Published On: 28 Gusht, 2017

Gjuha shqipe dhe ripërtëritja e Republikës

Mustaf Veseli

Avenue de la Rochelle 26
1008 Lausanne
Suisse

Kryeminstrit z. Zoran Zaev
Бул. Илинден бр.2
1000 Скопје,
Република Македонија

Lozanë, 28 gusht 2017

Gjuha shqipe dhe ripërtëritja e Republikës

I nderuar z. Kryeministër,

Ardhja juaj në pushtet këtë vit, ngjalli shpresë  të madhe te shumica e qytetarëve të RM-së. Pas gjithë atyre viteve pushtet nga e djathta maqedonase në bashkëqeverisje me shqiptarët e RM-së, më në fund, një orientim tjetër i doli ballë duke e marr të drejtën për të formuar qeverinë e re të RM-së.

Sigurisht se rruga juaj për në pushtet, nuk ishte aspak e lehtë, ngase ishte e shoqëruar me dhunë nga pala VMRO-DPMNE, deri sa u derdh edhe gjak në Institucionin më të lartë të Republikës.

Për të qenë aty ku jeni, nuk do mend se pa votën e shqiptarëve, nuk do zotëronit sot kolltukun e Kryeministrit të Republikës. Gjatë fushatës zgjedhore, gjatë vizitave ndër shqiptarë, gjatë vizitës në Kumanovë dhe vizitave tjera, ju i dhatë sërisht shpresën shqiptarëve mbi imagjinarin kolektiv të Republikës dhe kjo shpresë u kapitalizua edhe me votën e shqiptarëve në favorin tuaj.

Por, fatkeqësisht, nga marrja e pushtetit e deri më tani, ju shkelët mbi dy principe madhore:

  1. moszbulimin e rastit «Monstra» (dhe rasteve tjera) – parapëlqyet heshtjen mbi të vërtetën
  2. moszyrtarizimi i gjuhës shqipe – konfirmim i maqedonizimit të Republikës

Pikërisht shkelja mbi këto dy principe dhe mbi imagjinarin e barazisë që më shitët në Aeroportin e Bazelit në 2015-tën e që sot s’duket, më shtynë që t’ju shkruaj e të mos qëndroj duarkryq përpara kësaj padrejtësie dhe kontinuiteti të modelit të vjetër që sulmon në vazhdimësi imagjinarin e përbashkët – RepublikënZotëri Kryeministër,

Ju jeni të vetëdijshëm se tani është momenti historik për të shpëtuar Republikën, këtë grumbullues imagjinarë diversiteti dhe pluraliteti ; duke e zyrtarizuar gjuhën shqipe (barazuar me gjuhën maqedonase) kësisoji do të rregulloni një herë e përgjithnjë problemin e dy popujve shtetformues. Sigurisht, unë nuk po futem këtu në juridicizëm por vetëm ju flasë për principe që do çonin në marrëdhënie të mira shoqërore në mes dy etnive shtetformuese e duke punuar për një Republikë demokratike dhe sociale, e jo identitare, ksenofobe, raciste dhe intolerante siç është që nga pavarësimi e deri më sot. Mentaliteti arkaik se maqedonasit janë superior ndaj shqiptarëve, e përulën Republikën dhe çon një rrugë të pasigurt në të ardhmen.

Vetë detyra e parë e shtetit është t’i mbrojë qytetarët e vet. E si më mbron mua sot Republika kur më mohon gjuhën në vendin tim autokton, në vendin ku jam shtetformues dhe ku jam përcaktuar për shtet të përbashkët me maqedonasit dhe komunitetet tjera?

Barazia është pra një domosdoshmëri për të mbajtur gjallë Republikën ngase mosbarazia vret idealin demokratik, pra, vret të ardhmen tonë të përbashkët dhe shpresën e Republikës. Në qoftë se hapërojmë për barazi të plotë në mes dy etnive, sigurisht se edhe e ardhmja do jetë më e ndritur duke shpresuar edhe integrimin në BE dhe NATO. Por, mos mendoni se integrimi në BE dhe NATO pa barazimin e plotë të dy etnive do jetë integrim premtues dhe zhvillues. Përkundrazi, ka vende anëtare të BE-së mirë të integruara dhe me ekonomi të fortë, e që në anën tjetër kanë probleme ekzistenciale me popujt e vet.

Definitivisht, parë edhe empirikisht, integrimi në strukturat supranacionale nuk rregullon problemet tona të brendshme, ato duhet t’i rregullojmë ne.

Zotëri Kryeministër,

Mos vritni shpresën e qytetarëve të RM-së, mos vritni idealin republikan, e mos na bëni të ndjehemi se u rrëzuam nga Charybda te Scylla. Shqiptarët ju dhanë votën për të bërë një kthesë historike që s’është bërë që nga pavarësimi – 27 vite që presim.

Gjithashtu, mos rrëshqisni në ekonomizëm ; mos mendoni se duke e rregulluar ekonominë vendore dhe duke i mbushur sadopak xhepat e shqiptarëve, e keni të rregulluar problemin shqiptar. Problemi shqiptar është problem mitologjik maqedonas dhe politik. Në mitologji të fshihet ndryshku racial e të zëvendësohet me barazinë qytetare, kurse në demokraci, të zyrtarizohet gjuha shqipe dhe të njihet statusi shtetformues i shqiptarëve në Republikë.

Në qoftë se këto dy principe nuk i zbatoni në politikën tuaj të ardhshme, dijeni zotëri Kryeministër se rrezikoni idealin republikan dhe bashkëjetesën tonë. Mos harroni, nuk ka popull në historinë e njerëzimit që ka pranuar padrejtësinë. Të mos ngatërrojmë pamundësinë e të revoltuarit me ndjenjën dhe padrejtësinë.

Për këtë arsye, po që jeni republikan i vërtetë dhe një qeveri me memorie, punoni në drejtimin e barazisë duke na bërë të besojmë edhe në të ardhmen mbi Republikën. Mos u kapuni për botën e djeshme, por për botën e nesërme – pra për një Republikë evropiane.

Duke shpresuar se do punoni në pikat e lartpërmendura dhe në ripërtëritjen e Republikës, u uroj zotëri Kryeministër, punë të mbarë dhe shumë shpresë.

Me nderime,

Mustaf Veseli
student

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...