Published On: 23 Gusht, 2017

INTERVISTA/ Flet Profesor, Kastriot Bezati: Populli ka zgjedhur një lider në Polifoni

 

  • I besoj deklaratave të Aleks Buda, Ramadan Sokoli, Alfred Uçi, Çesk Zadeja, Beniamin Kruta, Spiro Shituni.

Albert Z. ZHOLI

Më tepër se fjalët janë tingujt ata që i japin natyrshmërinë dhe autenticitetin polifonisë, i japin atë forcë dhe energji që duket se buron nga vetë natyra dhe shkrihet përsëri me të, nga ajo natyrë dhe ai reliev që është i veçantë dhe i papërsëritshëm në truallin shqiptar ashtu si dhe polifonia. E pikërisht nga ajo larmi relievi të natyrës shqiptare duket se ka rrjedhur edhe larmia që vërehet në karakteristikat e dallueshme qartë të saj në treva të ndryshme ku lëvrohet e ku bartet prej shekujsh. Kjo e dallon e hera-herës e përafron këngën e labit me atë të skrapaliut, këngën e gjirokastritit me atë të korçarit e kështu me radhë. Kjo e bën të larmishme edhe gamën e gjerë të stileve dhe të llojeve të të kënduarit polifoni qoftë këtej Vjosës e andej Vjosës, e deri në kufijtë e Shkumbinit. Për të ruajtur vlerat e Polifonisë, u krijua dhe Shoqata “Polifonia Shqiptare”. Në këtë përurim merrnin pjesë themeluesit e Shoqatës “Polifonia Shqiptare”: Kadri Roshi – Nderi i Kombit, që me shumë pasion dashuronte këngën labe, ky artist i shquar, tribun i skenës dhe i kinematografisë shqiptare, që si bir i Mallakastrës, ia thoshte aq bukur këngës labe; Luftar Paja – Artist i Popullit, i lindur në Mallakastër, në fshatin Gorishovë, e fillimisht aktor popullor pranë Teatrit “Bylis” të Fierit, si dhe aktor i njohur i Estradës së qytetit të Fierit, gjithashtu aktor në shumë filma shqiptarë, ia thoshte mirë e bukur këngës mallakastriote dhe labe; aktori i njohur Birçe Hasko – Mjeshtër i Madh, profesor e pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura, lindur në Dukat të Vlorës, që i dha mjaft gaz e hare këtij takimi festiv e ia tha me hijeshi këngës labe, ndërsa disa herë hynte në këngën e njohur trezërëshe dukatçe; Lazër Filipi – Artist i Merituar, i lindur në Shkodër, aktor i njohur i Teatrit Kombëtar, si dhe aktor në shumë filma shqiptarë, këndonte midis grupit polifonik sikur të ishte lab.

Polifonia tashmë një emër i përbotshëm. Kush është zot i saj, individi apo populli?

Populli ka zgjedhur një lider, i cili gjykohet nëse udhëheq mirë apo jo mirë! Kështu është edhe në katërzërësh (polifoni): udhëheq solisti i cili shtron një problem, dhe zhvillohet në mënyrë të pavarur nga zërat e tjerë, hedhësi e ndjek me shumë vëmendje problemin e shtruar, por nuk jep asnjë mendim sepse edhe ky zhvillohet në mënyrë të pavarur nga marrësi, pasi e ndjen se diçka duhet bërë, sepse ka ndjesi të brendshme, ndërsa kthyesi e shikon dhe e ndjen se diçka nuk shkon, pra kërkon një dialog me dy zërat e parë. Pra burdoni (iso) është një linjë e cila e mbështet këtë zhvillim tonal të problemit, domethënë është një lloj miratimi i problemit të shtruar për zgjidhje. …pse kompozitori L. Dizdari tek simfonia siminor në kohën e dytë temën kryesore ia beson një instrumenti, pse nuk ia jep isos, domethënë gjithë orkestrës?, Apo kompozitori Çesk Zadeja te simfonia Nr. 1 temën kryesore te koha e dytë ia beson një instrumenti, domethënë gjithmonë udhëheq lideri jo masa; pra me ç’të drejtë studiuesi i “Isopolifonisë” shkon më larg kur e lidh “polifoninë” me liturgjitë e traditën helene, kur studiuesi B. Kruta shprehet: “…por polifonia duhet të ketë qenë në gojën e banorëve të këtij trualli shumë më përtej mesjetës, në antikitet”. “…nisur nga marrëdhëniet e ngushta me artistët dhe puna e bërë për shumë vite në krye të institucioneve kulturore në Përmet, mendoj se nuk duhet tjetërsuar apo Polifonisë t’i themi Isopolifoni. Pse? Sepse termi Polifoni mendoj se përfshin apo trupëzon në një të vetme edhe marrësin, prerësin apo kthyesin, edhe hedhësin e ison dhe, s’ka përse ne të themi Isopolifoni ose Iso-shumëzërëshi apo Isokënga…. Kur isoja që, si thuhet edhe në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, botim i vitit 1980, f. 730, ashtu si edhe zëri i marrësit, prerësit e hedhësit, është zë, atëhere këtë zë, ison, s’ka përse ta përdorim dy herë, njëherë atë ta cilësojmë kur themi Polifoni, sepse ajo përfshihet brenda këtij termi, dhe një herë ta cilësojmë edhe jashtë termit Polifoni, të themi Isopolifoni… Edhe pse te kënga “marrësi” luan rolin e “udhëheqësit” e të “dirigjentit”, mendojmë se edhe në këtë rast, s’ka përse të ngrihet ideja, sikurse edhe me të drejtë nuk është ngritur, si dhe të përdoret dy herë fjala “marrës”, të themi “Marrëspolifonia”, ashtu si edhe përdoret dy herë fjala “iso” në rastin kur thuhet “Isopolifonia”.

