Published On: 24 Tetor, 2016

Ja ku dhe pse Ministri i Jashtëm i Kosovës, E. Hoxhaj, ka të drejtë

Nga Skënder S.KAPITI

Nuk është normale që të kërkohet nga politika e Tiranës pajtimi shqiptaro-serb pa pyetur viktimën e gjenocidit të ushtruar mbi 150 vite, Kosovën . Serbia këtë kërkon, që për Kosovën të vendosë Tirana dhe Beogradi, strategji serbe kjo që synon ndarjen Kosovës mes Shqipërisë dhe Serbisë. Politikanëve të Tiranës që nuk i ka interesuar dhe nuk e kanë pasur asnjëherë as si qëllim Bashkimin Kombëtar ashtu si edhe deklaroi vetë Rama, kjo do të thotë se Shqipëria se ka për gjë ndarjen e Kosovës.

Mirëpo sot Kosova  ka Shtetin dhe institucionet e veta që i dalin në mbrojtje vetes dhe është plotësisht i justifikueshëm dhe i drejtë reagimi zyrtar i Kosovës ndaj kryeministrit të Shqipërisë për rastin në fjalë: të anashkalimit të Kosovës nga ana e tij  për atë, për pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve pa pyetur Kosovën dhe përfaqësuesit e shtetit të Kosovës; pasi  historia ka treguar gjithmonë se  politika e Tiranës ka humbur me atë të Beogradit, por ama pasojat  dhe dëmat e rënda dhe tragjike i ka pësuar Kosova. Kjo ka ndodhur si në kohën politike të sundimit të mbretit Zog, të diktatorit komunist Hoxha, të kohës së Berishës dhe të Nanos,  dhe, Kosova  jo mbrojtje, por as interesim dhe as ndihmë serioze  nuk ka parë prej politikës nga Tirana. Po, pse edhe tani ta pësojë akoma prej saj. Nuk duhet të provokohen shqiptarët e Kosovës as nga politika e Tiranës së sotme si me rastin në fjalë  dhe as me patriotizmin e me nacionalizmin paternalist fals, me qëllimin: për të krijuar, fabrikuar e nxitur një reaksion anti-Bashkim Kombëtar edhe në Kosovë, Bashkim  të cilin nuk e ka pasur as dëshirë e as qëllim asnjëherë dhe nuk e ka akoma politika e Tiranës.

Ky veprim politik që erdhi nga Shqipëria ka futur në përcarje edhe vetë politikën në Kosovë, pasi opozitarët dhe kundërshtarët e qeverisë së sotme e keqpërdorin deklarimin e drejtë të diplomatit, Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, në përpjekje për manipulimin me të dhe sa për konsum dhe për të përfituar politikisht. Opozita “patriotike” fasadë “VETVENDOSJA” e bën këtë për përfitime të vockla politike personale e partiake dhe me gjoja justifikimin se: ky deklarimi kundër ndërhyrjes së Shqipërisë në punët e brëndshme të Kosovës është veprim kundër Shqipërisë.  Sot Kosova është shtet i Pavarur që njihet nga më shumë se gjysma e shteteve të Botës dhe nga të gjitha shtetet më të fuqishme demokratike të saj, SHBA dhe të BE-së dhe është e pasens për ata  politikanë, opinionistë dhe intelektualë të cilët kundërshtojnë pa argumente bindëse dhe kundër realitetit  politikën pozitiviste, reale, të vërtetë dhe të duhur, kunder politikës së pozitës së sotme në Kosovë pse ajo  nuk bie dakord  p.sh me kryeministrin e Shqipërisë për atë se ai kërkon pajtimin me Serbinë pa marrë në konsideratë për këtë problem as vullnetin, as mandatin  e popullit të Kosovës dhe as të  politikës dhe qeverisë së saj; dhe qëndrimi e mospajtimi për këtë nga qeveria dhe diplomacia e Kosovës nuk përbën një qëndrim kundër Shqipërisë.

Pse,kur opozita si në Kosovë dhe ajo në Shqipëri kur kundërshtojnë kryeministrat, pozitën dhe qeverisjet në shtetet respektive mos do të thotë se ato janë edhe kundër shteteve përkatëse tyre?

Të thuash se  Qeveria e Kosovës është zero pa Shqipërinë kjo përbën injorancë të jashtëzakonshme , kjo do të thotë mosnjohje të realitetit, të Shtetit dhe të Pavarësisë së Kosovës dhe i shërben vetëm ndarjes së saj; dhe të deklarohesh  sic bëjnë disa nga  të “Vetvendosjes” të cilët pra  bëjnë kështu defaktorizimin e shtetit të Kosovës, të Luftës dhe të Pavarësisë së Kosovës gjëra të cilat bien ndesh dhe me mbështetjen dhe me politikën pro-Kosovë të aleatit tonë të madh SHBA-së, këto  edhe e nxjerrin zbuluar pseudopatriotizmin e tyre, pasi pas patriotizmit deklarativ të tyre fshihet qëllimi  vetëm për përfitime politike. Është shumë e dëmshme që të përpiqesh për t’u faktorizuar si parti politike dhe si opozite të synosh pushtetin duke defaktorizuar Shtetin e Pavarur të Kosovës dhe simbolet e tij  në emër të patriotizmit.

