Published On: 17 Korrik, 2017

Jeta në okupim me 20 milionë sllavë mbi kokë

Gani MEHMETAJ: Kujtime (10)

 

Ne e morëm mërinë e 20 milionë sllavëve të jugut, mërisë që i shmangeshin Sllovenia e Kroacia, megjithëse qenë të pakënaqura me pozitën në kuadër të Jugosllavisë. Ne shpërthyem, ata u kursyen. U përpoqëm t’i lirojmë ca vargonjtë e okupimit, por na i shtrënguan edhe më shumë. Të okupuar ishim që nga viti 1912 me ndërmjetëza disavjeçare (Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore, kur pushtuesit serbë ia mbathnin para ushtrive më të forta). Varësisht nga situata, kishte batica e zbatica, pati periudha kur okupuesi për shkak të rrethanave të caktuara e presioneve ndërkombëtare na e lironte pak lakun rreth qafës dhe na lejonte të bënin jetë gati normale. Jugosllavia qe e varur nga kreditë ndërkombëtare me kushte të mira, prandaj i kushtëzuan me dhënien e më shumë të drejtave shqiptarëve në Kosovë, sepse shqiptarët në Maqedoni e Mal të Zi, nuk e vërenin frymëmarrjen më të lehtë, ndaj tyre ushtrohej dhunë e vazhdueshme.
Një periudhë e tillë nisi si një lloj rilindjeje nga viti 1974, megjithëse qysh me 1979, kur Josip Broz Tito, presidenti i Jugosllavisë, erdhi në Prishtinë, iu hakërrye zyrtarëve të lartë të Kosovës, sepse se Beogradi ishte i shqetësuar me shpejtësinë e zhvillimit tonë. Ndërkaq, ankohej sikur serbëve u bëhej padrejtësi në punësim, megjithëse sipas përqindjes së popullatës ata prapë kishin më shumë të punësuar. Por privilegje të pakufishme kishin gjithnjë e më pak, ndërsa kolonët, meqë të gjithë serbët ishin kolonë, i druheshin barazisë me shqiptarët. Prandaj, nisën të shpërnguleshin në Serbi, ku kishte toka djerrina apo merrnin toka me çmime të ulëta. Në Kosovë për shkak të dendësisë së popullatës pronat shiteshin dy herë më shtrenjtë sesa në Serbi. Kështu, serbët përfitonin dyfish: tokat që ua kishte falë shteti me dekret, duke ua marrë shqiptarëve, i shisnin palës së tretë, kështu që shmangnin konfliktin e mundshëm me ish-pronarin. Në anën tjetër i shisnin shtrenjtë.
Ndërkohë shqiptarët për disa vjet ndërtuan institucione me bazë të shëndoshë: Universiteti i Prishtinës me afër 30 mijë studentë, Teatri Krahinor, RTV Prishtina, “Kosovafilmi”, Instituti Albanologjik, “Rilindja” me edicionet e botimit të gazetës e të librave, revistat e shumta, Qendra Klinike Universitare etj.
Përnjëherësh dikujt i ra ndër mend se me këto institucione, të cilat bënin rivalitet gjatë gjithë viteve tetëdhjetë me institucionet e ngjashme në Beograd, Zagreb, Lubjanë, apo Sarajevë, ata do të dilnin nga robëria. Prandaj, nisi fushata më e egër që është zhvilluar ndonjëherë ndaj ndonjë vendi të okupuar kundër institucioneve vendëse, një herë kundër Universitetit të Prishtinës, ku nisën të ndjekin studentët, pastaj pedagogët, shkarkuan shumë emra të njohur, arrestuan studentë, vazhduan në RTV Prishtina, Bibliotekën Krahinore, gazetën “Rilindja”, “Kosovafilm” e kudo ku mendonin se duhej rrënuar, a goditur rëndë institucionet.
Edhe pse pati hutim e qyqari, rezistenca qe e fortë, gati e papritur për ndjekësit e shtrigave.
Në një situatë të këtillë ishte e vështirë të prisje lojalitet, edhe më pak pritej dëgjueshmëri. Por mosdëgjueshmëria ndëshkohej rëndë. Kishte kohë që u shpall motoja: kush nuk është me ne është kundër nesh! Mes nuk pranonin.

