Published On: 22 Tetor, 2016

Hoxhaj për mediat spanjolle: Kosova e përkushtuar për raporte më të mira me Madridin

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë një interviste dhënë agjencisë shtetërore të lajmeve të Spanjës, EFE, ka deklaruar se pret hapjen e një etape të marrëdhënieve më të mira me Spanjën dhe qeverinë në Madrid. Përveç kësaj, Hoxhaj ka folur për marrëdhëniet me Vatikanin, orientimin euroatlantik të Kosovës dhe situatën në Ballkan.

Në intervistën për EFE, shefi i diplomacisë kosovare Hoxhaj ka shpjeguar edhe njëherë arsyet pse Kosova nuk mund të krahasohet me rastet e vendeve të tjera, pasi që është rast sui generis dhe duhet trajtuar në mënyrë të veçantë në përputhje me rrethanat specifike.

“Ne do të jemi pjesë e shoqërisë ndërkombëtare, njëjtë sikurse jemi edhe tani pjesë e institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, për ç’gjë do të ishim shumë të interesuar që të mbajmë bashkëpunimin e ngushtë me Spanjën në shumë fusha. Është shumë e gabuar të bëhen paralelizma ndërmjet Kosovës dhe pjesëve të tjera të botës, sepse rasti ynë është sui generis, dhe ne kemi një pavarësi që vjen prej një procesi të shpërbërjes së një shteti federal, siç ishte rasti i ish-Jugosllavisë. Ekziston një listë e gjatë e arsyeve dhe rrethanave që mund t’ua shpjegojnë të gjithëve në Spanjë se pse Kosova është ajo çfarë jemi dhe pse nuk duhet ta shohim dhe ta krahasojmë atë ndryshe”, ka thënë Hoxhaj.

Në anën tjetër, Hoxhaj ka shtuar se pavarësisht mungesës së marrëdhënieve diplomatike Kosova i është mirënjohëse Spanjës për punën e madhe që ka bërë për vendin tonë në kuadër të Kombeve të Bashkuara ndërtimin e shoqërisë dhe ekonomisë kosovare, ndërkohë që ka vlerësuuar edhe mosbllokimin e Kosovës nga ana e Spanjës në agjendën europiane.

Kryediplomati kosovar, Hoxhaj gjatë kësaj interviste ka folur edhe për vullnetin e Kosovës për integrimin europian, duke theksuar se Kosova ka marrëdhënie të mirë me Turqinë, Sauditët dhe vendet e tjera të Gjirit, mirëpo, ka thënë se fokusi i Kosovës është i paluajtshëm në të qenët pjesë e komunitetit euroatlantik, Bashkimit Europian dhe NATO’s. Sa i përket marrëdhënieve diplomatike, Hoxhaj ka shprehur pritje për një vizitë të Papës në Kosovë për të cilën ka thënë se do të ishte shumë e rëndësishme për vendin, si dhe ka treguar se shumë shpejtë Kosova do ta emërojë një Ambasador që do të jetë në kontakt me Selinë e Shenjtë, pasi që edhe Vatikani tashmë e ka emëruar Nuncin për Kosovë.

Duke folur për situatën në Ballkan, Hoxhaj ka thënë së gjendja është shumë më e mirë sesa para dhjetë viteve, duke shtuar se përtej kësaj, vendet e Ballkanit papërjashtim përballen me kërcënimet globale përfshirë edhe luftëtarët e huaj. Ai i ka bërë të ditur agjencisë EFE se që nga viti i kaluar asnjë qytetar i Kosovës nuk i është bashkuar grupeve terroriste të njohura si DAESH apo ISIS.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...