Ministri i Jashtëm i Kosovës është shumë objektiv në qëndrimin dhe në vizionin e tij kur shprehet se: “Për sa i takon normalizimit të Raporteve Kosovë –Serbi vetëm Kosova është faktor politik… dhe natyrisht që kërkojmë mbështetjen amerikane”. Dhe të mos jesh dakord me këtë do të thotë se je kundër Shtetit të Pavarur të Kosovës dhe nuk je pro rolit dhe  të kontributit të jashtëzakonshëm dhe vendimtar që SHBA   ka dhënë për lirinë e Kosovës dhe për Pavarësinë e saj , dhe që jep edhe sot për njohjet ndërkombëtare, për konsolisdimin demokratik dhe të integrimit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, si kjo  e sotme apo edhe ajo e nesërme që synon ta ketë opozita, ajo ka detyrimin  dhe përgjegjsinë për Shtetin e Kosovës dhe jo të përjashtohet Kosova nga bisedimet për marrëdhëniet dhe për pajtimin shqiptaro-serb të ndërmarrë me deklarime për të nga Tirana, pa pyetur viktimën, që është Kosova. Dhe askujt tjetër nuk ju ka dhënë autorizimi, as mandati dhe nuk ka të drejtë për të bërë pajtimin me Serbinë  përvecse Kosova dhe përfaqësuesit e saj legjitim, sepse shqiptarët e Kosovës janë viktimat e genocidit serb.

Këtë kërkon edhe diplomacia e Kosovës sot, gjë e cila është shumë e drejtë, këtë kërkon pra qeveria dhe diplomacia e Kosovës: kërkon pra faktorizimin e Shtetit të Kosovës, forcimin e rolit të  tij si faktor dhe si aktor rajonal dhe global ashtu sic e kërkon dhe mbështet  edhe aleati ynë i madh SHBA dhe shtetet mike të BE-së.

Forcimi dhe konsolidimi i Shtetit dhe i Pavarësisë së Kosovës , njohjet dhe antarësimi i saj në OKB dhe në BE janë faktorë të cilët përshpejtojnë Bashkimin Kombëtar, pra për këtë po punon por edhe duhet të punojë gjithnjë politika e Kosovës.Politika e Tiranës duhet ta ndihmojë Kosovën pikërisht në këtë drejtim, dhe jo për ta defaktorizuar qeverinë dhe shtetin e Kosovës  dhe të sillet si “paternaliste” vetëm për qëllim dhe për interesin e vet politik për pushtet në Shqipëri dhe si faktor e imazh politik personal e partiak në arenën ndërkombëtare. Kështu kanë vepruar edhe ishpushtetet e  mëparshme politiko-qeverisëse në Shqipëri.

Ndërsa reagimi kundër diplomacisë së Kosovës për këtë cështjen e mësipërme  nga disa eksponentë të opozitës në Kosovë, dhe të disa politikanëve dhe  opinionistëve si nga Kosova dhe nga Shqipëria është dicka jasht realitetit dhe përbën mjerim politik për ta. Ju opozitarët politikë që deklaroheni në publik se jeni për Bashkimin Kombëtar qe me demek po e “mbroni”, po e justifikoni  kryeministrin e Shqipërisë dhe po “dënoni” diplomacinë e  Kosovës në këtë rast , por pse nuk po e kundërshtoni atë se cfarë tha edhe kryeministri aktual se: Bashkimi Kombëtar nuk ka qenë asnjëherë qëllim i Shqipërisë, si dhe atë që  po të njëjtën gjë që deklaron edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë se:  Kosova dhe Shqipëria duhet të mbeten sic janë;perderisa ju jeni ata që e proklamoni si politikë dhe në publik më së shumti  Bashkimin Kombëtar. Dhe tani pyesim se në cfarë duhet  të besojmë më  te Ju? Por edhe nëse sic deklaron ambasadori i Shqiperisë se: Kosova dhe Shqipëria duhet të mbeten sic janë, edhe kjo madje  verteton se është e drejtë ajo  se cfarë ka deklaruar  shefi i Diplomacisë së Kosovës e cila është: e natyrshme, reale, normale dhe më se legjitime, pasi kështu sic janë është edhe realiteti, që ashtu si shtetet e tjera të botës ,që ashtu si edhe Shqipëria, është real fakti, pra, se edhe Kosova është Shtet i Pavarur, dhe ky shtet ka institucionet e veta demokratiko-ligjore, parlamentin, qeverinë dhe politikën e diplomacinë e vet.

Tashmë edhe  ka ikur koha kur në Shqipëri kombi, shteti, politika  dhe autoriteti i tij përdoreshin për dhe si prona personale të kyetëparit të saj qofte mbret, diktator apo kryeministër që në demokraci  kryeipari është përkohësisht si i tillë. Dihet se Kosova e fitoi Pavarësinë dhe Shtetin e vet vetëm me Luftën çlirimtare të saj dhe me ndihmën e NATO-s të udhëhequr SHBA, dhe tashmë Kosova ka institucionet e veta dhe shtetin e pavarur që përgjigjet, mbron dhe u shërben qytetarëve dhe popullit të vet më mirë se kushdo tjetër, dhe  nuk mund të vendosë  më tjetërkush për marrëdhëniet e tij rajonale dhe globale, pasi vetë Kosova tashmë është shtet, por që si Shqipëria Amë dhe SHBA  nuk diskutohet se ato janë mbështesit kryesorë të Kosovës, te Pavarësisë dhe të shtetit të saj .

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...