Published On: 24 Prill, 2017

FORUM/ A është më e favorizuar sot një femër për postin e Presidentit?

 

Flasin, Valter  Memisha, Prof. Alfred Frashëri, Llaqi Nako-baletmaestër-poet, Erion Kristo- pedagog UMB, Luftar Paja-Artist i Popullit, Margarita Xhepa-Nderi Kombit, Alida Hisku, Klodeta Dibra, Marjeta Zaçe (Pronjari), Ermira Pirdeni

 

Nga Albert Z. ZHOLI

 

Më datën 12  prill, kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, i ka dërguar një letër kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ku i kërkon nisjen e procedurave për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Ruçi në letër kërkon që Konferenca e Kryetarëve të mblidhet më 13 prill, ndërsa më tej propozon që raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të jetë më 19 prill. Po atë ditë, fill pas kërkesës së Ruçit,  Drejtoria e Shërbimit Juridik pranë Kuvendit të Shqipërisë sqaroi se nisja e procedurave për Presidentin e ri bëhet nga data 13 prill deri më 9 korrik 2017. Në letrën që i dërgon Metës, Ruçi shkruan: “Kërkoj që Kuvendi i Shqipërisë të fillojë procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Shqipërisë më datë 13 prill 2017.

Mbi sa më sipër, më lejoni që nëpërmjet kësaj shkrese, në zbatim të pikës 2 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, t’Ju parashtron kërkesën time për thirrjen e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve më datë 13 prill 2017 në orën 10:00 me rend dite;

1-fillimin e procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë;

  1. Përcaktimin e datës së raundit të parë të votimit për Presidentin e Republikës së Shqipërisë”.

Ndërkohë, sa i përket raundit të parë të votimit për zgjedhjen e presidentit të Republikës, në përputhje me parashikimet kushtetuese të sipërcituara, propozoj që votimit të kryhet në seancën plenare të posaçme më datë 19 prill 2017”. Pra, situata e përgatitjes së zgjedhjeve parlamentare ndodhet në një periudhë kur fillojnë procedurat Juridike për zgjedhjen e Presidentit të ri.  Në pamje të parë duket se zgjedhja e Presidentit do të jetë më e lehtë përpara vështirësive që po kalon deri tani përgatitja për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Tensioni i këtyre zgjedhjeve dhe nxehtësia që përcillet për votimin e Reformës në Drejtësi duket sikur e ka zbehur rëndësinë por dhe vështirësinë e zgjedhjes pa andralla të Presidentit të ri. Sipas shumë debateve në media, presidenti aktual Nishani ka shumë pak gjasa që të konkurrojë për një mandat të dytë, ashtu sikundër ende nuk qarkullon një emër nga opinionistët dhe partitë, përveç lakimit të emrit të Mimi Kodhelit, e cila thuajse është gjysmë e zyrtarizuar nga PS. Nga vetë situata në të cilën ndodhet Shqipëria, nga vetë tensioni i madh politik mes dy partive të mëdha, zgjedhja e një Presidenteje femër do të ishte rruga më e drejtë, më e arsyeshme dhe më e butë në këtë ashpërsi politike shqiptare.

 

Pse një femër Presidente?

Prezantimi në publik është një armë e fortë e femrave. Ato e dinë mirë se çfarë iu përshtatet dhe se si duhet të sillen në publik. Kanë arritur rezultate në këtë drejtim dhe janë shumë më të buta në debate dhe i shmangin konfliktet.  Një tjetër virtyt shumë interesant femëror është edhe mirënjohja, cilësi për të cilën sot ne shqiptarët kemi shumë nevojë ta ndjejmë dhe provojmë. Por edhe pse janë këto cilësi aktualisht është shumë e vështirë për një grua në Shqipëri që të marrë pjesë aktivisht në politikë. Edhe pse ka disa modele pozitive nga të gjitha partitë politike, shumica e grave ballafaqohen me një frymë të ashpër politike në Parlament por dhe debate publike. Dominimi i Parlamentit Shqiptar dhe i politikës nga burrat e bën gjuhën politike shpesh të vrazhdë dhe të dhunshme dhe një model i tillë  nuk ju shkon grave përshtat në shumë raste. Gjuha e ashpër dhe  e vrazhdë që përdoret,  gratë në parlament e shohin si një nga problemet e tyre më të mëdha. Por sot është më koha më tepër se kurrë që Shqipëria të ketë një grua presidente. Me nënshkrimin e Traktatit të Amsterdamit më 1997-ën u shënua një kthesë e fuqishme lidhur me promovimin e të drejtave të barabarta ndërmjet grave dhe burrave, si një detyrë themelore e BE-së. Në fakt, ideimi i barazisë gjinore ka një histori po aq të vjetër sa dhe vetë ajo e Bashkimit Europian të cilat fillojnë  me Traktatin e Romës  në vitin 1957. Më tej ecuria e dimensionit gjinor në legjislacionin e Bashkimit Evropian ndoqi një rrugë të gjatë dhe gradualisht të suksesshme, duke prezantuar direktiva, rregullore, rekomandime e vendime me qëllim arritjen e krijimit të një bashkësie evropiane pa dallime gjinore. Kjo është njëra anë, ana tjetër është mentaliteti i politikës shqiptare, i vetë popullit, që në këtë amulli ashpërsie të gjuhës politike, një grua shihet si e pazonja ti bëjë ballë, por në fakt, është po kaq e domosdoshme që për ti shpëtuar kësaj situate, vetëm një grua mund të qetësojë revanshin e ashpërsisë së politikës shqiptare. Një grua Presidente është zgjidhja më e mirë në situatën në të cilën ndodhet klima e acartë politike shqiptare. Ja si shprehen,

