Published On: 14 Gusht, 2017

Erdogani mbyll shkollat shqipe në Kosovë?

Pas energjisë, transportit ndërkombëtar, ndërtimit infrastrukturor, xhamive, Erdogani vuri nën kontroll edhe shkollat publike të Republikës së Kosovës. Për këtë mision kujdeset fondacioni «International Maarif Schools of Kosova». Shkelje e rëndë e kushtetutës nga Qeveria e Prishtinës?

Xhemai Ahmeti

Para dy javësh, një mik imi zviceran që punon për institucione zvicerane si ekspert i politikave ballkanike ma dërgoi një mesazh me dy pyetje: 1. Cili është interesi kaq i madh i Turqisë në Kosovë për të propaganduar aq frontalisht kundër opozitave të saja dhe çështjes kurde aty dhe 2. cili është raporti i dy gazetave „Zëri“ dhe „Koha ditore“ me shtetin turk, respektivisht ambasadën e saj në Prishtinë?
Pyetjeve ai u kishte bashkangjitur faksimilet e dy editorialëve të botuar në gazeta; «Përvjetori i parë i fitores së madhe të demokracisë» me autor kryeministrin turk Binali Yilldirim [Zëri: 15.07.2017: 14] dhe atë «15 korriku 2016 është fitore e demokracisë së Turqisë» [KD: 15.07.2017: 11] të shkruar nga Ambasadorja turke në Prishtinë Kivilcim Kiliç. Përpos kësaj gazetat në fjalë patën botuar edhe faqe të plota me publicitet të paguar nga ambasada turke kundër puçit të vitit të kaluar. Ashtu si shumë gazeta ballkanike serbe, boshnjake e të linjës.

Përgjigja ime ishte kjo: «Regjimi i Erdoganit konsideron shtetet shqiptare si mbetje osmane dhe investon marramendshëm në instrumentalizimin dhe përvetësimin e tyre. Ideja primare është pushtimi i Europës: qoftë duke vënë BE nën presion me Ballkanin e qoftë për t’i përdor këto shtete si urë për të krijuar më shumë dominim në kontinent […]. Ambasada turke si editorialet ashtu edhe publicitetin politik do t’i ketë paguar. Pse pikërisht në këto gazeta e jo tjerat? Vetëm këto dy-a shtypen. Plus: pronarët e KD-së janë turkoafinë, kur kihet parasysh se gjysma e fisit të saj praktikon turqishten si gjuhë të parë. Pronarët e «Zërit» lidhjen e tyre e kanë religjioze me regjimin e 

Erdoganit. Ai i Kosovës edhe vetë është hoxhë për nga shkollimi dhe menaxhon lidhje të ngushta me radikalët islamikë të vendit, ndërsa ai i Maqedonisë financon ndërtimin e xhamive të tipit osman deri në Zvicër. Madje menaxheri vendimmarrës i pronarit nga Maqedonia në gazetën në fjalë vetë është njeri nga autorët aktiv të grupit të autorëve panturk «Shenja» në Maqedoni, të cilët shkruajnë nateditë duke kërkuar/dëshiruar Turqinë si komanduese të Gadishullit […]».
Për arsye të këtij «kontributi», autori i ekspertizës lartë, para dy ditësh ma dha për lexim raportin diskret, të bërë kryesisht mbi burimet gjermane dhe britanike rreth «ndikimit të Erdoganit në Republikën e Kosovës».

