Published On: 30 Gusht, 2017

Gjergj Kastrioti – në kryeqytetin e Dardanisë!

Gani Mehmetaj:  Kujtime (55)

28 nëntor 2001

Ai erdhi maje kalit, me shpatën zhveshur, me gjoksore e përkrenare ngjeshur, në gatishmëri lufte. I turbulloi edhe një herë pas pesëqind e sa vjetësh miqtë e armiqtë.

Ardhja e shtatores së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në qendër të kryeqytetit ishte ngjarje e jashtëzakonshme. Përmendores monumentale, punuar sipas shëmbëllimit me simotrën në Krujë, vepër e skulptorit Janaq Paço, i priu aktiviteti i gjatë këmbëngulëse i Mark Krasniqit, personalitetit të pakontestueshëm që i dha shumë çështjes shqiptare, shkencës, jetës publike e veçanërisht pavarësimit të Dardanisë. Akademik Marku u angazhua më të gjitha forcat për shtatoren e Gjergjit të madh, ndërsa ishte ndër aristokratët e fundit shqiptar me Anton Çettën që vdiq disa vjet më parë pas misionit disavjeçar të pajtimit në mes të shqiptarëve.

Pengesat e ndërskamcat ishin të mëdha, presionet po ashtu, mirëpo prof Marku simbol i rezistencës dhe pedagogu i dashur për studentët e brezit tim dhe të disa brezave të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëroi kohë të gjatë, u bëri ballë të gjitha pengesave “kombëtare” e “ndërkombëtare”.

Ndërkaq, ndërkombëtarët, veçanërisht administrata e UNMIK-ut që u organizua menjëherë pas hyrjes së trupave të NATO-s  ishin të frikësuar, druanin ç’do të thoshte Serbia për shtatoren e Gjergj Kastriotit. Një zyrtare spanjolle e UNMIK-ut me pyeti me droje: si do të reagojnë serbët? Nuk e bëmë përmendoren për serbët, por për shqiptarët, i thash i habitur në pyetjen e saj. Propaganda serbe e ruse ishte e ashpër kundër vendosjes së kësaj përmendore në Prishtinë. Prandaj të gjithë ishin tejet të tensionuar e në pritje të zhvillimit të ngjarjeve.

Rugova e mbështeti Mark Krasniqin me të gjitha mjetet, qeveria që erdhi nga ekzili i dha paratë. Fatbardhësia ishte që në krye të Prishtinës ishte kryebashkiaku Salih Gashi, një burrë i zoti e parimor, po ashtu pedagog universitar.

Ndërkaq, Mark Krasniqi e kishte fuqinë e figurën karizmatike,  ishte urtak që dinte t’i dilte ballë këtij projekti. Ai u priu mbi dhjetë vjet ngjarjeve dramatike, duke e mbështetur Rugovën në politikën e tij të matur e pro perëndimore. Profesor Marku, aristokrati i fundit shqiptar i kalibrit të vjetër, po ua sillte bashkëkombësve shtatoren e mbretit të tyre dhe kreun e aristokracisë arbërore.

Zyrtarët e administratës së UNMIK-ut, mësuan se Gjergj Kastrioti jo vetëm ishte heroi më i madh i shqiptarëve, që simbolizonte bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet, por mësuan se Evropa mesjetare e disa qindra vjet më vonë e çmonte. Serbët kishin mëri të vjetra ndaj  Kastriotit, meqë ua dogji qytetet e katundet gjatë kthimit nëpër Serbi, për shkak se vazalwt serbë të Turqisë, e tradhtuan, duke e vonuar t’i shkonte në ndihmë princit hungarez Janosh Huniadit, që luftonte në Singidinium (Beogradin e sotëm, nën sundimin e princit hungarez).

Koha e ardhjes së shtatore u shty disa herë. Trupat Mbrojtëse të Kosovës morën në dorëzim shtatoren nga kufiri, por e vonuan gati tërë ditën. Asnjëherë nuk e kam kuptuara arsyen e kësaj vonese. Mijëra njerëz kishin ardhur që nga orët e hershme të mëngjesit nga të gjitha territoret  etnike dhe nga diaspora. Aeroplanë special ateronin në aeroportin e Prishtinës e të Shkupit me shqiptarë të shumtë.

Në promovimin e shtatores mori pjesë Rugova krah Mark Krasniqit.

Në Sheshin Qendror që tashmë u pagëzua Sheshi Gjergj Kastrioti rrallë mund t’i shihje shqiptarët aq të emocionuar sa kur erdhi shtatorja e babait shpirtëror të shqiptarëve, sikurse e quajti Mark Krasniqi, Gjergj Kastriotin. Pati murmurima cepave të trotuareve nga ata që nuk e shihnin vetën në gëzimin e përgjithshëm.

Rrugëtimi i shtatores u bë me kamionë special, pastaj duhej të priteshin shtyllat e tensionit të lartë që të mos prekte përkrenarja në to.

Askush më shumë se sa Gjergj Kastrioti nuk na ofronte me Evropën që kësaj radhe na çliruan. Askush më shumë se sa ky hero nuk na bënte ta ndjenim vetën krenar në kontinentin e vjetër. Prandaj shtatorja e arbërorit ë të lavdishëm dëshmonte edhe një herë çlirimin tonë. Vetëm para disa vjetësh nuk mund ta imagjinonim këtë shtatore në zemër të Dardanisë.

Brezat e rinj do të rriteshin me shtatoren e heroit tonë të madh, takimet e të rinjve do të caktoheshin në këmbët e shtatores Gjergj Kastrioti, tubimet do të mbahen në këtë shesh, koncertet e shumta po ashtu këtu do të zhvillohen, miliona fotografi nga sheshi me prapavijë Skënderbeun do të merrnin botën.

Sheshi Gjergj Kastrioti do të bëhet strumbullari e zemra e kryeqytetit dardan.

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...