Published On: 17 Korrik, 2017

Heshtja e Perëndimit na terrorizonte

(Kujtime (5)

Gani Mehmetaj

Në planin ndërkombëtar, Jugosllavia e thellonte bashkëpunimin me shtetet e painkuadruara (paangazhuara), ku bënin pjesë shumica e shteteve arabe. Ato shtete të parat i dënuan demonstratat, i mbështetën masat që u morën kundër shqiptarëve. Diktatori psikopat Gadafi erdhi në Beograd. Thonë se mori me vete edhe gamilen, sepse mu si beduinët, prej nga vinte edhe ai, e pëlqente qumështin e kësaj kafshe shkretinore. Në Beograd e duartrokitën, ndërsa kuluareve talleshin me primitivizmin e tij. Por zyrtarisht ai ishte njëri ndër aleatët më të fortë të Jugosllavisë. Serbia e Kroacia përfitonin shumë ekonomikisht nga vendet arabe, madje sikur të mos ishte bashkëpunimi me këto vende islamike, jugosllavët do ta ndienin veten ngushtë, ndërkaq, në Kosovë disa shqiptarë nisën t’i pagëzonin fëmijët me emrat e diktatorëve arabë: Sadat, Asad, Gadaf, Naser, ose me emrat e qyteteve Rijad, Medina etj. Ishte një anomali që s’ta kapte mendja: arabët e donin Serbinë e Jugosllavinë, ndërsa një pjesë e vockël e shqiptarëve i donin arabët.

