Published On: 2 Gusht, 2017

Islamizëm kufitar? Jo, falemnderit!

Siç provohet empirikisht nga një vistër shembujsh, islamizmi më i sertë është ai që unë e quaj «frontier islamism» (islamizëm i kufirit). Fjala bjen, çerkezët në Kaukaz apo boshnjakët në Ballkan për gjatë tre shekujve të fundit bën emër me fanatizmin e tyre pasionant islamik.

Vendet e tyre ishin avanpostet më skajore të Perandorisë Osmane: jo rastësisht ato përkonin me vijat imagjinare ku përthyheshin kufijtë e islamizimit me botën katolike (rasti i Bosnjës) apo atë ortodokse (rasti i çerkezëve në Adygea).

Kjo përsiatje e imja lindi gjatë një trilli që përherë provokon mendimi i Faik Konicës. Në një shkrim të botuar në «Albania», publicisti ynë i vërtitej këtij subjekti, por në kontekstin shqiptar.

Prej vitit 1878 e tutje, qindra mijëra shqiptarë myslimanë u dëbuan nga Sanxhaku i Nishit, por edhe nga pjesë të ndryshme të Bosnjës dhe Malit të Zi. Një pjesë e numërt e tyre, siç e provon edhe Kristo Frashëri, ishin ndër eksponentët më të fuqishëm që mëtonin të përfshinin Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në skema panislamiste, ashtu siç sëndërgjoheshin nga Abdyl Hamiti.

Rrjedhimisht, Konicës i përligjet, por edhe i falet urrejtja e përbindshme ndaj muhaxherëve që sapo ishin vendosur në Shqipëri, të cilët i përshkruan me ngjyra të zymta si muhamedanë fanatikë.

Rrënjët e islamizmit reaksionar në trevat albanofone duhet të qëmtohen edhe tek ky fakt: ajo pjesë e shoqërisë në Shqipëri, Kosovë apo gjetkë që në letërnjoftimin e tyre kulturor deklarohen si myslimanë me rrënjë e shohin vetën – por edhe shihen nga koreligjionistët e tyre arabë e turq – si avanposti më i përparur verior islamik në Evropë.

Kjo në prapakthim bën që ata të konceptualizojnë vetën si luftëtarë të mandatuar për prozelitimin e fesë myslimane.

A nuk vërehet kjo në mënyrën qysh perceptohet në hartën e tyre mendore Sanxhaku i Nishit apo Çamëria?

Për ta rivendikimi për këto territore është veçse një nostalgji noprane për një kohë të artë kur atje kishte «myslimanë» (por jo nevojisht edhe shqiptarë).

Ky është momenti kur Konica para 116 vitesh kishte shpërthyer me zemërim «kishin pakë ment Shqipëtarët, nukë këmbejnë as një fjalë me këta zgjebët». Zatën unë i jap të drejtë vetës të empatizoj sado pak me Konicën në raportin tim me prototipat bashkëkohorë të këtyre «zgjebëve».

Unë nuk e dua Çamërinë si aneks islamik dhe as Sanxhakun e Nishit si territor ku xhamitë janë kufiri virtual. Pikë!

Unë i dua si një mikro-botë shqiptare ku dinamika vrushkulluese e lëvizjeve dhe qarkullimit po përfton një gjendje të pabesueshme ku ato po shndërrohen në rajone që si pikë rëndese kanë Shqipërinë dhe Kosovën.

Islamizëm kufitar? Jo, falemnderit!

Salih Mehmeti
Prishtinë

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...