Debate Lajmi Kryesor 2

Elita intelektuale nisi të zëvendësonte elitën e munguar politike

  • Gani Mehmetaj (Kujtime 13)

Sllovenët, kroatët, por edhe boshnjakët e maqedonasit sllavë e patën elitën politike në kuadër të republikës së tyre, që i amortizonte goditjet e presionet e pareshtura të oligarkisë serbe. Ndërkaq, oligarkia serbe u rigrupua në Komitetin Qendror, në ushtri, polici e në shërbimin sekret, ku mbizotëronin. Sllovenët e kroatët i zvarritën gjatë kërkesat e Serbisë për rikrijimin e federatës sipas kutit të tyre, ndërkohë që përgatiteshin për shkëputje. Prapa elitës politike qëndronin ekipe të tëra të intelektualëve e shkrimtarëve në zë për kombin e tyre.
Ne nuk e patëm elitën politike. Ato grupe shqiptaresh që rrinin ende në krye të komiteteve partiake apo në krye të institucioneve shtetërore lokale, më shumë zbatonin urdhrat e komiteteve partiake të Serbisë e Jugosllavisë sesa e dëgjonin zërin e kombit të tyre. Ata nuk ishin as hija e elitës politike e shtetërore, sllovene, kroate, madje edhe maqedonasit sllavë ishin më të konsoliduar e më kombëtarë.
Në mungesë të elitës politike në Kosovë nisën të konsolidoheshin intelektualët, gazetarët, mjekët e shkencëtarët për t’iu kundërvënë aparaturës së dhunës. Ata gjatë gjithë kësaj kohe i vunë në thumb të sulmeve serbët, por edhe të zyrtarët shqiptarë të instrumentalizuar. Në mesin e intelektualëve pati përcaktime të ndryshme. Një pjesë e madhe ishin edukuar në frymën kombëtare, prandaj donin që në një të ardhme të afërt të shkëputeshim nga Jugosllavia. Të gjitha lëvizjet në Evropën Lindore tregonin se sistemi komunist dhe federatat e mëdha si Bashkimi Sovjetik e Jugosllavia do të shkërmoqeshin, ashtu sikurse u rrënuan pas Luftës së Parë Botërore Austro-Hungaria e Perandoria Turke. Pjesa tjetër donin ta besonin këtë gjë, mirëpo aq shumë pësuan trauma, sa nuk bindeshin dot se ne mund të shkëputeshim nga Jugosllavia, pra këta e mbronin autonominë e vitit 1974, apo një autonomi të zgjeruar në kuadër të Jugosllavisë, por pa përçapje të mëdha që do të nxisnin, sipas tyre hakmarrjen serbe me masakra, siç ishte ajo pas Luftës së Dytë Botërore. Të tretët më të zëshëm, më agresivë dhe me mbështetje projugosllave, flisnin shqip, ndërsa mendonin serbisht. Kjo kategori kërkonte të mbeteshim në kuadër të Jugosllavisë, sepse ndryshe nuk bën, arsyetonin ata me të drejtat që do të na i jepnin serbët e jo më ato që duhej t’i kërkonim në mënyrë të dhunshme. Ata parashikonin që edhe në të ardhmen, kur të shtrohej mundësia “ose-ose”, sipas tyre ne duhet të përcaktoheshim me Jugosllavinë vetëqeverise e jo me Shqipërinë staliniste që i urryeka “kosovarët”.
Kategoria e tretë shkruante në një pjesë të shtypit të Kosovës, por ishin të zellshëm në shtypin e Beogradit, shpesh duke mbrojtur tezat e tyre dhe duke kërkuar edhe mbështetjen e serbëve. Më i zëshmi i kësaj kategorie në mediat serbe e shqiptare qe Sh. Ma., të cilin çuditërisht e mbronte edhe propaganda e Shqipërisë staliniste (në shtypin e tyre e quanin akademik, ndërsa askush nuk e dinte ka mbaruar fakultet apo jo), e mbronin jugosllavët (shokët e babai të tij të shërbimin sekret etj.).
Pavarësisht kolonës së pestë, elita intelektuale u shqua me guxim në gazetën “Rilindja”, ku punonin shumë shkrimtarë e gazetarë, ata përpiqeshin ta mbronin kulturën shqiptare e dinjitetin kombëtar me shkrime të guximshme, duke iu kundërvënë qëndrimeve të komiteteve partiake, të cilat në emër të kinse luftimit të nacionalizmit e të irredentizmit shqiptar luftonin çdo gjë kombëtare.
Elita intelektuale mobilizohej gjithnjë e më shumë edhe në Universitetin e Prishtinës, Institutin Albanologjik, klinikat universitare, RTK, institutet shkencore etj. Ajo do t’u printe të gjitha proceseve kombëtare e demokratike.
Shkrimtarët shqiptarë në Beograd dhe atmosfera e linçit

