA-s në burg

Të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe të gjitha vendet e Ballkanit e kanë dënuar përpjekjen për puç në Turqi. Nuk ka medium serioz në Europë që nuk e ka kundërshtuar tentimin për largim nga pushteti të një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike. Por, shtetet perëndimore nuk e kanë përvetësuar narracionin turk mbi puçin. Shefi i shërbimit sekret gjerman Bruno Kahl në një intervistë me revistën «Der Spiegel» ka deklaruar: «Puçi ishte një shkas i mirëseardhur». Kahl ka thënë se nuk shihen shenja se Lëvizja Hizmet, siç quhet organizata e Gülenit, qëndron prapa puçit. «Turqia është përpjekur në disa nivele të na bind për këtë. Deri më tani nuk ia ka arritur». Rrjedhimisht, qeveritë perëndimore kanë kritikuar fushatën represive dhe masat arbitrare kundër mijëra njerëzve në Turqi, të cilët në 12 muajt e fundit janë burgosur, janë suspenduar nga puna dhe janë linçuar si tradhtarë kryesisht me akuza të pabaza, shpeshherë të fabrikuara. Dy shembuj: gazetari i njohur Ahmet Shik gjendet në burg nën akuzën se e ka përkrahur Lëvizjen Gülen. I njëjti para disa vitesh ka shkruar një libër kundër kësaj lëvizjeje dhe ishte arrestuar gjoja për shpifje kundër Gülenit. Si është e mundur një kthesë e tillë e drejtësisë turke? Një shpjegim i mundshëm është ky: deri në vitin 2013 Rexhep Taip Erdoani dhe Fethullah Güleni ishin aleatë.

Shembull tjetër i arbitraritetit është rasti i fizikanit Serkan Gölge, i cili punonte për Agjencinë hapësinore amerikane (NASA). Kur ndodhi përpjekja për puç Gölge u gjend në Turqi me familjen e tij. Ndërsa po nisej për në Amerikë, ai u arrestua nën dyshimin se është anëtar i Lëvizjes Gülen dhe spiun i shërbimit sekret amerikan CIA. Cila është dëshmia për këto akuza të rënda? Lexoni e mos besoni: në dhomën e vëllait të Serkan Gölge është gjetur një kartëmonedhë njëdollarëshe. Mirë se vini në Turqinë e re!

Në emër të kësaj Turqie në prag të njëvjetorit të tentimit për puç kanë organizuar konferenca për shtyp edhe ambasadorët turq në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë. Toni i tyre ndaj vendeve mikpritëse ishte jodiplomatik, madje agresiv dhe kërcënues. Ambasadorja e Turqisë në Kosovë u përpoq t’i tregojë opinionit se «Turqia është miku i Kosovës, jo FETÖ», siç quhet shkurtimisht Lëvizja e Gülenit. Gylenistët, sipas saj, përbëjnë shembullin tipik të radikalizimit që bazohet në «kultin e individit». Në Kosovë, deklaroi ambasadorja, «kjo organizatë është prezente nëpërmjet organizatave joqeveritare, shtëpive mediale dhe ndërmarrjeve tjera të saj», por «pika e çelësit (sic!) ndodhet në të ashtuquajturat institucione arsimore», të cilat «po përdoren për shpëlarje të trurit të nxënësve dhe përgatitje të të rinjve për të qenë pjesë e kësaj organizate».

Rrëmuja me shifra

Diplomatja turke nuk përmendi asnjë fakt për akuzat e saj. Me gjuhë pothuaj neokolonialiste ajo nënvizoi se «autoritetet kosovare janë të njoftuara dhe se atyre u janë treguar edhe pritjet e Turqisë nga ata. (…) Ne në këtë aspekt po e ruajmë besimin tonë se edhe nga autoritetet kosovare do të shohim zhvillime konkrete në një kohë shumë të afërt». Këto fjalë tingëllojnë si një ultimatum. Dhe ultimatumi paketohet me vokabular religjioz: «Allahu mos t’ia përjetoftë askujt një gjë të tillë, por ruajtë Zoti po të ketë ndodhur një gjë e tillë në Kosovë a po në vendet e Ballkanit Turqia do të bënte çmos për të vepruar krah me krah dhe në bashkëpunim, dhe do të bënte çdo gjë që ishte e nevojshme pa hezituar as një minutë». Nuk po hyjmë këtu në analizimin e gjuhës së çalë shqipe me të cilën ambasada përpiqet të alarmojë opinionin kosovar se Güleni e paskësh ndërmend të organizojë puç edhe në Prishtinë nëse qeveria e Kosovës nuk ndërmerr masa kundër «celulave» të hoxhë efendiut turk, i cili jeton në ekzilin amerikan. Sa joserioze janë akuzat e disa diplomatëve turq tregon edhe loja me shifra: njëri thotë se Lëvizja Gülen është aktive në 140 shtete të botës, tjetri thotë në 150 vende, ndërsa diplomati i radhës trumbeton se Güleni po bën kërdi në 170 shtete anekënd botës.

