Published On: 22 Nëntor, 2016

Facebook-u nuk është hapësirë për vetëshërbim gazetaresk, ja shkeljet ligjore nga mediat!

Mediet mund të publikojnë të dhëna personale ose fotografi private të personave publikë vetëm nëse dëshmojnë se interesi publik ka mbisunduar mbi atë privat. Çdo marrje tjetër e të dhënave, në masën më të madhe e fotografive nga rrjetet sociale, nuk lejohet dhe dënohet. Vetëshërbimi gazetaresk me fotografitë e huaja, pa leje është në kundërshtim me ligj.

Shkruan: Sashe Dimovski

“Çfarë fotografish private fsheh celulari i një vajze”, “Qëlloni se cila gazetare sportive i ka këto bythë”, “Shihni silikonet e …”, “U zhvesh Facebook-u” janë vetëm një pjesë nga dhjetëra titujt që mund të lexohen në portalet në internt, të ilustruara me forografi private të marra nga rrjetet sociale. Gjithsesi, pa pyetur dhe pa pëlqim.

Në kohën e komunikimit të vazhdueshëm në internet, kur konsumatorët janë gjithnjë e më shpesh para kompjuterit dhe ndjekin përmbajtje të ndryshme, publikimi dhe marrja e fotografive private nëpërmjet shpërndarjes së tyre bëhet e mundshme për mijëra shfrytëzues për një kohë të shkurtër. Fuqia e portaleve në internet dhe e rrjeteve sociale nuk mund të krahasohet me fuqinë e medieve tradicionale, të shtypura, prandaj, në këtë leksion gazetaresk do t’i përmendin normat dhe rregullat të cilat fillimisht duhet të jenë udhëzues për të gjitha portalet në internet.

Numri i klikimeve dhe i pëlqimeve për të cilat luftojnë faqet në internet, si dhe shpërndarja e përmbajtjeve, shumë njerëzve mund t’ua nxijë jetën, me publikimin ose komentimin e fotografive dhe të dhënave pa pëlqimin e personit. Prandaj, që në fillim duhet të potenocojmë se rrjetet sociale, veçanërisht Facebook-u, si rrjet më i popullarizuar, nuk janë platforma nga të cilat çdokush mund të marrë çka të dojë, pa rregulla dhe dispozita dhe pa përgjegjësi. E as ta arsyetojnë këtë me pohimin se kjo është interesante për publikun.

Çdokush duhet ta dijë se informata që është shpërndarë një herë në internet, pavarësisht se a bëhet fjalë për fotografi, informata, të dhëna, ato mbesin përgjithmonë në internet, madje edhe atëherë kur pronari i cili i ka vendosur ato, i ka fshirë nga faqja origjinale. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se mediet mund të publikojnë gjithçka, deri te gjërat që kanë ardhur nëpërmjet kërkuesve në internet, pavarësisht se a janë këto informata në dispozicion apo të fshira nga ai që i ka vendosur ato në internet. Ose të mos kenë përgjegjësi në qoftë se në përmbajtjen në të cilën janë përdorur të dhëna të paautorizuara personale, në qoftë se gjatë transmetimit e përmendin vetëm atë që e ka publikuar paraprakisht. Аpostrofimi i linkut deri te media tjetër nuk i liron nga përgjegjësia të gjithë që e kanë publikuar përmbajtjen kontestuese.

Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale i Maqedonisë bën përjashtim për atë se kur mund të publikohen të dhënat personale, ku bëjnë pjesë edhe fotografitë, vetëm në qoftë se media ka interes të arsyeshëm, ku duhet ta dëshmojë se interesi publik ka dominuar mbi atë privat.

Ç’është interesi publik?

Pyetja e parë që parashtrohet në këtë kontekst është pikërisht pyetja se ç’është interesi publik dhe se a është interes publik gjithçka që e intereson publikun?

Në kushte të mentalitetit ballkanik dhe interesit për përgojim, voajerizëm ose “muhabete çarshie”, t’i përkujtojmë ndryshimet në Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale të vitit 2010 ku është vendosur çështja e interesit publik.

Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale në këto ndryshime e përfshiu interesin publik si standard kur vlerësohet shkelja e të drejtës për mbrojtjen e të dhënaver personale.

Ai parasheh:

“Dispozitat e këtij ligji nuk do të zbatohen mbi përpunimin e të dhënave personale që bëhen për qëllimet e gazetarisë profesionale, vetëm në rastet kur interesi publik dominon mbi interesin privat të subjektit të të dhënave personale”.

Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale pas miratimit të ndryshimeve të ligjit, solli rekomandime në të cilat janë përfshirë parimet për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë publikimit të tyre në medie. Në to rekomandohet:

  • Përpunimi i drejtë i të dhënave personale, gjegjësisht përpunim në përputhje me ligjin ose pas marrjes së pëlqimit paraprak nga subjekti i të dhënave personale;
  • Vlerësimi i rëndësisë së informatës në raport me përmasat e publikimit të të dhënave personale dhe vendosja e balancit ndërmjet lirisë së informimit dhe të drejtës për privatësi;
  • Аnonimizimi i personazheve, targave të automjeteve dhe të dhënave të tjera personale të qytetarëve;
  • Anonimizimi i detyrueshëm i personazheve dhe i të dhënave të tjera personale të të miturve;
  • Publikimi i inicialeve në vend të emrit dhe mbiemrit të personave që janë viktima të fatkeqësive ose të personave ndaj të cilëve zhvillohet procedurë gjyqësore ose administrative.

Mirëpo, kur bëhet fjalë për publikimin e të dhënave personale të personave publikë, gazetarët dhe mediet duhet të bëjnë dallim ndërmjet personave publikë par excellence”, apo atyre që ushtrojnë funksione politike, funksionarëve të zgjedhur apo të emëruar, të cilëve u janë besuar ose të cilët disponojnë me para dhe të mira publike, dhe personave publikë që janë të njohur, mirëpo nuk ushtrojnë ndonjë funksion politik publik (njerëz të estradës, sportistë, artistë).

Në qoftë se të dhënat personale kanë të bëjnë me persona publikë që nuk janë publikë par excellence, nuk janë relevante për ta tarnsmetuar ndonjë lajm dhe nuk janë me interes publik, atëherë ato nuk duhet të publikohen. Kureshtja e publikut nuk mund të konsiderohet si interes publik. Mbrojtja e të dhënave personale të “qytetarit të thjeshtë”, dhe e personave dallon shumë.

Kushti për respektimin e privatësisë automatikisht është i redukuar për aq sa bartësi i të dhënave është futur në jetën publike. Sipas parimeve të Drejtorisë, të cilat janë të bazuar në ligj, të dhënat e personave publikë mund të publikohen pa pëlqimin e tyre, kur mediet kanë qëllim legjitim (keqpërdorimin e funksionit, keqpërdorimin e mjeteve dhe parave nga buxheti, shfrytëzimin e pozitës).

Balanci për të dhënat e personave publikë

Praktika ligjore bën dallim ndërmjet personave absolutë dhe atyre relevantë në jetën publike. Grupi i parë përfshin njerëz të cilët vazhdimisht janë nën syrin e publikut për shkak të funksionit dhe rolit të tyre në shoqëri. Ndërsa persona relevantë në jetën publike janë ata të cilët kohë pas kohe janë me interes për publikun, për shkak të lidhjes së tyre me ndonjë ngjarje konkrete (fitues në ndonjë ngjarje të caktuar, fitues në lojërat e fatit, të përfshirë në krim).

Të dhënat e personave relevantë publikë mund të publikohen vetëm atëherë kur ka interes të arsyeshëm publik që lidhet me ndonjë ngjarje. Kjo poashtu vlen për publikimet e informatave për autorët e veprave penale për të cilët procedura ka përfunduar ose për fakte që kanë ndodhur moti, për shkak se në rastet e tilla nuk ka interes ligjor. Senzacionalizmi me publikimin e informatave të padobishme është i lejuar qoftë për personat absolutë ao ata relevantë publikë, mirëpo jo me qëllim që të shkilet e drejta e tyre e privatësisë, e as të pengohet jeta e tyre private.

A mund të merren fotografi nga profilet në Facebook pa pëlqim?

Kjo është njëra nga pyetjet për të cilën mediet dhe gazetarët duhet ta dijnë se nuk guxojnë t’i keqpërdorin fotografitë nga profilet private në Facebook, pavarësisht se a ka lejuar personi që ato t’i shohin të gjithë (profil i hapur) apo ka përshtatje të parametarve për privatësi të profilit, që e mundësojnë rrjetet sociale.

Neni 2 i Ligjit për mbrotjen e të dhënave personale thotë se:

– e dhënë personale është çdo informatë që ka të bëjë me ndonjë person të identifikuar fizik ose me person fizik që mund të identifikohet, e person që mund është personi identiteti i të cilit mundë të verifikohet në mënyrë të drejtpërdrejt ose të tërthortë, veçanërisht mbi bazë të numrit unik amë të qytetarit apo në bazë të një ose më shumë karakteristikave specifike të identitetit të tij fizik, mendor, ekonomik, kulturor apo social.”

Po ky ligj, në nenet 5 dhe 6 përcakton se, të dhënat personale mund të përpunohen në përputhje me ligjin ose pas marrjes paraprake të pëlqimit nga ana e subjektit të të dhënave personale. Меdiet nuk janë kategori që ka autorizime të përpunojë të dhëna personale, siç mund ta bëjnë këtë bankat, institucionet me autorizim publike, institucionet gjyqësore ose organet administrative.

