Published On: 2 Gusht, 2017

JETA IME

Sadulla Zendeli-Daja

Jeta ime ishte si lumi Zall

Që fshatin e ndante në dy anë.

Në njërën anë ishin Dishet, Toket,

Ballet, Zhupanet, Gurret e Meçanet.

N´anën tjetër ishin Kitët, Tushet

e Poshtme dhe Tushet e Epërme.

 

Ky ishte fshati im ku u linda,

Luajta, u rrita këndova dhe qava.

Në kurbet pa dashur shkova,

E lash vendin tim u trishtova

Erdha duke qarë në mërgim

Për të shpëtuar shpirtin tim.

 

Tani po e pres vdekjen që vjen ngadalë

Asimilimi në familje ka ardhur pa dashur.

Vdekjen e pres padashtas, pa e adhuruar

Nuk më pyet askush, vdekjen e kam pranë,

As më pyet se kush je ti, me tinëzi më thotë

Eja more eja me mua të jetosh e ke të ndaluar!

 

Varrin tënd me duart e tua e ke ndërtuar

Më beso se nuk kam kohë të vdes i nderuar.

Vallë pyes veten, vetëm unë të vdes?

Përse të vdes unë i gjori?

Kujt i duhem unë i vdekur!…

 

Guximi im ishte dëbimi nga vendi im

Vdekja është afruar dhe vjen pa e ftuar

Por s’ia ia kam frikën, më kuptoni të nderuar

Kënga e jetës dhe poezia s’kanë  mbaruar!…

 

ËNDRROVA NËNË E AT

 

Ëndërrova nënën dhe atin tim,

Sikur kishin ardhur në mërgim

O sa mirë që Ju shohim

Dukeni si do margaritarë

Bijtë e bijat e nënës dhe të atit

Erdhëm të ju shohim,

Malli na kish marrë.

 

 

Në mërgim qenka jetë tjetër

Njerëzia ecin e të përshëndesin

Vetëm kokën e luajnë

Buzët sikur me qeshur,

Pa zë të përshëndesin.

Sigurisht e kanë trashëguar

Nga të parët e mërguar.

 

E jo si ne, O ku je o fqinjë!

Si je o i nderuar, e nderuar!

Qofshi me nder dhe të bekuar,

Pas dëbimit kemi ardhur me u vizituar.

 

TUNGJATËJETA!

A KJO QENKA BOTA DHE JETA?

 

Ajo me fytyrën nga ty

Që të ushqen me qumështin e saj

Është nëna jote që shumë të do

Unë me gjoksin tim jam ati yt,

N’gjirin tjetër t’nënës sate motra jote.

 

Tani Ju jeni një familje me dy fëmijë.

Nëna e Ati  do t´u mbajmë në gjirin tonë.

Emrat tanë janë të marrë nga të parët tanë.

 

Nëna e ka emrin Teutë, Ati Agron

Djali e ka emrin Dardan

Vajza mban emrin Adriana (Illyrija).

 

O të dashur fëmijët tanë

Shumë ju duam Sa Dielli e Hëna

Sa bota që na rrethonë

Kjo është Bota dhe jeta jonë!

 

NAT E DITË PËR TY MENDOJ

(Vargje për dashurinë)

 

E bëja të qeshë në pikë të natës

E bëja të qeshë duke ia shkelur syrin

Kam dëshirë të t´i shoh sytë që shkëlqejnë.

 

Në këtë çast afër teje jam unë

Më përqafo me duart e tua

Të shikoj në sy

Dhe pres t`më përgjigjesh.

 

Dua të të kap për dore

Nuk di besimi fetar a do të më lejoje

Me drojë mos më hidhërohesh

Po të ma japish dorën

Sikur ma ke shtruar sofrën.

 

Po të më afrosh afër

Sikur më ke dhënë besën

Po të t´i përkëdhel flokët

Në shpirt do të ngrohem.

 

Shpirti dhe dashuria kur bashkohen

Si rrezet e Diellit që njerëzinë e ngrohin

Vargjet e dashurisë  i adhuroj

Natë e ditë për ty mendoj.

 

MËRGIMI O SHQIPTARI

 

Rrugët e gjera u ngushtuan

Sa herë në rrugë i ndalonin

U drejtuan drejt perëndimit

Shtëpia e fundit e mërgimit

Mëmëdheut me lot në sy

Ia kthyem kurrizin…

 

Ashtu gdhiu dita e parë në mërgim

Zogjtë nuk këndonin si në vendin tim.

 

Shpirtra të trazuar

Në mërgim të dëbuar

Disa vdiqën në mërgim

Disa mbetën në amshim

Disa u kthyen të moshuar

Të gjymtuar e të sëmurë

Vdiqën në vend të huaj

 

Mërgim i shëmtuar

Armikut e tradhëtisë

Kurrë nuk duhet besuar!

