Published On: 7 Gusht, 2017

Kadareja nxitonte në kritikat kundër Rugovës

Më me agresivitet nisi sulmi kundër politikës paqësore pas Marrëveshjes së Dejtonit. Disa frikësoheshin se do të mbeteshim jashtë marrëveshjeve të rajonit, pra me Serbinë, të tjerët donin të futeshin në aventura, pa e llogaritur çmimin që mund të paguanim dhe pa u brengosur a e vlente barra qiranë. Por  të gjithë ose pjesa më e madhe e dinim se lufta shqiptaro–serbe nuk do të zhvillohej në fronte as më beteja, më parë do të bëhej masakër kundër popullatës shqiptare…

Gani Mehmetaj: Kujtime (30)

  Në redaksinë e Cyrihut (Zvicër) më informuan për takimin e Kadaresë në Gjenevë, ku foli për politikë, megjithëse promovonte një libër. Një gazetar me lajmëroi se ai foli tërthorazi për Rugovën, duke e kritikuar për qëndrimin paqësor, përderisa policia e ushtria serbe bënin dhunë të paparë. Kadareja në parim pati të drejtë, sikur gjërat të ishin ashtu sikurse i vlerësonte nga Gjeneva, apo nga Parisi. Çdo rezistencë individuale të shqiptarëve Serbia e ndëshkonte rëndë, ia shuante tërë familjen kryengritësit, e shuante tërë katundin, nëse u kundërviheshin ndëshkimeve të ushtrisë e policisë serbe. Të paktë ishin ata që do ta flijonin familjen.

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës dështoi, sepse u formua brenda territorit të Kosovës, ku ndiqej hap pas hapi nga shërbimi sekret serb që ishte ndër më të organizuarit jo vetëm në Ballkan. Shqipëria nuk lejonte struktura të armatosura të Kosovës, brenda territorit shqiptar. Perëndimi ndiqte çdo përpjekje për organizim. Dhe Rugova megjithëse i përcaktuar për politikën paqësore, e tha shumë herë publikisht: askush nuk mund t’ua ndalojë shqiptarëve ta mbrojnë vatrën. Rrethanat ishin më të rënda sesa mund t’i përshkruaj. Raportet nga terreni të rrëqethnin.

Prandaj, t’i kundërviheshe Serbisë me kryengritje të armatosur, paraqiste aventurë. T’i kundërviheshe me luftë guerilje, po nuk pate mbështetje ndërkombëtare, do t’i kushtonte shtrenjtë popullatës. Shenjat për mbështetje të tilla qenë të vakëta, të pamjaftueshme.

Në atë kohë kur fliste Kadareja për indolencën dhe mospërgjigjen e duhur ndaj dhunës me dhunë, asnjë faktor ndërkombëtar nuk e këshillonte rezistencën e armatosur, përkundrazi në çdo takim ndërkombëtar ia tërhiqnin vërejtjen Rugovës që të mos hynte në aventura. Është çështje tjetër që shtetet e rajonit u përpoqën ta fusnin në lojën e rrezikshme të luftës për ta shpërqendruar vëmendjen e Serbisë nga vetja. Këtë e bëri Kroacia në kohën e Tuxhmanit, përmes disa shqiptarëve. Përpjekje për ta futur në luftë bënin disa faktorë fetarë para se të niste lufta në Bosnjë, mirëpo ky faktor nuk çonte asfare peshe, kështu që askush nuk e bëri dert.

Më me agresivitet nisi sulmi kundër politikës paqësore pas Marrëveshjes së Dejtonit. Disa frikësoheshin se do të mbeteshim jashtë marrëveshjeve të rajonit, pra me Serbinë, të tjerët donin të futeshin në aventura, pa e llogaritur çmimin që mund të paguanim dhe pa u brengosur a e vlente barra qiranë. Por  të gjithë ose pjesa më e madhe e dinim se lufta shqiptaro–serbe nuk do të zhvillohej në fronte as më beteja, më parë do të bëhej masakër kundër popullatës shqiptare, ashtu sikurse u bë masakër në Bosnjë, ku thuhet se u vranë treqind mijë civilë.

T’i përgjigjeshe dhunës serbe më rezistencë të armatosur, ashtu sikurse duhej të veprohej, ishte aventurë me pasoja të mëdha, madje me shumë të vrarë sesa në Bosnjë e Hercegovinë, sepse ata u armatosën mirë, ndërkaq ne s’kishim as pushkë gjuetie.