Kur jemi te fotografitë, duhet të dihet se fotografia paraqet të dhënë personale biometrike që hyn në kategorinë e të dhënave personale që kanë edhe shkallë të veçantë të mbrojtjes dhe nuk guxojnë të përpunohen pa pëlqimin e ubjektit të të dhënave personale ose pa pasur bazë ligjore për këtë.

Kur bëhet fjalë për publikimin e fotografive në Facebook, çdo shfrytëzues me vetë publikimin e fotografive në Facebook konsiderohet se ka dhënë pëlqim që ato të publikohen në internet. Mirëpo, shërbimi ofron opcion që çdo shfrytëzues vetë të vendosë se cilët nga miqtë e tij ose në përgjithësi cilët shfrytëzues do të mund t’i shohin fotografitë e tij duke i rregulluar parametrat për privatësi (Privacy Settings).

Pëlqimi i shfrytëzuesit që të publikojë fotografi të tij në profilin privat, pa marrë parasysh se për sa shfrytëzues të tjerë do të jenë ato në dispozicion, nuk do të thotë edhe ai ka dhënë pëlqim që ato të ripublikohen në ueb-faqe të tjera ose në mediet të tjera tradicionale, prandaj çdo ripublikim i fotografive pa pëlqimin e personit, që është bartës i të dhënave personale është kundërligjore.

Keqpërdorimet ndëshkohen

Mbrojtja e të dhënave personale që është e rregulluar me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa keqpërdorimi i tyre, përveç sipas këtij ligji dënohet edhe sipas Kodit penal.

Keqpërdorimi i të dhënave personale në internet ka qenë njëra nga keqpërdorimet më të shpeshta që i ka regjistruar Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale në periudhën e fundit. Qytetarët shpeshherë janë ankuar për keqpërdorimin e fotografive, të dhënave personale, vjedhjen e identitetit, hakimin e fjalëkalimit dhe udhëheqjen e profileve të tyre.

Duke u përgjigjur në parashtresat e qytetarëve, Drejtoria ka sjellë edhe një sërë zgjidhjesh, ka ngritur procedura, ka kërkuar heqjen e profileve ose fshirjen e fotografive ose video-materialeve kontestuese. Ja disa segmente nga nga përgjigjet e tyre për qytetarët:

Publikimi i fotografive pa pëlqim

Në disa raste janë inicuar procedura për shkak të publikimit të fotografive pa pëlqimin e të fotografuarve në ueb-faqet me karakter zbavitës dhe me karakter marketingu në të cilat janë publikuar fotografi nga jeta e natës në disa qytete të vendit. Personat kanë shkruar në adresën e e-mail-it që është shënuar për kontakt në këto ueb-faqe dhe kanë kërkuar që të hiqen fotografitë, mirëpo nuk kanë marrë përgjigje. Në këto raste, Drejtoria ka konstatuar se bëhet fjalë domene të regjistruara jashtë vendit, mirëpo administratori e ka bërë përpunimin në Republikën e Maqedonisë. Drejtoria i ka ndërmarrë të gjitha masat që i ka pasur në dispozicion dhe fotografitë janë larguar menjëherë.

Vjedhja e identitetit në internet

Në mesin e rasteve më serioze të intervenimit kanë qenë shembujt me vjedhjen e identitetit në internet. Në një ueb-faqe me karakter zbavitës dhe të marketingut, është krijuar një profil i shfrytëzuesit, ku të dhënat e huaja personale janë shfrytëzuar për krijimin e profilit pa dijen dhe pëlqimin e personit. Cak i sulmit kanë qenë politikanë, persona publikë, dhe biznesmenë të caktuar.

“Këto ueb-faqe funksionojn sipas parimit të krijimit të profileve të shfrytëzuesve ku personat regjistrohen duke i futur të dhënat personale në fusha të caktuara të detyrueshme dhe disa të tjera vullnetare.Në rastin konkret, pa pëlqimin e personit janë publikuar emri dhe mbiemri i tij, fotografi, të dhënat për gjininë dhe moshën, ngjyrën e syve, lartësinë, peshën dhe vendbanimin. Ky domen ka qenë i regjistruar në Republikën e Maqedonisë dhe personi ka bërë kërkes që profili i rrejshëm të fshihet, mirëpo kërkesa e tij nuk është përfillur. Pas veprimeve që i ka ndërmarrë Drejtoria, që në kontaktin e parë, profili i rrejshëm është fshirë” – konstaton Drejtoria, duke theksuar raste nga puna e saj.

