Published On: 22 Mars, 2016

Kalaja e Ohrit, historia e mohuar vepër shqiptare

  • Edhe pse dihet kush se kush e fortifikoi Kalanë e Ohrit, e ashtuquajtura “Kalaja e Samoilit” flet për historinë e mohuar nga ana e historiografisë maqedonase, e cila e kontaminuar nga interesat politike shkurtpamëse, në emër të ortodoksisë vazhdon të përvetësoi edhe atë që nuk i takon siç është e vërteta e familjes mesjetare shqiptare Gropaj dhe trashëgimia që ajo ka lënë në pellgun e Liqenit të Ohrit.

 

Mixhait POLLOZHANI

Strugë – Në kërkim të temës për këtë numër, gjëja e parë që më ra ndërmend ishte libri i mikut tim dhe studiuesit të dëshmuar të shkencës së historisë, Ylber Hysa, i titulluar “Shqiptarët dhe të tjerët: nga Madona e Zezë deri te Molla e Kuqe”, botuara katër vite më parë. Ndaj, pa u hamendur fare mund të them se kishte vite që nuk kisha lexuar një studim më të mirë dhe më të gjithanshëm nga fusha e historisë. Dhe, sikur me porosi, sepse njëra nga temat që ka trajtuar në librin e tij ka të bëjë me ortodoksët shqiptarë në Maqedoni. Dhe, për të mirën time, por edhe të lexuesve tanë, ky libër përputhet pikërisht me temën e këtij numri që sjell tema mbi Maqedoninë dhe marrëdhëniet e saj përballë të tjerëve, përfshirë këtu shtetet ballkanike, sidomos fqinjëve, në përgjithësi, dhe shqiptarëve, në veçanti.

Pikërisht qëndrimi i Maqedonisë zyrtare ndaj tyre është bërë edhe prelud i debatit të (mos)integrimeve të këtij shteti në strukturat euro-atlantike. Mbase në një masë të madhe pre e qëndrimeve të këtillë kanë rënë edhe shqiptarët që jetojnë në Maqedoni. Sidomos, me interes të madh është çështja e trajtimit dhe qasjes institucionale ndaj gjurmëve të shqiptarëve që datojnë nga antikiteti, mesjeta dhe, sidomos, nga periudha e sundimit bizantin.

Dy të vërtetat historike të Ohrit

Edhe qytet edhe muze! Ndonëse jo rrallë thuhet se Ohri është qyteti i gërshetimit të kulturave të ndryshme, megjithatë deri më tani kjo frazë ka shërbyer vetëm sa për sy e faqe. Ndërkohë, jo rrallëherë thuhet se ky është qyteti me dy të vërteta historike. Pikërisht, këtu fillon tendenca e qëllimshme që ia zbehë shkëlqimin historisë së shndritshme të këtij qyteti, sa të lashtë, aq edhe të bukur.

Megjithatë, nëpërmjet rrëfimit të një dialogu të përjetuar personalisht gjatë një ekspedite arkeologjike, akoma më shumë m’u shtua kureshtja për njërin nga personalitet – simbol të  harruara të qytetit të Ohrit. Rrëfimi në të vërtetë ka të bëjë me një bisedë të rastësishme, por që  nxit një ide për një nismë e cila do ta shkundte pluhurin e harresës mbi figurën historike që është pjesë e pamohueshme e historisë së qytetit të Ohrit. Për një figurë që për peshën dhe rëndësinë e të cilit ne sot me të vërtetë dimë fare pak.

“Ka ardhur koha që Ohri të bëjë rehabilitimin e figurës së Andrea Gropës”, i pat thënë  në  vjeshtën e vitit 2000, atje mbi gërmadhat e teatrit antik të  qytetit buzë-liqenit, ish-profesori im i arkeologjisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij” të Shkupit, Ivan Mikulçiq, njërit nga kustosët e Muzeut të Qytetit të Ohrit. Disi i befasuar, për të mos thënë edhe ca i thartuar, arkeologu nga Ohri filloi ta kundërshtoi propozimin e profesorit Mikulçiq.

Por, profesori e ndërpreu menjëherë, duke i thënë: “E di se çka do të thuash, se politika nuk do të pajtohet me këtë ide. Jetojmë në kohëra të tjera tani, harrojeni atë politikë dhe lëreni këtë  arsyetim. Andrea Gropa ka qenë njeri i rëndësishëm i këtij qyteti dhe ju e dini se ai ka dhënë shumë për Ohrin, prandaj ai meriton të përkujtohet në një farë mënyre për atë që ka bërë për qytetin”, e justifikoi propozimin e tij, Mikulçiqi.

Për mua ishte e kuptueshme se prania ime sigurisht që ndikoi që ai dialog të mos vazhdojë deri në fund. Megjithatë, që atëherë vazhdimisht më ka përcjellë ideja për t’iu rikthyer edhe një herë më seriozisht kësaj teme, jo vetëm si trajtim publicistik, por si një projekt hulumtues shkencor, gjë që më mbetet akoma pa e realizuar.