Pasi u shuan demonstratat me gjak dhe u shpall gjendja e jashtëzakonshme, dolën dy instanca shtetërore të Jugosllavisë para medieve. Stane Dolanc, kryepolici i federatës, pos që pështyu në demonstratat e demonstrues, pos që e arsyetoi dhunën në mënyrën më të pafytyrë, tha se disa nga demonstruesit mbase u vranë në mes vete për hakmarrje, një shpifje tipike e natyrës së tyre policore. Interesimi i gazetarëve të huaj ishte i madh, por paraqitja e këtij kryepolici jugosllav ishte cinike e mizore.
Gati në të njëjtën mënyrë doli para gazetarëve të huaj e vendës kryetari i Komitetit Krahinor të Kosovës, Mahmut Bakalli, i cili s’la gur e dru pa hedhur mbi demonstrues, s’la fyerje pa ua drejtuar atyre që e prishën rendin e qetësinë. Nuk i kurseu as të vrarët, të plagosurit, të arrestuarit dhe ata që kishin shpëtuar nga policia mizore jugosllave. Foli e foli me një paturpësi të paparë, duke u përpjekur që veten ta nxirrte të larë, megjithëse jo pak parulla e pakënaqësi i drejtoheshin sundimit të tij totalitar e imoralitetit që e shquante mbi të tjerët.
Një gazetar e pyeti: a do të jepte dorëheqje. Ai me arrogancën fodulle të një qeveritari provincial, iu përgjigj: Ne nuk jemi në sistemin borgjez! Por nuk kaloi shumë kohë kur Beogradi, përmes mercenarëve të kopesë së vet e detyruan të jepte dorëheqje. E turpëruan dhe e shkarkuan.
Me zellin kundër Mahmut Bakallit e kundër Fadil Hoxhës, u shqua Azem Vllasi, ish-pionier i Titos, sikurse e paraqisnin mediet serbe. Ai u bë i zellshëm kundër gardës së vjetër të partizanëve dhe kundër klanit të Gjakovës që e mbizotëruan qeverisjen lokale me dhëndër e me krushqi. Vllasi e funksionarët Sinan Hasani, Kolë Shiroka e të tjerë, të martuar me gra sllave, dolën në sipërfaqe me zell. Dikur qeveritarët provincialë nisën ta luftonin njëri-tjetrin me egërsi, secili i mbështetur nga një klan serbësh të Beogradit. Asnjëri nuk brengosej për pozitën e rëndë, gati të parrugëdalje të shqiptarëve, të cilëve s’u mbetej tjetër pos t’ia mbathin në Perëndim apo të luftonin pa shpresë suksesi kundër dhunës.
Klasa e re politike (serbe e malazeze kryesisht), që po përvijohej me arrogancë, sidomos i dha një shtytje të dilte në sipërfaqe pakënaqësia e shqiptarëve, ndërsa donin ta konfiguronin pak më ndryshe federatën jugosllave. Shqiptarët gjatë gjithë kohës ishin pengesë e proceseve unitariste, ose ishin pengesa e parë, pengesa e dytë qenë kroatët e sllovenët.
Kasta e re politike serbe që po përvijohej donte ta varroste një periudhë të Jugosllavisë, ndërsa rasti më i mirë iu dha pas vdekjes së Titos. Ata donin ta shuanin autonominë e Kosovës, kurse pikërisht me këtë autonomi shprehnin pakënaqësi shqiptarët. Pati edhe kërkesa për bashkim, të cilat shpejt u heshtën.
Nëpër biseda nuk flitej dhe nuk mendohej gjë tjetër, pos për terrorin psikik e fizik që ushtrohej mbi popullatën shqiptare, sidomos ushtrohej terror i paparë ndaj intelektualëve, gazetarëve, strukturave udhëheqëse që përpiqeshin të rezistonin, sepse shtresa e mesme nuk i pranonte masat të cilat diktoheshin nga Beogradi. Intelektualët patën krijuar identitetin e integritetin e vet, e kultivuan krenarinë kombëtare, duke u liruar ngadalë nga kompleksi i kombit të vogël, dhe kompleksi i inferioritetit të cilin përpiqeshin të na e impononin vazhdimisht serbët. Këmbëngulja jonë për ta shquar dallimin me popujt sllavë të jugut, dhe kultivimi i historisë e traditës kombëtare, ua errësoi arsyen serbëve, prandaj identitetin tonë ata e cilësonin nacionalizëm e irredentizëm. Nacionalizmi e irredentizmi ndëshkoheshin rëndë sipas ligjeve të tyre. Nisën të nxjerrin si gogol frikësues “Shqipërinë e madhe” zëvendësim i qëllimshëm i emërtimit “Shqipëri etnike”. Ajo dikur kishte ekzistuar.
Pjesë jo e paktë e intelektualëve i rezistuan represionit, nuk u pajtuan dhe nuk pranuan masat, nuk pranuan të bëheshin zëdhënës të pushtetit, por jo pak syresh nga frika, apo nga dëshira për karrierë në këtë situatë të rëndë, transmetonin porositë e pushtetarëve, nisën të diferenconin, të hiqnin koka e të dënonin njerëz si të mos ishin fare. Fjalori politik pësoi ndryshime të mëdha, u bë më i dhunshëm, me përsëritje papagalli, i zvetënuar e i rrudhur. Gazetat nisnin dhe i mbyllnin faqet e politikës me sulme të vazhdueshme, kurse radio e televizioni nuk raportonin gjë tjetër pos për “armiqtë, irredentistë e nacionalistë shqiptarë”, duke vënë në pah masat që ishin marrë kundër tyre.