Pakënaqësia e shqiptarëve shtohej, por laku na shtrëngohej rreth qafës. Dhuna u bë bukë e përditshme, që na e falnin pa i lutur, kurse gjykimet e zhurmshme transmetoheshin në çdo termin të lajmeve. Të vinte keq për këta të rinj, sepse kryesisht ishin 20-vjeçarë, që dënoheshin me nga dhjetë a pesëmbëdhjetë vjet burg, për biseda blasfemie, flisnin për padrejtësitë ndaj shqiptarëve dhe ndonjëherë paraqisnin koncepte për liri. Të dërmuar nga torturat, i nxirrnin para gjykatores e para opinionit si të ishin kriminelë ordinerë. Ndërkaq nuk e kishin bërë asnjë krim, përkundrazi gjykoheshin, sepse shkruanin parulla “armiqësore” “Kosova Republikë”, manifestuan pakënaqësi, brohoriten parulla kundër shtetit etj. Gjëra të këtilla në Perëndim bëheshin çdo ditë e kalonin pa u vërejtur.
Në rrethana normale, në një shtet normal, ata mund të dënoheshin eventualisht për prishje të rendit e qetësisë, për ndonjë thyerje apo përleshje me policinë, por kurrë me ndëshkime aq të rënda, tmerruese që të linin pa frymë, shtoja kësaj edhe faktin që ata nëpër burgje torturoheshin në mënyrë çnjerëzore. Por Jugosllavia nuk qe shtet normal, jugosllavët silleshin si bisha, mirë që e shihnin edhe të tjerët një gjë të këtillë, sidomos ata që përpiqeshin ta veçonin nga diktaturat komuniste të Lindjes. Babai im nga zemërplasja shpeshherë thoshte: “I fortë është i dobëti!”, sepse vërtet ishim të fortë derisa e përballonim dhunën e shtetit 20-milionësh, terrorin e bashkëkombësve tanë në polici, gjyqësi e sigurim të fshehtë, të cilët çuditërisht ende rrihnin e ndëshkonin bashkëkombës që t’ua bënin qejfin serbëve në Kosovë e në Beograd.
Në redaksi vazhdonim punën e zakonshme. Rubrikën e kulturës, ku punoja, e kursenin nga komentet politike apo nga raportet e tilla, që e denigronin gazetën e gazetarinë. Përpiqeshim të punonim si të mos ndodhte asgjë, sepse njerëzit kishin nevojë për vlera artistike, lexonin libra, ndiqnin shfaqjet teatrore, ekspozita, shihnin filmat të rinj vendës e të huaj, punonin e vepronin nëpër institucione të kulturës e të arsimit. Gazeta “Rilindja” me gjithë batica e zbaticat, me gjithë imponimet e ndërhyrjet brutale të politikanëve e njerëzve të komitetit, e luante rolin e arsimuesit të popullatës, e luante edhe rolin e ngritjes së shijes artistike. Megjithëse mori ca goditje të forta, qe e vetmja mburojë e vlerave kombëtare, që sulmoheshin nga të gjitha anët.
Kana nuk bënte pa ne