Por, sa më shumë po mësoj për historinë e familjes Gropa, aq më tepër më duket se qëllimisht është lënë në harresë kjo e vërtetë historike. Ndërkohë, nga ana tjetër, pikërisht nga kjo histori mund të mësojmë akoma më shumë për të kaluarën mesjetare shqiptare. Por, sigurisht që për këtë histori duhet ndjekur një qasje studimore lineare, ndërdisiplinore dhe diversive, për të prezantuar sa më objektivisht të kaluarën e përbashkët këtu te ne. Është koha e fundit që studimi shqiptar duhet të shmanget nga veset e vetë-referencave dhe të tejkalojë horizontet lokale ose, thënë më hapur, të dalë tej kufijve ngushtësisht “shqiptarë”.

Shqiptarët kanë nevojë për një karakter shkencor multidimensional, nga më shumë aspekte\, siç janë historia politike, historia arkeologjike, historia sociale në raport me pikëtakimet e ndryshme, duke zbatuar kështu një histori (metodologji) të perceptimeve politike, ashtu siç është edhe vet historia e pikëtakimeve të kulturave të ndryshme, ku shqiptarët duhet shikuar në raporte dinamike, në raporte të shkëmbimit politik, kulturor e tregtar me popullsitë e tjera rajonale.

Për fatin e keq të tyre, por edhe tonin, këto botëkuptime të prapambetura me sa duket vazhdojnë ta ushqejnë një pjesë të shkencës maqedonase, e cila e kontaminuar nga interesat e politikës shkurtpamëse ditore, jo rrallë ka vënë në pikëpyetje qasjen dhe qëndrimin ndaj realiteteve të caktuara historike. Këtë më së miri mund të pasqyrojmë me fatin e fisit Gropaj dhe pinjollët e tij, që dhanë aq shumë, jo vetëm për historinë e shqiptarëve, por edhe për historinë dhe trashëgimin e së kaluarës së viseve të ndryshme të Maqedonisë. Sidomos, gjurmët e tyre dukshme kanë shtrirë rrënjë në qytetin e Ohrit.

Gropajt, familje fisnike shqiptare  

Vetëm me një qasje objektive mund të kompletohet kuptimi i idesë së kësaj tabu teme e cila përmban brenda saj rrëfimin e një historie të mohuar. Nëpërmjet këtyre shtjellimeve historiografike, kulturore e socio-historike mbi shqiptarët në Maqedoni, do të pasqyrohet ajo pjesë ortodokse e tyre. Prania shumëshekullore e shqiptarëve ortodoksë, e dokumentuar për shumë shekuj me radhë në këto hapësira gjeografike, për shkak të anashkalimit nga studiues të ndryshëm, edhe sot na mungojnë trajtesat meritore në lidhje me fatin dhe rolin e këtij komuniteti në Maqedoni.

Kronikat historike flasin se Gropajt kanë qenë një ndër familjet më të vjetra, por edhe më të shquara feudale shqiptare, pinjollë të së cilës për bëmat e tyre përmenden gjatë shekullit XIII dhe sidomos gjatë shekullit XIV. Dihet se familja princërore e Gropajve që nga viti 1273 sundoi në pellgun e Liqenit të Ohrit si vasale e Anzhuinëve.

Që në vitin 1274 është dëshmuar se pjesëtarë të familjes Gropaj ishin anëtarë të rëndësishëm të fisnikërisë shqiptare të Mesjetës. Familja me origjinë nga rrethi i Dibrës në verilindje të Shqipërisë më vonë ka kontrolluar disa rajone veriperëndimore të Maqedonisë, është përqendruar kryesisht rreth Ohrit, Strugës dhe Pogradecit. Jo vetëm shpjegimi shqip i antroponimit Gropa, që nënkupton vrimë, por edhe shumë dokumente të ndryshme, dëshmojnë përkatësin shqiptare të këtij fisi me zë të mesjetës së pellgut të Liqenit të Ohrit. Dhe, jorastësisht, kryeqendra e kësaj familje ka qenë qyteti i Ohrit, një nga qytetet më të rëndësishme bashkëkohore të Ballkanit.

Ndër personalitet më të shquar të familjes Gropaj do të veçonim vetëm tre prej tyre: Andrea, Pal dhe Zaharij Gropaj. Secili nga këta e ka rolin dhe peshën e tij në historinë e asaj periudhe të mesjetës akoma të pandriçuar sa duhet. Në vitin 1273 njërit prej tyre, Pal Gropajt, i njihet nga mbreti Karl Anzhu e drejta e zotërimit të disa fshatrave në krahinën e Dibrës (midis të cilave edhe Zerqani), ashtu siç i kishte zotëruar edhe nën sundimin bizantin.