Valter Memisha- Shef i katedrës Gjuhë-Letërsi, UT

 

Jam i një mendjeje me ty, se Shqipërisë më shumë se kurrë i duhet një presidente femër. Një zgjedhje e tillë do të tregojë një shkallë të lartë qytetërimi, emancipimi, kulturimi, do të tregojë një profil evropiano-perëndimor të shoqërisë sonë di dhe një shkallë pjekurie e besimi për ta çuar në duart e një zonje / zonjushe drejtimin e shtetit. 2. Në kuadrin e gjendjes politike do të isha për një presidente nga e djathta shqiptare. Përzgjedhja ime: Majlinda Bregu. Ka formim shumë të mirë intelektual, ka kulturë juridiko-parlamentare, ka bonsens në marrëdhëniet politike, di të qëndrojë mbi palët kur shtrohen çështje parimore e përcaktuese për vendin e shoqërinë. Është vizionare. Pas saj, me të njëjtin profil vetjak, shoqëror e politik do të vija Mimi Kodhelin nga e majta. Të uroj gjithë të mirat.

Prof. Alfred Frashëri

 

Duke qenë larg politikës, nuk kam menduar për zgjedhjen e presidentit, aq më tepër se realisht popullin nuk e pyet  njeri këtu në vendin tonë.

Parimisht, edhe gratë mund të drejtojnë shtetet, të jenë edhe presidente, edhe ,  edhe mbretëresha. Këtë e vërteton historia mijëvjeçare e njerëzimit. Edhe Iliret kanë patur Teutën.

Nisur nga pyetja që më bën, unë mendoj se në përgjithësi presidenti duhet të dalë dhe të zgjidhet nga populli. Kur e zgjedhin partitë, siç bëhet tek, shteti është në realitet një shtet parti, siç është në diktaturë, ku presidentin, kryeministrin, ministrat i zgjedh në të vërtetë kryetari i partisë, me listat e mbyllura.
Ka me siguri edhe në Shqipëri gra intelektuale me të gjitha virtytet dhe cilësitë që duhet të ketë presidenti. Por nga gratë që merren aktualisht me politikë nuk kam parë asnjë, që mund të jetë presidente e vendit.

 

Llaqi Nako, baletmaestër-poet

 

Aktualisht një presidente femër mund të ishte shuam më shumë e ekuilibruar se një mashkull. Njëkohësisht për mendimin tim do të jetë dhe më shumë e ekuilibruar dhe gjithë përfshirëse. Në këtë këndvështrim jam i mendimit se femra presidente mund të ishte më e imunizuar për të qenë mbi çdo palë.  .Gjykoj se presidente femër mund  të ishin Mimi Kodheli, Arta Dade, dhe  Majlinda Bregu.

 

Luftar Paja, Artist i Popullit

 

Për mendimin tim duhet patjetër një Presidente femër në këtë situatë kaq të egër që është situata politike në vend. Një femër është më e butë, më paqësore, nuk përdor fjalor ordinere, tregohet më e vetëpërmbajtur, nuk mund të bëhet lehtë palë.  Shikoni dhe në Kuvend, femra është më e ekuilibruar, më e saktë dhe flet pak dhe saktë. Edhe kur kacafyten meshkujt ato rrinë të tërhequra dhe me flasin me shumë takt. Për mendimin tim femra e parë si presidente duhet të jetë Mimi Kodheli, pastaj Valemntina Leskaj dhe Lejla Pernaska.

 

Margarita Xhepa, Nderi Kombit

 

Patjetër  sot më tepër se kurrë presidentja e Shqipërisë duhet të jetë femër. Femra, nikoqire shtëpie, ka si ndjenjë mëmësinë, ka në shpirt atdhedashurinë,. Femra shqiptare është e zonja për çdo gjë, për punë, e ditur, e pastër, korrekte, trime, vizionare, plot mendim. Kur dëgjoj gratë shqiptare në parlament vetëm atëherë dëgjoj me vëmendje. Kurrë nuk fyejnë. Të kujdesshme, të çiltra. Sikur të ishin të gjithë deputetët si deputetet femra, beson se politika do të ishte shumë herë më e butë, shumë herë. U ka lezet fjala. Plot etikë dhe të bukura, femrat shqiptare meritojnë shumë më shumë se sa u kanë dhënë.  Për mendimin tim Mimi Kodheli dhe Jozefina Topalli janë dy nga gratë që e meritojnë atë post. Të gjithë duhet të punojmë dhe të japim mendimin tonë që sot më tepër se kurrë Shqipërisë i duhet një femër presidente.