II.
Të gjithëve na kujtohet kërkesa e Turqisë për ndryshimin e historisë shqiptare. Synimi i aksionit ishte që epoka osmane të rishkruhet pozitivisht, jo si pushtim por si dashuri ndërmjet popujve. Një grup intelektualësh e bënë të madhe. Dikur u hesht e gjithë puna. Turqia nuk reagoi më. Pse? Ndodhi retushimi apo jo? Sipas të gjitha gjasave do të jetë përdorur e njëjta metodë si tani me shkollat e Gülen-it, në stilin pra «le të lehin qentë (mediat) karvani si ashtu ecën». Çka ndodhi pra me kontestin gylenisto-erdoganesk në Kosovë; mbylljen e shkollave güleniste?
Të gjithë ju kujtohet habia që shkaktuan presidenti Thaçi dhe Ministri i Jashtëm, të cilët aq me këmbëngulësi ekspozuan qëndrimin e tyre kategorik se Turqia si një shtet mik nuk ka asnjë të drejtë t’i përzihet Kosovës në sistemin e saj shkollor dhe s’ka pse i kërkon mbylljen e shkollave të caktuara. Pozë ka qenë. Mashtrim. Marrëveshje siç del tani nga burimet tona kokëforta ka qenë kjo: Jo vetëm shkollat e Gülenit të zëvendësohen me ato të Erdoganit, por turqve pas universiteteve dhe instituteve tjera arsimore u janë dorëzuar edhe shkollat fillore, çerdhet, shkollat e mesme.

III.
Para 11 muajsh Erdogani krijoi «Fondacionin shtetëror turk Maarif», i cili u ngarkua me misionin për zëvendësimin e shkollave armike gyleniste me ato turke sipas konceptit të Erdoganit. Me ndihmën e ministrisë së arsimit në Bosnjë tashmë janë defetoizuar tri shkollat universitare në Tuzlla, Sarajevë dhe Bihaç. Viti 2017-2018 do të fillojë në shtator me programet e reja mësimore.
E njëjta ndodhë në Shqipëri; tashmë «Instituti Kanadez i teknologjisë», me pronarët në Katar kaloi nën kompetencat e Fondacionit Maarif, kur tashmë janë të regjistruar 600 studentë. Ashtu edhe 12 institucionet arsimore të FETO-s, të cilat janë çerdhe, shkolla të mesme e të larta nëpër mbarë vendin e qeverisur nga Edi Rama.
Në Mal Të zi Maarif ka marrë në duar vetëm medresetë islame në koordinim me Bashkësinë Islame dhe kryeimamin e saj Ali Bardan. Në Maqedoni përveç Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik janë edhe një rrjet çerdhesh që i kanë hyrë procedurës së kapjes nga Maarif.
Në Kosovë situata është edhe më dramatike.
Më 25 Prill të këtij viti Fondacioni Maarif i Turqisë nënshkroi një protokoll (si duket) të licencuar pazëshëm nga Ministria e Arsimit me International American Academy of Kosovo (IAAK), misioni i të cilit është: «për të siguruar bursa nga parashkollat deri tek ato universitaret. Për të themeluar shkolla, konvikte dhe institucione të ndryshme arsimore jashtë vendit (Turqisë v.j.) dhe të trajnojë edukatorët, të cilët do të shërbejnë për këto institucione». (http://kosova-turkiyemaarif.org/)
Si duket ky mision në praktikë?
Në Prishtinë, Prizren dhe Lipjan tashmë ekziston sistemi paralel i shkollimit fillor dhe atij të mesëm, i cili zëvendëson atë publikun. Rekrutimi bëhet nëpërmjet bursave joshëse dhe të majme si për nxënësit ashtu për prindit. Duke pasur parasysh kushtet infrastrukturore dhe investimin kolosal turk mund të paramendojmë se sa lehtë bëhet sabotimi i shkollave publike kosovare në favor të atyre publike turke.
Në të njëjtat institucione shpërndahen broshurat për 15 korrikun, ato kundër organizatës «terroriste» kurde, kundër perëndimit, lindjes dhe gjithkujt që nuk është me Erdoganin. Edhe iftaret e fundit në shumicën e qyteteve e shkollave të Kosovës u organizuan me siglën e Ambasadës dhe Maarif bashkë. (Shih kollazhin).

Si ka mundësi që një shtet si Turqia, 32,7% e qytetarëve të të cilit nuk iu mjaftojnë të ardhurat për ushqimin bazë (Burimi: Statista) të japë 40 milionë euro për një xhami në Prishtinë dhe të ndajë miliona për shkolla e fondacione kulturo-ekspansioniste? Parasëgjithash pse e bën këtë? Kjo është çështje që duhet ta zgjedhin turqit, të cilët e votuan këtë sistem të tyre. Por çka donë të thotë për Republikën e Kosovës dorëzimi i sistemit shkollor publik një shteti tjetër?

