Published On: 28 Janar, 2016

Emrin e cilit ish –kryeministër e përmendi Clifford Chance?

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, thotë se u qëndron shkrimeve të saj të mëparshme mbi çështjen CEZ-DIA dhe Ilir Metën. Zëri i Amerikës e kontaktoi BIRN pas letrës së dërguar nga Clifford Chance qeverisë shqiptare, në të cilën thekson se si studio e ngarkuar për të përfaqësuar Shqipërinë në arbitrazhin CEZ-DIA nuk ka gjetur asnjë lidhje që implikon Kryetarin e Kuvendit, Ilir Metën, në lidhje korruptive me DIA-n apo administratorin e saj, Kastriot Ismailaj.

 “BIRN Albania i qëndron shkrimeve të saj të mëparshme mbi çështjen CEZ-DIA. Shkrimet e BIRN janë bazuar në dokumente të shumta gjyqësore të dorëzuara në Gjykatën e Arbitrazhit në Vienë nga firma ligjore Clifford Chance, dokumente të Prokurorisë Shqiptare si dhe në burime njerëzore të personave kyç. Shkrimet e saj kanë respektuar standardet më të larta të gazetarisë, përfshirë dhe të drejtën e përgjigjes nga ana e zotit Meta përpara publikimit të tyre”, thuhet në reagimin e BIRN.

BIRN e përmendi për herë të parë Metën si të implikuar në këtë çështje, referuar dokumentave të studios së avokatisë Clifford Chance. Në një artikull të 3 shtatorit 2015, të titulluar “Akuza në arbitrazh: Ilir Meta mori ryshfet nga biznesmeni i arrestuar për mashtrim”, BIRN shkruante se “avokatët që përfaqësojnë OSHEE-në në një gjyq arbitrazhi ndërkombëtar në Vjenë, pretendojnë se kanë prova që Ilir Meta ka marrë ryshfet nga biznesmeni i akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash, Kastriot Ismailaj”.

BIRN pretendon se disponon dokumentat ku Clifford Chance përmend Ilir Metën pas rrjedhjes së informacionit kur DIA hodhi në gjyq CEZ për prishje kontrate.

“Detajet e akuzave kanë rrjedhur pasi DIA hodhi në gjyq kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike për prishje kontrate, duke kërkuar 130 milionë euro në vitin 2013, kohë kur kjo e fundit quhej CEZ Shpërndarje dhe ishte nën pronësinë e gjigantit Çek të energjisë, CEZ Grup. Sipas një kërkese për t’i hedhur poshtë akuzat e ngritura nga DIA, një kopje e së cilës është siguruar nga BIRN, zyra ligjore e OSHEE-së, Clifford Chance pretendon se Meta ka qenë një nga përfituesit e pagesave prej miliona eurosh, të përfituara nga kompania e mbledhjes së borxheve prej CEZ Shpërndarje gjatë viteve 2010 dhe 2011.”

Clifford Chance, në letrën e saj pranon se informacioni ka rrjedhur, duke thënë se kjo rrjedhje ka ndodhur pas vizitës së përfaqësuesve të saj te prokurorët shqiptarë në Tiranë, në tetor 2013, por thotë se informacioni i pretenduar nga media, është vetëm supozim dhe se nuk ka asnjë të dhënë që e lidh Metën me akuzën e korrupsionit me DIA-n.

“Kokëfortësia e gënjeshtrave të prezantuara nga oponentet na detyruan ne të reagojmë, por në të kundërt të asaj cka pala tjetër ka supozuar pas rrjedhjes së informacionit të vizitës tonë tek prokurorët në Tiranë në Tetor 2013, ne nuk kemi bërë asnjë akuzë të pagjetur. Në këtë dritë është për të ardhur keq që natyra jo-publike e procesit të arbitrazhit është dhunuar, kur disa nga parashtrimet tona rrodhen në drejtim të shtypit për arsye të ndryshme politike dhe disa përfaqësues të medias lidhën emrin e të Nderuarit Kryetar të Parlamentit të Shqiperisë me akuzën e korrupsionit. Kjo gjë ka qenë qartësisht e pajustifikueshme mbi bazën e parashtrimeve tona. Ju do të kuptoni që ne na duhej të qëndronim të tërhequr nga reagimi në detaje ndaj supozimeve të tilla të medias, në këndvështrim të procedurave në vazhdim të arbitrazhit, por ne mund t’ju sigurojmë që nuk disponojmë asnjë të dhënë që e lidh z. Meta me veprimet korruptive të DIA-s apo të administratorëve të saj të shkuar apo aktuale. Në cdo rast, përfshirë përpjekjen e fundit frenetike të oponenteve të OSHEE-së për te shkaktuar konfuzion publik, ato dështuan dhe procedimi përfundoi me dhënien e vendimit përfundimtar të arbitrazhit më datë 14 Dhjetor 2015”.

Me letrën dërguar ministrit Damian Gjiknuri dhe administratorit të OSHEE, Clifford Chance u rrek të hidhte dritë mbi një prej çështjeve më të bujshme të muajve të fundit, që trazoi jo pak politikën shqiptare. Por me BIRN që thotë se u qëndron shkrimeve të saj, pasi i ka të bazuar në dokumenta zyrtare dhe burime njerëzore të personave kyç, paqartësia shtohet. Clifford Chance nuk e ka mohuar dhe as saktësuar nëse ka përmendur emrin e ndonjë zyrtari të lartë, apo ish –kryeministri si të implikuar në afera korruptive me DIA-n e Kastriot Ismailajt. Pretendimi i BIRN se përfaqësuesit e studios e kanë bërë një gjë të tillë, merionte një sqarim më shumë sesa fakti që ishte përmendur Meta apo jo.

Kjo për arsye se qeveria shqiptare nuk e ka mohuar faktin se Clifford Chance ka përmendur emrin e një ish –kryeministri të akuzuar për korrupsion, por ajo i sqaroi në atë kohë BIRN –it se emri nuk ishte ai i Ilir Metës. Edhe LSI e pranoi se ishte përmendur emri i një ish –kryeministri, por mediat pranë saj e lidhën atë me emrin e Vilson Ahmetit, i cili nga ana e tij mohoi çdo lidhje me DIA-n.

Atëherë, emri i kujt ish –kryeministri është lakuar nga studio ligjore e kontraktuar nga qeveria shqiptare? Përgjigja e kësaj pyetje, që mund ta jepte Clifford Chance, do ta qartësonte përfundimisht situatën. Ajo do të fshinte çdo lloj dyshimi mbi vërtetësinë e përmbajtjes së letrës së studios ligjore apo mbi arsyet se përse ajo zgjodhi këtë kohë për të thënë hapur se, “Ilir Meta nuk ishte zyrtari i përmendur prej saj për korrupsion” dhe nuk e bëri këtë sqarim kur Ilir Meta u akuzua publikisht për përfshirje në korrupsion. /Lapsi.al

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...