Published On: 4 Gusht, 2017

Ekskluzive/ Çështja CEZ-DIA, “kanalet e zeza” ku qelbet politika shqiptare

Ekskluzive/ Çështja CEZ-DIA, “kanalet e zeza” ku qelbet politika shqiptare; rivaliteti Meta- Berisha për të favorizuar aferën korruptive të Kastriot Ismailajt

Një sërë çështjesh, faktesh e ngjarjesh, të lidhura pazgjidhshmërisht që e kthejnë në bindje se marrëveshja DIA-CEZ ishte një marrëveshje e lidhur në kushtet e korrupsionit dhe të mashtrimit, ku figura më e spikatur përveç Kastriot Ismailajt është ajo e Ilir Metës.

Pas intervistës së Vojsava Ismailajt dhënë “Pamfleti.com”, intervistë e cila për vetë natyrën e saj denoncuese mori një numër rekord leximesh paçka se nuk pati asnjë reagim apo përgënjështrim nga njerëzit që u përmendën në të; është Romeo Kara, personi “kyç” i denoncimit të aferës CEZ-DIA, ish- juristi i CEZ, që ka reaguar me një sërë faktesh ngjarjesh e historish që e kompromentojnë këtë marrëveshje mes një kompanie shqiptare të ngritur enkas dhe kompanisë së madhe çeke CEZ e cila notoi për disa vite në ujrat e politikës së korruptuar shqiptare duke fituar para dhe duke lënë pas një gropë të madhe në sistemin energjetik shqiptar…

Reagimi i Romeo Kara

Kam mendimin se, bashkëshortja e Ismailajt, nuk është larguar nga Shqipëria se ndjehej e kërcënuar, por  pikërisht se donte të ishte në pozitat e duhura, për të kërcënuar të tjerët.

Thuhet se ajo ka bërë që nga Viena ku ndodhet, disa telefonata kërcënuese, ndaj disa personave, në mënyrë që ata të ndihmojnë Ismailajn që të dalë nga burgu, se përndryshe ajo do të publikonte materialet kompromentuese, që ajo dhe Ismailaj, kishin për ta.

Ajo dhe Ismailaj, kishin dhënë më parë prova se ata e bënin një gjë të tillë.

Në 30 qershor 2015, avokatët tanë të Clifford Chance, dorëzuan në tribunalin e Vienës një parashtrim, ku theksohet natyra korruptive e marrëveshjes DIA-CEZ, si dhe përfshirja e një ish kryeministri të akuzuar për korrupsion.

Ky material, iu dorëzua Ismailajt nga avokati i tij në Vienë dhe ai ia përcolli shtypit si dhe kundërshtarëve të Ilir Metës.

Po kështu u publikua në “youtube” një video familjare e Ismailajt, ku në pjesën më të madhe shfaqej Meta që bënte gara me Luan Hajdaragën, se kush hante më shumë, duke shprehur kështu gëzimin e madh për fejesën e Kastriotit.

Në këmbim të këtyre informacioneve kompromentuese për Ilir Metën, kundërshtarët e tij(Metës) si Berisha, Doshi, Prifti & Compani, i dhanë një suport të dëmshëm në public Kastriot Ismailajt, duke rrezikuar të efektonin të gjithë procesin e arbitrazhit në Vienë, duke tentuar që Ismailajn ta konsiderojnë një të burgosur politik, ndërkohe që ai ishte thjesht nje mashtrues që notonte në ujërat e politikës së korruptuar.

Vojsava Ismaliaj jep sinjale të qarta se me Ismailajn do të fundosen edhe të tjerë.

Lidhur me këtë, ajo pranon të rrezikojë kur deklaron se: “çështjet për të cilat ai po hetohet i shoqi janë madhore, janë çështje ku janë përfshirë emra shumë të pushtetshëm të politikës shqiptare”.

Ky është kërcënimi real dhe i vërtetë i saj dhe i burrit të saj.

Vojsava Ismailaj patjetër që ka prova lidhur me këtë fakt, por ajo çfarë mund të konfirmoj unë është se: Jozef Hejsek (ish drejtori çek i CEZ-Shpërndarje), ka deklaruar me 26 tetor 2014, përpara avokatëve të Clifford Chance që, “Ismailaj u prezantua tek ata (çekët) nga ish ambasadori shqiptar në Pragë, Qazim Tepshi si një njeri i afërt i Ilir Metës dhe i Sali Berishës”.