Ndërkohë që në vitin 1380, një Gropaj tjetër përmendet si sundimtar (zhupan) i Ohrit dhe dhurues i një kishe të pasur. Në dokumentacion pasardhësit e tyre i gjejmë të lidhur edhe me Skënderbeun. Fjala është për Zaharij Gropajn, i cili si një komandant i shquar i asaj periudhe është dalluar në një sërë luftimesh në betejen e Sfetigradit dhe në betejën e Vajkalit.

Padyshim që pjesëtari më i shquar i familjes fisnike shqiptare të mesjetës ka qenë Andrea Gropa, i cili ka sunduar me Ohrin gjatë viteve 1371-1385 dhe njëherësh ka qenë njëri ndër burrat më në zë të këtij qyteti. Gjatë qeverisjes së tij, kah gjysma e shekullit XIV, qyteti i Ohrit, ka përjetuar një lulëzim të vërtetë arkitektonik. Dëshmitë flasin se gjatë asaj kohe janë ngritur ose ka përfunduar ndërtimi i shumë kishave dhe objekteve të tjera të kultit krishterë, por edhe ndërtimeve të tjera me karakter publik. Dihet se Andrea Gropa në vitin 1378/9 bëhet ktitor  (mbrojtës) i kishës Shën Klimenti (Shën Marai Preivlebta), të themeluar nga Progon Zgurraj.

Por, ajo që është më e rëndësishme të theksohet është konstatimi i prof dr. Ivan Mikulçiqit se meqenëse në mesjetën e hershme vendbanimi i Ohrit nuk ka qenë i fortifikuar, kështjellën që sot e shohim i përket mesjetë së vonshme. Nuk ka dyshim se fortifikimi i Kalasë së Ohrit, të njohur ndryshe ndër popullatën maqedonofolëse edhe si Kalaja e Samoilit, është ndërtuar në shekullin XIV. Gjithashtu nuk ka dyshime se fortifikimi është vepër e Andrea Gropës, e ndërtuar sipas traditës ndërtimore të ndikuar nga viset evropiane nëpërmjet bregdetit Adriatik. Kjo traditë dhe teknikë e fortifikimit është e përafërt edhe me teknikën e murimit të Manastirit të Mespotamit në afërsi të Sarandës në Shqipëri.

Andrea Gropa është ai i cili pikërisht në qytetin e Ohrit ka farkuar monedhën e tij që dëshmon se familja Gropaj ishte konsoliduar fuqishëm në këtë qytet. Deri më tani dihet për katër monedha, nga të cilat në tre prej tyre emri i tij është shoqëruar me titullin zhapnit (të madh), kurse në njërën nuk është shënuar titulli, për të cilën supozohet se është farkuar në kohën kur akoma ka qenë vasal i Vukashinit. Gropajt kanë qenë mbrojtës së selisë së Arqipeshkvisë së Ohrit.

Pas vdekjes së Skënderbeut me Gropajt u përsërit ajo që u ka ndodhur shumë familjeve të rëndësishme shqiptare. Një pjesë e mirë e tyre e kaluan detin dhe u vendosën në Italinë e Jugut dhe viseve tjera të Evropës. Ndërkaq, një pjesë tjetër është islamizuar dhe, duke i ruajtur pronat, janë bërë pashallarë në Ohër, Dibër, Strugë, etj.

Asimilimi dhe mohimi

Komuniteti ortodoks shqiptar në Maqedoni shekuj me radhë ka qenë i nënshtruar ndaj dy rrebesheve të pandalshëm. Njeri ka të bëje me asimilimin dhe tjetri me mohimin. Asimilimi është një proces i kushtëzuar nga më shumë rrethana dhe si i tillë bëhet shkaktar kryesor në zhdukjen e cilitdo komunitet, siç ndodhi edhe me komunitetin ortodoks shqiptar në Maqedoni. Kështu duhet shpjeguar edhe proceset asimiluese dhe shkrirjet etnike që kanë ndodhur për shekuj me radhë në Maqedoni, që ndërlidhen me aspektet historike, kulturore, fetare dhe etno-politike. Por, mohimi është një fenomen tjetër, sepse ai bëhet qëllimisht nga institucione apo individë të ndryshëm për të ruajtur ose për të plasuar “të vërtetën” e tyre. Duke i shfrytëzuar proceset asimiluese, shteti i ri maqedonas po forcon idenë e ndërtimit kompakt të identitetit etno-kulturor e fetar, mohon pothuajse çdo gjurmë tjetër, sidomos ato shqiptare. Si rezultat e këtij mohimi sot është anatemuar plotësisht komuniteti ortodoks shqiptar, duke e mohuar pothuajse edhe kontributin e familjes Gropaj. Të gjitha ato të mira kulturore dhe fetare, në emër të ortodoksisë, sot po trashëgohen nga maqedonasit, por vetëm për shkak të prejardhjes shqiptare të Gropajve, shumëçka që lidhet më këtë familje fisnike nuk afirmohet. Kjo flet shumë për irracionalitetin e “strategëve” maqedonas.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...