Veçimi i Ibrahim Rugovës nga intelektualët e shkrimtarët tjerë nuk ishte rastësi, më shumë qe fat. Ai u shqua me guximin intelektual e vetëdijen kombëtare shumë kohë më parë. Doli në mbrojtje të Ismail Kadaresë, kur Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës të Kosovës diskutonte ta hiqte nga programet shkollore, sepse, sikurse thoshin komunistët e kësaj organizate, Kadare u shquaka në sulmet armiqësore kundër Jugosllavisë. E akuzonin për nacionalist. Urdhrin për heqjen e Kadaresë nga programi shkollor e morën nga Beogradi. Ibrahim Rugova e kundërshtoi këtë nismë të komunistëve të LSPP-së, duke i mobilizuar në këtë mënyrë edhe të tjerët. U bë një mur mbrojtës kundër këtyre masave.
Rugova doli edhe në mbrojtje të filmave shqiptarë të Kosovës (ishte kryetar i Komisionit për vizionimin e filmave.) Në një debat televiziv krahas Azem Shkrelit, drejtor i “Kosovafilmit” dhe një kritiku nga Sarajeva, debatuan për filmat, të cilët shtypi i Beogradit nisi t’i sulmonte me egërsi, duke i quajtur nacionalistë e të rrezikshëm.
Rugova u bë hero i shqiptarëve në takimin e shkrimtarëve të Kosovës, me shkrimtarët e Serbisë në Beograd. Shkrimtarët e të dy kombeve ishin në armiqësi të vazhdueshme, shkrimtarët serbë ishin në armiqësi me të gjithë shqiptarët, sepse u vunë në shërbim të Milosheviqit e shovinizmit të tërbuar antishqiptar, duke e mbrojtur platformën e D. Qosiqit, I. Andriqit e I. Garashaninit për zhdukjen e shqiptarëve.
Në Beograd qe atmosferë linçi, tregojnë ata që ishin të pranishëm aty. Paraqitja e shkrimtarëve shqiptarë nga Kosova u bë me dinjitetet. Ata sikur e plotësuan kështu heshtjen qyqare të politikanëve tanë, të cilët në Beograd ishin inferiorë. Meqë ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovës i ra fati historik të përballej drejtpërdrejt me eksponentët e Milosheviqit.
Ky studiues i Pjetër Bogdanit e i letërsisë bashkëkohore, i heshtur nga natyra, paksa i zymtë, me syze dioptrie, të cilat s’do t’i heqë kurrë, me pallton e gjatë, e qeshjen shpërthyese, karakteristikë që do ta ndjekë gjatë gjithë jetës, u bë intelektuali më i përfolur ato ditë. Mediat serbe e sulmonin me egërsi, mediet e Kosovës e prezantonin me maturi.
Në të vërtetë atë që e tha në Beograd, me disa shkrimtarë tjerë do të duhej ta thoshin politikanët shqiptarë të Kosovës shumë vjet më parë. Mbase do ta ndalnin dhunën e njësive speciale jugosllave e të institucioneve partiake, të cilat nuk merreshin me asgjë tjetër, pos me “luftimin e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar” në Kosovë. Me ndonjë kundërshtim të vendosur, ashtu sikurse e bënë shkrimtarët, politikanët tanë, mbase, do ta frenonin shpërthimin e pakënaqësive, që u pa se ishte i parakohshëm, sepse askush nuk na doli në mbrojtje. Zyrtarëve tanë pos guximit u mungonte dija, arsimimi, mezi i lidhnin dy fjalë bashkë, nga partizanët me gjysmë opinge dhe me shumë mëkate-krime në shpirt, vështirë të kërkoje më tepër.
Rugova me shkrimtarët shqiptarë i takonte brezit tjetër, me të kaluar të pastër, të arsimuar, që jetonin me hallet e gjakimet e kombit të vet. Ata nuk kishin as banesë, as shtëpi në Beograd, sikurse shumë zyrtarë shqiptarë.
vijon

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *