Published On: 28 Tetor, 2016

Ja biseda e plotë: Reagon për herë të parë kryegjyqtari

Emisioni “Stop” publikoi një regjistrim audio ku kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës pranon kërkesat për seks nga një grua e cila ishte në proces gjyqësor për një çështje civile. Gruaja refuzoi kërkesën e gjyqtarit dhe humbi gjyqin, ndërsa më pas regjistroi disa biseda me gjyqtarin Guximtar Boçi. Në fund, pasi gruaja i tha se e kishte regjistruar gjyqtari e kërcënoi duke i thënë se këtë punë e ndanin vetëm plumbat. Reagon edhe Boçi

Kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës Guximtar Boçi është regjistruar nga një qytetare teksa ai në mënyrë të përsëritur i kërkonte asaj favore seksuale në këmbim të një vendimi gjyqësor në favor të saj.

Biseda audio e transmetuar nga emisioni “Stop” në TV Klan tregon se denoncuesja ka patur disa takime me kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës, gjatë të cilave ai pranon se ka tentuar të joshë gruan dhe të marrë prej saj favore seksuale.

Koha e saktë e këtyre regjistrimeve nuk dihet, por ato u transmetuan mbrëmjen e djeshme, pak kohë pasi drejtuesit e emisionit Stop kishin paralajmëruar regjistrimin e gjyqtarit që kërkonte favore seksuale.

Sipas shpjegimeve të moderatorëve të emisionit, gruaja kishte shkuar te kryetari i gjykatës, pasi babai i saj kishte njohje me të.

Ajo i ka kërkuar ta ndihmojë për një çështje pronësie, ku gruaja rrezikonte të humbiste banesën.

Por sipas denoncimit, kryegjyqtari i Gjirokastrës i ka kërkuar asaj të bëhej e dashura e tij, madje këtë gjë ja ka përsëritur disa herë edhe në bisedat e mëpasshme.

“10 herë, unë ta them prapë, atë punë kam unë. Të iku gjë ndonjë copë ty? Po mirë, ka një herë të dytë, një herë të tretë, të katërt”, thotë ndër të tjera gjyqtari gjatë bisedës.

Por pasi gruaja refuzoi të bëhej e dashura e gjyqtarit, ajo e ka humbur gjyqin për pronësinë e banesës dhe ka zhvilluar edhe një bisedë me gjyqtaren e çështjes e cila thotë se ka marrë këtë vendim pasi ajo ishte ankuar dhe kishte çuar letër në KLD dhe Ministrinë e Drejtësisë.

Pasi ka humbur gjyqin në shkallën e parë, gruaja ka takuar sërish kryetarin e gjykatës së Gjirokastrës i cili i thotë se mënyra për ta zgjidhur këtë çështje është të takojë gjyqtarin e Apelit apo t’i japë lekë bashkëshortes së tij.

Në bisedën e fundit, gruaja i thotë se të gjitha bisedat që ata kanë bërë ajo i ka regjistruar dhe do ia japë një gazetareje.

Por në këtë moment gjyqtari Guximtar Boçi e ka kërcënuar gruan duke i thënë se kjo punë ndahet vetëm me plumba.

 

Publikimi i skandalit seksual në emisionin “Stop” u bë në një ditë dhe orar kur po zhvillohej ceremonia e martesës së vajzës së madhe të kryegjyqtarit të Gjirokastrës, Guximtar Boçi. Mësohet se ceremonia nisi rreth orës 16:00 deri rreth orës 20:30, në qytetin e Gjirokastrës.

Paraprakisht, në një reagim të shkurtër për “Panoramën”, Boçi ka mohuar ta ketë kontaktuar ndonjëherë gruan që ka kryer denoncimin pranë emisionit investigativ dhe se e hedh poshtë me neveri një bisedë të tillë.

Ai deklaroi se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore. Boçi, i moshës 55­vjeçare, është babai i dy vajzave të rritura, ku më e madhja po celebronte martesën.