 

Alida Hisku, “Mjeshtre e Madhe”

 

Patjetër që duhet femër. Shikoni kancelarin gjermane Merkel. Që kur erdhi ajo grua zonjë në krye të Gjermanisë, vendi u bë më i zhvilluar, politika më e ekuilibruar, mirëqenia më e mirë. Serioze, korrekte e pa korruptuar është bërë shembull në gjithë botën. Asnjë fjalë për korrupsion si ka dalë në dy mandate dhe sërish e kërkojnë të jetë në krye. Edhe femrat shqiptare janë po kaq të zgjuara, po kaq të afta, po kaq vizionare. Vetë shoqëria civile shqiptare duhet ta kërkojë me ngulm këtë gjë. Patjetër që duhet të jetë ajo e para për të bërë një hop cilësor në politikë. Femra në Gjermani respektohet shumë. Vlerat e saj janë të mëdha. Ndaj duhet ti kthejmë sytë në botë që të marrim shembullin më të mirë. Shembuj ku shtete drejtohen nga femrat ka shumë. Ne duhet ti bëjmë prezentë ato. Për mendimin tim Mimi Kodheli dhe Majlinda Bregu janë politikanet më të ekuilibruara. Për mua ato e meritojnë pasi përfaqësojnë denjësisht femrën shqiptare.

 

Erion Kristo, pedagog UMB, gazetar TV SCAN

 

Sot, kur bota mashkullore e ka çuar në rrënim vendin tonë në të gjitha pikëpamjet, duke shkatërruar marrëdhënien me jetën, duke shkatërruar shtetin, duke shkatërruar politikën, duke shkatërruar ekonominë, duke shkatërruar trashëgiminë, duke shkatërruar median, e shumëçka, besoj se një qasje krejt e ndryshme do të ofronte një mundësi më shumë për më mirë. Nëse do ta zgjedhim presidentin nga zhgani mashkullor, do kemi më shumë shanse të përsërisim gabimet tona. Vetëm një risi, vetëm diçka e papërlyer, diçka e rafinuar, siç mund të jetë një grua, do të sjellë përmbysjen e madhe që kërkojmë. Një grua do të jetë një shpresë më e madhe. Ajo do paqtojë. Dhe pikërisht për paqtim kemi nevojë. Ajo nuk do korruptohet. Dhe pikërisht për një njeri të drejtë kemi nevojë. Një njeri pak më të ndjeshëm ndaj halleve tona duam në krye të shtetit, jo një burokrat apo shërbëtor 71 votësh të politikës. Një grua mund të na bëjë të dukemi më seriozë edhe në sytë e botës që tërë kohës tallet me ne, për shkak të sjelljeve tona qesharake. Dhe nuk duam një grua politikane, sepse tanimë ato u përkasin klaneve luftarake politike. Duhet demilitarizuar institucioni i Presidencës, duhet humanizuar, duhet qytetarizuar. Duhet një institucion që të mos shpërndajë medalje si automat Koka-Kole. Duhet një institucion që t’u rrijë më pranë fëmijëve, rinisë, grave, moshave të pjekura, si një institucion morali. E di që kjo që po them është blasfemi totale në kohërat e paharrueshme të hashashit, por qofshin të mallkuar njerëzit që nuk ëndërrojnë dhe nuk shpresojnë, edhe në greminën më të thellë ku ndodhen. Lidhur me emrat, nuk do të doja që kjo nismë kaq fisnike të shndërrohej në një pazar qokash. Po unë njoh shumë gra fisnike e me kontribute në shoqëri: Zamira Çavo, Sevim Arbana, Sonila Meço, e shumë të tjera gjithashtu, ndoshta dhe më të mira se sa këto. Nuk po them që këto të jenë kandidate, por po them, që gra me kontribute, pra që i kanë dhënë shoqërisë, kemi. Ka ardhur koha që të japin kontribute më të mëdha, për mbarë shqiptarinë. Një Presidente zonjë, do ta bënte më të bukur emrin shqiptar, për gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

 

Angjelina Xhara, skenariste

Një Presidente femër për Shqipërinë do të ishte një drejtim më i ekuilibruar për disa arsye.E para, me instinktin e nënës do të dinte të mbante mirë familjen të bashkuar. Do të ndihmonte atë që ka më shumë nevojë. Dashuria do të ishte busulla e drejtimit të gjërave, vetësakrifikimi i saj për të gjithë do të ishte burim frymëzimi për të gjithë. Bukuria e saj shpirtërore do të hapte rrugë të reja për lartësimin e vërtetë të figurës së gruas në përgjithësi.Nuk ka vese që do ta pengonin të shihte të vërtetën, etj, etj. Nuk i njoh mirë gratë që mund të angazhoheshin për këtë post të lartë të Shtetit,por do përmendja Vllasova Mustën, Mimi Kodhelin, Majlinda Bregun, Zhuljeta Grabocka, gra me virtyte të larta për një drejtim shpirtëror të shoqërisë shqiptare.

 

– Klodeta Dibra, pedagoge

 

