Published On: 16 Nëntor, 2016

Historiani e biznesmeni Sabri Maxhuni Novosella dhe Banjat kuruese “Nena Naile”

  • Histori suksesi

Displaying sabri rest.jpg

Kozeta Zavalani

Historiani e biznesmeni i suksesshëm i trojeve shqiptare Sabri Maxhuni Novosella, së bashku me familjen e tij, jep një kontribut të paçmuar në përparimin e kombit shqiptar. Është krijuesi e drejtuesi i Qendrës për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitim Banja “Nëna Naile” në Kllokot të Kosovës e disa bizneseve të tjera familjare. Me një vështrim të menduar si vizionar e buzëqeshje të lehtë, ai mirëpret e ndihmon çdo njeri në nevojë me zemërgjerësi e pa u mërzitur asnjëherë. Edhe gjatë ecjes me makinë ai nuk pushon së foluri për çështjen kombëtare, problematikën e shtruar në librat e tij, duke e ndërprerë herë pas here me probleme të bizneseve të veta. Ai shqetësohet edhe për një viç të pamundur në fermën e tij, e nuk mund të jetë i qetë derisa të kryet vizita mjekësore, edhe për pulat e vezët apo për produktet bujqësore, që në godinat e Banjës “Nëna Naile” mos mungojë asnjë çast ushqimi bio.

Së bashku shkuam në Vushtrri, ku morrëm pjesë në promovimin Këndvështrim studimor të librit “Karl Topia, Hasan Prishtina, Adem Jashari” të Historianit Sabri Maxhuni -Novosella me autor Shpejtim Morina.  Përshëndetën veprimtarinë drejtoresha për kulturën në Komunën Vushtrri Shpresa Rama, kolegu Nexhmedin Spahiu, Izet Miftari, etj.

Bisedoj me Shpresën për Takimet e Poeteshave Shqiptare, ku unë kam qenë e ftuar vite më parë e ajo thotë: -Jam me fat që prej se jam në pozitën e Drejtoreshës së Kulturës, falë përkrahjes që u kemi dhënë, i kemi mbi 20 autorë të rinj librash të zhanreve të ndryshme, si rasti i Shpejtim Morinës.Vushtrria ka nxjerrë njerëz të mëdhenj përgjatë historisë, që kanë lënë gjurmë në historinë e Vushtrrisë për shkruarjen e të vërtetave, e historia në të ardhmen do të flasë për ta.

Mbasi vizituam Kalanë e Vjetër në Vushtrri, që është një ndër monumentet më të vjetra të trashëgimisë kulturore në qytetin e Vushtrrisë, shkuam për vizitë në vendlindjen e Maxhunëve me vajzat e martirit Mark Mërturi- Teuta Mërturi e Mira Bezhi. Së bashku shkuam pastaj në Kllokot, mes natyrës magjepëse ku është Qendra për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitim Banja “Nëna Naile” e pasur me ujë të pashterrshëm termomineral dhe e pajisur me teknikë moderne mjekësore. Ajo gjendet rreth 50 km në jug-lindje të kryeqytetit të Kosovës Prishtinë, me pamje të mrekullueshme në drejtim të maleve të Sharrit dhe në lartësi mbidetare prej 400 metrave, si një nga margaritarët e natyrës kosovare, ndërtuar në Kllokot,  që ka filluar të funksionojë nga maji i vitit 2007. Në këtë natyrë magjepëse mbi një sipërfaqe prej 60 mijë metra katrorë janë ndërtuar tre godina si hotele të mëdha me 750 dhoma  e 2000 shtretër, dhe Spitali Euromed me trajtimin mjekësor që u bëhet pacienteve, është nga më të mirët e më modernët në rajon. Gjithçka është ngritur nga konrtibuti financiar i atdhetarit të përkushtuar Sabri Maxhuni Novosellës, për krijimin e këtij oazi pushues e shërues, që përbën një vlerë kombetare.

Ai flet me admirim për nënën e tij, emrin e së cilës ia ka vënë Banjës, dhe ja si i përgjigjes pyetjes sime: – Pse emri Nëna Naile?

– Nëna Naile, jo vetëm sepse ishte nëna ime, por sepse ajo është ekzemplar i nënave shqiptare, që na rriti dhe edukoi me ndjenjën e atdhedashurisë, falë trashëgimisë patriotike të familjes Shala. Baba im ka qenë Ismail Maxhuni. Familja ime si erdhacake nga Maxhunajt e Vushtrrisë apo Novosella si na e serbizuan emrin pushtuesit Serbo-sllavë, ka pasur shumë luftëtarë të shquar e mes tyre edhe gjyshi im Selim apo Cen Maxhuni, për të cilin janë kënduar shumë këngë dhe unë e kam shembull në jetë ashtu si edhe patriotë të Vushtrrisë sime si Hasan Prishtina, etj.