Është fakt, që në fillim u synua që kjo çështje të mos trajtohet si çështje korrupsioni, por vetëm si një çështje mashtrimi.

Tani mesa dihet, është thirrur si i pandehur edhe vetë ish drejtori çek i CEZ-Shpërndarje, Jozef Hejsek. Është thërritur se, realisht duan ti shkojnë deri në fund kësaj çështjeje, apo jo, unë këte nuk e di, por mund të jetë edhe një shenjë presioni karshi tij(Hajsekut), që ai të mos flasë, pasi do të gjendet vetë i përfshirë në këtë mesele.

Prononcimi i Vojsava Ismailajt nuk mund të kalojë vetëm si një “skup” gazetaresk. Ky prononcim, që për mua është gjëja më e vërtetë në intervistën e saj, duhet të jetë objekt i një hetimi të plotë dhe të saktë të prokurorisë, e cila ka rastin për t’i bërë një shërbim të pallogaritshëm këtij vendi.

Si mund të dënohet për aferën DIA vetëm Kastriot Ismailaj?!

Si mundet që këtij personi, pa asnjë përvojë të mëparshme në mbledhjen e borxheve t’i ofrohej një kontratë prej 430 milionë eurosh, ku ai do të qëndronte vetëm si fasadë, se të gjithë punën do ta kryenin punonjësit e CEZ-it?

Si mundet që këtij personi jo vetëm që ju dha një kontratë, por iu mundësua që të ligjëronte për një mashtrim, të cilin ne e quajmë Passut & Partners, në qershor 2010 në Pragë, përpara drejtuesve të CEZ-Group?

Si mundet që këtij personi jo vetëm iu dha një kontratë e majme, pa pasur asnjë përvojë të mëparshme, por në kontratë u cilësua se vetë CEZ-i detyrohej t’i ofronte kompanisë të ngritur prej këtij personi rreth 210 nga specialistët e vet?

Përse ata që nuk pranonin të transferoheshin tek DIA, në kundërshtim me kodin e punës, kërcënoheshin se do të pushoheshin nga puna?

Përse këtij personi iu ofruan zyrat e CEZ-it, kompjuterat e CEZ-it,  për të punuar personeli i DIA-s?

Përse këtij personi iu dhanë paradhënie 512 mijë euro në muaj, të parashikuar në kontratë, për të cilat ai në kundershtim me ligjin ka marrë edhe TVSH-në?

Përse ky person u pagua për një punë të pakryer asnjëherë me 1.5 milionë euro në fund të vitit 2010?

Përse kjo pagesë korrespondon me vizitën e përbashkët Meta-Ismailaj në Pragë në 2010?

Përse kjo pagesë dhe kjo vizitë korrespondojnë me vendimin e ERE-s nr. 97 marrë me 7 dhjetor 2010 ku tarifa e çmimit të energjisë ulej në 1.48 leke, nga 2.03 që ishte më përpara, duke sjellë një dem në buxhetin e shtetit jo me pak se 30 milionë euro?

Përse pasi u ndërpre kontrata DIA-CEZ, në  28 Tetor 2011, u rrit çmimi i enërgjisë nga 1.48 lekë në 2.83 lekë? A ishte kjo një shenjë presioni ndaj CEZ-it? A vinte ky presion nga Berisha, ndërkohë që Meta ishte ftohur me Ismailajn në këtë kohë? Përse pas lidhjes së kontratave të tjera debt collection, me kompani që ishin pranë Berishës, u ul çmimi i energjisë nga 2.83 lekë në 2.2 lekë, duke favorizuar përsëri CEZ-in?

Vlen të përmendet që kompanitë që ishin pranë Berishës dhe miq të Ismailajt, zëvëndësuan DIA-n në këtë process duke marrë para qyl nga CEZ-i në shuma të mëdha. Kompanitë janë: EOS Albania, Albanian Telecommunication, Elite Consulting, Constal, CE 2 Manaxhement, Mercl Consulting, Astin, CE 2 Services.

Këto miq të Berishës morën nga CEZ-i rreth 19 milionë dollarë.

A luajti Berisha me Kastriot Ismailajn duke nxjerrë nga loja Ilir Metën?

Përse qeveria shqiptare nxori me 17 Maj 2011 VKM nr.329, me anë të së cilës, urdhëronte shoqëritë e ujësjellës-kanalizime të paguanin vlerën prej 573 milionë lekesh, apo rreth 5,73 milione dollarë, lidhur me detyrimet e prapambetura, ku 50% e vlerës i kalonin automatikisht DIA-s pa punuar asnjë sekondë për këtë punë?