 

PYET MALIN E SHARRIT

TË TË TREGOJË

PËR GJENERALIN E GOSTIVARIT

 

Pyet Malin e Sharrit

Të tregojë gjurmët e gjeneralit

Pyet Bjeshkët e Sharrit

Kush e tradhtoi Gjeneralin

Xhemë Hasa Gostivarin

Pyet Simniçanët kreshnikë

Pyet fshatarët e malësisë

Pyet gjithë shqiptarët

Për betejat kreshnike

Të Xhemë Hasa Gostivarit.

Pyet shqiptarët e Shqipërisë

Dhe Kosovës së Arbërisë

Pyet gjithë shqiptarinë

Që nga Ohri, Struga e Dibra

Kërçova Gostivari e Tetova,

Shkupi e Kumanova,

Gjevgjelia e Manastiri

E gjithë shqiptaria

Kush ish Gjenerali

Xhemë Hasa Gostivari?

 

Qofshi të mallkuar o miq të betuar

Si qenj të tërbuar si bishë e ulkonjë

Në besë mikun tuaj e tradhtuat

Kurrë shqiptarët s´do t’ju harrojnë!

 

Kokën e prerë Xhemë Gostivarit

Ia dekoruat bishës kaukaziane

Çetnike të Serbisë e Maqedonisë

 

Xhemë Gostivari është i gjallë

Shpirti i tij është pjesë

E shpirtit tonë shqiptar.

 

O SHARR I MOTMOÇËM

 

Sharri furtunat i tregoi

Pyet Tetovën e Gostivarin

Ku na mbeti Xhemë Hasa Gjenerali.

Pyet Zhelinën për tradhtarët

E Xhemë Hasa Gostivarit.

 

Simniçanët Krenaria shqiptare

Gjeneral Xhema me trimat shqiptarë

E mbrojti vatanin nga tradhtarët

E miqtë e tyre nga malet e Kaukazit.

 

Bini burra se nuk jeni vetëm

Tradhëtarëve dhe armiqve

Do të jua tregojmë të vërtetën.

 

Pyet Nënën tonë Shqipëri

Në kufi dy fjalë gjeneralit i thanë

Ti lufton për Ballin Kombëtar

Tek Nëna Shqipëri vend nuk ka!

Vaj medet, Xhemë Gostivari tha:

Vëlla me vëlla jemi të përçarë.

 

Armiku e ideologjia

E lanë Xhemën në kufi.

Barbaria sllave mori hovin

Ndanë shqiptarët në katër anë

Shqipëria Nënë mbeti e cunguar

Shqiptarët mbetën të mjeruar

Xhemë Gostivarin miqtë e vet e tradhtuan

Kokën e Gjeneralit ua dhuruan

Kanibalëve të Kaukazit të mallkuar.

 

MALL PËR VENDIN TIM

 

Malli më ka marr për vendin e të parëve tanë,

Jo një ditë a një javë, një muaj, një vit a pesë vjet

I përmalluar pesëdhjetë e dy vjet.

 

Rrugët, lëndinat, arat e livadhet

Kodrën e Diellit që loznim tek Ballet

Në Shkrepin e Gurrës që luanim

Shtëpi të vogla me gurë, bënim mure

Për kandra e kafshë të vogla

Që natën kalonin ditën fluturonin…

 

Malli më ka marr të shoh

Kolibet e Maksut Gurrës

Nga ajo kodrinë e gjelbëruar

Mund të shohësh arat e livadhet

E Zapodes, Kupshores

Sheheve dhe Kullën e lashtë

Të mbuluar me diell e hanë

Të trashëguar nga të parët tanë.

 

KY ËSHTË ATDHEU IM

 

E unë vuaj e vuaj

Mbeta në mërgim…

Dhashtë Zoti i gjallë

I vdekur të kthehem

Në vendin tim…

Aty mallin që kam për vendlindjen

Ta shtroj shtratin mbi gurët

E kalldramosur  të parëve të mi ilirë

Të dëgjoj gjuhën e ëmbël shqipe

Të qetësohem deri në amshim.

Ky është malli për vendin tim.

 

GËZIM DHE PIKËLLIM

 

Të dyja në zemrën time

Gëzim dhe pikëllim

Të dyja në një vend.

Pikëllim në një anë

Gëzim në tjetrën anë

Të ndara me njëra tjetrën

Por ajo e dyta,  vetë

Pastaj e dyta vjen aty

E mëson tjetrën të hapë derën

Pikëllim i rrallë

Gëzimi im pikëllim.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...