Pak ditë na ndajnë nga nisja e procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ky është një moment shumë i rëndësishëm jo vetëm në jetën politike por edhe atë shoqërore e kombëtare mbarëshqiptare. Figura e Presidentit është e binjakëzuar me figurën e njeriut që përfaqëson unitetin kombëtar dhe interesat e të gjithë shtetasve shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Nisur nga periudha e gjatë e tranzicionit, nga mosmarrëveshjet e egra të klasës politike, nga politizimi ekstrem i jetës shoqërore shqiptare, nga arbitrimi shpesh ndërkombëtar për të zgjidhur grindjet e brendshme, nga presidente deri më tani militantë, që kanë përfaqesuar vec interesat e partisë së vet politikë (përjashtuar këtu ndonjë rast), natyrshëm lindin disa pyetje pyetje: Çfarë do të përfaqësojë Presidenti i ardhshëm? A do vijojmë të kemi një President politik kukull? A do mundet Presidenti i ardhshëm të përfaqësojë unitetin kombëtar të të gjithë shqiptarëve? A mos, ndoshta, ka ardhur koha për një Presidente zonjë? Përse sot është e mundshme kandidatura e një Presidente zonjë? Nëse do të kisha një votë, do të kisha votuar me bindje të plotë një zonjë për Presidenten e ardhshëm të RSH-së. A duhet të jetë një zonjë që prej vitesh ka përvojë politike apo një zonjë që vjen drejtëpërdrejtë nga shoqëria civile? Të dyja opsionet do t’i quaja të pranueshme. Do të dëshiroja që Presidentja e ardhshme të mishërojë cilësitë e një qytetareje që mbron, pikësëpari, interesat e bashkëkombësve të vet; të mishërojë cilësitë e një profesionisteje të sprovuar; të mishërojë mencurinë e domosdoshme dhe përulësinë ndaj detyrës dhe Kushtetutës; të mishërojë tiparet më të mira shqiptare evropiane; të mishërojë harmoninë e faktorit shqiptar në Ballkan.

Kjo Presidente mund të jetë një ekonomiste e sprovuar, një juriste që di të bëjë drejtësi, një inxhinjere apo arkitekte, një fizikante apo matematiciene, që mund të vijë nga klasa politike por edhe jashtë saj, që mund të jetojë në Shqipëri por edhe një shqiptare qe ka bërë emër jashtë vendit.

Personalisht do të mbështesja kandidaturën e një profesionisteje të zonjën, një qytetare fisnike, një shqiptare që do të përfaqesojë me dinjitet kombin shqiptar.

 

-Marieta Zaçe (Pronjari) “Mjeshtre e Madhe e Sportit”

Unë në këtë situatë të komplikuar politike sot, e shoh zgjedhjen e një gruaje presidente mëse normale e të domosdoshme . Por jam e sigurt që zgjedhja e presidentit përsëri do hyjë ne debatet e marrëveshjet e forcave politike e interesave të tyre për të krijuar balancën e pushteteve cka do të vështirsojë përsëri kandidimin e një gruaje. Një grua presidente do të ishte një risi për vendin tonë, do të ishte një mënyrë drejtimi ndryshe nga ajo e paraardhësve të saj. Tek e fundit pse mos të jetë një grua e cila të lejë gjurmë pozitive në ato detyra kushtetuese që mbulon presidenti në Shqipëri !

Por shqetësimi im qëndron diku tjetër. A do të ketë forcë kjo presidente grua të suportojë e ndikojë pozitivisht në vendimet politike që i duhet të marrë bashkë me forcat politike për finalizimin e integrimit evropian dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit . Unë do dëshiroja jo një grua që merr një kolltuk presidenti por një grua që i sjell një vizion perëndimor e ka forcë të përballet me të keqen e që ndikon për një shtet ligjor të fortë e në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë.

Mendoj se ka zonja të nderuara e me shumë përgjegjshmëri që mund ta kryenin mirë këtë detyrë , por nuk do ja jepja vetes të drejtën të thoja emra konkrete sepse e di se do gaboj ose le në haresë të duhurën. Nga forcat politike, organizmat e ndryshme, nga shoqëria civile mund të bëhen propozime shumë me vlera për këtë post !

 

-Genta Taraj, pedagoge

 

-A i duhet sot më tepër se kurrë Shqipërisë një Presidente femër dhe pse pikërisht femër?

 

Nuk mendoj se përkatësia gjinore është pyetja e duhur për të orientuar mendimin kolektiv drejt zgjedhjes së një figure kaq të rëndësishme sikurse është presidenti i vendit. Në këndvështrimin tim, problemet me të cilat ne përballemi çdo ditë, nuk lidhen as me diversitetin e moshës, as me gjininë dhe as me pamjen fizike të atyre që bëjnë politikën dhe na drejtojnë. Për më tepër, zgjedhja e presidentit nuk është thjesht zgjedhja e një individi, por votimi i një përfaqësuesi për të gjithë popullin, i cili sikurse përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë është në gjendje të sigurojë ekuilibrin në jetën e vendit. Prandaj presidenti i ardhshëm i Shqipërisë (femër apo mashkull nuk ka rëndësi) duhet të jetë një individ që në jetën e vet ka dëshmuar se ka një nivel të lartë integriteti dhe vlera njerëzore, që di të respektojë kushtetutën dhe ka aftësitë e duhura për t’u kthyer në faktor stabiliteti.

– Kush mund të jenë disa nga ato dhe pse?

 

Profili më i përshtatshëm do të ishte një individ i papërfshirë në politikën shqiptare. Dikush që ka aftësinë për të parë para dhe jo për të gjetur zgjidhje nisur nga rrënojat e një politike të shkuar dhe të dështuar. Ajo që shqiptarët duan sot është më tepër mirëqënie ekonomike, qetësi shpirtërore, një e ardhme më e sigurt dhe më shumë stabilitet në vend. Askush nuk e do kaosin apo mjerimin. Prandaj, ne si popull nuk na intereson se kush do të jetë president, por na intereson që kushdo që të zgjidhet të bëjë atë që duam ne. Pra, çështja nuk është nëse na duhet një president femër apo mashkull, por nëse ai/ajo e ka vullnetin për ta ushtruar këtë funksion ashtu siç duhet.