– Si ka qenë rinia juaj, cilat kanë qenë ëndrrat e dëshirat tuaja?

– Në të ashtuquajturën Aleanca Ballkanike sllavo-greke- ortodokse shumë familjarë të mi janë vrarë për mbijetesë…

– Për këtë ju keni shkruar në librat tuaj të shumë, por më thoni diçka jashtë librave për jetën tuaj

– Unë kam lindur në 3 maj të vitit 1943 e rinia ime nën pushtimin serbo-sllav nuk ka pasur asgjë të bukur, atë nuk ia dëshiroj asnjë shqiptari. Jam lindur e rritur deri në moshën 10 vjeçare në Vushtri e në 1953 familisht u shpërngulëm në Prishtinë, ku jemi ende.

-Ku e njohet bashkëshorten tuaj?

– Ne kemi qenë të ardhur në të njëjtën zonë në Prishtinë, ajo me familje ardhur nga Mbramori e unë nga Vushtrria e u rritëm së bashku. Ishim krejt të rinj kur u martuam Safetja ishte 16 dhe unë 18 vjeç. Krijuam familjen tonë të re me lindjen e djalit të parë Ilirit,  e mbas 7 muajve të tij mua më burgosin së bashku me Adem Demaçin, përkatësisht mua 9 vjet e atë 15 vjet. Unë si aktivist i frymës kombëtare me dashurinë për atdheun, kombin e flamurin, kam qepur 94 flamuj shqiptarë me një makinën time qepëse, sepse kam qepur që i vogël, të cilën ma kanë dhuruar kohët e fundit dhe e mbaj si kujtim. Nuk ka atdhe me bark të zbrazët, ndaj në jetën time jam përpjekur gjithmonë të punoj,  për të mos qenë i varur ekonomikisht, pasi kjo të sjell vartësi politike, e nuk mund të jesh i lirë. Pasi ra regjimi i Rankoviçit e daljes nga burgu kemi lindur djalin e dytë Dardanin e pastaj dy vajzat Diturie dhe Vlora e pastaj djali i tretë i vogli i quajtur Alban. Të gjithë janë të martuar e tashmë kam 7 nipër, 5 mbesa, 1 stërmbesë e 2 stërnipa.Djali i Albanit e ka emrin Dardan, duke plotësuar të gjitha trojet shqiptare me emrat e tyre.

Displaying K2nEW5U.jpg

– Dhe kur keni emigruar jashtë Kosovës?

– Në vitin 1979 vendosëm me Isufin të dilnim jashtë Kosovës, për të mos u vrarë. Ai u vendos në Gjermani, unë në Shqipëri së bashku me Mark Mërturin, vajzat e të cilit ti i njohe. Prej aty shkuam në Turqi, ku themeluam Komitetin Hasan Prishtina. Lufta për pavarsinë ekonomike të ruan dinjitetin, ndaj në emigrim kam punuar për të ruajtur dinjitetin. Pasi na u vranë shokët, më kërkuan të shkoj në Gjermani, pasi policia serbo-sllave më ndiqte kudo. Për shkak të sigurisë sime u mendua të vendosem në Suedi, si vend më i qetë. Aktivitetin kombëtar nuk e kam ndalur asnjëherë, krahas punës me fitime ekonomike. Në 28 nëntor 1992 na thirri qeveria shqiptare për Shpalljen e Pavarësisë e në vitin 1993 fillova veprimtarinë ndërtimore në Tiranë. Pas çlirimit të Kosovës më 1999 u kthyem nga Suedia në Kosovë e çela firmën ndërtimore tregetare Dardania kompani, duke u përfshirë edhe vellai e motra familisht. Bashkëshortja ime në 2004 kishte probleme nga këmbet dhe erdhi në lixhat e vjetra në Kllokot, ndonëse me kushte jo të mira. Gjendja e saj u përmirësua nga uji termomineral, ndaj bashkëshortja me nxiti të ndërtoj një banjë të re me kushte të mira. Për herën e parë e kam dëgjuar bashkëshorten time dhe me firmën ndërtimore filluam ndërtesën e parë të banjave. Në lashtësi tregojnë se në këto troje kishin qenë tre djem, që e kishin ndarë pasurinë e tyre- njëri me derrat në moçalishtet në Kllokot, dy të tjerët me buallicat  kaluan në fenë islame e aii Kllokotit u serbizua. Ndaj edhe unë para se të filloja ndërtimin ua bleva serbëve 24 shtëpi me dokumenta e baza ligjore dhe kam ndërtuar 5 godina të lixhave, prej ku vijnë nga të gjitha viset e botës, pasi është banja e parë në rajon e Çertifikuar me 2 çertifikata. Kemi marrë edhe çertifika Mirënjëhje  për ushqimin BIO, të cilin e marrim prej fermës private. Për krijimin e saj kam blerë 42 ha tokë nga private e nipi im i vogël që vjen në fermë më thotë – Babush, fermen emëroje me emrin tim Drilon…dhe unë nuk ia prisha nipit. Në fermën Drilon përveç misrit, perimeve e frutave kemi 150 krerë lope e viça, pata e rosa, që i përdorim për ushqim në guzhinën e Lixhave.

