Published On: 24 Tetor, 2016

Isa Mustafës nuk i pret “sakica”në një vend: Ja çka deklaron tash për demarkacionin

Kryeministri Mustafa përsëriti qëndrimet e tij për formimin e Asociacionit dhe bindjen e Qeverisë se vendi nuk humb tokë me demarkacionin. Ai arsyetoi edhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

Kryeministri Isa Mustafa ritheksoi sot se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të formohet dhe se me demarkacionin me Malin e Zi Kosova nuk humbë asnjë kilometër katror.

Këto komente shefi i Qeverisë i bëri në Seminarin Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të zhvilluar në Prishtinë.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë sSerbe do të themelohet, por do të themelohet mbi bazën e Marrëveshjes e cila është arritur si marrëveshje e parë dhe mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila siguron që ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë pushtet i tretë”, tha Mustafa.

“Sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, Qeveria është e bindur se vija kufitare është shënuar në vijën që është kufizuar më parë krahina e Kosovës me Malin e Zi, se e kemi ruajtur tërë territorin e Kosovës dhe nuk kemi humbur asnjë kilometër katror edhe përkundër asaj që opozita insiston se Kosova në këtë proces ka humbur rreth 8200 hektarë. Por, ne sipërfaqen e Kosovës e kemi edhe pas kësaj atë që e kemi pasur edhe më parë”, shtoi ai.

Kryeministri tha se ndalja e të këqijave nga shkatërrimi i luftës, kthimi i të dëbuarve dhe mbrojtja e dinjitetit ndaj atyre që janë masakruar gjatë luftës e arsyeton në mënyre të plotë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

“Ne jemi në rrugë të mirë të përkushtimit euroatlantik, rrugë që të bëhemi pjesë e projekteve euroatlantike. Sa i përket NATO-s, interesi jonë është që të kemi bashkëpunim aktiv me NATO-n. Jemi të interesuar që edhe më tutje të qëndrojë në Kosovë. Gjatë periudhës së pasluftës kemi pasur prioritete të ndryshme. Si Qeveri jemi përcaktuar që tani prioritet të kemi zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit ligjor, ngritjen e cilësisë në arsim dhe shëndetësi”, tha Isa Mustafa, raporton kallxo.com.

Ai shprehu përkushtimin e Qeverisë që të punojë në mënyrë që Kosova të shndërrohet në një eksportuese të sigurisë, duke u rreshtuar në krah të aleancës botërore për paqe dhe siguri.

“Ne tani dëshirojmë që të shndërrohemi nga një vend i cili ka qenë konsumues i sigurisë në një vend i cili do të eksportojë sigurinë, sepse kemi dëshirë të marrim pjesë në veprimet humanitare të NATO-s në vendet e tjera, ose më vonë në operacionet paqësore. Vlerësojmë se e kemi një Forcë tani të Sigurisë dhe nesër do të kemi një Forcë të Armatosur e cila është në gjendje që të aplikojë të gjitha standardet e NATO-s dhe të jetë në krah të një aleance botërore për paqe dhe siguri”, përfundoi Mustafa.

Në seminarin e 93-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili u organizua për herë të parë në Kosovë, u diskutua për çështje të ndryshme si për perspektivën euroatlantike të Kosovës, dialogun Beograd-Prishtinë, për reformat në sektorin e sigurisë në Kosovë, sfidat e migracionit dhe parandalimin e radikalizmit. Në të morën pjesë më shumë se 100 pjesëmarrës, rreth 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere. /Lajmi.net/

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...