-A bën Kana pa ne? – më pyeti polici serb në aeroportin e Beogradit, derisa prisnin në radhë që të na i kontrollonin pasaportat.
– Sigurisht që nuk bën, përderisa ia kemi mësyrë, -ia ktheva si me shaka. Edhe ai e thoshte me shaka, por me një ironi, meqë s’mund ta thoshte drejtpërdrejt: a bën Kana pa ty? Isha i vetmi gazetar shqiptar në grupin e gazetarëve-kritikë filmi nga Jugosllavia që shkonim në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kanë (Francë). Përderisa gazetarëve tjerë ua shikonte fotografinë dhe vazhdonte me tjetrin, polici kur më erdhi radha mua, nxori pa u hetuar një listë nën tryezën e vogël, që ta kontrollonte: isha në atë listë apo jo, sepse për shqiptarët gjithnjë ishte një listë e përpiluar nga policia a shërbimi i fshehtë jugosllav. Atyre që figuronin në këtë listë, nuk u lejohej shkuarja në Perëndim. Nuk isha në atë listë, por vonesa me kontrollin e emrit tim i bëri nervoz të tjerët, prandaj gazetari beogradas i “Politikës”, M. Ç. më pyeti mua, por pyetja i drejtohej edhe policit: – A ka ndonjë problem, koleg? –Jo, jo! – iu përgjigj polici, duke ma kthyer pasaportën. Të gjithëve u uroi rrugë të mbarë, mua harroi të ma thoshte një urim të tillë.
Në Kanë do të mbahej ngjarja më e rëndësishme e filmit në Evropë. Shumë kritikë e vlerësonin ngjarjen filmike me të rëndësishme në botë. Për të gjithë ata që e ndiqnin dhe e donin filmin, të shkoje në Kanë qe më shumë se privilegj, ishte mundësia e mirë të shikoje çfarë bënte bota. Yjet e artit të shtatë bënin xhiro nëpër korridoret e Pallatit, ku mbahej manifestimi, por edhe nëpër Kraoazet, shëtitoren e mrekullueshme, ku shëtisnin apo merrnin ndonjë rreze dielli yjet e filmave.
Një ditë para se të nisesha më thirrën te kryeredaktori për të më dhënë këshilla të caktuara, të cilat edhe pse i kapërdija me vështirësi, më vonë m’u dukën dashamirëse e të nevojshme. Kryeredaktori i gazetës, Maksut Shehu, më këshilloi të mos rrëmbehem, t’u shmangem takimeve me emigrantë politikë, sepse shërbimi i fshehtë jugosllav nuhaste çdo gjë, prandaj të bëja kujdes. Edhe ai ashtu si unë, ende ishte me përshtypjen e mëhershme sikur mbretërorët rrinin në jug të Francës, kryesisht në Kanë e rreth Kanës, në bregdetin Azur. Takimi aksidental me ta, po më raportoi kush, do të ishte fatal për mua e për të ardhmen time, prandaj përpiqej të më sinjalizonte të mos bija në grackë.
Nuk e fsheh se e mendoja një takim të mundshëm, sidomos kur e mendoja simpatinë që gëzonte mbreti e mbretërorët nga babai im, i cili asnjëherë nuk i hiqte goje.
Ditën e parë, ndërsa shikoja hotelet, supozoja në cilin hotel duhet të kenë ndenjur mbreti e mbretëresha, ku do ta kenë ngrënë drekën a darkën, ndërsa më vonë më rrëmbeu vala e atmosferës së festivalit, kështu që as takova mbretërorë, as takova njerëz nga emigracioni i vjetër.
Kana shpaloste hiret e veta, glamurin e farfurinë që nuk e kishin qytetet e tjera, sidomos nuk e kishin festivalet e këtij niveli. Gazetarët e shtypit të verdhë, sidomos paparacët me aparatet e tyre fotografonin yjet e filmit, që i ndiqnin hap pas hapi, apo bënin fotografi të vajzave të reja atraktive, të cilat nuk përtonin të tregonin hiret e tyre që të dilnin në gazeta a televizione.
Sa shumë ndryshonte kjo botë nga bota jonë, sa e pabrenga e pa ngarkesa politike kalonte jeta e tyre. Askund nuk përmendej nacionalizmi e irredentizmi, askush nuk të sulmonte pse mendoje ndryshe, askush nuk ta shihte për të madhe po bëre një pyetje krejtësisht ndryshe nga qindra gazetarë të tjerë në konferencat e shtypit. Dhe ajo që të bënte ta ndieje veten mirë në profesion, ishte respekti e kujdesi ndaj kastës sonë. Takimet me aktorët e mëdhenj e regjisorët e njohur ishin në programin e festivalit, mund të bashkëbisedoje me ta, mjaftonte të caktoje termin. Monika Viti, yll italian i filmit rrinte e pa brenga në hotelin “Carlton” përballë detit, duke pirë kafe dhe duke ia ekspozuar fytyrën diellit. Unë me Isa Qosjen shijonim hiret dhe atmosferën e festivalit, duke i eksploruar rrugët e ambientet e një qyteti të filmit, ku pushonin yje të kinematografisë, mbretër e princesha. Ylli italian ishte veshur në atë mënyrë sa që nuk e njihnin gazetarët “paparacë”.
Por të takohej Sergjio Leonen, legjenda e filmave vesternë-shpageti, ishte privilegj. Të ndesheshe me të aksidentalisht dhe të të kërkonte falje, pse të goditi pa dashje me trupin e bëshëm sa dy njerëz të zakonshëm, të dukej si në filma. Ashtu më ndodhi, derisa ai futej në tualet, kurse unë dilja. Leone u paraqit me filmin “Na ishte dikur Amerika” që u prit mirë. Në të pos regjisë së mirë, shkëlqenin yjet më të njohur të Hollivudit. Filma të mirë e aktorë brilant, që përpiqeshin të ta shpjegonin pastaj pas premierës së filmit mënyrën se si janë futur nën lëkurën e akëcilit protagonist, të bënin të shkëputeshe për dhjetë ditë nga përditshmëria, për t’u futur në botën e magjishme të iluzioneve. Filmi të shëronte.
Kjo botë krijonte dhe e jetonte jetën, kurse ne mezi vegjetonim dhe e përtypnim njëri-tjetrin.

Nga libri “Ëndrra e madhe-fletë të shkëputura ditari 1981-2006 me portretin e Rugovës në dritëhijen e ngjarjeve dramatike”.

Kuvendi i Gjilanit miratoi emrimin e rrugës: "Mërgimtarët e Gjilanit" në shenjë nderimi e falënderimi për kontributin e juaj për Lirinë, Pavarësin dhe Republikën! #Mirësevini n'shpi!
A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...