 

-Ermira Pirdeni (Presidente e ASAG)

 

Për të mbajtur angazhuar partitë politike dhe  drejtuesit e tyre  në publik një rol i vlefshëm mund të luhet  vetëm nga lëvizjet sociale sic është dhe  Shoqëria Shqiptare për të Gjitha Moshat (ASAG). Në këtë kontekst zgjedhja e Presidentit/tes të Republikës duhet të vijë pikërisht nga shoqëria civile. Ato sigurojnë legjitimitet, virtyt shpirtëror dhe vlerë të veprimit politik. Në emër të ASAG si përfaqësuese e saj nxitem për të propozuar një listë kandidatesh për Presidente si Jozefina Topallin, parlamentaren e parë që ka krijuar modelin e Gruas në Politikë. Mimi Kodhelin, që në fillim të postit të saj në bashki mbeshteti ASAG dhe  u angazhua në procesin e Moshimit të pakuptuar nga politika, Nora Malaj, zv/ ministre MASH dhe si ish Drejtore e Shanseve te Barabarta në MPCSHB, një vullnetare pasionante pranë ASAG dhe me vizion mbi Moshimin si një çështje e rëndësishme e grave duke pasur parasysh që ato jetojnë më shumë se burrat, Ela Tasen një idhull i Sportit dhe Zv/Presidente në Komitetin Olimpik, Anila Godon mjeke e përkushtuar dhe ish Ministre e Shëndetsisë me të cilën ASAG ka pasur një komunikim institucional harmonik, Shqipe Zanin Soprano e mirënjohur, Petagoge në Universitetin e Arteve, aktiviste shoqërore Drejtuese e programeve ndërbreznore pranë ASAG. Floresha Dado/ Akademike, ish Rektore e Universitetit. Antoneta Malja/ Drejtuese TVSH, ATSH, Gazetare pjesëmarrëse aktive në çështje të rëndësishme të shoqërisë siç është Gruaja, Moshimi dhe Media. Vali Bizhga/ ish Drejtuese në Institutin e Shëndetit Publik, Bashki etj. një personalitet profesional dhe figurë morale e cilësisë së lartë një grua model ndërkombëtar. Kozara Kati/ Drejtuese e Qëndrës për të Drejtat e Njeriut, e persekutuar dhe me një kontribut të gjërë shoqëror. Natasha Lako/ ish deputete e legjislatures së parë/ shkrimtare, ish Drejtore e Arkivit të Filmit, sensibilizuese.

Kjo ide më lind teksa i jam përgjigjur ftesës për pjesëmarrjën  në tryezën e organizuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar me temë: “Ndikimet fizike dhe sociale te sportit në jetën e femrës shqiptare” si dhe duke u nisur edhe  për shkak të punës studimore që ka bërë per vite me radhë me sportet sektori “shëndeti profesional” i Institutit të Shëndetit Publik, pjesë e së cilave kam qenë dhe unë.

 

-Harallamb Kota, studiues

Së pari po vë në dukje, gjënë e ditur që,  “Shqipëri është hapësira ku jetojnë Shqiptarët”, Këtu fillon çështja dhe këtu duhet të përqëndrohet vëmëndja, pasi trajtimi i shqiptarëve brenda dy shteteve kombëtare në Shqipëri dhe në Kosovë, si dhe i shqiptarëve në trojet e veta në Serbi, Mal i Zi, Maqedoni dhe Greqi (Çamëri), ka shumë pikpyetje dhe lë shumë për të dëshiruar. Duke qenë se pyetsori fokusohet lidhur me shtetin Shqiptar, atëherë po përgjigjem:

Shqipëria, atdheu ynë i shtrejtë dhe populli shqiptar po vuan tranzicionin e stërgjatur nga kontradiktat pa fund midis grupimeve politike të cilat kanë nxjerrë përfitime materiale dhe shpirtërore.

Përcaktimi i një Shtetari (President), grua apo burrë, është “nyja gordiane” për shqiptarët, pasi papritur boshllëku shpirtëror i tyre, pas viteve 1990, u mbush me ideologjizma të ndryshme politike e fetare. U ngjallën dasitë krahinore, ideore e fetare. Përçarja po punon shumë, sa thirja  “E duam Shqipërinë si gjith Europa”, është haruar dhe vëndi po zhytet në batakun oriental dhe ky batak po i shtyn shqiptarët të deklarohen turkoman, grek, bullgar, serb dhe për të “qeshur e qarë” edhe vlleh, arumun, arëmën, llacifac etj. Këtu ku jemi zhytur dhe po qëndrojmë mbi majat e gishtave për t’mos u mbytur,  na ka gremisur klasa politike “legjendare” në krye të të ashtuquajturit “sistem demokratik parlamentar”.

Presidenti, të nderuar miq intelektual, të pa dallim feje krahine dhe ideje, duhet të jetë një Burrë apo Grua që ta dojë Shqipërinë mbi interesat famijare, shoqërore, fisnore, krahinore, ideore, fetare dhe ta orientojë Shqipërinë drejt BE dhe aleancave euro-atlantike.

Mendoj, se në këtë situatë “grindje mashkullore”, ku nga dhëmbët e tyre dalin lloj zhargone sharje primitive, të pakulturuara dhe larg qytetërimit eoro-amerikan, për të ulur tensionet dhe për ta ekuilibruar klasën politike, duhet të zgjidhet një grua, me karakter të fortë, të “Ndershme dhe Patriote”, që të dijë të respektojë të gjitha forcat politike mbi bazën e Kushtetutës së Shqipërisë.

