Analiza Lajmi Kryesor

Ekskluzive: Ja tuxharllëku i shëmtuar me gjuhën shqipe, që e ulë me gjuhën rome

  • Ose poshtërimi gjithëshqiptar si “avancim”..!

Shkruan: Nijazi Muhamedi

Demarshi i partive shqiptare lidhur me shumë të telallisurin “statusin zyrtar” të gjuhës shqipe është një demarsh manipulues faqe opinionit gjithëshqiptar, një demarsh që në fakt përbën një argatëri të turpshme të tyre për ta legjitimuar dominimin institucional maqedonas mbi shqiptarët me gojën dhe me dorën e shqiptarëve. Ata tash e bëjnë përsëri atë punë dhe e luajnë atë rol që e kanë luajtur gjatë “negocimit” gjoja të Marrëveshjes së Ohrit, kur në vend që të negocojnë “statusin zyrtar” të gjuhës shqipe, pranuan “përdorimin publik dhe pak turli-zyrtar të shqipes si “gjuhë e komunitetit që përbën mbi 20 përqind”, dmth, pranuan statusin e gjuhës minoritare”, duke e njëjtësuar mandej atë “status të gjuhës minoritare” me gjuhët e tjera, si romishtja, vllahishtja etj që flitet e shkruhet në Maqedoni, nëse këtë status e lexojmë drejt si është shkruar në MO dhe si lejohet të përdoret.

Dhe, që turpi të jetë më i madh, dhe të jetë një turp bile gjithëshqiptar, ata kanë lejuar që shqipja në kushtetutën e Maqedonisë të mos e gëzojë të drejtën e emrit të vet, por të marrë emër numri dhe përqindjeje, një definim tejet racist, të cilin nuk do ta kishte pranuar bile as ndonjë fis afrikan, nëse kolonizatori i tij do t’ia përdhoste kështu poshtërueshëm mohimin e emërtimit të gjuhës. Kjo në fakt, teoritikisht dhe simbolikisht do të thotë që maqedonasit mohojnë ekzistencën e gjuhës shqipe në Maqedoni, po mohojnë njëherësh edhe ekzistencën e saj edhe përgjithësisht ku flitet e shkruhet ajo në tokat shqiptare; ndërsa ne shqiptarët e pranojmë me gojën tonë mohimin e tyre, që njëherësh do të thotë edhe mohim i vet popullit tonë që e flet dhe e shkruan këtë gjuhë, që këtë gjuhë e ka emblemë historike dhe embleme përhershmërie të identitetit shqiptar, dhe poashtu na mundon gajleja e turpshme që të deklarohemi se ne jemi “të vetmit që pranojmë gjuhën maqedonase”, pra, “kombin maqedonas” dhe “identitetin e tij”..!!!

Po të kthehemi prap te demarshi i partive. Statusin zyrtar të një gjuhe e definon kushtetuta, e jo ligji. Ligji për gjuhën ose gjuhët zyrtare minoritare, e ky ligj që po tundet e shkundet, mjerisht në tërë opinionin shqiptar, duhet të mandatojë përdorimin “zyrtar”, të kthyer në “përdorim publik me funksion vetëm komunikues”, pra, të operacionalizojë atë status juridik-kushtetues që e përmban kushtetuta, ndërsa në Kushtetutën e Maqedonisë, në të cilën është inkorporuar MO, njihet vetëm një gjuhë zyrtare, maqedonishtja, në tërë territorin e brendshëm të Maqedonisë, dhe në përdorimin me jashtë. Ndërkaq, statusi i shqipes, sipas definimit kushtetues është një “status i gjuhës bashkë-zyrtare”, jo me vlerë juridike të njëjtë me maqedonishten, por vetem si “gjuhë shoqëruese”, ose thënë në zhargonin e sociolinguistikës, “status i një gjuhe “eskorte”, dhe më shëmtueshëm,”status i një gjuhe shërbëtore”.