Ambasadori turk në Tiranë deklaroi: «Në rreth 160 vende në të gjithë botën, përfshirë Shqipërinë, FETÖ ka shkolla, organizata të shoqërisë civile, institucione mediatike dhe kompani. Ngjarjet e një viti më parë në Turqi janë tregues se çfarë mund të bëjë kjo organizatë edhe në Shqipëri. Autoritetet dhe opinioni publik shqiptar duhet të jenë të gatshëm përballë veprimtarisë së kësaj organizate dhe para së gjithash të institucioneve të saj arsimore. Duhen marrë sa më shpejt të gjitha masat e nevojshme dhe duhen tharë burimet e tyre financiare».

Propagandë me Mehmet Akif Ersoy

Kërcënimet ndaj Shqipërisë ambasadori përpiqet t’i maskojë me gjoja qëllime dashamirëse: «Dëshirojmë që ajo që ndodhi në Turqi të mos ndodhë në Shqipëri. Fondacioni Maarif është themeluar vitin e kaluar në Turqi. Ky fondacion është duke zhvilluar bisedime në Shqipëri me autoritetet dhe ka emëruar edhe një përgjegjës në Shqipëri. Ky Fondacion do të hedhë hapa konkrete dhe të forta për të bërë më shumë për arsimin në Shqipëri. Synimi jonë është dhënia e një arsimi cilësor dhe që nuk strehon terrorizëm. Objektivi ynë është hapja sa më parë e shkollave. Ne kemi bashkëpunim me autoritetet shqiptare për luftën kundër FETÖ-s dhe jemi të kënaqur për këtë. Bashkëpunimi i institucioneve vazhdon. Edhe ne jemi duke punuar që Shqipëria të mos kthehet në një port të FETO-s». Mesazhi është i qartë: shporreni Gülenin dhe në vend të tij pranoni hapjen e shkollave të fondacionit qeveritar turk Maarif.

Fondacioni Maarif përfaqëson interesat politiko-arsimore të Turqisë erdoaneske. Qëllimi i tij është të marrë nën kontroll shkollat e Gülenit kudo në botë. Në shumë vende Maarif ka arritur këtë qëllim. Agjenda e fondacionit është konservatore, islamiste dhe antikemaliste, pra në kundërshtim me vlerat properëndimore që kishte imponuar themeluesi i Turqisë moderne Mustafa Kemal Atatürk. Maarif dyshohet të jetë i afërt me DITIB-in, asociacionin e xhamive turke në Gjermani, i cili funksionin si degë e DIYANET-it, zyrës qeveritare turke për çështje fetare. Në revistën mujore të DITIB-it i kushtohet rëndësi përmbajtjeve neoosmane, ka shkruar gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» në fund të marsit. Në këtë revistë është «prezantuar edhe poeti turk me origjinë shqiptare Mehmet Akif Ersoy (1873-1936), i cili është bërë i famshëm si autor i himnit kombëtar turk. Islamistët turq e glorifikojnë atë sot edhe si kundërshtar të vendosur të laicizmit. Revista e lartësoi Ersoyin, i cili kishte jetuar gjatë në ekzilin egjiptian, si viktimë të <autokracisë sunduese të sistemit njëpartiak> – me këtë mendohej sundimi kemalist».

Gomari, kali dhe djalli

Ngjashëm si shefat e ambasadave turke në Prishtinë e Tiranë foli edhe ambasadorja turke në Shkup. «Fatkeqësisht», shtoi ajo, «institucione arsimore, mediume dhe kompani private të lidhura me këtë organizatë terroriste janë ende aktive në Maqedoni (…) Kanë nëntë institucione arsimore vetëm në Maqedoni, ku bëhet larja e trurit dhe përgatitja e militantëve të cilët pastaj na kthehen si terroristë në shoqërinë tonë», siç njofton «Anadolu Agency» me një shqipe mjaft kreative («larja e trurit»).

Për t’ia shpëlarë trurin opinionit maqedonas ambasadorja turke, pasi bëri thirrje për mbylljen e shkollave të Gülenit, deklaroi se «një ndër principet themelore të politikës së jashtme të Turqisë është mospërzierja në punët e brendshme të shteteve të huaja». Regjimet autokratike më së shumti i demaskon gjuha që përdorin. Para disa ditësh përballë gjykatës penale në qytetin Mugla të Turqisë, ku po zhvillohet procesi kundër 44 të dyshuarve për puç, u mblodhën disa përkrahës të Erdoanit dhe brohoritën parulla mallkuese, ku u shqua sidomos kjo: «Me kryqëzimin e gomarit dhe kalit fitohet mushka, kurse me kryqëzimin e djallit dhe sionistëve fitohet FETÖ». Këtë lajm «Anadolu Agency» e transmetoi edhe në shqip. Në profilin e «Anadolu Agency» në Facebook shpesh tregohen të zellshëm me komente antisemite edhe disa trushpëlarë shqiptarë. Mes tjerash aty bëhet thirrje për shkatërrimin e jahudive. Se përse nuk reagojnë kundër kësaj gjuhe raciste autoritetet në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri mbetet mister.

Bashkë në fund të listës së PISA

Modeli arsimor, kulturor dhe politike që po përpiqet të imponojë regjimi i Erdoanit është konfliktnxitës. Me kërkesat e saj agresive që autoritetet kosovare, shqiptare dhe maqedonase të mbyllin «shkollat, mediat dhe ndërmarrjet» e Lëvizjes Gülen, qeveria turke po përpiqet ta eksportojë një konflikt të brendshëm të Republikës së Turqisë. Kjo qasje dëmton raportet e mira mes shqiptarëve dhe turqve. Turqia e re e vitit 2017 është regresive, siç nënvizon me saktësi milimetrike gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» në një koment të botuar të shtunën: «Ministria e Arsimit (e Turqisë) sapo ka vendosur ta fshijë teorinë e evolucionit nga planprogramet shkollore dhe në të gjitha shkollat të ndërtojë një xhami apo hapësirë për lutje. Ndërkohë 1,3 milionë nxënës ndjekin shkollat fetare të Imam Hatipit, roli i të cilave është forcuar në krahasim me shkollat sekulare; më 2003 në këto shkolla kanë vijuar mësimet vetëm 85 mijë nxënës. Edhe numri i kurseve të Kuranit është shtuar në mënyrë masive. Në rangun ndërkombëtar niveli arsimor i turqve të rinj po bie vazhdimisht, siç kanë treguar rezultatet e PISA-s». Në këtë fushë shqiptarët dhe turqit janë bashkë – në pjesën e fundme të listës. /gazetatema.net/

A 5
Loading...
 
Displaying 1 Comments
Have Your Say
  1. fery says:

    Nese rivali i Erdoganit Gylen paska investuar ne shkollat e Kosoves , Shqipërisë dhe Maqedonise per shperlarje truri te nxeneseve dhe popullit te ketyre tri vendeve ku jetojne shqiptaret , Erdogani ne keto tri shtete ndertoi dhe riparoi xhami pa e perfillur autoktonitetin shqiptar te xhamive te riparuara ose atyre te reja dhe pa e pyetur popullin shqiptar se a deshiron ai ne vendin e tij te kete xhami te stilit anadolljan pa tipare dhe arhitekture autoktone shqiptare. E dyta , ku po shperlahet me shume truri i shqiptareve, ne shkollat e Gylenit apo ne xhamite e Erdoganit ne tregoje populli shqiptar …?
    E treta , nese preardhja e parave per ndertimin e shkollave te Gylenit pake s shume dihet , a dihet preardhja e parave te Erdoganit per ndertimin dhe riparimin e xhamive apo , mose ndertimi dhe riparimi i xhamive ne Kosove , Maqedoni dhe Shqiperi po behet nga para te pista ose keto objekte te kultiit po i sherbejne strukturave te caktuara kriminale te Turqise per shperlarje parash…?

    Përgjigjiuni
    Pelqej(1) Nuk Pelqej(0)

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...