Published On: 31 Tetor, 2016

ISHTE NJË DARKË LAME E VËRTETË

 
Mentor Thaqi
– Halo, mirëmjesi Mentor. Aliu (Ali Sylejmani) erdh e jemi tuj t´pritë ty që të nisemi bashk. Mos u ngut se kohë kemi mjaft, ishte zëri i Xhafer Lecit në mobil. rruga e terne (pa ngrica), por pak mjegull, megjithatë arrita pa vonesë të dukshme.
– Ev tungjatë jeta baca Mentor, ishte përshëndetja e Aliut, që realisht unë do duhej ta thërrisja bacë, por ai si gjithmonë e bën nga respekti me humor të lehtë e të këndshëm. Bile çet sikletin e vozitjes sot po ta hjeki unë, tha dhe u nisem të tretë me veturen e tij drejt Moosburg-ut. Rruga prej aty rreth dy orë e diçka, na u duk si pesë minuta nga bashkëkuvendimi e çmallja tejet vëllazërore. Arritem me kohë ashtu si e mendoja, edhe pse zakonisht ne shqiptarët pothuajse gjithmonë vonohemi në këto takime, sukurse që po vonohemi edhe në zhvillim, shtetbërje …, po ja që nganjëherë dijm edhe të jemi të saktë në arritje kohore!
Befasia e bukur që në hyrje të Moosburg-ut, koha e bukur vjeshtore, qyteti i bukur në traditë bavareze, … në parkingun qëndror te sheshi, vetura me targa të llojllojshme, natyrisht shumica nga to shqiptare, bile një larushi edhe targash shtetërore që nga shtetet e beneluksit, pastaj, Zvicrra, Italia, austria, …! dhe, kënaqësi e syrit, sheh njerëzit që ti do shpirti.
Hyjm brënda, bashk me ngrykmarrjet e ndërsjella, përshëndetje t´përzemërta, syri mbushet me pamjen e bukur, salla tejet e madhe, e bukur në thjeshtësinë e saj, një pamje që i shkon përshtati vetë ahengjeve të tilla, sofrat përanash, orendi të thjeshta e tejet të ngrohta shpirtërisht, sofra e vogel me bereqetet e kores së motmotit në bynën përballë, një simbolikë tejet e këndshme, pamja-sigla nga Shoqata atdhetare “BEKIM BERISHA – AB-ja” që janë edhe organizatorë e zotshpie, ta mbushë shpirtin plot dashuri e krenari. Po, aty janë edhe të zotët e shpisë, Xhemajl Hoxha dhe Arif Arifaj, aty janë kryesia e Shoqatës, janë anëtarët e devotshëm të shoqatës, mësuesja e shkelqyer Nife Arifaj me recitatorët e shkelqyeshëm, ushtruesi i valleve, koreografi Agron Haxhija me nxënësit shembullor …! Aty ishin dhe erdhën edhe shumë veprimtarë të devotshëm kombëtar e atdhetar nga të gjitha anët europiane, aty ishin edhe: Donika, pastaj nga Zvicrra Shefqeti, Qamili, Shaqiri, … , Florimi, … nga Italia, Frani, Syla, … shkrimtarë, ishin edhe Fazliu, Idrizi me zonjën e tij dhe vëllëzërit, Agimi, Emrushi, Maxhuni, Deliu, Adami, Xhaferi, Naimi, Aliu, Blerimi, Bajrami, Rexhepi, mbesa e AB-së nga Belgjika, Dauti, … familje të shumëta nga kahdo e ngado … ishte një Dardani në miniaturë! Vinin e sillnin ushqime tradite nga të katër anët, nga të gjitha llojet, një begati vlerash tradicionale gatimesh shqiptare, një mrekulli autoktone vërtetë unikale!
Kremta (Festa, festë e vërtetë) filloi me një melodi kavalli nga ekzekutimi në sint prej Ergynit në përcjellje të recitimin të poemthit “Lutja për Darken e Lamës” nga autori Mentor Thaqi, që poashtu e recitoi vetë, duke vazhduar me hapjen zyrtare të Festës Tradicionale Shqiptare nga moderuesit: atdhetari Arif Arifaj dhe zonjusha Majlinda Haxhija, që moderuan mirë dhe pa komplekse droje e treme, pastaj me fjalën përshëndetëse nga i zoti i shpisë, atdhetari Xhemajl Hoxha, një njeri me plot një jetë në shërbim të Atdheut, duke vazhduar me pjesën kulturore me recitime vargjesh dhe valle të bukura të nxënësve nën përkujdesjen e pedagogëve tonë të nderuar, z. A. Haxhija dhe znj. N. Arifaj. U deklamua edhe poemthi “Ai sa pesëqind ushtarë”, nga autori M. Thaqi, kushtuar Heroit Bekim Berisha-AB-ja! Fjalët përshëndetëse nga Donika Gërvalla – Kryetare e Degës së LDK-së në Gjermani, Shefqet Dibrani Kryetar i Degës së LDK në Zvicërr, Fran Tanushi – Sekretar i Përgjithshëm i LKSHM, Deli Balidemaj nga Ministria e Arsimit të Landit-Shtetit Bavarez, Florim Zeqa Publicist dhe Veprimtar në Itali, mbesa e Heroit AB-ja, zonja Berisha, …, e kompletuan dhe zbukuruan porosinë tejet domethënëse të unitetit nga kjo Darkë Lame e mrekullueshme! Syri i kameramanit-gazetarit Halil rrustemaj, i aparatit në dorë të Reshatit, i shumë fotografuesve tjerë si Bajrami … nuk lënin të iu shpëton asnjë sekond bukurie pamore pa e inçizuar. Tingujt e bukur të muzikës së Shahirave dhe muzikantëve popullor të mrekullueshëm: Ergyni, Ladi e Shefqeti, zëri i bukur i këngëtarëve të folklorit tonë Shkurtes dhe Osmanit me grupin instrumental, i dhanë fuqi shpirtërore festës!
Dhe, momenti kulminant, shtruarja e Sofrës Dardane, urata dhe nderimi i veçantë për Presidentin Rugova, Njeriun që e risolli në ripërtërierje tradite këtë mrekulli, ulja në sofer, paraprakisht sipas tradite me pastrim duarsh në shërbim tejet respektues e nderues, ulja sipas rendit nderues, ushqimet me bollëk … një bukuri si përrallore, një kronikim tradite … u kënaq shpirti nga pamja përmes syrit! Asgjë, pikërisht asgjë nuk mungoi, të gjitha ishin aty …! Epo, paçi faqen e bardhë ju nga Shoqata atdhetare “Bekim Berisha” së pari dhe gjithë të tjerët poashtu! Mirë u takofshim në Festen tjetër që do të jetë me shumë risi tjera tradite! Zoti jua ruajt shëndetin dhe ua shtoftë begatinë dhe mbarësinë në familjet tuaja, sofrat tuaja dhe në Atdheun e Kombin tonë!
Ashtu kjoftë!!!
Moosburg-VS., 30-31 Tetor 2016
(Darkë tradite, nja 10 ditë para Sh´Mitrit)
A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...