Published On: 26 Gusht, 2017

Fushata zgjedhore nën hijen e vrasjeve e rrëmbimeve

Gani Mehmetaj: (Kujtime 50)

Komandant Drini (Ekrem Rexha) u vra me  8 maj 2000 në rrethana të pasqaruara. Dyshohej se e vranë pjesëtarët e UÇK-së. U arrestuan dhe u akuzuan disa pjesëtarë të UÇK-së, por “në mungesë provash”, gjyqi i UNMIK-ut i liroi, kurse urdhërdhënësi nuk u gjet. Pas kësaj vrasje, Prizrenin e mbërtheu frika e terrori. Krimi i organizuar u bë emblema e qytetit.

Në Kosovë u krijua një situatë absurdi: njëri grup festonte me zjarre, manifestime e fjalime mbi varrin e Adem Jasharit, grupi tjetër i të njëjtit komb varroste veprimtarët e vet që dikush ia vriste në prita, në shkallë të banesave, në rrugë a në rrugica. Njëra palë festonte me gota rakie kur vritej një komandant, gazetar a figurë politike, ndërsa familjeve të të vrarëve nuk u mbetej asgjë tjetër, pos të mallkonin dhe të shpresonin në drejtësi. Ndërkaq, qetësia e drejtësia e kishin braktisur Kosovën.

Jeta paralele e pjesëtarëve të të njëjtit komb, aq e kundërt, megjithëse një vjet më parë patën të njëjtën fatkeqësi nga okupimi e terrori serb, nuk u bënte përshtypje shumicës së medieve që i bënin lëvdata “fitimtarëve”.

  1. Haxhiu në një shkrim në “Kohën Ditore” me t’u publikuar një sondazh i Institutit Ndërkombëtar të Gallupit, ku thuhej se LDK-ja do të fitonte shumicën e votave sulmoi me një fjalor rrugaçësh simpatizantët e LDK-së, të cilët i quajti frikacakë, sepse nuk do të votonin partitë e dala nga lufta. Në vazhdim ky burizan i Surroit, që dy vjet më parë ishte ndërmjetës në mes të shërbimit të fshehtë serb e shqiptarëve të mbetjes jugosllave, shkruante se ata që nuk e votojnë PDK-në nuk po e duruakan marshin fitimtar të UÇK-së! Fjalori i tij ishte i ulët, i dhunshëm, puthadorë,  pikonte përulësi të pështirosur. Pse u vardisej aq shumë “partive të dala nga lufta” ky argat i djallit? Çka fshihte dhe kujt i druante, nuk qe vështirë të dihej. Vetëm pak u përqendrove në vajtjet e tij të shpeshta në Beograd gjatë kohës së okupimit, do ta kapje përpjekjen e kamuflimit. Flitej për bashkëpunim me një oficer serb zbulimi. Ndërkaq, dihej fare mirë se njerëzit mëkatarë, partitë e dala nga lufta i rekrutonin, duke i ndërsyer kundër shqiptarëve me mendime të pavarura.

Numër jo i vogël i gazetave nuk e bënin punën me paanësi. Ende pa filluar si duhet fushata, “Koha Ditore” në vend se ta mbështeste fushatën, pra edhe pavarësinë, sepse kërkohej legjitimimi i atyre që do t’i udhëhiqnin komunat, e bënte të kundërtën. Në një shkrim të kësaj gazete, thuhej: “Liderët shqiptarë në vend se të  premtojnë më shumë rrugë, më shumë semaforë, ata premtojnë pavarësi”. Ndërkaq,  pavarësia qe fondamenti i kërkesave të shqiptarëve, sepse vitet po ecnin, rrëmuja e kaosi vazhdonte, ndërsa disa qarqe ndërkombëtare pajtoheshin që ta fusnin vendin sërish nën zgjedhën e Jugosllavisë.

Analistët fallxhorë, parashikonin se PDK-ja do të fitonte mbi 40 për qind, duke profetizuar disfatën e LDK-së. Ata e dinin se po gënjenin, këtë gjë e dinte edhe gazeta “Zëri ditor”, që botonte gënjeshtra, por i bënin elozhe të pështirosura PDK-së, e sidomos AAK-së.  Kjo gazet burizan e B. Shalës, çirrej në kupë të qiellit.

Për ligësi shkrimi kundër Rugovës shquhej B. Haxhiu i V. Surroit, ish pretendenti i politikës pro jugosllave që krijoi grup “analistësh” në “Kohën ditore”  duke i cytur në garë se kush do ta hidhte pështyhem më larg.

Një ish gazetar i kësaj gazete kur kaloi në Radio Prishtina me tha: për asgjë tjetër nuk pendohem në jetë, pos pse pranova të bëhem instrument i Surroit kundër  Rugovës, ndërsa kur e takova presidentin ai rrezatonte mirësi e mençuri. Nuk i kishte mbetur hatri që e kisha sharë, me trajtonte me dashamirësi sikur të mos kisha shkruar fare shkrime të pështirosura.

Në një raport nga Peja, korrespodenti i gazetës “Koha…” Adriatik Kelmendi shkruante  sikur pejanët janë të papërcaktuar kë ta votojnë, apo, sipas tij, madje ka mundësi të mos votojnë fare. Është e vërtetë se në Pejë gjendja e (pa) sigurisë qe më e rënda në Kosovë, një gjendje kaotike me shumë të vrarë e të plagosur, me mafi të organizuar, me krim që lulëzonte pa e penguar askush, por kryesisht vriteshin njerëzit e LDK-së, prandaj pejanët më shumë sesa të tjerët ishin të interesuar të votonin e ta hiqnin qafe krimin e organizuar. Instituti i Gallupit parashikonte se Peja do të jetë qyteti me përqindjen më të lartë të votuesve për Ibrahim Rugovën. Pse e mashtronte për të kundërtën opinionin korrespodenti nga Peja?

Kur nisi fushata zgjedhore, gazeta e V. Surroi nisi botimin e një fejtoni të Xhejms Rubinit, duke përzgjedhur pjesët pikante të protagonizmit. Edhe kjo ishte pjesë e fushatës pro PDK-së e kundër LDK-së, sidomos ai kishte mos durim prej të sëmuri ndaj Rugovës, megjithëse më asgjë nuk i afrohej presidentit të Kosovës.

Surroi në gazetën e tij e bëri yll kreun e PDK-së, i vardisej, e përkëdhelte, i lëpihej, kështu që u bë burizan si të ishte zëdhënësi i tij personal. Gjatë verës së kaluar nuk i shqitej në paraqitjet publike, shëtiste me te nëpër korzo që ta shihnin të tjerët, ecte si ngrehaluc në krahun e djathtë të drejtorit politik të UÇK-së.

Fushata zgjedhore vazhdonte, pavarësisht  se ç’shkruanin gazetat, pavarësisht kë e mbështesnin.

Në disa tubime foli miku dhe kolegu im i Rilindjes, Xhemail Mustafa. Ai i ndenji afër Rugovës, duke e ndihmuar në shumë situata e veprime. Ishte këshilltar i presidentit, por edhe njeriu më i afërt i tij. Në Vushtrri, ku foli ai, pati telefonata anonime për vënien e bombës në sallën e sporteve, prandaj tubimin e mbajtën në rrugë simpatizuesit e LDK-së.

Kur dolën rezultatet, që tregonin qartë se LDK-ja fitoi mbi 60 për qind, titulli i dëshpëruar i një gazete vajtonte ” Fitoi LDK-ja dhe inercioni”.

Kur u mësuan rezultatet përfundimtare, në fillim të nëntorit, u vra Haki Ymeri, anëtari i Kryesisë së LDK-së në Skenderaj. Vrasja u bë sipas një skenari të ngjashëm me të gjitha vrasjet e tjera. Hetimet u bënë po ashtu shkel e shko, vrasësi a vrasësit nuk u gjetën, por as që u kërkuan.

Miku im Sinan Gashi, shkrimtar, më tregoi fatin e tij tronditës, por shumë më i lehtë sesa ai i zyrtarëve të tjerë të LDK-së që i vranë. Shkrimtarin e zgjodhën kryetar të Degës së LDK-së në Gllogovc para luftës. Meqë e vunë në thumb policia serbe, e morën një ditë dhe e keqtrajtuan aq sa menduan se e vranë. Por ai mbeti gjallë, e mbijetoi luftën, vazhdoi veprimtarinë politike, krahas krijimtarisë letrare. Pas çlirimit një natë erdhën disa burra me maska, e morën me vete mu si policët serbë, e dërguan në mal, e torturuan dhe e rrahën për vdekje. E lanë aty duke menduar se me kaq e pati puna e tij, mu si policët serbë para lufte. Por ai prapë mbeti gjallë. Si në rastin e parë të torturave nga policia serbe, si në rastin e dytë të torturave nga shqiptarët me maska doli me pasoja. Serbët ia dëmtuan njërin sy, shqiptarët ia dëmtuan syrin tjetër. “Më së rëndi më vinte kur e dëgjoja zërin e ish-nxënësit tim, përderisa përpiqej të më mbyste”, rrëfente ai. Miku im ishte profesor në gjimnazin e qytetit.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...