Pas një heshtjeje të gjatë, ndërsa pjesa e madhe e popullatës priste, nuk e dinte as vetë se ç’priste, Radio Tirana dha një koment, i cili më shumë se inkurajues, ishte një lloj zbrazjeje e mllefit të akumuluar të shqiptarëve. Komenti u mbajt në mend me fjalorin e rreptë, me sulmet që u bëheshin masave të terrorit të Beogradit, por sidomos ishte inkurajim. Shtypi perëndimor nuk na vinte, radiostacionet e tyre fare pak i dëgjonim, kurse Radio Tirana, me Radiotelevizionin Shqiptar dëgjohej e shikohej me vëmendje të shtuar, sidomos në disa pjesë të Kosovës që kufizoheshin me Shqipërinë e vjetër.
Kohë e gjatë iu desh qeveritarëve të Tiranës ta emetonin në eter një koment.
Ndërkaq, një pjesë jo e paktë e popullatës prisnin që ata të futeshin me tanke. Të rinjtë i rrëmbente entuziazmi, por të vjetrit ruanin kujtime të hidhura nga brigadat partizane shqiptare, të cilat erdhën në Kosovë, vranë ndonjë fatkeq, u sollën ashpër ndaj popullatës, duke kërcënuar se po bëri kush përpjekje t’u kundërvihej vëllezërve serbë, do të ndëshkohej pa mëshirë. Paria e katundarët e Kosovës përpiqeshin t’u tregonin se serbëve nuk u zihej besë, vendësit druanin nga masakrat serbe, pastaj i përgjëronin të mos shkonin tutje (partizanët shqiptarë në vend se të mbronin popullatën e vet, vazhduan tutje deri në Vishegrad në ndjekje të armikut.) Kjo ushtri zhelane, sikurse tregonin të vjetrit, flisnin si të dehur: “Ne i kemi vëllezër serbët, po u bëtë gjë do t’ju vrasim, kokëderra!” Nuk ishin më të gjatë sesa pushka që mbanin në supe, por ishin të helmët si serbët.
Dëshpëroheshim me rrëfimet e baballarëve tanë, të cilëve s’kishe si të mos u besoje, donim që ata të mos kishin të drejtë, donim që ata nga shteti amë të ishin ndryshe nga ajo që flitej për pushtetin e egër, më të egrin në Evropë, për varfërinë e paskajshme, për cinizmin e pushtetarëve të cilët pos për pushtetin e vet nuk i brengoste asgjë tjetër.
Kur e mbërthente dëshpërimi babanë tim për gjendjen e rëndë në të cilën ishim, na thoshte: Nuk u lamë gjë, ne prashitëm në ujë. Secilit brez i linim nga një barrë të rëndë brezit të ardhshëm.
Komenti i “Zërit të Popullit”, i transmetuar në Radio Tirana, na dha pak shpresë se nuk ishim të humbur e të braktisur, se dikush mendonte për ne. Megjithatë na brente një hall: po Amerika, pse Amerika heshti? Pse nuk ia shkuli veshët Jugosllavisë, sepse e dinim fare mirë se po e ngriti zërin SHBA-ja, jugosllavët nuk do të tërboheshin kundër nesh si bisha, përkundrazi do të ulnin bishtin. Jugosllavët tregoheshin mizorë ndaj me të dobëtit, e servil ndaj kombeve të forta. Gjithnjë më kujtoheshin disa pleq të lagjes, të cilët e vajtonin Inglizin e Amerikën pse nuk hynë në Kosovë. Secili rrëmonte historinë dhe e kujtonte Uilsonin.
Ne prisnim e vazhdonim të shpresonim, meqë s’na kishte mbetur asgjë tjetër: një shtet me 20 milionë banorë me policinë e ushtrinë më të madhe në Ballkan, me një urrejtje të paparë ndaj nesh, na kishte rënë në qafë, ndërsa ne përpiqeshim t’i shmangnim goditjet me sa kishim mundësi. Por mundësitë tona qenë tejet të kufizuara, ne nuk kishim as elitë politike, e cila do të na mbronte, përkundrazi, ajo elitë e paktë, e tumirur nga Serbia, na sulmonte me të njëjtën egërsi, nuk patëm as ushtri tonën. Edhe më tutje shpresonim se do të ndërhynin, sidomos donim të besonim te shteti shqiptar. Ndërkaq ai ishte njëri ndër vendet me të fshehta në botë. Në vend se të bënin më shumë, nga Tirana shkrepi një koment, i cili u dëgjua nga i madh e i vogël, u komentua, emrin e spikerit të këtij komenti, Virgjil Kule, e mbajtën në mend të gjithë. Dhjetëra fëmijë në Kosovë i pagëzuan me këtë emër.

vijon

Kuvendi i Gjilanit miratoi emrimin e rrugës: "Mërgimtarët e Gjilanit" në shenjë nderimi e falënderimi për kontributin e juaj për Lirinë, Pavarësin dhe Republikën! #Mirësevini n'shpi!
A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...