IV.
Shumica e akademive dhe universiteteve perëndimore tashmë kanë futur në listën e diplomave të pavlefshme ato që do të prodhohen nga sistemi shkollor turk që nga viti shkollor 2017/2018. Pas ndalimit të teorive të natyralizmit shkencor (darvinizmin dhe plotë tjera të drejtimit) dhe shumicën e paradigmave që nga idealizmi gjerman, iluminizmi e këtej universiteteve e shkollave tjera si dhe imponimi i mësimeve religjioze islame në to, shkollat turke nuk i plotësojnë më as standardet themelore të certifikimit. Në këtë kontekst brumi ideologjik që e shpërndajnë edukatorët e këtyre shkollave është edhe më asgjësues se gjithçka tjetër; shkelja masive e të drejtave të njeriut si veprimtari legjitime e autokratit, glorifikimi i një opsioni politik dhe demonizimit i së drejtës së popujve për liri, gjuhë amtare dhe participim demokratik politik (kurdët) dhe të llojit janë kundër çdo norme jo vetëm sekulare por edhe humane.

V.
Duke u bazuar në këtë analizë pyetjet që vijojnë janë akute:

1. A nuk shkel Ambasada Turke kodin dhe ligjet e sjelljes diplomatike duke operuar si një qeveri paralele që ushtron diktat në BIK, Shkollat fillore publike, të mesme dhe universitare; që instrumentalizon mediat dhe shoqërinë e një vendi të huaj me politikën e brendshme të vendit të saj; që keqpërdor strukturat e sigurisë (FSK, Policinë e Kosovës, të cilat festuan njëvjetorin e puçit)

për çështje ideologjike pro qeverisë së saj. A nuk mjafton gjithë kjo që MPJ të marrë masa së paku për të hulumtuar këtë veprimtari që shkel rëndë sovranitetin e një vendi? Apo nuk e bëjnë ngase e kanë nënshkruar vetë.

2. Kush ia lëshoi liçensat Fondacionit Maarif për ta krijuar një sistem paralel parashkollor, fillor, të mesëm dhe universitar, kështu duke rrezikuar sistemin shkollor publik, i cili është e drejtë dhe garancë kushtetutare e çdo qytetari ta bëjë në gjuhën dhe sipas ligjeve të Republikës së Kosovës? Kush shkeli kushtetutën? Sidomos kur haptazi shihet shkelja e rëndë e sovranitetit të vendit? Ministria e Arsimit, Hashim Thaçi dhe  MPJ që mashtruan opinionin, prindërit, shkollat dhe gjithë gjoja se nuk lejojnë Turqinë të përzihet në sistemin shkollor e tash shohim se jo vetëm se përzihet por ka nisur zëvendësimin e tyre? Kush vendosi dhe lejoi që shkolla shqipe të zëvëndësohet me atë turke – qoftë, duke u ushtruar në shqipe si dikur në atë jugosllaven kur shqiptarët mësonin vetëm për rusë e jugosllavë e të ndaluar kishin mësimet mbi kulturën shqiptare?

VI.
Çka nëse institutet arsimore perëndimore fusin edhe shkollat kosovare në listën e zezë dhe të pa shanse në BE ngase funksionon brenda sistemit shkollor antisekular dhe monist turk?

Apo qëndron konkluzioni i huaj që lexuam se: «Republika e Kosovës de facto i ka hyrë politikës e së qenurës satelite e regjimit të Erdoganit. Rezistenca kundër është vetëm mediale, kozmetike, pro forma për të mbajtur edhe një portë hapur siç është BE dhe perëndimi. Në shkolla, xhami, institucione, shëndetësi, politikë, infrastrukturë, aeroporte, polici, siguri qëmoti tashmë është Turqi».
Vërtetë?
Së paku bëjeni transparent që tjerët së paku lamtumirën t’ua thonë si njerëz.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...