-Tani le të mësojmë se a jeni i kënaqur nga puna e financimi juaj tek Banja Nëna Naile?

– Banja “Nëna Naile” e pasur me ujë të pashterrshëm termomineral dhe e pajisur me teknikë moderne mjekësore me Drejtor të Përgjithshëm birin tim Dardan Novosella, është bërë tashmë krenaria ime. Më besoni që nuk ka kënaqësi më të madhe e më të veçantë për mua, kur shoh që vjen pacienti me karocë e del i përmirësuar, duke ecur me këmbët e veta. Është ky shpërblimi i shumë viteve punë në mërgim në Suedi si dhe puna e fitimet në ndërtim të kompanisë “Dardania”në Kosovë e Shqipëri. Një ëndërr e kthyer në realitet.

– Madje keni kontribuar edhe në punësimin e sa vetëve që keni personel shërbimi. A mund të mësojmë edhe çmimin e çfarë ofroni tjetër me humanizmin tuaj?

– Gjithësej kemi 400 punonjës prej të cilëve 60 përqind i takojnë stafit mjekesor profesionist. Çmimi varion nga 22 euro në 26 euro për person e ndryshon për veteranet e luftëtarët e UÇK-së për të cilët kemi vendosur ulje çmimi,  si dhe çmime për personat VIP që shkojnë nga 70 dhe 100 euro. Duhet të theksoj se 300-400 persona në vit trajtohen falas, sipas kontratave me organizata të caktuara. Gjithashtu financojmë edhe 40 studenta në vit për familjaret e dëshmorëve, që dhanë jetën për këto ditë që ne gëzojmë sot.

Displaying Sabri Safete Fishta.jpg

– Jam mrekulluar edhe nga biblioteka juaj e pasur dhe librat tuaja të shumtë. Çfarë mund të thoni për At Gjergj Fishtën?

– Kam qenë dhe jam i apasionuar pas At Gjergj Fishtës. E shoh figurën e tij nga një kënvështrim krejt tjetër,jo që e adhuroj si Omerin shqiptar por edhe si një politikan largpamës.

– Sabri Maxhuni Novosela, si një figurë e rëndësishme e çeshtjes shqiptare ka bërë të mundur vendosjen e bustit të At Gjergj Fishtes në oborrin e shtëpisë së Fishtes dhe është ofruar si investitor për të financuar projektin e ndërtimit të shtëpisë Muze të At Gjergj Fishtes.

Njëzet autorë kanë komentuar librat e tij dhe i kanë dhënë filozofisë së historisë shqiptare dimensione të tjera. Komunizmi si sinonim i ortodoksëve serbo-sllavë, u përpoq për një shekull rresht me të gjitha format e dhunës, të asgjesimit, asimilimit, genocidit e formave të tjera çnjerëzore, të zhdukë historinë reale të shqiptarëve autoktonë në tokat e tyre dhe të ndryshojë historinë e gjeografinë e Ilirisë, por nuk arriti dot.Problematika kombëtare shqiptare  jo rrallë ka rrëshqitur në shina të shtrembra e të rrezikshme-  ka qenë kjo aksiome në të gjithë veprimtarinë shprehëse të historianit S.M.-Novosella. themeli i pavarësisë së Kosovës, janë  idetë kombëtare  për pavarësi qysh nga Rilindja Shqiptare, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kryengritjet e mëdha të vitit 1910-12. shpallja e Pavarësisë, qëndresa antiserbe, deri te Lufta Çlirimtare e Kosovës, e mbështetur nga  aleatët perëndimorë dhe veçanërisht nga SHBA-të. Publicisti Ramadan Rexhepi ka thënë diçka interesante për personalitetin e Sabri Maxhunit: Sikur prindërit ta regjistronin në fakultetin juridik, do të bëhej një avokat shembullor. Po ta dërgonin në artet, do të bëhej një artist ose një piktor i madh. Por ata e dërguan për të përvetësuar një zanat. Dhe ai u bë një i burgosur politik, kalorës i paepur për të drejtat e njeriut në Kosovë dhe në Shqipëri… Sa herë që e donte Kosova, ai u bë, nga zanatçiu, poet, shkrimtar, dramaturg, publicist dhe debutues i flaktë…
Librat e shumtë historikë të këtij humanisti, shquhen për një koherencë patriotike të shëndoshë, siç është libri prej njëzet autorësh për tre librat më të rëndësishëm të historianit për të cilin flasin në librin “Që historia shqiptare të mos mbesë në kurthin serbo-sllav”.  Sabriu është dekoruar me medaljen “Kalorës për të drejtat e njeriut”  me motivacionin “Për kontributin e çmuar në Çështjen Kombëtare për çlirimin e Shqipërisë dhe të Kosovës nga sundimi sllavo-komunist, me përkushtimin e tij për bashkimin e trojeve shqiptare, si edhe në ndihmë të shtresave në nevojë…”  ( IGFM- Albania). Nuk kanë të numëruar mirënjohjet e vlerësimet për punën e kontributin në sfera të ndryshme të jetës.
Sabri Maxhun- Novosella, me kurajë e me guxim thotë se Kombi Shqiptar mbrohet vetëm atëherë kur i njeh, i dënon dhe i atrofizon pushtuesit, të cilët nëpër histori janë njëlloj, pavarësisht se kanë veshur në situata të ndryshme lloj-lloj “kostumesh”, të titizmit, të stalinizmit apo të enverizmit.

Displaying Sabri famil.jpg

– Diçka më tepër mbi Q.M.F.R Banjës “Nëna Naile” – Kllokot

Kushtet klimatike, së bashku me vetitë shëruese të ujërave termomineral dhe komoditetin jashtëzakonisht të lartë që Qendra moderne “Nëna Naile” në Kllokot ofron, e shndërrojnë atë në një vend tejet tërheqës dhe të përshtatshëm për shërim, pushim dhe rekreacion në cilëndo stinë të vitit.

Një personel i shkëlqyer mjekësor nën mbykëqyrjen e Dr Enver Haxhiut, ku janë të angazhuar emrat më të njohur të fiziatrisë në Kosovë pasohen nga mjekët e Q.M.F.R Banjës “Nëna Naile” e pikërisht nga: Dr. Ismajl Blakaj, që jep kontributin e tij në korrigjimin e demtimeve cervikale apo torakale dhe artikulare. Mr.Sci. Fiziatër, Dr. Besnik Berisha, Dr. Fahri Bajrami, Dr. Naim Mustafa, Specialistë të Fiziatrisë, Dr. Hamdije Zuka e Dr. Besa Ibishaga-Jakupi e cila thotë:

– Suksesi i punës sonë është falë aparaturave moderne që disponojmë për trajtimin e terapive të ndryshme, në rastet e deformiteteve cervikale ku përveç balneoterpise, rehabilitimi konsiston në hidroterapi për forcimin e kolonës vertebrale me ushtrime specifike. Pjesa rekreative kombinohet me pjesën sportive, me banjo fizikale e sportive në kombinim me metoda të tjera si masazhe,  elektroterapia etj.  Duhet të vlerësojmë edhe punën e specialiste të Fiziatrisë, Dr. Fadil Zuka, Specialist i Mjekësis Familjare, Dr.Vjollca Pira e Dr. Naim Sahiti, e të tjerë. ….

Pra kombinimi i banjave me uji termomineral, stafi professional mjekesor e aparaturat mjekësore moderne të ardhura ngaZvicera e Gjermania, ushqimi e kujdesi i vazhdueshëm janë çelësi i suksesit në trajtimin e 1200 pacienteve-klientë që qendrojnë nga 2 deri 3 javë në vit ose edhe dy herë në vit.Hulumtimet e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Institutit Laboratorik Dr. Scheller nga Gjermania tregojnë se uji termomineral i Banjës në Kllokot me temperatur deri në 38° përmban të gjitha elementet e nevojshme, të cilat e bëjnë të përshtatshëm për rehabilitimin e një numri të konsiderueshëm të sëmundjeve.Për qëllime terapeutike uji termomineral i Banjës “Nëna Naile” përdoret si ujë për pije dhe për banjo. Larjet me ujë termomineral bëhen në dy forma: lokale dhe të përgjithshme, nga mjë numër i konsiderueshëm i Fizioterapeutëve, teknikëve, infermiereve, e të tjerë.

