Published On: 10 Nëntor, 2016

Grupi kriminal i Azem Sylës, i fuqishëm edhe në burg, nuk e ndal shitblerjen dhe biznesin

Në një pjesë të saj aktakuza e prokurorit Italian Danilo Cecareli përshkruan ndikimet dhe favoret të cilat grupi i Azem Sylës i kishte në burgjet ku ata mbaheshin të dënuar për rastet e mëhershme në Bllaca 1 dhe 2.

Siç shkruhet në aktakuzë, anëtarët e grupit kishin përdorur vizitat mjekësore dhe qëndrimet në spitalin e burgut për të koordinuar aktivitetin e tyre kriminal.

Në përgjimet e prokurorisë së EULEX-it të cilat ishin kryer nga fundi i vitit 2015 dhe mesi i vitit 2016, anëtarët e grupit ishin zënë duke biseduar për aktivitetet kriminale e po ashtu tentativat për t’u liruar më herët nga burgu.

Prokuroria përshkruan se Fahredin Gashi kishte një smart phone gjatë kohës kur ishte në burg, ndërsa anëtarët e tjerë përdornin telefonin e burgut për të kryer aktivitete kriminale.

Një metodë tjetër të cilën grupi e kishte përdorur ishte vizita në spitalin e Prishtinës. Gjatë këtyre vizitave sipas Prokurorisë së EULEX-it gardianët i lejonin anëtarët e grupit të takoheshin me persona të tjerë, edhe pse një gjë e tillë nuk lejohet.

“D.H. çdo të martë ka shansin që të shkojë në spital për ekzaminime të pretenduara mjekësore në Spitalin e Prishtinës ku ai zakonisht takohet me anëtarët e grupit,” thuhet në aktakuzë.

“Në një bisedë të datës 3 mars 2016, Shaban Syla e udhëzon djalin e tij L.S. që të takohet me D.H. për t’i pranuar disa dokumente,” shkruan aktakuza.

Në disa përgjime të tjera si ato të datës 2 mars 2016, 3 mars 2016, 5 mars dhe 11 mars 2016, del në pah se si Shaban Syla mundohet ta mbështesë financiarisht Arton Vilën (Minukin) sepse ai është i përfshirë në një rast gjyqësor lidhur me një tokë ku edhe H.B. është i përfshirë dhe se i duhet të paguajë 3500 euro.

Pjesëtari tjetër i grupit Fahredin Gashi, sipas aktakuzës, kishte ndërprerë aktivitetin e tij pas paraburgosjes. Megjithatë, Fahredin Gashi vazhdonte të operonte me biznesin e tij nga Burgu i Dubravës në vitin 2016 dhe këtë e dëshmojnë përgjimet në smartfonin e tij dhe janë provë se ai vazhdonte të ishte i përfshirë në biznesin e tokave në Veternik.

Aktakuza e Prokurorisë së EULEX-it shpjegon se telefonat e Gashit dhe Shpresim Ukës ishin vënë nën përgjim gjatë kohës kur ata mbaheshin në burg.

“Në çdo raport përgjimi që bëhet, çdo 15 ditë vihen në pah biseda që përfshijnë Shaban Sylën, në veçanti biseda me Ilaz Sylën dhe shpesh me djalin tjetër të Shaban Sylës, Leotrimin, në të cilat biseda diskutohen transaksione të tokave. Në biseda përfshihet lokacioni, sipërfaqja e parcelave të tokës dhe çmimet. Shaban Syla shpesh bën referenca në bisedat me Leotrimin për vendndodhjen e dokumenteve në shtëpinë e tij relevante për biznesin e tokave,” thuhet në aktakuzë.

Gjithashtu përgjime ka edhe për komunikimet e Fahredin Gashit me anëtarët e familjes së tij që diskutojnë për transaksione të tokave.

Nga përgjimet e siguruara sipas prokurorisë është shumë e qartë që anëtarët e grupit janë ende në kontakt me njëri-tjetrin.

Një lëvizje interesante sipas prokurorisë është edhe një përpjekje që ishte bërë për të sjellë Shpresim Ukën nga një burg tjetër në burgun e Dubravës dhe sipas prokurorisë kjo me gjasë po tentohej që të riaktivizonte anëtarët e grupit që tashmë ishin në Dubravë si Shaban Sylën, Fahredin Gashin dhe D.H. që të komunikonin në mënyrë më efikase me Shpresim Ukën. Sidoqoftë aktakuza përshkruan se kjo përpjekje nuk u realizua.

Sipas përgjimeve të prokurorisë, kohën e fundit është vënë re edhe një përpjekje për të siguruar një lirim të hershëm për Shaban Sylën dhe Fahredin Gashin nga burgu i Dubravës. Prokuroria pretendon se një lëvizje e tillë do të lehtësonte vazhdimin e biznesit të tokave me lehtësi të madhe.

Grupi prej 22 personash përfshirë deputetin Azem Syla u arrestuan dhe shtëpitë e tyre u bastisën në prillin e këtij viti nën dyshimet për krim të organizuar në shitjen dhe transaksionet me pronat e serbëve dhe pronat e ndërmarrjeve shoqërore. Siç e përshkruan prokurori Italian, grupi kishte arritur të shtrinte ndikimin në Gjykatën Komunale të Prishtinës dhe në Kadastrën e Prishtinës ku disa prona ishin tjetërsuar dhe ishin vënë në emër të anëtareve të grupit.

Avokatët mbrojtës të tyre në vazhdimësi kanë mohuar akuzat e prokurorisë duke pretenduar pafajësinë e klientëve të tyre. Deklarata të tilla janë dhënë nga të gjithë avokatët duke u thirrur në mohimet të cilat klientët e tyre ua kanë bërë pikave të akuzës pas aksionit të EULEX-it.

Aksioni ishte filmuar ekskluzivisht nga kamerat e emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

KALLXO.com në vazhdimet e radhës sjell deklaratat e Azem Sylës, të cilat i ka dhënë para prokurorit Italian për akuzat ndaj tij e po ashtu pjesë të tjera të mesazheve dhe bisedave në mes anëtarëve të grupit.

Loading...
 
Displaying 2 Comments
Have Your Say
  1. M.muharremi thotë:

    Sa turp per ne shqiptaret qe lejuam te na ndodhin keto gjera
    Sa turp

    Përgjigjiuni
    Pelqej(1) Nuk Pelqej(0)
    • Me.muharremi thotë:

      Te gjithe u zhgenjyem me atedheun tone Kosoven ,edhe ne qe jetojme ketu ne Kosove ,edhe bashkeatdhetaret tane qe. Jetojne jashte Kosoves ne diaspore…asnjera pale s pame Dite te bardhe por vetem zhgenjim pase zgenjimi…disa ishin pergaditur shume mire qe kete kenaqesi mose te na ofrojne dhe ja arrijten qellimit

      Përgjigjiuni
      Pelqej(1) Nuk Pelqej(0)

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...