Published On: 12 Gusht, 2017

Dy fjalë për Hasan Prishtinën

Shkruan: Agim Shehu
Kohë më parë, një aktor me emër fliste në ekran për Hasan Prishtinën. Paraqitej se po e jepte të plotë e shkencërisht të saktë figurën e tij. E ndiqja me kureshtje, e në fund ndjeva një zhgënjim të hidhur. Një portretizim i mangët, aq më tepër i shtrembëruar. Pyesja veten – aq di aq thotë, apo kështu i pëlqen ta paraqesë një figurë kaq të madhe e të veçantë të kombit shqiptar siç është personaliteti i jashtëzakonshëm i Hasan Prishtinës? Për t’u treguar se studimit i ka hyrë me rrënjë e degë, në rrëfenjën e tij me stil aktori në Teatër mplekste e trazonte qoftë dhe si hipoteza emra e fotografi gjer të Hitlerit, Stalinit, Musolinit…thua Hasan Prishtina kish fije të dyshimta që e lidhnin diku me ta, e komentuesi ynë po i hapte si me nuhatje të qenit ndaj dhelprës…Dhe tërë këto, mbi portretin e madh të një atdhetari të veçantë, të një shqiptari me karakter të hekurt e gjykim të prerë për fatet e kombit tonë. Si është e mundur, mërmërija me vete përballë kësaj paraqitje të cunguar e anemike, të shtrosh hamendësira të fabrikuara mbi dyshime, e të lësh pa përmëndur cilësi e vlera themelore të portretit të madh e të Patriotit të Madh dhe në çaste të vështira!? I hap nga mëndja jote ‘lajthitje’ të jetës që s’i ka pasur kurrë në mënd, dhe i lë në harresë merita kulmore të luftës së tij kundër çdo kundërshtari të Atdheut!?
Si nuk i përmënd për t’ua rikujtuar shqiptarëve, sidomos të rinjve që sot në tërësi politika e qeverive tona i ka ftohur nga shqetsimi kombëtar, fjalët me gjëmim Shqipërie që Ai tha në Parlamentin osman: Po nuk u plotsuan kërkesat e shqiptarëve atje do plasë kryengritja, dhe unë do jem në ballë të saj! Qe paralajmërim me guxim Prometheu, dhe kështu ndodhi. Si të lësh pa përmëndur kërkesën që Hasan Prishtina i bëri Presidentit Uilson në Konferencën e Paqes pas L II B. për mbështetjen e Shqipërisë së rrezikuar, e në mënyrë të veçantë për fatin e Camërisë! (Sot diplomacia shoveniste e Athinës shpall se “udha e Shqipërisë për në BE kalon nga Greqia”, kurse Hasan Prishtina kish shpallur me kohë si për ditët e sotme, se “udha jonë për në Greqi kalon nga Camëria”!) Më tej, për fëmijët çamë dëbuar mizorisht nga trojet e tyre ai hapi një Konvikt shkolle të veçantë në Sarandë, të gjitha me shpenzimet e tij. As këto nuk përmëndeshin nga aktori i bekuar! Nuk i kishte në fletorkën e intervistës me veten e vet. Sigurisht ato i mbante shënim qeveria greke, e cila organizoi dhe vrasjen e patriotit tonë të shtrenjtë nëpërmjet një banditi rrugësh, Ibrahim çelo (në s’gaboj), e duke ia hedhur një tjetri, siç kish vrarë në Greqi duke u fshehur vetë, Themistokli Gërmenjin, Shaqo Buzo Progonatin e me radhë.
Sot Qeveria e Athinës po regjistron trojet e minoritarëve e duke u interesuar me kërkim llogarie edhe për pasuritë e tyre (duke harruar se ata në trojet e shqiptarëve erdhën si argatë me një trastë supit). Sidoqoftë, regjistrojnë me imtësi në kokë të tyre tokat që të dy palët qeverisës si vëllezër ‘siamezë’ , ‘e djathtë’ dhe e majtë u falën me tapi si t’i kishin prona të babait. Mbi të gjitha, Athina regjistron si pasuri greke dhe trojet e Himarës! S’ka asnjë habi me të tillët që Shqipëri zeza ka në krye. Por fjala është gjetkë. Hasan Prishtina ka pasurinë e vet në Selanik, mbi të gjitha një Pallat të çmuar. Si nuk u interesua një qeveri shqiptare ta kërkojë e ta marrë si pasuri shqiptare të vetën, sipar ligjeve ndërkombëtare?!
Sidoqoftë, Hasan Prishtina mbetet personalitet i përmasave të mëdha, një harmoni e rrallë e kulturës se gjerë dhe karakterit të fortë. Figurë dinjitoze që të keqen e dallonte që në embrion dhe vihej ta luftonte qysh te rrënja. Aty fliste si tribun, më pas e shihje në radhët e kryengritësve. Janë linja të portretit fjalët e tij thënë në një gjykim të lirë, se as pasuria e gjithë botës nuk do mundëte që ta largonte nga udha në shërbim të Atdheut.
Mbetet e habitëshme dhe e paspjegueshme, që një personalitet i përmasave kaq të mëdha e të çmuara të pushojë në gjumin e përjetëshëm diku në skaj të vëndit disi i harruar, në Kukës! Nuk di, çfarë lidhje të veçantë ka Ai me atë skaj të vetëm!? Aq më tepër, në një kohë të lirë demokracie ku e drejta e ka të lirë vëndin e vet, mjafton që të luftosh për të! (Është rasti të kujtoj në mbyllje diçka të kaluar nga koha e shtetit komunist: Një kritik i çalë nga trutë, duke folur për Hasan Prishtinën e ‘qorton’ me ironi dhe trimëri, se pse kish gënjime në kokë për Amerikën sikur ajo me Presidentin Uilson do ndihmonte Shqipërinë!
Më tej, shoku im i Fakultetit, Gani D. shqiptar nga Kosova, burgoset dhe me akuzën nga Sigurimi se shkruante për Hasan Prishtinën! Kryetari i gjykimit, Petrit Seriani nga Lekdushi i Kurveleshit, me drejtësinë dhe ndershmërinë e tij e nxjerr të pafaj pasi nuk kish argumente penale, dhe duhej liruar. Vjen urdhëri vetëtimë nga kryeministri Mehmet Shehu, që duhej burgosur dhe pik! Dhe publicisti kosovar me Hasan Prishtinën në zemër hyri në atë derë hekurash, duke ia lënë të hapur më pas dhe vetë kryeministrit).
Përsëris aforizmën e njohur për figurat e shquara: Hasan Prishtina nuk ka nevojë për ne, ne kemi nevojë për të.
Eqrem Cabej vlerëson më lart: “Historia e një vëndi është historia e personaliteteve”. Mbase vjen një çast, që shtetarë-kanakarët të dëgjojnë sadopak nga ky vesh.

Kuvendi i Gjilanit miratoi emrimin e rrugës: "Mërgimtarët e Gjilanit" në shenjë nderimi e falënderimi për kontributin e juaj për Lirinë, Pavarësin dhe Republikën! #Mirësevini n'shpi!
A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...