Drafti i kësaj marrëveshjeje politike mes “eskortave” politike shqipfolëse në qeverinë e Zaevit, që pritet të kthehet në projektligj, e mandej të miratohet si ligj, është një tekst tejet poshtërues për dinjitetin e gjuhës sonë, për prestigjin e gjuhës sonë në Maqedoni, në Ballkan, dhe në vetë gjuhësinë, dhe për legjitimitetin e gjuhës sonë, e më këtë është njëherësh poshtërues edhe për popullin tonë që e flet dhe që e shkruan këtë gjuhë. Sepse, ky është tekst i shkruar nga pala maqedonase dhe në ujdi mes tyre (VMRO-LSDM), duke futur aty të gjitha akrobacionet juridike-politike për të fshehur “statusin pa status të saj”, dhe është tekst të cilin “pehlivanët” politikë shqiptarë e kanë miratuar “me lexim të parë” dhe nga njerëz që fare nuk kanë të bëjnë me gjuhën, dy “veterinarë” (nga dy parti shqipfolëse) japin pëlqimin se janë dakord me tekstin e lexuar, dhe e telallisin atë si “avancim të përdorimit të shqipes”, duke vigjiluar që ky tekst të mos bjerë në dorë ekspertësh shqiptarë; që ky tekst të mos shtrohet në debat para ekspertëve shqiptarë, në debat për opinionin shqiptar. Dhe, që të jetë turpi dhe më i madh, janë anashkaluar, me ndonjë “përzgjedhje të ndonjë “eksperti partiak”, edhe dy Universitetet në gjuhën shqipe, UEJL dhe USHT, dhe dalin e imponojnë politikisht dhe mashtrueshëm këtë tekst në emër të tyre dhe të gjithë shqiptarëve, ashtu si ua ka prerë mendjepakësia e tyre politike.

Ky poshtërim gjithëshqiptar si “avansim” që do sjellë ky “ligj bodrumi”, se është i shkruar në zyrat e Akademisë Maqedonase, dhe i lexuar nga ana e gjoja “partnerëve koalicionues shqipfolës dhe i “negocuar” në një bodrum qeveritar mes tyre dhe Zaevit, do të jetë një “poshtërim i ri dhe vetëposhtërim i avansuar”për shqiptarët. Zaev që në fillim u dëgjua të thotë se do bëjë “një avansim” në përdorimin më të lejuar gjuhëve të “bashkësive etnike, pra edhe të shqiptarëve” për do nevoja më të rëndomta të komunikimit me shkrim apo me gojë të qytetarëve jomaqedonas me administratën shtetërore në rrafsh lokal, dhe për nevoja të tjera të qytetarëve të asaj gjuhe për të “shitur gjizë dhe ajvar” në Strumicë, një komunikim që edhe deri më tash Kushtetuta ua ka njohur formalisht, por që organet e administratës nuk ua kanë njohur praktikisht atë të drejtë të “komunikimit” bile edhe në vendbanimet shqiptare ku ata përbëjnë “një shumë aritmetike prej mbi 19 për qind”, një emërtim aritmetik, më të çuditshmin në dynja që ia kanë vënë si emër gjuhës shqipe në Marrëveshjen e Ohrit, e që do të thotë-një emërtim që e bën të panjohur këtë gjuhë, që e bën, pra, të mohuar këtë gjuhë nga ana kushtetuese; por që, mjerisht, që nuk trazon ndërgjegjen as qytetare, as kombëtare të folësve të saj, pra, të shqiptarëve ndaj këtij poshtërimi dhe vetëposhtërimi të pranuar nga ana e tyre.

Kyfarë ligji, i cili gjithandej ndër shqiptarët është kah po telalliset si një “avancim i zyrtarizimit të shqipes”, në fakt, në këtë ndërmjetkohë para “miratimit të tij” në Kuvendin e Maqedonisë, duhet kuptuar edhe si një marketing poshtërues ndaj gjithë shqiptarëve dhe si një turp gjithëvetëposhtërues i gjithë shqiptarëve, se është gjuha e tyre që nga maqedonasit është vënë në tallje gjithëshqiptare dhe që këtë tallje e legjitimojnë, ”e bëjnë të pranueshme me dashje” nga ana shqiptare përmes lexuesve të paturpshëm dhe “negocuesve” bastardë të këtij ligji që “përfaqësojnë shqiptarët” në Kuvendin e Maqedonisë.

Ky nuk është ligj i ri, por është një “zgjerim i avansuar” i një ligji të mëparshëm të sjellë gjatë mandatit të parë të qeverisjes së koalicionit VMRO-BDI, i përgatitur nga ana e Institutit të Gjuhës Maqedonase dhe ASHAM-it, i lexuar dhe i “negocuar” po ashtu në një bodrum qeveritar nga ana “e një zyrtari të BDI-së” që tash është prapë deputet, për t’i referuar kryetarit të tij se ai ligj, që ishte ligji i parë që dilte nga MO, ishte i pranueshëm për “kutin e mendjes së tij prej deputeti”, pra edhe për “kutin e mendjes së shqiptarëve” që kontrollonte dhe në vend të tyre vendoste e vendos ende “partia e tij” dhe një ligj që mbeti me zbatim të cunguar.