Kadareja me zemër të plasur për çështjen shqiptare do të gjente aventurierë të tipit të Demaçit, i cili qysh më herët kishte deklaruar: ç’është nëse vriten 300 mijë shqiptarë e të çlirohemi? Ndërkaq, tipat e tillë po të kishin mbështetje do futeshin në luftë, pa e vlerësuar çmimin, megjithëse ata nuk e patën asnjë garanci se do të çliroheshin.

Derisa Kadare fliste, i hynte në hak Rugovës, më shumë i emocionuar nga gjendja e rëndë e shqiptarëve, pra ishte reagim emocional e jo racional. Nuk dua të besoj, por flitej sikur i pëshpëritnin në vesh edhe njerëz të cilët e mashtronin me të dhëna, ose ishin kundërshtarë të njohur të Rugovës.

Nga takimi i Kadaresë në Gjenevë, ku pati qindra të interesuar, sepse shkrimtarin tonë e vlerësonte gjithë bota, botuam një raport pa e komentuar. Ditëve në vijim shkrova një koment  kritik të rreptë ndaj akuzave të Kadaresë, të cilin e çmoja sa për gjenialitetin e tij në romane, aq edhe për angazhimin e jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës si asnjë shkrimtar  e intelektual tjetër. Por më brente një dyshim sikur ai i kishte rënë në qafë Rugovës nga acarimi që ia krijonin të tjerët. Mbase edhe ndonjë “bashkëpunëtor” i Rugovës e nxiti mërinë e Kadaresë.

Më dëshpëronte Kadereja kur mësoja ndonjë të dhënë se ai informatat i vilte kryesisht nga kundërshtarët e Rugovës: Adem Demaçi, Rexhep Qosja e lukunisë së atyre që s’bënin gjë tjetër pos villnin vrer kundër çdo personaliteti me vlerë. Diplomatët shqiptarë në Perëndim po ashtu bënin punë të mbrapshta.

Më dëshpëronte Kadareja, sepse fjala e tij çonte peshë, Rugova e çmonte shumë, tregonte simpati e dashamirësi. Sa herë i jepej rasti e thoshte këtë publikisht. Me kujtohet kur LSPP-ja e Kosovës me 1985 propozoi ta hiqte Kadarenë nga programi shkollor, kurse i pari mbase edhe i vetmi doli Ibrahim Rugova që e kundërshtoi me forcë këtë ide të mbrapshtë, sikurse tha në një prononcim publik.

Rugova kurrë nuk iu përgjigj kritikave të rrepta të Kadaresë, kurrë nuk nxori asnjë fjalë të keqe për të as në bisedat private.

Ibrahim Rugova ndryshonte nga tipat e aventurierëve që i ndryshonin opsionet politike sipas stinës. Qosja gjithë kohën preokupohej me veten dhe me dukjen para pasqyrës. Kritikat që lëshonte më shumë u ngjasonin “fatfave” iraniane të mullave sesa njeriut të letrave, ai priste koka në shkrimet e veta, e himnizonte kriminelin Enver Hoxha, apo Josip Broz Titon, që kishin vrarë mijëra shqiptarë, e quante vrasjen e mijëra shqiptarëve në rebelimin e vitit 1997  “revolucionin e vonuar demokratik” etj.

Kadareja ishte aktiv në jetën publike, sidomos u bë militant i çështjes së Kosovës. Shkruante e polemizonte me ata që përpiqeshin të fshihnin krimin e serbëve në Kosovë. E vlerësoja për gjeniun e tij, e botoja çdo lajm që na vinte për të dhe për romanet e botuara në gjuhën shqipe, apo të përkthyera në gjuhë të huaj.

Por asnjëherë nuk jam pajtuar me vlerësimet e nxituara.

Në takimin që pata gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë në Tiranë, Ismail Kadare ndër të tjera me tha: Gani, unë i kërkova falje Rugovës për kritikën e padrejtë që i bëra. Dhe vërtet Kadare erdhi në Prishtinë, u takua me Rugovën në presidencë dhe dolën së bashku në konferencë shtypi. Ata mbeten miq. 

 

Nesër: Vrasja e Enver Malokut – fillimi i vrasjeve politike

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...