– Ne ofrojmë banjo individuale dhe grupore në pishinat tona të dizajnuara enkas për këtë qëllim. Temperatuarat e ujit variojnë prej ngrohtë në të nxehtë. Larjet e shkurtëra me ujë të ftohtë dhe të freskët mineral, preferohen te disa sëmundje nervore dhe psiqike për forcimin e tonusit të sistemit nervor. Për trajtimin e shumicës së sëmundjeve me indikacion, më së shpeshti aplikohen larjet me ujë të ngrohtë me temperaturë uji 32-38°C.- na shpiegon Muhabi Rexhepi, duke u kujdesur për pacientët jo vetëm në vaskat me ujë por edhe në bazen. E rëndësishme për pacienët e ardhur këtu nga të gjitha viset shqiptare është kryerja më së miri e fizioterapive nga Adrian Haziri, Shukrije Dema, Ilirjana Çela, Blerta Hajrizi, etj…Po kështu edhe tek trajtimet elektromanjetike ku shërbejnë Arbrora Hyseni, Burbuqe Veliu, Teuta Zahiri, të bukura ashtu si emrat e tyre edhe në trajtimi me baltë ku shërbejnë Mirjeta Halabaku, Vjollca Shabani, Ardita Sulejmani, Ridvan Ymeri e Mirglend Drugzani.

Displaying sabri.jpg

Në restorantin plot dritë e pastërti Enver Shema, Ajet Ramici e Bashkim Mehmeti, shërbejnë me kulturë e buzëqeshje, duke dashur që gjithkush të ngelet i kënaqur e të ketë dëshirë të kthehet përsëri. Po kështu edhe tek Bar kafeja ku shërbejnë zonjat Florentina Bilalli, Fehime Memeti, Teuta Isufi etj.

Klima, uji termomineral, ushqimi organik, fizioterapitë, largimi nga tendosja e përditshme psiqike dhe fizike, së bashku me komoditetin dhe shërbimin cilësor që stafi profesional mjekësor në QMFR Banja “Nëna Naile” ofrojnë pacientëve /klientë, përbëjnë një kombinim faktorësh për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm.

Përveç terapive natyrale me ujë termomineral dhe peloidë, ofrohen edhe terapitë më të sofistikuara shëruese dhe rehabilituese si Masazh, Sauna Turmaline dhe Lampa me Spektër të Frekuencave. Përdorimi i aparaturës së përparuar të Spektrit të frekuencës, është një mënyrë e mirë për të shëruar dhimbjet e qafës, shpatullave, belit dhe këmbëve, si dhe tendosjet e muskujve, sëmundjet reumatike artikulare dhe ekstra artikulare-degjenerative, inflamatore, metabolike, sëmundjet neurologjike të sistemit nervor, etj: paralizat periferike ose qëndrore, gjendjet pas insulteve cerebro-vaskulare, neuralgjitë, neurozat, depresioni etj. gjendjet post traumatike, rehabilitimi pas frakturave, kontuzioneve, distorzioneve, luksacioneve, etj. Intervenimet operative dhe korrektuese të aparatit lokomotor, Rehabilitimi pas amputimeve të gjymtyrëve etj. Sëmundjet Kardiovaskulare-rehabilitimi sekondar pas infarktit të miokardit, sëmundjeve kronike të qarkullimit periferik të gjakut pa ndryshime të mëdha trofike etj. Sëmundjet e traktit digjestiv-gastritet, duodeniti, ulcera e lukthit dhe duodenit, kolecistitet kronike etj. Sëmundjet e sistemit urinar-inflamacionet kronike të traktit urinar, mikrolitiazat etj. Sëmundjet e lëkurës-ekzemat, psoriaza, akna vulgaris etj. Sëmundjet gjinekologjike-inflamacionet kronike të organeve gjenitale, steriliteti etj.

QMFR “Nëna Naile” gjendet në kilometrin e pesëmbëdhjetë të rrugës Ferizaj-Gjilan, respektivisht 55 km larg kryeqendrës së Kosovës – Prishtinës.

Displaying sabri vushtri.jpg

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...