Një kandidate e mundshme mendoj se është zonja Mimi Kodheli.

 

Alda Sula, ushtarake

Nëse do të hidhnim një vështrim në mjedisin ndërkombëtar, do të vërenim se diversiteti gjinor po merr gjithnjë e më shumë prioritet. Zonja e hekurt e Anglisë- Margaret Thatcher, ka thënë: “Çdo grua që kupton problemet e mbarëvajtjes së një shtëpie është shumë më afër kuptimit të problemeve të mbarëvajtjes së një vendi”. Duke u nisur nga Hillari Klinton, si kandidatja zyrtare e nominuar për presidente e SHBA, Theresa May, gruaja e dytë në Angli si kryeministre, kandidatja për presidente në Francë, Marine Le Pen, por dhe në figurat e presidenteve në Estoni dhe Taivanin e largët, duke mbërritur deri në Ballkan, ndoshta ka ardhur koha dhe ekzistojnë potencialet edhe tek ne për tëpatur një femër liderë në pozicionin presidencial. Pas Kosovës dhe Kroacisë, një grua tjetër në Ballkan do të ishte një e drejtë e fituar me meritë. Dhe gra me mjaft kontribute në jetën e vendit tonë ka. Ka shëmbuj që dëshmojnë fortësinë e gruas, pavarësisht statusit gjinor. Ka shëmbuj që demonstrojnë kapërcimin e paragjykimeve penalizuese për figurën femërore. Ka shembuj të tregimit të një vullneti për një sjellje të re e të sigurt lidershipi edhe në ata sektorë të shoqërisë të predominuar më parë nga meshkujt e që konsideroheshin vetëm për ta, për nga shkalla e vështirësisë (si psh. mbrojtja). Ka besueshmëri, ne besojmë. Po të bëjmë një paralelizëm, nën statusin e një ushtarakeje që jam, mund të themi që, ashtu sikurse prezenca e femrave në FA, si dhe drejtimi i tyre nga një figurë femërore, i jep karakter më human mbrojtjes, po ashtu besojmë se edhe duke patur një figurë femërore në krye të vendit, do të kemi një shoqëri shqiptare më paqësore e më të qëndrueshme.

 

Prof. Pirro Miso

 

-Tw jesh presidente e njw vendi duhet tw kesh njw karrierw, profesionale ose politike tw shkwlqyer dhe mbasi tw kesh mbaruar, me rezultete tw shkwlqyera, nw njw universitet tw niveleve mw tw larta botwrore tw cilat njihen qw kanw prodhuar udhwheqws tw shquar.

Tek ne, jo vetwm qw nuk kemi gra tw tilla por edhe presidentwt e zgjedhur deri tani kanw qenw tw rrallw ose me gisht pwr korrekteswn nw karrierwn e tyre. Madje, presidenti tek ne wshtw pwrgjithesisht honorifik. Ajo qw mendojmw qwndron nw faktin se presidentja, qw mund tw zgjigjet nga kwta udhwheqes qesharak e tw degjeneruar, do jetw nga njw krah politik dhe njw kandidaturw qw vetwm sa do krijojw probleme nw skenwn politike shqiptare.  Ato emra qw po lakohen, vetwm sa po shkaktojnw tw qeshura dhe trishtim nw ndwrgjegjen tonw, me ndonjw pwrjashtim tw rrallw.

 

Një presidente grua, do të ishte zgjidhja morale e shoqërore më e mirë

(Prof Dr. Lush SUSAJ)

Po, për Shqipërinë dhe shqiptarët do të bëhëj shumë më mirë nëse në krye të shtetit, si garante e kushtetutës, sigurisë dhe unitetit të vëndit  do të zgjidhej një grua nga qindra gra të mira e shumë të arrira që ka sot vendi.

Situata jonë shtetërore e politike do të përmirësohej ndjeshëm nëse Shqipëria e varfëruar dhe e raskapitur nga burrat e pangopur e të dhunshëm të këtyre 105 viteve, do të provonte të bënte qoftë edhe shumë pak hapa përpara në drejtim të përmirësimit dhe të jetësimit ligjor dhe praktik të statusit të munguar gruas shqiptare, sidomos në drejtim të garantimit të vlerësimit dhe përfaqësimit meritokratik e real të sajë në politikë, në administratë dhe në të gjithë jetën shoqërore të vendit.

Një grua presidente do të ishte zgjidhja më paqësore dhe më lumturuese për vendin e vjedhur, të fyer, të shkatërruar e të përçarë nga modeli i presidentëve dhe pushtetarëve të sajuar me ngut e të shantazhuar e kapur keqas nga klanet dhe komitat pretare të politikës së mirfilltë shkulturuese e shkombëtarizuese të këtyre viteve dhe dekadave.