A kanë shkuar një pjesë e këtyre parave te Ilir Meta dhe Sali Berisha?

A kanë shkuar një pjesë e këtyre parave tek Ilir Meta cash, me një çantë kafe, direkt nëpërmjet Kastriot Ismailajt, në fillim të vitit 2011? (Kam parasysh këtu një prononcim të dhënë nga ish drejtori ekzekutiv i DIA-s Elvis Mataj, në praninë time përpara avokatëve gjermanë të Clifford Chance ku ai ka pohuar një gjë të tillë).

Përse Ismailaj punësoi Elvis Matajn në këtë post, ndërkohë që Elvisi si ish drejtues i parë i LRI-së kishte konflikte me familjen Meta?

A kishte rol qenia e Elvisit si vëllai i këshilltarit të Berishës, Endri Mataj?

Përse Kastriot Ismailaj kishte aq pushtet sa të ulte në një tavolinë Nanon dhe Metën?

A ka pasur ndonjë rol ai në koalicionin Berisha-Meta të vitit 2009?

Përse Jozef Hejsek i dërgon në një e-mail Ismailajt në 11 shtator 2011, paraprakisht aplikimin për tarifat e enërgjisë për periudhën 2012-2014?

Përse Ismailaj në një e-mail dërguar Jozef Hejsekut i bashkangjit një memo të cilën ai ia dërgonte Metës, ku ai kërkon ndërhyrjen e tij, për zgjidhjen e problemit të detyrimeve të KESH-it, që nga koha e privatizimit të aksioneve të OSSH-së në vlerën e 19 milionë dollarëve, që i përkisnin periudhës maj-qershor 2008?

Ku e gjente Ismailaj arrogancën me të cilën ia ka shkruar Metës këtë memo, ku mungonte vetëm termi: Ilir Meta, të urdhëroj ti bësh këto pagesa CEZ-it?

Përse Ismailaj duhet të udhëtonte me Metën në Pragë në 2010?

Përse ata së bashku u takuan me Tomas Pleskash dhe Martin Roman në Pragë? Sipas thënieve me dhjetra herë të Ismailajt, përse Meta u deklaroi dy drejtuesve të lartë të CEZ-it se Ismailaj ishte vëllai i tij? Ismailaj deklaronte me mburrje se Qazim Tepshi u aksidentua qëllimisht në Pragë, që të mos merrte pjesë në takimin e sipërpërmendur. Përse duhej që ambasadori i Shqiperise të mos merrte pjesë në atë takim?

Si mund të arrihet deri në këtë pikë që të aksidentohet një ambassador, se duhet mbajtur sekret takimi me Kastrot Ismailajn? Çfarë u bisedua në takimin qesharak në centralin berthamor në Çeki, ku Meta u vesh si kozmanaut? Po Ismailaj përse duhej në atë takim?

A ishte bashkë me Ismailajn Ilir Meta në hotel “Mandarin” në adresën e mëposhtme: Nebovidská 459/1, Malá Strana, Prague 1, 11800 Prague, Czechia?

Kush e pagoi faturën e këtij Hoteli?

A ishte fryt i kisaj vizite, vendimi i ERE-s nr.97 date 7.12.2010 me anë të së cilit u ul çmimi i blerjes së energjisë nga CEZ-i tek KESH-i në 1.48 leke/kWh, duke favorizuar CEZ-in me minimumin 30 milion euro në vit?

A ishte fryt i kësaj vizite, miratimi i marrëveshjes së dyte DIA-CEZ, me datën 1 shkurt 2011, pasi marrëveshja e parë nuk u aprovua nga bordi mbikqyrës i CEZ-it, në mbledhjen e tij me datë 25 nëntor 2010?

A ka lidhje me këtë skandal korruptiv vdekja e Qazim Tepshit në gusht 2015?

Pra, janë një sërë çështjesh, faktesh e ngjarjesh, të lidhura me këtë temë që e kthejnë në bindje se marrëveshja DIA-CEZ ishte një marrëveshje e lidhur në kushtet e korrupsionit dhe të mashtrimit, ku figura më e spikatur përveç Ismailajt është ajo e Ilir Metës. Ky pohim i Vojsava Ismailajt i vë kapakun kësaj historie./Ekskluzive për: Pamfleti.com

Vijon nesër me pjesën e dytë..

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...