Published On: 23 Prill, 2017
Bota |

Franca voton, Europa mban frymën

Populistja e djathtë, Marine Le Pen pritet ta kalojë pa asnjë problem pengesën e parë për në pallatin presidencial në zgjedhjet e 23 prillit në Francë. Ajo mund të bllokohet vetëm në balotazh, por nga kush?

Gara për zgjedhjet presidenciale në Francë është hapur. Sondazhet u japin katër konkurrentëve – nga të 11 kandidatët e paraqitur – shanse reale për të kaluar në balotazh më 7 maj. Ndërsa dy kandidatë, populistja e djathtë e Frontit Nacional, Marine Le Pen dhe liberali Emmanuel Macron, që ka dalë në votim me një parti të re, shihen prej javësh si pretendentët kryesorë. Sondazhet nxjerrin herë Le Pen e herë Macron si fitues. Edhe radikali i majtë, Jean-Luc Mélechon dhe konservatori Francois Fillon kanë shanse të mira, me disa pikë pas dy rivalëve kryesorë.

Stephane Wahnich, i specializuar për votimet në Francë paralajmëron në intervistë me DW: “Në thelb nuk dimë gjë të saktë. Në Francë kemi shumë votues të pavendosur. Gati një e treta e tyre vendos në ditën e zgjedhjeve se kujt do t’ia japë votën’. Profesori për studimet e elektoratit ankohet, se elektorati francez nuk është më i stabilizuar, duke shtuar se kjo e bën të vështirë edhe dhënien e prognozave. “Në këtë fushatë zgjedhore po mbivlerësohen sondazhet”, thotë ai.

Kombinimet e mundshme

Populistja Le Pen dështoi në zgjedhjet e vitit 2012 në raundin e parë. Kësaj here ajo duket se e ka të sigurtë balotazhin. Partia socialiste ende parti qeverisëse me presidentin jo popullor Francois Hollande nuk luan rol më në këtë fushatë. Edhe kjo është një risi në politikën franceze. E Majta është e përçarë si kurrë më parë. Nga ana tjetër të habit ngritja në renditje e komunistit të vjetër, Jean-Luc Mélenchon, që gëzon popullaritet veçanërisht tek të rinjtë me parulla kundër BE-së dhe tatimit 100% të të pasurve. Ai refuzon globalizmin dhe tregtinë e hapur. Publicisti Alfred Grosser e shpjegon në Deutschland Funk popullaritetin e Mélechons me aftësinë e majtistit për t’iu dhënë të rinjve mundësinë për revoltë përmes votës.

Le Pen do të largohet ne BE dhe NATO

Kurse Marine Le Pen ka punuar në këtë fushatë me të njëjtat metoda si presidenti Donald Trump. Ajo nxiti frikën dhe premtoi izolimin, si rikthim në kohët e mira. “Kufijtë kombëtarë do të rivendosen”, deklaroi Le Pen para përkrahësve të saj që brohorasin. Ajo dëshiron të bllokojë imigrimin, qoftë ai legal apo ilegal. “Shikoni botën që po ndryshon para syve tuaj. Po vjen diçka e re, dhe unë jam personi i duhur, që flet në emër të Francës. Ky është shansi ynë.” Le Pen do të largohet nga BE dhe NATO, dhe nuk është e vetme me qëndrime të tilla.

Vetëm liberali Emmanuel Macron paraqitet si proeuropian i flaktë, një ish-socialist, që me moshën 39-vjeçare është kandidati më i ri në garën presidenciale. “Unë mbroj Europën e shteteve sovrane. Sovranitet do të thotë në raste konkrete të mbrojmë shpirtrat tanë dhe vlerat tona. Nuk mund t’ia lë idenë e sovranitetit të djathtëve ekstremë, të majtëve ekstremë dhe gënjeshtrave të tyre”, tha Macron në një fjalim në Berlin në janar të këtij viti.

Partitë tradicionale në krizë

Kandidati konservator, Francois Fillon ka humbur shumë pikë në elektorat, pas bërjes publike të skandalit për punësimin në hije të familjarëve të tij në kurriz të fondeve publike. Fillon, që ka një lloj skepticizmi ndaj Europës, ka pak shanse të dalë në balotazh. Në fushatë ai sheh politikën buxhetore gjermane si arsye të dobësisë ekonomike të Francës. „Gjermanët nuk mund të mbajnë superficitet e tyre buxhetore, në një kohë, kur ushtarët francezë rrezikojnë jetën në Sahel për të luftuar terrorin dhe islamizmin. Gjermanët duhet të pranojnë, se duhet të marrin pjesë më shumë në operacione ushtarake dhe të ndajnë përgjegjësinë europiane” , tha Fillon në një debat televiziv.

Por nga skandalet nuk ka shpëtuar as Marine Le Pen. Ajo akuzohet për keqpërdorim të fondeve të parlamentit, por këto skandale me sa duket kalojnë pa u vënë re tek përkrahësit e saj.

Në fund Macron?

Pas raundit të parë të votimeve të së dielës, duket se sa ka disa mundësi kombinimi për balotazhin. Më i mundshmi është dueli Macron-Le Pen. Nëse kjo ndodh, atëherë Macron mund ta mundë Le Pen në balotazh, me 65% kundrejt 35% të votave. Publicisti Alfred Grosser megjithatë thotë se nuk ka ndonjë garanci për “suksesin e votimit të të arsyeshmëve”. Edhe profesori francez Wahnich është i kujdesshëm. “Nëse sondazhet e shohin Macron si fitues të qartë në një balotazh kundër Le Pen, dhe shtypi po ashtu e nxjerr fitues, ka gjasa që realisht të ndodhë diçka tjetër.”

Prognozat që e nxjerrin Macron fitues, mund të bëjnë që shumë votues të mos shkojnë në balotazh për të votuar për Macron. Liberali Macron si politikan i ri nuk ka ende një bastion votuesish të tijin, ndryshe nga përkrahësit e Le Pen, që janë votues mjaft besnikë. “Në këtë rast do të përjetonim një surprizë dhe Marine Le Pen do të zgjidhej presidente”, thotë eksperti francez.

Në vitin 2012 pjesëmarrja në votime ishte 80%, ose 35 milionë vetë. Kësaj here parashikohet një rënie në 65% duke i bërë edhe më të vështira prognozat. Rezultatet e para priten rreth ores 20:00. /DW

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...