Ky shembull është interesant nga aspekti i punës së medieve, për shkak se nëpërmjet profilit të rrejshëm me të dhëna të vjedhura, medieve mund t’u dërgohen fotografi, informata ose qëndrime, të cilat ata mund t’i transmetojnë dhe në atë mënyrë të jenë përgjegjës për këtë. Ajo që nuk kanë arritur ta vërejnë profilin e rrejshëm, nuk do t’i lirojë nga përgjegjësia. Prandaj, ky shembull duhet të alarmojë se nuk duhet besuar gjithçka që lexohet në rrjetet sociale, e prej atje as të transmetohet edhe të citohet diçka pa pëlqim ose verifikim paraprak.

Krijimi i profileve të rrejshme

Si një nga rastet më të shpeshta të keqpërdorimit të të dhënave persona ka qenë edhe krijimi i profileve të rrejshme në portalet në internet, nëpërmjet të të cilave krijuesit e këtyre profileve të rrejshme kanë komunikuar me persona të tjerë, duke u prezantuar në emrin e personit të vërtetë. Gjatë periudhës së kaluar, Drejtoria ka reaguar në lidhje me disa parashtresa të këtilla, për profilet e rrejshme të personave të njohur nga Republika e Maqedonisë. Këto profile janë krijuar në portalet që nuk kanë qenë të regjistruar në vend dhe të cilat nuk kanë qenë nën jurisdiksionin e legjislacionit tonë, mirëpo Drejtoria ka vendosur kontakt me ekipet për mbështetje të këtyre portaleve dhe profilet janë larguar nga ueb-faqet e tyre.

Video-materialet komprometuese

Një person ka bërë parashtresë shkeljen e privatësisë së tij dhe të dhënave të tij personale në një portal që ka qenë i dedikuar për video-materiale. Në emër të personit të tanguar, dikush ka vendosur video-material komprometues, nëpërmjet të të cilit dëmtohet nderi dhe autoriteti i personit që ka është paraqitur në video. Pas pranimit të parashtresës, Drejtoria ka bërë kërkesë për largimin e videos te ekipi për mbështetje i portalit. Në përgjigje është dhënë sqarimi se video-materialin konkret duhet ta fshijë vet personi i tanguar, për shkak se është dashur të futen të dhënat e tij personale.

Fjalëkalim i vjedhur i adresës elektronike

Ka pasur edhe rast kur një person ka bërë parashtresë për fjalëkalim të vjedhur të adresës elektronike.

“Drejtoria ka mundur të veprojë deri në një moment të caktuar, duke i ndjekur udhëzimet e portalit, mirëpo megjithatë, procedura duheshte të vazhdojë duke i shënuar të dhënat personale dhe adresën ndihmëse elektronike nëpërmjet të së cilës ekipi për mbështetje i protalit do ta kontaktojë personin e tanguar. Megjithatë, edhe ky rast u zgjodh me sukses dhe adresa konkrete elektronike u fshi nga baza е të dhënave të portalit në internet” – thekson Drejtoria.

Këto shembuj, të cilat me kërkesë të autorit të kësaj analize i përgatiti Elena Stojanovska nga Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale, janë shumë të rëndësishme për mediet, të cilat me vetëdije ose pa të, mund të futen në tregimin e dikujt, të publikojnë të dhëna nga profilet e rrejshme ose nga adresat e vjedhura, ndërsa me publikimin, pa verifikim dhe pa pëlqim do të mund të ndiqen penalisht.

Prandaj, ka rrezik për çdo kë që publikon të dhëna në internet, mirëpo mediet duhet t’i respektojnë normat profesionale dhe etike dhe nuk mund dhe nuk guxojnë të pa pëlqim të publikojnë fotografi nga profilet në internet ose ato t’i shfrytëzojnë në kontekst joadekuat dhe me këtë ta dëmtojnë privatësinë e njerëzve.

Prandaj, duhet të respektohet privatësia e të tjerëve. Ndërsa, mediet gjithmonë duhet ta kenë parasysh këtë fakt:

“Jini posaçërisht të kujdesshëm me publikimin e të dhënave personale ose informatave që kanë të bëjnë me ndonjë person tjetër (si dhe të fotografive ose linkeve deri te fotografitë) pa pëlqimin e tij, për shkak se nuk jeni të sigurtë se kush dhe për çfarë qëllimi mund t’i keqpërdorë ato”.

Sanksionet nuk duhet githmonë të jenë elementi frikësues për mediet, por në situatat e këtilla duhet të shihen momentet etike dhe pyetja: cili është interesi publik që të publikohet ndonjë e dhënë personale ose ndonjë fotografi. Jo gjithmonë zbavitja që të dëshiron ta imponojë media, mund të jetë zbavitëse edhe për subjektin me të cili ka të bëjë ajo!

 


Ky leksion gazetaresk është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...