Ku trajtohet më qartë ky emërtim?

Kur shfleton Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, vëllimi II, botim i vitit 2008, në f. 1051, jepet termi Isopolifoni, i pa trajtuar si zë, ndaj dhe nuk po them zëri por termi, ku vetëm thuhet: shih te “Polifonia Popullore”. E hap Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, vëllimi III, botim i vitit 2009, në f. 2061, dhe jepet e trajtohet me të drejtë si zë i veçantë “Polifonia Popullore” por, pranë fjalës “Polifoni”, vendoset në kllapa fjala “Isopolifoni”, duke lënë të kuptosh se janë të barazvlefshme ose e njëjta gjë si të thuash “Polifoni” apo “Isopolifoni” dhe, në fund të trajtimit të zërit “Polifonia Popullore”, thuhet: “Nga 25 nëntor 2005 “Isopolifonia Popullore Shqiptare” u fut në listën e kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit të mbrojtura nga UNESCO”. Akademia trajton si zë të veçantë “Polifoninë” dhe nuk e kuptojmë përse është propozuar nga Ministria e Kulturës të shpallet si dhe është shpallur nga UNESCO më 2005 kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit “Isopoli- fonia”, e nuk është propozuar nga Ministria e Kulturës që të shpallet nga UNESCO kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit “Polifonia”, kur edhe sot në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botuar më 2009, katër vjet pasi “Isopolifonia” u shpall kryevepër nga UNESCO, trajtohet si zë i veçantë “Polifonia”, kryevepra e trashëgimisë gojore të shqiptarëve. Nuk e dimë se pse nuk është bërë publike në shtyp apo masmedia, nëse propozimi i Ministrisë së Kulturës për “Isopolifoninë” dhe jo për “Polifoninë” ngrihet mbi e pas një diskutimi shkencor, mbi e pas ndonjë diskutimi të gjerë me studiues të kulturës e artistë popullorë, apo dhe mbi konkluzionet e ndonjë simpoziumi a konference shkencore, ku është kërkuar e vendosur tjetërsimi apo zëvendësimi i fjalës Polifoni me fjalën Isopolifoni. (!!!). Vlera e “Isopolifonisë”, nisur nga ajo që është thënë e shkruar publikisht deri më sot, mendoj se qëndron vetëm në faktin se ajo i bën “iso” “Polifonisë”. Terminologjia “Iso-Polifoni” ndoshta “lindi” në vitin 2002, kur “Znj. Arta Dade, me funksionin e Ministres së Kulturës, mori vendimin t’ia propozonte zyrtarisht UNESCO-s me emrin Iso-Polifoni… për ta futur Polifoninë Shqiptare në UNESCO”, – shkruan studiuesi Fitim Çaushi, e në gjithë hapësirën e këtij libri ai shkruan se tjetërsimi i polifonisë në Isopolifoni u bë nga Prof. Vasil Tole. Polifonia Popullore, si pjesë e muzikës popullore, që ka si veçanti mbivendosjen e dy a më shumë vijave melodike vokale ose instrumentale, zhvillimi i të cilave kryhet në mënyrë horizontale, kontrapuntike, si dhe vertikale, harmonike, është cilësuar, konsideruar e trajtuar si polifoni apo shumëzërësh nga shumë studiues, ndër të cilët cilësoj: Aleks Buda, Ramadan Sokoli, Alfred Uçi, Çesk Zadeja, Beniamin Kruta, Spiro Shituni, Stefanaq Pollo, Limoz Dizdari, Sokol Shupo, Aleksandër Peçi, Eno Koço, Bardhosh Gaçe, Yzeir Llanaj, Fitim Çaushi, Piro Miso, Bajram Lapi, Ermir Dizdari, Kosta Loli, Agron Xhagolli, Afërdita Onuzi, Moikom Zeqo, Ago Nezha, Ramazan Bogdani, Naxhi Kasoruho, Lavdosh Ahmetaj, Hysen Filja, Haxhi Dalipi, Shyqyri Hysi e Shpëtim Kushta. “Polifonia jonë popullore me tipare orgjinale, të lashta, ka lindur në vendin tonë nga puna e shumë brezave shqiptarësh”, – thotë Ramadan Sokoli, ndërsa Moikom Zeqo thotë: “Vendi më tipik ku këndohet polifonia është Shqipëria dhe … kjo polifoni është shumë e fuqishme në Jugun e Shqipërisë”. “Termi iso- polifoni… tingëllon si një artific dhe, për më tepër, nuk shpreh thelbin e kësaj vlere shpirtërore kombëtare, por sillet si sajesë”, – shkruan Ermir Dizdari. “Shqetësim i kësaj shoqate është tjetërsimi arbitrar i emrit të Polifonisë Shqiptare në “Isopolifoni” … Shqiptari ka Polifoninë e tij: Shumëzërëshin … Populli nëpër shekuj asnjëherë nuk ka thënë dhe nuk thotë “hajde marrim një iso me këngë”, por thotë “hajde marrim një këngë me iso”, – thotë Yzeir Llanaj, kryetari i Shoqatës “Polifonia Shqiptare”.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...