Në ceremoninë e mbajtur dje ishin të ftuar kolegë të gjyqtarit, si dhe të vajzës së tij, e cila është me detyrë shefe finance në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës.

Burime të Balkanweb thanë mbrëmë se kryegjyqtari Boçi kishte ftuar në ceremoni prokurorë dhe gjyqtarë të Gjirokastrës, si dhe drejtues të lartë të Policisë së këtij qarku. Por mësohet se ata nuk kanë shkuar pasi kishin dijeni për çështjen në fjalë. Guximtar Boçi është gjyqtar prej rreth 20 vitesh, ndërsa prej tri vitesh u emërua kreu i Gjykatës së Shkallës së Parë në qytetin e Gjirokastrës.

Gjatë kryerjes së detyrës ai është vlerësuar disa herë për punën. Vetëm tri vitet e fundit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mësohet se e ka vlerësuar tre herë Boçin nga ana profesionale.

 

Biseda e plotë

Biseda ku kryetari i gjykatës pranon kërkesën për seks

Qytetarja – Ti e ke fajin.

Gjyqtari – Ëëë, ndaj unë të merrja në telefon, ti nuk më përgjigjeshe, do pimë na një kafe.

Qytetarja – Pse s’të vija për kafe? Si të vija për kafe? Ti më kërkove të tjerat mua, si të vija për kafe unë?

Gjyqtari – Po ti, ato gjërat e tjera tek kafja jepen?

Qytetarja – Në momentin, që ti më vije në siklet dhe më kërkoje të tjera gjëra, unë s’mund të vija për kafe me ty.

Gjyqtari – 10 herë, unë ta them prapë, atë punë kam unë.

Qytetarja – Si ma thua ti?

Gjyqtari – Prapë, se më pëlqen ta them edhe e them, pse ç’lidhje ka?

Gjyqtari – Ja të ikin këta.

Gjyqtari – Po tani, si t’i them unë, t’ia kërkojmë i çik kësaj?

Qytetarja – Po mirë, ja të ikin.

Qytetarja – Do më thuash pak mua, si do ta zgjidh këtë hall, që më ka… ?

Gjyqtari – Po ça të të them unë, unë e kisha atje ti, se ne ia shkruam ne ia bëmë. Di unë si e bëtë ju?

Qytetarja- Po kam ardhur të kërkoj llogari, sepse ti më the çështjen e ke të fituar, jo se të bëj unë nder, por se të takon. A më the kështu?

Gjyqtari – Si mund të të përgjigjem kshu unë sa herë më thërret? Po kur të thërras unë?

Qytetarja – Se unë të thërras për hall, ti më thërret për qejf.

Qytetarja- Po mirë, ti po të ishe në vendin tim, të trokisje në derën e dikujt, të trokiste halli, se as të njihja më përpara, as më njihje . Më ofrove miqësi , më the kam respekt për babanë tënd, do të ndihmoj, më vjen keq për ty, njërën, tjetrën…

Gjyqtari – Po.

Qytetarja – Deri këtu jemi shumë në rregull dhe me ato plus halle, që kisha. Ke një hall dhe dikush të ofron ndihmë, verbërisht i beson.

Gjyqtari – Unë ta ofrova?

Qytetarja –Ai personi, që ta ofron ndihmën, të thotë unë dua, që të bëhesh e dashura ime troç, se kshu ma the.

Gjyqtari – Po.

Gjyqtari – Të iku gjë ndonjë copë ty?

Qytetarja – Mua ndonjë copë?

Gjyqtari – Eee. Ç’pate ti?

Qytetarja –Më shqetësove.

Qytetarja – Si mund të ulesha unë prapë në kafe me ty? Në momentin e parë, që unë ulesha në kafe me ty, ti më thoshe mua: dua të bëhesh e imja. Si do ulesha unë prapë për kafe?

Gjyqtari – Qe të bëhesh e imja duhet të doje edhe ti. Përderisa nuk doje ti…

Qytetarja – Unë ta thashë, që herën e parë që ma the, unë të thashë jo.

