Published On: 23 Prill, 2017

Është tronditës fakti se Komisionet, i përjashtuan dokumentet dhe hartat, që mbrojnë territorin! Po e luajnë rolin e avokatit të Malit të Zi

  • Intervistë me profesor Florimin Isufin, i cili me matjet bashkëkohore e dëshmoi se Kosova po ia dhuron Malit të Zi 82 km katror (2)

Shqiptari.eu: A ka një material zyrtar të përcaktimit të saktë të kufirit, dhe i cilit vit është?

Florim Isufi: Po. Ka shumë materiale të tilla, por materiali më i mirë dhe më i saktë është përshkrimi i kufirit që gjendet diku në arkivat e Beogradit. Mbi këtë përshkrim është formuluar kushtetuta e parë e Malit të Zi dhe hartat e para të pas Luftës së Dytë Botërore me shkallën më të saktë të asaj kohe 1:50 000. Pastaj në mënyrë kronologjike botimi i hartave me shkallë të madhe dhe të mesme gjithandej ish-Jugosllavisë. Është për tu habitur se pse askush nuk i merr parasysh dhe me qëllim i anashkalon këto fakte. Madje pse nuk i cek si fakte, por paraqiten sikur nuk ekzistojnë. Kjo vetëm sa forcon palën malazeze në raport me ne.

Shqiptari.eu: Ju keni publikuar disa foto të cilat tregojnë vijën kufitare reale, ku shihet policia e Kosovës dhe e Malit të Zi, në vitin 2008, menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë. Cili ishte qëllimi i vizitës tuaj, dhe nga kush keni qenë i angazhuar?

Isufi: Thashë edhe më herët se në rastin e problematikës së vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi nuk jam inkuadruar para 6 muajve sa për të dal në sipërfaqe si njohës i kësaj problematike, as para 2 viteve kur kemi filluar me profesorin Shpejtim Bulliqi të paralajmërojmë se diçka nuk është në rregull, e as në vitin 2012 kur është formuar Komisioni shtetërorë për shenjëzimin e vijës kufitare, por punën rreth kufirit të Kosovës me Malin e Zi e kemi filluar para shpalljes së pavarësisë së Kosovës (2008) e me një intensitet pak më të madh menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Ne kemi publikuar vetëm disa foto nga arkiva ime e fotografive dhe videove të realizuar në terren. Fotot e publikuara janë nga vizita në terren që i kemi bërë vijës kufitare të Kullës me 1 prill 2008. Iniciativa e kujt ishte nuk më kujtohet, por pjesëmarrës ishin stafi nga Policia e Kosovës (stafi nga selia qendrore dhe ajo kufitare), staf ndërkombëtar dhe policia malazeze. Vetëm unë isha civil dhe në cilësinë e ekspertit. Mendoj se në atë kohë u bë një punë e mirë, mirëpo çka ndodhi pastaj nuk e di, por ka pasur material faktografik të bollshëm për ta kuptuar problemin.

Shqiptari.eu: Si ishte reagimi i Policisë malazeze?

Isufi: E kam cekur edhe në një rast tjetër se sjellja e palës malazeze ka qenë interesante dhe reflektuese. Asnjëherë policia malazeze nuk e ka kaluar vijën kufitare të Kullës për të kaluar në anën kosovare. Kjo shihet edhe në fotot e publikuara. Personalisht në jetën e përditshme jam shakagji dhe ndonjëherë provokues dhe si i tillë edhe në rastin konkret si për shaka kam kërkuar nga polici malazez qe të lëviz në drejtim të territorit të Kosovës, ndërsa ai një gjë të tillë nuk pranoi ta bënte, sepse nuk ia lejonte detyra, duke lënë të kuptohet qartë se kufiri është aty, ku ndryshon edhe cilësia e asfaltit tek ndarja e qartë.

Shqiptari.eu:  A ka pas një përpjekje për matje apo përcaktim të kufirit dhe nga kush para vitit 2008?

Isufi: Nuk kam ndonjë njohuri, por me sa e di unë jo. Matje ka pasur vetëm nga Agjencioni Kadastral i Kosovës, ndërsa institucionet tjera dhe individët kanë shfrytëzuar të dhënat që kjo agjenci i ka ofruar. Unë mendoj që ky është burimi i problemeve, sepse askush nuk i ka sfiduar këto të dhëna grafike dhe atributive dhe si të tilla janë ngulitur gjithandej. Personalisht mendoj që problemi ka filluar në bisedimet për shpalljen e pavarësisë dhe delegacioni kosovar nuk i ka kushtuar vëmendje edhe kufijve, apo nuk ka publikim të asaj se çka u bisedua për kufijtë dhe se çfarë analiza shkencore hartografike janë prezantuar nga pala kosovare për problemet e kufijve të Kosovës. Presidenca dhe qeveria e asaj kohe duhet të publikojnë të gjitha informatat hartografike dhe atributive, që të konstatohet se a është biseduar dhe nëse po, çka është biseduar për kufi. Mendoj se ka pasur ndonjë matje të territorit për qëllim të bisedimeve sepse do të ishte jo normale të mos kishte. Se a i kanë bërë dhe kush i ka bërë, këtë unë nuk e di.

Shqiptari.eu: Çka mund të na thuash për matjen shkencore që është bërë për territorin e Malit të Zi, dhe sa kohë ka marrur ajo?

Isufi: Personalisht mendoj që në shkencën e gjeografisë dhe aplikimin e metodave më bashkëkohore është bërë hulumtimi më i mirë shkencor. Ne kemi marrë pjesë edhe në hulumtime të tjera për nevoja të brendshme me karakter ndërkombëtar dhe shumë sfiduese për shkencën e gjeografisë dhe hartografisë, por kjo ka qenë më e vështira dhe më sfiduesja. Për realizimin e këtij projekti janë harxhuar gjithsej rreth 150 ditë me mbi 6 orë në ditë dhe një numër i madh faktesh. Kemi filluar nga hartat 1:150.000, hartat topografike 1: 100.000, 1:50.000, 1:25.000 deri tek hartat më detale malazeze të shkallës më të madhe që ka qenë e mundur të sigurohen dhe të analizohen. Gjithashtu janë përdorur një numër shumë i madh i fakteve precize të detektuara me Remote Sensing dhe harta 1:10.000 të Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë dhe Shqipërisë për vërtetimin e vijës kufitare të Malit të Zi me shtetet fqinje. Në këtë projekt kanë marr pjesë edhe disa profesionist tjerë të gjeografisë, informatikës dhe hartografisë. Rezultatet janë verifikuar disa herë dhe janë publikuar vetëm atëherë kur nuk ka mbetur asgjë që ka qenë e mundur të sigurohet pa u konsultuar.

Tashmë edhe opinioni politik, profesional dhe mediatik e dinë dhe e kanë kuptuar se sipërfaqja e Malit të Zi rritet për 82 km2 nëse ratifikohet marrëveshja e vitit 2015. Këtu duhet të ceket se matja është bërë tepër profesionale dhe nuk kemi lënë asnjë mundësi të keqinterpretimit dhe devijimit profesional. Kemi përdorur të gjitha procedurat dhe metodat e matjeve që janë bërë në ish Jugosllavi. Ky është aseti më i mirë i palës kosovare që të argumentoj se pala malazeze na ka mashtruar.

Shqiptari.eu: A ka pas reagime dhe pse nëse jo nga Mali i ZI, për rezultatet e matjeve të territorit të Malit ZI?

Isufi: Sinqerisht ne kemi pritur reagime nga strukturat politike dhe profesionale të Malit të Zi, por nuk pati. Ne e dijmë që edhe pala malazeze e din se territori i tyre është rritur për 82 km2, të paktën këtë e dëshmon mos reagimi i tyre, ndërsa ne kemi qenë të përgatitur me kundër-reagim veçanërisht nëse kishte reaguar Akademia e Shkencave të Malit të Zi.

Ne mendojmë se nuk kanë argument të reagimit sepse territori është i matshëm dhe lehtë mund të konstatohet sipërfaqja. Fatbardhësisht Kosova ka profesionist që kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë edhe pa shkelur në territorin e Malit të Zi.

Ajo çka është për tu çuditur është se qeveria e Kosovës në vend që të jetë e lumtur që ka profesionist të tillë, ajo e kritikoi këtë veprim madje edhe nuk hezitoi të bëjë edhe një gabim politik, dhe juridik dukë na quajtur “mercenar” pa asnjë argument. Këtyre edhe fyerjeve tjera ne nuk u jemi përgjigjur sepse kemi konstatuar se me më shumë vlerë është puna në të mirë të Kosovës dhe territorit të saj se sa të merremi me individ që e luajnë rolin e avokatit të Malit të Zi. Intervistoi: SHQIPTARI.eu

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...