Published On: 8 Gusht, 2017

“Ish-drejtori” i bankës i ngre kurth biznesmenes, nuk do e besoni shumën që i ka zhvatur

Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor pronarin e një pike këmbimi valutor në kryeqytet, i akuzuar për përvetësimin e 200 mijë eurove nga një biznesmene përmes mashtrimit.

Sipas Gjykatës, i pandehuri Ilir D. i është prezantuar asaj si ish-drejtor banke dhe i ka marrë shumën e parave duke i premtuar se do t’ia kthente për gjashtë muaj, bashkë me një fitim të madh, shkruan Panorama.

 

Sipas vendimit të shpallur javën e fundit të korrikut, i pandehuri Ilir D. është fajësuar për “mashtrim” dhe është dënuar me 7 vjet heqje lirie. Ai është gjykuar në mungesë, për shkak se rezulton me vendndodhje jashtë territorit të vendit. Referuar vendimit të Gjykatës, procedimi penal ndaj të pandehuri Ilir D. nisi pas kallëzimit të të dëmtuarës F. S.

Në kallëzimin e saj, ajo ka pretenduar se deri në vitin 2014 ka ushtruar aktivitet privat biznesi. Rreth vitit 2012 ajo është njohur me të pandehurin Ilir D., i cili në atë periudhë ushtronte aktivitet këmbimi valutor, ku e dëmtuara kryente shumë këmbime valutore. Duke parë që ajo kryente shumë këmbime valutore, i pandehuri i ka kërkuar një takim të dëmtuarës F. S. me qëllim për të biseduar.

Ai i është prezantuar asaj si ish-drejtor i një banke private të suksesshme dhe i ka kërkuar shuma në lekë për t’i qarkulluar për llogari të biznesit të tij, kundrejt një fitimi. F. S. fillimisht nuk ka pranuar pasi nuk kishte këto shuma në lekë, por Ilir D. i ka sugjeruar të shiste ndonjë nga bizneset e saj, pasi fitimi që do të merrnin do të ishte i lartë.

E dëmtuara ka kryer shitjen e një pasurie të paluajtshme në Tiranë në vlerën 30 milionë lekë. Pasi ka kryer shitjen, e dëmtuara i ka dhënë të pandehurit shumën prej 230 mijë eurove, në dorë, pa ndonjë akt të shkruar, në ambientet e pikës së këmbimit valutor, në prani të dy punonjësve B.B. dhe I. O.

I pandehuri Ilir D. i ka premtuar që brenda gjashtë muajve do t’ia kthente shumën e marrë. Duke qenë se kjo periudhë ka kaluar, e dëmtuara i ka kërkuar shumën në euro të pandehurit, sipas marrëveshjes, por ky i fundit i ka kërkuar ta shtynin afatin dhe gjashtë muaj të tjerë.

Deri në vitin 2014, i pandehuri nuk ia ka dhënë shumën në euro, duke ia shtyrë afatin e kthimit të tyre, derisa e dëmtuara i ka shkuar në dyqan dhe i ka kërkuar shumën, ndryshe do të lajmëronte policinë. I pandehuri i ka dhënë një shumë prej 25 mijë eurosh. Pas këtij momenti, ajo ka humbur kontaktet me të.

Gjatë gjykimit, u provua se, bazuar në sistemin TIMS, i pandehuri është larguar nga vendi në nëntor 2014 dhe nuk rezulton të jetë kthyer më. Sipas gjykatës, përfitimi material i të pandehurit në dëm të pasurisë së të dëmtuarës është realizuar përmes gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit të saj.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...