Published On: 24 Nëntor, 2016

Imamët Robaj e Bilibani i kishin bindur të rinjtë kosovarë t’i bashkohen xhihadit (Dokument)

Xhaminë e improvizuar te ‘Termokosi’, jashtë juridiksionit të BIK’ut, dhe disa shtëpi private, imami Bedri Robaj i kishte shfrytëzuar për të nxitur xhematin e tij të kryenin veprime terroriste, të thirrura në emër të fesë – xhihad. E njëjtë, dyshohet të ketë vepruar edhe hoxha Idriz Bilibani nga Prizreni. Ligjëratat e tyre, secili vetvetiu, dyshohet se quan në Siri e Irak dhjetëra të rinj kosovarë. Në mesin e tyre Pajtim Ollurin, Rexhep Morinën, Naman Demollin e Hamdi Krushën që u vranë duke luftuar përkrah terroristëve të ‘Al Nussra’. Për këto dyshime, Prokuroria Speciale e Kosovës, në shtator të 2016’ës ngriti aktakuzë ndaj dy imamëve për veprën penale “Shtytje për kryerjen e veprimeve terroriste”. Aktakuza përfshin dhe dy imamë tjerë për “Nxitje të urrejtjes” dhe një politikan të dyshuar për “thirrje për rezistencë”

Prej vitit 2012 e deri në gusht të 2014’ës, terroristët shqiptarë Pajtim Olluri, Rexhep Morina e Naman Demolli, para se të merrnin rrugë për në Siri e Irak, ishin xhematlinj të rregullt të imamit nga Malisheva, Bedri Robaj. Ky imam i kishte bindur ata se obligimi kryesor i fesë islame ishte xhihadi. E për ta gjetur këtë u binden t’i bashkohen Al Nussra’s, e më vonë u rreshtuan në ISIS, ku ranë ‘shehid’.

Në aktakuzën ndaj tij Bedri Robajt dhe pesë të tjerëve të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, më 15 shtator të këtij viti, pas dy viteve të plota hetim ndaj tyre, Prokurori i rasatit pretendon se ka siguruar mjaft dëshmi, si incizime, sms-komunikime, letër shkëmbime, dëshmi të dëshmitarëve etj., që faktojnë si imami malishevas kreun veprën e dënueshme nga një deri në pesë vite burgim, sipas Kodit Penal të Kosovës, “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”.

Aktakuza e bën përgjegjës imamin e xhamisë së Termoksit, që për vite funksionoi ilegalisht, jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, edhe se ndikoi në shkuarjen e të rinjve Atdhe Dema e Kujtim Bytyqi në ‘Al Nussra’.

Robaj, në të gjeturat e prokurorisë që përshkruan në aktakuzën 15 faqesh të deponuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, tregohet se ishte i kujdesshëm ndaj nxënësve të tij, sidomos për ata që kishin mësyrë xhihadin. Ai rrinte vazhdimisht i informuar për rrugëtimin e atyre që niseshin për në Siri, deri në mbërritjen e tyre në token e Shamit.

“Unë inshaAllah sonte jam n’Stamboll e për më shum flasum mMSN. Boni dua për mua”, i kishte shkruar Kujtim Bytyqi, hoxhë Bobajt, pasditen e 22 Shkurtit 2014. Tre ditë më pas, i njëjti e kishte informuar imamin se kishte mbërritur në Kilis, tregojnë provat e prokurorit.

“Unë jam mir,sapo erdha nKilis nqender, afër turizmit. Vet jam. Po pres me taku ndokënd”, ishte njoftimi për mbërritje që ia kishte bërë Bytyqi, i cili pas pak kohesh u pat kthyer nga Siria, për tu renë në dorë autoriteteve kosovare.

Ata, nga Siria e Iraku i tregonin, të parit, hoxhës kur ndonjë prej shokëve të tyre binin shehid.

Bedri Robaj para prokurorisë i ka mohuar dyshimet ndaj tij. Ai punën e tij në xhaminë te Termokosi e përshkruan si imam i zgjedhur nga xhemati për të falur namazin e xhumasë dhe hydbes, e thotë se assesi nuk ka bërë rekrutimin e tyre për Al Nusta e ISIS. I njëjti, përmendet se aktivitetin e tij e mbajti edhe në disa shtëpi private.

Bedri Robaj, nuk e ka mohuar se ka njohur Pajtim Ollurin e Kujtim Bytyqin, por autoriteteve kosovare u ka thënë se nuk ka pasur ndonjë afërsi me ta. Njëjtë i ka mohuar edhe komunikimet me Bytyqin, derisa ky i fundit qëndronte në Siri.