Një presidente femër, është zgjidhja e duhur morale, historike, shoqërore e sociale që i duhet sot Shqipërisë. Kjo për arsyet e mëposhtme:

Së pari, në kontekstin historik, të gjithë jemi të vetëdishëm që mbijetesën dhe ekzistencën e farës sonë në këtë rajon, të kombit dhe të shtetit Shqiptarë, e kemi nga sakrificat e padëgjuara e të panumërta të grave shqiptare. E kemi nga dashuria e tyre për përbashkuesën tonë më të madhe, për gjuhën, historinë dhe gjithë kulturën shqipe që në shekujt e mbushur me analfabetizëm e çensurë, me vrasje, me shfarosje e me përdhunime masive mëkuan dhe dëshmuan për fëmit e tyre, për parardhësit tonë e për të gjithë brezat me radhë fjalën shqipe, legjendat, këngët, vallët, origjinën, historinë e deri dhe territorin me identitet të fortë gjenetik, historic e mbi të gjitha shqipfolës.  Pavarësishtë nga ky rrol vendimtarë i gruas, në asnjë rast të këtyre 105 viteve të shtetit të pavarur, nuk u punua asnjë ditë për ngritjen social ekonomike e kulturore dhe as për përfaqësimin real të gruas në politikë dhe institucione. Përkundrazi, si në asnjë vend tjetër të botës, statusi real i gruas dhe fëmijës në Shqipëri, dy prej pasurive më të mëdha të shpirtit dhe ekzistencializmit të një kombi e shteti, janë goditur, janë përkeqësuar dhe janë degraduar shumë keq se në kohën e sundimit otoman të mesjetës. Ka shumë njerëz që do të më kundërshtojnë në këtë pikë duke pretenduar e përmendur argumenta që burojnë nga mungesa e theksuar vizionit dhe njohurive mbi atë që duhet të ishte funksionalizuar me kohë e që lidhet me rrolin, aftësit, përgjegjësitë dhe statusin real të gruas në Shqipëri. Këndvështrimi im mbi statusin dhe rrolin e gruas në jetën shoqërore e politike të Shqipërisë mund të kundershtohet edhe me anë të argumentave që burojnë nga e kaluara e hidhur komuniste. Nga kjo sjellje dhe doktrinë e njohur dhe e jetuar degraduese, ka buruar dhe vazhdon të burojë e gjithë demagogjia poshtëruese sipas të cilës, në Shqipëri ka patur dhe ka përfaqësim gjinor të gruas kur në të vertetë ka patur dhe ka vetëm poshtërim gjinor dhe meritokratik të gruas. Statusi i munguar shoqëror, administrativ dhe politik i gruas, nuk mund të kamuflohet me sajesat e interesit të ngushtë të rastit dhe as me figurat dhe koperturat mediatike e institucionale që në pamjen e jashtme duket sikur drejtohen nga gratë e në të vertetë ato janë aty si kukulla që nuk i përfill askush. Nga sajesat e rastësishme të burrave me pushtet nuk buron asgjë e mirë, ato nuk e njohin dhe as që mund ta përfaqësojnë dot gruan shqiptare, përpasojë nuk mund të bëjnë asgjë për prosperitetin ekonomik, shoqëror dhe as politik të këtij vendi. Ka ardhur koha që statusi i munguar dhe katastrofa shoqërore, administrative, ekonomike e politike në të cilën ndodhet gruaja shqipëtare në të gjithë rajonin, të kuptohet dhe të interpretohet si burimi i gjithë të këqijave të popullsisë së rajoneve shqipfolëse ku ka shumë dhunë, konflikte të kudondodhura, varfëri, pasiguri dhe kapacitete mjerane e të reduktuara të politikës, administratës dhe institucioneve të vendit. Ka shumë arsye dhe argumenta që më bëjnë të mendoj se, në kontekstin historik, një presidente grua do të ishte zgjidhja morale e shoqërore më e mirë dhe më e deshiruar për vendin tonë dhe më gjërë.

