Published On: 23 Tetor, 2016

Hashashi përçan PS-në dhe LSI-në, ja përgjigja që Manjani i jep Kodhelit për përdorimin e ushtrisë

Ylli Manjani dhe Mimi Kodheli nuk kanë ndërmend ta lejnë në mes debatin e nisur për hashashin dhe ndërhyrjen e ushtrisë në asgjësimin e lëndës narkotike.  Pas replikës së Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, shkruan në një status në fb se propozimet duhet të jenë serioze dhe jo të bëhen batuta nga kolltuqet e rehatshme.

“Në një demokraci funksionale kushdo duhet të bëjë detyrat që iu takojnë, në këtë rast Ministria e Mbrojtjes i’u jap sqarime për çështje të sigurisë. Mirëpres kritikat që kanë të bëjnë me zgjidhjen e emergjencave. Jam më shumë se dëshirëplotë që t’i jap përgjigje kritikuesve që lëshojnë batuta nga kolltuqet dhe sallonet. Ushtria funksionon në një mënyrë të caktuar sa herë ka pasur emergjenca”, tha Kodheli ditë më parë para se të futej në seancë plenare. Ndërkohë që ministri i LSI-së Manjani shprehet në një status në fb se : “Çështja e shkuljes së hashashit nga toka por edhe nga mendja jonë është sot më seriozja! As shoqëria, as ekonomia, as politika, as biznesi (rinia jo e e jo) nuk kanë hajër nga hashashi!

Statusi i plotë i Ylli Manjanit:

Përshendetje,

Nuk ka gjë më serioze sesa të shërbesh në një detyrë publike! Të shërbesh si ministër është edhe më serioze! Kështu që diskutimi mbi seriozitetin e të qenit serioz është i pa vend.

E fundit gjë që kisha menduar dhe ende e mendoj është të bëj polemika publike me kolegët ministra. Qeveria është një institucion kushtetues i rëndësishëm që bazohet në ligjshmëri, kolegjialitet, përgjegjësi, solidaritet por edhe konfidencialitet!

Çështja e shkuljes së hashashit nga toka por edhe nga mendja jonë është sot më seriozja! As shoqëria, as ekonomia, as politika, as biznesi (rinia jo e e jo) nuk kanë hajër nga hashashi! Përhapja e këtij fenomeni është katastrofë për të gjithë ne! Prandaj e përsëris edhe njëherë atë që thashë të martën e shkuar: Nga ky fenomen duhet të ndahemi tani! Më vonë do jetë shumë vonë!

Tani është momenti për ti dhënë dërrmën kësaj të keqe që është ende në fazat e hershme të tij! Më vonë do jetë vonë sepse trafikantët do kenë “modernizuar” infrastrukturën; do kenë blerë politikën dhe do kenë ne dorë ligjin! Rinia e sotme nuk mund të rritet me trupin që i merr formën e karriges dhe me mendjen e trullosur nga tymi “dehës” i

hashashit! E ardhmja jonë është më serioze sesa kaq!

Tani është momenti të shfarosim farën e hashashit sepse na duhet krahu i punës për ekonominë e ligjshme kombëtare! Ekonomia nuk zhvillohet dot nëse krahu i punës joshet të “dalë partizan” nga ekonomia rraskapitëse e hashashit!

Tani duhet të ndërhyjmë fort e me mend në kokë që të parandalojmë ngjarje kriminale që burojnë natyrshëm nga hashashizimi i shoqërisë!

Duhet të ndalojmë farën e hashashit por edhe rekrutimin e “ushtarëve” që ruajnë parcelat e paligjshme dhe bosët e tyrë që kërcënojnë sigurinë tonë publike!

Të gjithë duhet të jemi pro shfarosjes së kësaj të keqe, më e madhja që kemi sot midis nesh! Të gjithë pa dallim: policë, ushtarë, politikanë e zyrtarë të gjithë pa dallim!

Kjo nuk është batutë, por realitet shumë serioz! Çështjet serioze kërkojnë reagime serioze! Dhe serioziteti nuk përcaktohet nga cilësia e kolltukut që i ofron detyra publike! Nuk janë ligjet pengesa! Nuk ka ligj që mbron kultivuesin e as trafikantin! Ashtu sic nuk ka drejtësi të besueshme që merret me përdoruesin egërsisht dhe me trafikantin “miqësisht”!

Duhet ta ndreqim dhe ligjin, pa dyshim! Por ligji ndreqet shumë me mirë kur zbatohet mirë!

Nuk dua të hyj aspak në garën e propozimeve publike të projekt ligjeve, sepse unë nuk jam në garë me askënd për të bërë detyrën time! Por për kuriozitetin Tuaj që në prill të këtij viti kam depuzituar në qeveri projektin për ndryshime në Kodin Penal! Ky projekt është aty, në Qeveri, në pritje për miratim!

Edhe njeherë: o tani o kurrë më!

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...