Prokuroria si provë kundër këtij pohimi të imamit, përveç sms-dëshmive, thotë se ka edhe letrën që Bytyqi i kishte shkruar Bedri Robajt pasi ishte arrestuar, ku i kërkon hoxhës që të nis një peticion për lirimin e tij dhe shokëve, që u gjet gjatë bastisjes së shtëpisë së Robajt, shtatorin e 2014’ës. (Detaje të kësaj letre, të përmendura në aktakuzë, Gazeta Express do t’jua sjellë gjatë ditëve në vijim).

Të njëjtat akuza, Prokurori Haki Gecaj, në të njëjtën aktakuzë, ia etiketon edhe imamit nga Prizreni Idriz Bilibani. Në aktakuzën që Gecaj ngriti pak para se t’i kalonte afatet e parapara ligjore për hetim, Ballabani thuhet se deri kur u arrestua në pjesën e fundit të vitit 2014, përmes ligjëratave në xhaminë OJQ ‘El Bejan’ në Prizren dhe video mesazhe ndikoi ti bindë shumë kosovarëve, që me xhihad ta ngisnin lart fjalën e Zotit – “Për fenë, për fenë e Allahut”.

Madje, ligjërimet e tij, sipas Prokurorisë Speciale i kishte përdorur edhe imami i dënuar me 10 vite për rekrutim të xhihadistëve, Zekria Qazimi, për t’ia shpërndarë xhematit të tij.

Hoxha me prejardhje boshnjake, në këto ligjërime arsyetonte veprimet e muxhahadinëve, pohon prokurori në aktakuzë.

“[Muxhahadinët] shpërthejnë veten në xhami, i prishin xhamat, e i prishin pazaret, e i vrasin njerëzit e pafajshëm, civilët, gratë e disa mendojnë se janë terrorista dhe këtë mendim e kanë marrë prej mediave të qufartëve”, thoshte ai në video incizimin që e ka gjetur prokuroi Gecaj si provë kundër hoxhë Idriz Bilibani.

“Atyre që luftojnë për rrugën e Allahut, Allahu ua fal gabimet”, arsyetonte tutje ai veprimet e xhihadistëve.

Aktakuza përmend se Ballabani akuzohet edhe nga familja e Qëndrim Kovaqit se djali i tyre gjendet në Siri, pikërisht nga ndikimet që i morri nga hoxha. Ashtu i ka pohuar autoriteteve kosovare edhe vëllai i Hamdi Krushes – prizrenasit që u vra në ISIS, prillin e këtij viti. Por këto ua ka mohuar prokurorisë vetë imami Idriz Ballabani.

“Të pandehurit janë hoxhallarë”, – u referohet prokurori Gecaj në aktakuzë imamëve Bedri Robaj e Idriz Bilibani, – “kanë mbajtur ligjërata dhe predikime para një numri të madh njerëzish, e më përmbajtën e tyre për xhihad, muxhahajdinë, etj., duke i paraqitur si obligime fetare – “farz” kanë përcjellë mesazhe me të cilat janë shtyrë persona të papërcaktuar, të ju bashkohen organizatave “Al Nussra” në Siri e Irak, e cila organizatë nga OKB është shpallur organizatë terroriste”, thekson prokurori në klasifikimin juridik të veprës penale ndaj dy të akuzuarve për shkelje të nenit 141 të kodit penal të Kosovës.

Hoxhët, Bedri Robaj e Idrizë Bilabani, ishin arrestuar më 17 shtator 2014. Ata pasi ishin mbajtur vetëm një muaj në paraburgim, nga tetori i të njëjtit vit qëndruan në ‘arrest shtëpiak’ deri dhjetorin e 2015’ës kur Gjykata vendoi që ata të mbrohen në liri.

Në të njëjtën aktakuzë, edhe dy imamë tjerë akuzohen për vepra që ndërlidhen me terrorizëm. Enes Goga e Mazllam Mazllami, prokuroria i ka klasifikuar si kryerës të mundshëm të veprës penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”. Edhe detaje të kësaj aktakuze, Gazeta Express do t’i sjellë në ditët në vijmë.

I fundit në aktakuzë është politikani Fuad Ramiqi, që akuzohet për “Thirrje për Rezistencë”.  Për të gjeturat e Prokurorisë ndaj tij, Gazeta Express ka raportuar javën që shkoi. /M.Gj./GazetaExpress/.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...