Së dyti, përseri për shkaqe historike të imponuara e terësishtë të padeshirueshme, burrat e Shqipërisë, para së gjithash janë shquar për mungesë të theksuar të kultures së debatit, mungesë të theksuar të kulturës së ligjit dhe kulturës bazë të komunikimit politik. Janë shquar për mungesë të vizionit dhe të orientimit të duhur politik e shtetëror nga ku kan buruar fatkeqësi dhe drama të rënda për vendin. Përvoja jonë shtetërore e politike ka treguar që burrat janë më të prirur për të abuzuar me pushtetin e për të rrëshqitur më shpejt në hadutëri e despotizëm. Gjithnjë janë shquar për mungesë të theksuar të aftësive për kompromis, për zgjidhje demokratike dhe për mbatje të fjalës së dhënë përpara votuesve, partnerëve dhe institucioneve ndërkombëtare, aq jetike për gjeopolitikën dhe  globalizimin e bashkëpunimit dhe të projekteve integruese. Kjo sëmundje e rëndë nuk zgjidhet duke e fshehur pas demagogjisë, despotizmit, mashtrimit, dhunës së numrave apo muskujve, konfliktit apo kundërshtimit idjot të akademikëve dhe shkrimtarëve si Rexhep Qosja, Ismail Kadareja, Vasfi Semimi, Faik Konica, Gjergj Fishta, etj, që me veprën dhe jetën e tyre apelojnë për më shumë kulturë, për më shumë dije, për më shumë kohezin shoqëror e social politik, për më shumë stabilitet, solidaritet dhe pjekuri politike. Politika dhe institucionet tona të këtyre dekadave e viteve të sunduara nga burrat dhe kukullat e sajuara prej tyre, janë një histori e hidhur me të bertitura dhe uluritje të paimagjinueshme për botën demokratike. Karakterizohen nga fyerjet, injorimet, detyrimet, kurthet dhe shantazhe të një niveli edhe më të ulët se të shtetit sulltanor të shekujve të XV-XVII-të. Për fat të keq ka edhe më shumë nga sa duket nga jashtë, politika e sunduar nga burrat ka patur dhe ka aq shumë abuzime seksuale e përdhunime, vandalizime, depërsonalizime, krime ordinere, rracizëm, hajdutëri dhe goditje pa mëshirë ndaj imazhit dhe të gjithë elementëve përbashkues të shoqërisë. Shkenca e psikologjisë dhe shtetformimit na mëson se zhvillimi i shoqërisë nuk varet thjeshtë nga të menduarit racional dhe as nga përsosmeria e planeve dhe paraqitjeve skematike, një rrol vendimtarë luajnë nënvetëdija, etnopsikika, etnokultura dhe instiktet tona shoqërore, intuita dhe shpirti i njeriut. Burrat në politikë, krahasuar me gratë, instiktivishtë (natyralishtë) janë më të orientuar nga agresiviteti, hatërmbetja, hakmarrja, korrupsioni dhe reduktimi I hapësirave të lirisë. Në një vend të sunduar nga burrat dhe nga kukullat e tyre të instaluara jashtë rregullave bazë të përfaqësimit dhe meritokracisë, mbillet dhe korret poshtërim, aggression, korrupsion dhe depërsonalizim. Në të tilla vende, shtetasit detyrohen të blejnë me para, me sjellje dhe me sherbime poshtëruese të drejtat e tyre. Në një situatë të tillë, liria dhe zhvillimi mund të ekzistojnë vetëm në demagogji dhe të shkruara letër sepse liria funksionale kthehet në skllavëri, barazia në polarizim dhe tirani të pakicës mbi shumicën, civilizimi dhe kohezioni social shpërfillën deri në denatyrimin e tyre për t’I hapur rrugë barbarisë dhe gjakderdhjes. Tek një popull i sunduar nga burra anonim, injorant e politikishtë të papjekur (siq i quan R Qosja), ndjenja e parë që lind dhe zhvillohet është ndjenja poshtërimit nga ku kanë buruar dhe vazhdojnë të burojë  agresiveteti, hakmarrja dhe shkatërrimi I elementëve social e politik përbashkues. Kjo sjellje që në vend të zhvillimit dhe progresit degradon në agresivitet, despotizëm dhe hajdutëri, ka lindur dhe për fatin tonë të keq është bërë traditë në kushtet e rënda të pushtimeve shumëvjeçare. Në një analizë të tillë, Albert Bandura ka arritur në përfundimin, shoqëritë që ofrojnë modele të sjelljes aggressive e poshtëruese, me siguri që formojnë fëmijë dhe individë agresiv. Edhe duke e parë nga ky kënvështrim psikoanalitik real mbi atë që është mbjellur, që është rritur e trasheguar në shekuj e dekada, mendoj se një presidente femër për Shqipërinë e lodhur nga burrat grindavecë dhe kukullat e tyre grindavece e servile do të ishte një lajm dhe shans më i mirë për shqiptarët, institucionet dhe të gjithë miqt e mirë të Shqipërisë. Psikologu Desmond Morris (dhe shumë studjues të tjerë të psikologjisë), kan theksuar faktin sipas të cilit ne, njerëzit, para së gjithash jemi një fenomen biologjik i nderlikuar. Nuk ka dyshim që në kontekstin tonë historik e kulturorë, gruaja ka patur rrolin përcaktues në mbijetesën, shtetformimin dhe vazhdimësin tonë kombëtare. Ndërsa si shperblim gruas i është dhënë  sundimi dhe poshtërimi i pamerituar nga një politikë e njohur maskiliste e kamufluar me kukulla dhe demagogji fyese mbi përfaqësimin, të drejtat, liritë dhe mbrotjen shtetërore dhe politike të grave, që në këtë vend nuk kanë ekzistuar kurrë.

Ndërsa në lidhje me pyetjen se kush duhet të jetë, unë mendoj se ka radhur koha që të kuptojmë rrolin negativ dhe degradues që kan luajtur njerëzit anonym, sidomos kukullat e sajuara të sundimtarëve të këtyre dekadave. Për mendimin tim, gratë e politikës së këtyre dekadave dhe viteve, para së gjithash do të mbahen mend shumë gjatë për injorancën, servilizmin, anonimatin, përdorimin, egërsinë dhe sherret e tyre në interes të burrave që në të shumtën e rasteve i katapultuan dhe graduan jashtë rregullave të konkurimit dhe meritokracisë. Shëmbulli i presidentës së Kosovës A Jahjaga, e tregoj se oazi ku mund të gjëndët një grua për të qënë presidente e besueshme dhe faktor real i unitetit të vendit, ndodhet jashtë ekosistemit të ndotur të politikës aktuale. Një grua për presidente duhet të jetë e arrirë nga ana profesionale dhe e dijeve mbi historinë, kulturën, trashigiminë, etnografinë, shkencën, etj. Një grua e tillë të merituar, mund ta gjejmë nëse do ta kerkojmë në administratën shtetërore, në median e lirë apo në strukturat akademike të universiteteve dhe akademisë. Politika e deformuar e këtyre 105 viteve ka krijuar, promovuar dhe lartësuar shpirtin, kujtesën dhe përsonalitetet e dyzuara e të deformuara, Një presidente apo president i dalë nga oazet e klaneve partiake të ekosistemit të politikës sonë, nuk do të jetë asgjë më tepër se kukulla e radhës që nuk do të sherbej për asgjë të mirë.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...