Gjyqtari – Po mirë, ka një herë të dytë, një herë të tretë, të katërt…

Qytetarja – ….Po unë të erdha në zyrë, e lamë që do vija në zyrë dhe ti u hodhe të më puthje mua në zyrë.

Gjyqtari – Ajo iku. Qe e para fare.

Qytetarja – Si iku ore?

Gjyqtari – Më kërkon llogari mua, se ç’kam bërë. Në faqe në faqe të putha, është respekt.

Gjyqtari i thotë në lokal se është gati t’i hidhet prapë…

(kalon një person)

Gjyqtari – Ç’është ky? Mos është ky, ai tëndi ky?

Qytetarja – Cili timi mo?

Gjyqtari – Ish-burri. Mos të ndjek më?

Qytetarja – Ç’punë kam unë, s’e njof fare kush është.

Qytetarja – Afrohu këtu mo afrohu këtu .

Gjyqtari – Ç’të afrohem , po u afrova nuk duroj dot.

Qytetarja – S’ka problem.

Gjyqtari – Do të puth prapë.

Qytetarja – Ç’do bësh mo?

Gjyqtari – Do të puth.

Qytetarja – Do më puthësh?

Gjyqtari – Po, ndaj largohu.

Qytetarja i tregon gjyqtare Blertës kërkesën e kryetarit

Blerta – Në fillim tha bëje. Pastaj, kur i vajta unë, që i  thashë Guxim, unë nuk e bëj dot, bëj ça të duash.

Qytetarja – I kuptoj të tëra gjërat.

Blerta – Ça?

Qytetarja – Të veja me të.

Blerta- Ëhë.

Qytetarja –O do bëhesh e imja, o e ke të humbur. (gjyqin)

Blerta – Dhe kur i thashë unë…

Qytetarja – Më vdekshin dy fëmijët, troç.

Blerta- Unë, kur më  tha në fillim fare, që më ndërhyri, i thashë: unë do mundohem do ta bëj……..Në rregull, kur po afronte fundi, që po bëheshim ne për andej këtej, i thashë unë: o Guxim ça do bëjmë, bëj ça të duash tha. Tekstualisht. Ditën, që do merrja vendimin, i vajta prapë thjesht për korrektesë.

Qytetarja – I thashë me kë më ngatërron, për të hapur këmbët. Pse në sa zyra përplasem unë e në sa .. përplasem unë, kështu do t’i zgjidhim gjërat. Të të vijë turp i thashë, se unë që jam ulur 5- 6 herë në kafe më ty, jam ulur si të ulesha me xhaxhain tim, i thashë.

Qytetarja – Më tha mua: Vajte në Turqi. Hajde të vemi në Turqi më tha. I thashë unë… unë e  kisha kuptuar, por bëja budallain, sikur nuk kuptoja gjë.

Gjyqtari i tregon sesi ta zgjidhe në Apel…kujt t’i japë lekë

Qytetarja – Të lutem shumë, më sqaro pak si të bëj në apel?

Gjyqtari – Siç bëre në shkallë të parë.

Qytetarja – Të marr atë, që mora në shkallë të parë?

Gjyqtari – Po ç’të të them unë? Di unë ç’do marrësh ti? Dërgo avokatin aty, të flasë me gjyqtarin, ç’mund të bësh. Po ai, s’të lë ai gjyqtar. Ik, ke muhabet me atë gruan e tij?

Qytetarja – Me Lonën?

Gjyqtari – Motra ka muhabet me atë?

Qytetarja – Po ka muhabet me atë.

Gjyqtari – Ik, zëre atje, jepi lekët Lonës, të blejë truallin.

Qytetarja – T’i jap lekët ? Ku t’i gjej lekët?

Gjyqtari – Pa lekë s’ta jep ai.

Qytetarja – Si s’ta jep pa lekë ai? Po sa lekë duhet t’i jap?

Gjyqtari – Po ku di unë, unë s’jam ai tani. Ti bën ca pyetje ore, për Zotin.

Qytetarja – Po ç’ja fut kot. Po mirë ore, ti e ke një ide, se unë …

Gjyqtari – Po ku kam idera.

Qytetarja – Se unë kam hall, që të pyes kot.

Gjyqtari – Po ç’idera? Do vejë avokati, do bisedojë me të dhe të thotë, di unë c’idera kam unë. Sikur janë pantallona. I blejmë 70 mijë lekë, ju vënë TVSH shtatë herë 20 , 84 edhe 6 do t’i fitojnë 90 mijë lekë. Di unë, se ç’muhabete kanë ata?

Gjyqtari – Po nuk mbaj mend tani me hollësi, se unë e kisha mendjen për tjetër punë.

Qytetarja – Për ç’punë e kishe mo Guxim?

Gjyqtari – E kisha për ashtu…

Qytetarja – Të më pëlqeje mua.

Gjyqtari – E.

Qytetarja – Tani s’më pëlqen më edhe ndaj s’mi thua?

Gjyqtari – Po normal. Kështu është bota, interes.

Qytetarja – Çfarë thua?

Gjyqtari – Po re, se kapitalizëm tani. Mbaje mend tani. Mbaje mend tani, s’ka…

Qytetarja – Këtë shprehje mbaje mend, që bota është interes.

Gjyqtarja Blerta tregon se e lajmëruan nga KLD për kontroll

Blerta- Troç fare, unë nuk e bëra, se ajo filloi me letra.

Qytetarja – Me ankesa.

Blerta- Filloi me ankesa edhe mua më erdhi sinjal nga shoqja ime, që e kam në KLD. Tha: Blerta do vijnë për filan dosje. Dhe ma thotë, ja po të gënjej për shpirt të atij, dhe më thotë: të lutem tha, që ta mbyll unë, se do vij unë, që ta bëj kontrollin e dosjes. Jepe në favor të saj, ta mbyllim.

Blerta- Telendare. E bëjnë, se është telendare, nuk e bëjnë, se i shikojnë letrën. Kupton? Mua katër herë më ka kërkuar ministria, tre herë ma ka kërkuar KLD-ja këtë.

Qytetarja – Dosjen.

Blerta –Shtatë herë të mira, po e po. Shtatë herë të mira. Të premten dhashë vendim, ditë e premte ishte? Unë të hënën isha në seminar.

Qytetarja – Të  premte, data 27.

Blerta- Të hënën kishin ardhur, kishin marrë dosjen. Mirë, që kisha bërë edhe vendim , kisha bërë edhe kopjen e vendimit. Më tha ajo shoqja mua, si do ikësh ti tha. Ne do vijmë për kontroll për filan dosje. E unë e shpall nesër, i  thashë unë. Të lutem, më tha mua, të lutem, se nuk durohet. E kupton?

Kryetari i Gjykatës kërcënon qytetaren kur ajo i thotë që e ka regjistruar

Qytetarja- Mbaje çik makinën, mbaje!

Gjyqtari – Do bësh gruan xheloze. (i thotë taksistit)

Qytetarja- S’ka problem. Dil çik më para, hap krahun.

Gjyqtari – Ça?

Qytetarja- Hap krahun më para. Hajde!

Qytetarja- Të erdhi mirë, që më the ashtu?

Gjyqtari – Si?

Qytetarja – Ashtu siç ma bëre ti. Të tëra regjistrimet, që kam, të hënën i ke te gazetarja. Hajt mirupafshim tashi.

Gjyqtari – Ti atë bën edhe…

Qytetarja – Ja të shohësh.

Gjyqtari – Bashkë do ndahemi me plumbat.

Qytetarja – Po.

Gjyqtari – Se unë të flisja në mirëbesim.

Qytetarja- Po ashtu do ndahemi.

Gjyqtari – O çupë, thirri mendjes.

Qytetarja- Ik.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...