Published On: 24 Tetor, 2016

“Greqia tregoi forcën” Meta: Kotzias u vu në pozitë të vështirë nga Hahn. Nuk ishte mesazh për Shqipërinë

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta e ka quajtur të panatyrshme deklaratën e ministrit të Jashtë të Greqisë Nikos Kotzias për cështjen came, i cili përmendi që Athina vendi i tij ka 10-fishin e GDP-së tonë dhe mbrojtje të disafishtë më të madhe, duke demonstruar forcën.

Gjatë intervistës “5 Pyetjet nga Babaramo”, Meta theksoi vullnetin që ka pasur Kotzias për të përmirësuar marrëdhëniet me Shqipërinë, por shtoi se ai ndodhet në një pozitë të vështirë, presioni edhe nga opinioni publik në Greqi. Meta thotë se kjo deklaratë e Kotzias erdhi pas qëndrimit që shprehu eurokomisioneri Johanes, i cili pranoi se kjo cështje ekzsiston e pazgjidhur mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Qëndrimet që janë shprehur nga Ministri i Jashtëm i Greqisë, në fakt, janë të panatyrshme, duke pasur në konsideratë profilin e tij si intelektual, si profesor, si ekspert i ligjit dhe i të drejtave të njeriut. Duke parë edhe vullnetin e tij pozitiv në tërësi për përmirësimin e marrëdhënieve, por edhe nga takimi që pata me të dhe nga klima që lexova në Greqi në tërësi, kam vënë re se ai personalisht ka qenë në një pozitë të vështirë, sidomos pas deklaratave të Komisionerit Hahn. Sepse ka qenë mjaft i akuzuar nga opozita në mënyrë të veçantë, por edhe nga shtypi dhe opinioni publik sikur nuk i ka mbrojtur siç duhet interesat e vendit të tij.

Mendoj se ka qenë më shumë një intervistë për opinionin  publik atje sesa një mesazh për Shqipërinë, për më tepër që ka qenë një intervistë komplekse që prekte marrëdhëniet me të gjithë fqinjët e Greqisë dhe jo vetëm marrëdhëniet me Shqipërinë. Dihet që Greqia ka marrëdhënie të vështira edhe me Maqedoninë, edhe me Turqinë gjithashtu. Nuk është kjo baza e qëndrimit tonë, pra një reagim i momentit.

Për mua mbetet e rëndësishme që ne të tregojmë vullnet pozitiv për përmirësimin e marrëdhënieve dhe për trajtimin me mençuri të të gjitha çështjeve, duke përfshirë edhe çështjen çame, sepse ne jemi të interesuar dhe vetë komuniteti është çam është i interesuar për zgjidhjen dhe nuk është i interesuar thjesht për retorikë. Pra, duhet të punojmë më shumë për rezultate sesa për të zhvilluar më tej retorikën”, u shpreh Meta.

Pjesë nga intervista

Deklaratën e Komisionerit Hahn e shikoni si diçka rastësore, personale, apo si një ndryshim qëndrimi të Bashkimit Europian dhe sa ndikon ajo në vijim?

Unë nuk mund të flas në emër të Bashkimit Europian, por mund të them se këtë deklaratë e kam parë si një tregues të vullnetit pozitiv të Komisionerit Hahn, edhe si përfaqësues i Bashkimit Europian, për të nxitur zgjidhjen me dialog të çështjeve të së kaluarës, duke përfshirë edhe çështjen çame, ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Ajo që mund të them është se në çdo rast kjo deklaratë është pozitive, por gjithmonë zgjidhja për këtë çështje dhe për çështje të tjera do të vijë pa asnjë diskutim nga një dialog Shqipëri-Greqi Dhe për këtë duhet punuar pa u lodhur.

Ndërkohë, z. Idrizi është shprehur se nuk do të lejojë ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë në Luginën e Vjosës, nëse nuk ndërtohet një memorial për ata që janë viktima të gjenocidit, të shpërnguljes së çamëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ju mendoni se duhet të kemi një qëndrim ndaj Greqisë, të ndërtuar mbi parimin e reciprocitetit apo duhet të kemi frikë nga një veto e mundshme e Greqisë në raport me proceset e integrimit?

Mendoj se në raport me Greqinë duhet të investojmë për të rritur mirëbesimin midis dy qeverive, dy vendeve, dy popujve, sepse më e rëndësishme për ne është të çojmë në vend të gjitha këto padrejtësi që vijnë nga e kaluara, të rivendosen të drejtat e shqiptarëve të larguar nga Greqia dhe për këtë na duhet një klimë sa më e mirë, sa më pozitive, sa më mirëbesuese. /Gazeta Express/

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...