Debate Lajmi Kryesor 3

Intelektualët e hapave të shkurtër (besëpakët e dyshimtarët)

Gani Mehmetaj (Kujtime 23)

Një kohë të gjatë pas themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, një pjesë e intelektualëve (gazetarë e shkrimtarë) nuk besonin se LDK-ja do të funksiononte si parti, apo se vërtet bëmë parti të mirëfilltë qytetare e kombëtare, më të madhen në vend, sipas modelit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ishin dëshmitarë të ngjarjeve historike, por silleshin sikur këto ngjarje nuk kishin të bënin me ta. Njëri prej tyre e pranonte publikisht se e kishte menduar partinë si një tip të Shoqatës së Shkrimtarëve, a si një klub artistësh, ku do të debatohej për problemet e ndryshme, por jo ku do të merrnin përgjegjësinë e kombit mbi supe. Ai nuk arrinte ta qartësonte në detaje, por sikur donte të thoshte se e kishte menduar si një lloj grupimi intelektualësh ku do të bisedohej për format e pushtetit e lëvizjet politike si Klubi i Intelektualëve Vjenez dikur. Njëri prej tyre në jo pak raste ngulitej para hyrjes kryesore, duke mos e lënë njëri të futej brenda pa e pyetur ku shkonte, ose në disa raste i pengonte kolegët e vet, megjithëse ajo ishte punë e rojave të objektit. Dikur nisën ta tallnin se po e bënte punën e Adnanit, megjithëse Adnani i pyeste vetëm kur niseshin te Rugova.

Për përgjegjësitë tjera është vështirë të bisedohet, sepse kur vinin ekipe gazetarësh të huaj, asnjëri prej kolegëve, apo anëtarëve të kryesisë nuk pranonte të informonte gazetarët apo të jepte intervista. U shmangeshin gazetarëve të huaj e vendës si djalli kryqit. Pse frikësoheshin?

Prandaj, po nuk qe aty Rugova, ose Buxhovi, njëri kryetar e tjetri sekretar i përgjithshëm, gazetarët shkonin duarthatë, përderisa po ata intelektualë gjithë ditën jepnin mendime e opsione nga më të ndryshmet nëpër kafe, ku hidhni ndonjë opsion paksa më të sertë për veprim.  Në një rast e takova Rugovën në korridorin e gjatë të Pallatit të Rinisë me katër- pesë bashkëpunëtorë që i shkonin para e prapa. Për të nxitur bisedën më shumë sesa që më duhej ndonjë informacion e pyeta: Kryetar, si po shkojnë punët? Ai si e kishte pritur këtë pyetje, prandaj m’u përgjigj paksa me ironi: Këta miqtë e tu dy orë rrinë në selinë e LDK-së, kurse katër orë rrinë nëpër kafene për t’u mburrur çka panë e çka bënë.

Kjo ishte njëra ndër arsyet, por kishte edhe arsye të tjera, që asnjëri nuk mund të mburrej se dinin për takimet e Rugovës nëpër botë, për bisedat që bëheshin. Nuk merrnim vesh çka gatuhej.

Por ishte edhe një fakt që një pjesë jo e paktë e bashkëpunëtorëve të Rugovës e mendonin politikën si punë e folklorit: çka u the dhe çka të thanë! Ndërkaq, ai as u përgjigjej çka i thanë, as çka u tha. Disa bëheshin nervozë në kafene me heshtjen e Rugovës, pse ai nuk ua thotë ato që i mori vesh nga takime me burrështetas, por i mbante për vete, sepse ata digjeshin me ndonjë fjali të Rugovës, duke e shpërndarë nëpër kafene a ndeja. Gënjejnë sa për t’u dukur ata që thonë se Rugova ma tha këtë fshehtësi a bisedë nga takimi diplomatik. Rugova sillej si politikan e diplomat i përgjegjshëm, e kishte tejkaluar diplomacinë e folklorit, nëpër të cilën ngatërroheshin të tjerët si t’i kishin çiftelitë nëpër duar.

Në anën tjetër, më dukej sikur miqtë e kolegët e mi silleshin në çark të mbyllur, mundësitë e veprimit ua kufizoi okupatori, mundësia për të vepruar ndëshkohej me dhunë. Natyrisht lypej edhe ca guxim, që atyre u mungonte. Njerëzit e ilegales qenë më të gatshëm të takonin militantët e LDK-së në terren, në vend se të shkonin intelektualët e ata që merrnin vesh nga politika. Kjo gjë i frustronte shumë.

Dikur një pjesë e tyre nisën të degjenerojnë në burra që merreshin me thashethemnaja grash, fusnin kleçka, bënin intriga, nxirrnin thimtha helmi etj. Edhe kur ishin brenda, por edhe kur dolën nga partia, një pjesë e tyre e akuzonin kundërshtarin e së njëjtës parti sikur ai është i UDB-së: “E kam nga burime të sigurta, ma ka thënë njeriu i afërt  me Rr. M.” , nisnin të të flisnin për teori konspiracioni. Brenda LDK-së njerëzit tinëzisht nisën të bëjnë dosje kundër njëri-tjetrit. Pastaj rrëfimet për njëri-tjetrin merrnin përmasa të frikshme. Tregohet se Rugova i hodhi poshtë këto dosje, duke i këshilluar ata që të merreshin me gjëra më serioze. Jam i sigurt se po të qenë me interes, ai mund të plotësonte informacionin nga ambasadat e shteteve që na ndihmonin ato ditë aq shumë, kështu që s’ua pati nevojën grupeve që vepronin nga hasmëria, apo që ishin pjesë e lojës së Serbisë, me ose pa vetëdije.

Lufta për pushet brenda partisë, lufta për t’u dukur në situata të caktuara, i nxiti që gati secili të fliste kundër secilit, kurse Ibrahim Rugova në këtë situatë të fërkimeve të paarsyeshme brenda, nisi të izolohej nga grupi më i madh, duke ndërmarrë veprime me kapacitetin e tij intelektual. Ai në këtë plan ishte lider i pakontestueshëm, mirëpo të tjerët e patën lakmi, prandaj intrigat u zhvilluan me intensitet të tillë që të habisnin.

Dolën në sipërfaqe njerëzit që s’ta priste mendja!

 

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *