Published On: 18 Maj, 2017

Frika e PDK-së nga humbja e sigurt në zgjedhje

Sylejmon Lokaj

Sa herë që organizohen zgjedhje në Kosovë, në skenën tonë politike të stërngarkuar me numër enorm të subjekteve politike, ndodhin veprime e mirren vendime të papritura, të cilat votuesi i Kosovës e ka të vështirë t’i akceptojë. Edhe më heret ka pasur vlerësime, që Kosovës i nevoiten dy eventualisht tri grupime politike më të mëdha, të cilat i bashkon orientimi politik si dhe programet, në mënyrë që votuesi ta ketë më të lehtë përcaktimin e tij. Pra, në kushte normale lidhja e koalicioneve para dhe pas zgjedhjeve, është qështje e vendimeve autonome si dhe interesave të subjekteve politike.

Epilogu i definimit të koalicioneve parazgjedhore për zgjedhjet e 11 Qershorit, ka treguar qartë skenarin e PDK-së të pregatitur shumë më heret, në rend të parë me idenë e “mocionit”, si një mjet për “vetërrëzimin” e qeverisë dhe shkeljen e marrëveshjes me partnerin e saj kryesor LDK-në. Nga dinamika e ngjarjeve që pasuan me ndërtimin e koalicioneve, u pa qartë se ajo edhe para dërgimit të mocionit në seancë parlamentare veç kishte arritur marrëveshje me pothuajse të gjitha partitë më të vogla në vend. Edhe kjo mund jetë legjitime për një subjekt politik, i cili nuk e ka problem nivelin e seriozitetit të sjelljes brenda skenës politike. Përvoja e deritashme tregon se ky subjekt politik edhe në të ardhmen është i gatshëm, që për interesa të veta meskine, këso skenare të provojë edhe me të tjerët.

Koalicioni i lidhur në minutat e fundit, kur po skadonte afati e dorëzimit të koalicioneve dhe subjektve garuese në zgjedhjet e 11 Qershorit në KQZ, me koalicionin AAK-Nisma, vjen si rezultat i frikës së PDK -së nga humbja e sigurt në zgjedhje, pas nënshkrimit të koalicionit të LDK-së me AKR-në dhe kjo frikë permanente nuk do ta lë të qetë asnjëherë atë.Se ku është burimi i gjithë kësaj frike, se pse PDK-ja nuk guxon të mbetet në opozitë mbetet të shifet.Të themi të vërtetën ajo më së tepërmi ka treguar konstruktivitet dhe i ka kontribuar vendit gjatë mandatit të Legjislaturës së dytë 2004-2007, kur mbeti në opozitë.

Si do që të jetë sot dihet se në zgjedhjet që po na presin subjketet politike shqiptare, për herë të parë po hyjnë me dy koalicione të mëdha, të cilat i përfaqësojnë LDK-ja dhe PDK-ja si dhe VV- ja si subjekt i vetëm. Secili nga këto grupime politike i ka bërë llogaritë e veta për rezultatin në zgjedhje, mirëpo vendimin e merr sovrani më 11 Qershor. Edhe në fazat e mëhershme kur janë lidhur marrëveshje të koalicioneve, vlerësimet dhe komentet kanë qenë të ndryshme, pra disponimi ka qenë për dhe kundër, varësisht nga kampi politik. Pavarësisht se cili do të jetë rezultati përfundimtarë në këto zgjedhje, një gjë vërehet lehtë se humbësi më i madh do të jetë PDK-ja, kurse fituesi më i madh LDK-ja. Ç’ është e vërteta kombinimi PDK-AAK-Nisma, është një koalicion i natyrshëm, i cili ka mundur të ndërtohet edhe në faza të mëhershme dhe kjo nuk duhet ta preokupojë askend, sepse ata përfaqësojnë të njejtin orijentim, kurse sa u përket disa partnerëve të tjerë të vegjël, që ekzistencën e tyre e shofin nën ombrellën e PDK-së,disa prej tyre edhe janë të papërfillshme, por edhe disa të tjera që nuk kanë asgjë të përbashkët me te, sa i përket orijentimit të deklaruar politik. Pra, frika nga humbja në këto zgjedhje e ka bërë PDK- në të rrëshqas nga identiteti partiak me të cilin ajo është krenuar gjithmonë. Kështu pjesmarrja e saj me një përqindje aq të papërfillshme në listën e saj për deputet e të mos flasim për ndarjen e “rriskut” për poste të tjera, e bën atë të parëndësishme në krejt këtë kombinim dhe irrituese për votuesit e saj militantë,

Në anën tjetër Koalicioni i lidhur në mes të LDK-së me AKR-në dhe Alternativën, po ashtu është shumë i natyrshëm, sepse anëtarësia e tyre është kryesisht e LDK së, një pjesë e së cilës në faza të ndryshme ose e ka braktisur LDK-në, ose LDD-në. Pra, duke qenë anëtarësi kryesisht e të njejtit orijentim dhe drejtim politik, ata e kanë më të lehtë dhe kanë shumë më shumë motiv për t’u mobilizuar në kauzën e fitores, si në kohën e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Janë edhe dy elemente të tjera qenësore, që unë i shof si përparësi të këtij koalicioni. E para kandidati i nominuar i LDK-së, i përkrahur nga të gjithë partnerët, Dr.Avdullah Hoti, si një personalitet i pastër para së gjithash nga i cili nuk mund ta drejtojë gishtin askush, pastaj shkollimi dhe karriera e bujshme profesionale, sukseset e jashtëzakonshme të arritura si Ministër i Financave në Qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, si dhe elementi i dytë që e bën këtë koalicion me përparësi janë padyshim edhe prurjet e reja të cilat këto ditë iu bashkuan LDK-së , si Lumir Abdixhiku, Driton Selmanaj e të tjerë, të cilët vetëm mund të peshojnë sa parti të caktuara. E thash edhe në një rast tjetër se LDK-ja veçanërisht duhet të jetë e kujdesshme në hartimin e listës përfundimtare për deputetë nga radhët e saj. Përfshirja në listë e personaliteteve me ndikim, që e kanë bërë historinë e bujshme të LDK-së që nga themelimi, përfshirja e deputeëve me fuqi të madhe të votës të dëshmuar në zgjedhjet e kaluara si dhe e ministrave e zv.ministrave të suksesshëm, e bën atë që ta ruaj identitetin e vet politik, si dhe nuk do të krijojë situata të pakënaqësive eventuale tek votuesit, të cilët mund t’i kthehen bumerang asaj. Deri më tash hapat e ndjekur nga LDK-ja, natyrisht japin shpresë për një “finale” të suksesshme, strukturat e LDK-së në secilin nivel duhet t’u kthehen veprimeve konkrete dhe të mos humbin kohë shumë me komente e “anketa” në rrjete sociale, sepse ato nuk sjellin asgjë produktive.

Ndoshta deri në fund të procesit mund të na presin edhe befasira të tjera. Veç le të jenë në të mirë të Kosovës dhe qytetarëve që po i mban shpresa për ditë më të mira.

 

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...