Tash ky ligj që na qenka “më i avansuar”, që “në fakt, është një tekst-ligj i përbashkët i ekspertëve të VMRO-së dhe LSDM-së, por vetëm i lexuar dhe i negocuar, pra, dy herë nëpër bodrume qeveritare nga ana e “përfaqësuesve shqiptarë”, dramatizohet si arritje “avansuese” para shqiptarëve, me shqetësimin manipulues se duhet sjellë me të nxituar dhe brenda natës, pa debat së paku para opinionit shqiptar, para ekspertëve shqiptarë, me qëllim që të mos dalë në shesh tuxharia politike e mjeranëve që “kanë negocuar një ligj që mbi poshtërimin e vjetër ka trashur një poshtërim të ri ndaj gjuhës shqipe, si një gjuhë “zyrtarisht shërbëtore”, “zyrtarisht të nënshtruar”, “zyrtarisht shoqëruese vetëm në funksion informimi të qytetarit që e flet këtë gjuhë krahas dhe pa vleftësi të barabartë juridike me “maqedonishten, të vetmen gjuhë zyrtare në Maqedoni”(!).

Për ta mbajtur të “pranueshme nga ana shqiptare, këtë tuxhari të bërë poshtërisht në dëm të dinjitetit, prestigjit dhe legjitimitetit të gjuhës sonë për të qenë e barabartë në statusin e saj zyrtar me maqedonishten, dhe që të mos dalin “tuxhari të vjetra” bërë me statusin e gjuhës gjatë “negocimit” të MO, përdorin marifete e dredhi që po ashtu nuk janë të reja, pra që i kanë përdorur dhe më parë: ligji duhet sjellë pa shtyrë, në prag të zgjedhjeve vendore, dhe nuk duhet dërguar për ekspertizë paraprake në Komisionin e Venecias, ekspertët e të cilit, që kanë marrë pjesë edhe gjatë negocimit të MO më 2001, do të zbulonin të gjitha truket “juridiko-politike” që i ka përdorur propozuesi i ligjit dhe “tuxharlexuesit” e tij shqipfolës për ta fshehur poshtërimin “zyrtar” në përdorimin e saj që është bërë me këtë propozimligj, por edhe me “definimin e mbrapshtë kushtetues të statusit të saj “bashkë-zyrtar” me maqedonishten.

Përpjekja e tinëzuar për të penguar këtë propozim-ligj, jo të gjuhës shqipe, si e thonë në shtyp, por të “gjuhëve të komuniteteve etnike” që të mos shkojë për ekspertizë në Komisionin e Venecias bëhet nga droja e tuxharëve të vjetër e të rinj të statusit “zyrtar të gjuhës shqipe”, që të mos u dalin të zezat që kanë bërë në dëm të interesave të shqiptarëve gjatë negocimit të MO-së, kurse kjo është edhe në interes të palës maqedonase (që nga zori i presionit nga UE pranon dërgimin në Komisionin e Venecias) se më këtë mosdërgim, të drejtat gjuhësore të shqiptarëve, i mban si të drejtat që janë vetëm në duar të saja dhe të ekspertëve të saj, që kurdo mund t’i “avancojnë poshtërueshëm ato për ndonjë interes elektoral, kurdo mund t’i heqin si t’ua sjellë hera e dominimit të tyre mbi shqiptarët.

Kyfarë ligji, nga pala shqiptare, në fakt, nga tuxharët e statusit juridik të saj, mjerisht, më tepër kërkohet për përfitime poshtëruese elektorale tash para zgjedhjeve vendore që priten të mbahen në tetor dhe nuk ka gjasa të zbatohet po ashtu brenda kësaj kohe, se zbatimi i tij nuk është vetëm sjellja, ka edhe të tjera veprime juridike e administrative, si dhe buxhetore që përbëjnë parakushte për zbatim të plotë të çdo ligji, po të këtij ligji veçmas… SHQIPTARI.eu

 

Lexoni edhe:

Tronditëse: Për Beogradin të gjithë liderët e Kosovës të dashur, pranojnë dominimin serb

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *