Published On: 18 Qershor, 2017

Dr. Nikë Gjeloshi, kancelari gjerman Dr. Helmut Kol, ishte burrështetasi më i madh i Europës pas Luftës së Dytë Botërore

Për figurën e jashtëzakonshme të Helmut Kohlit, kancelarit, ndoshta më të shquar gjerman në shekullin e fundit, dhe për rolin e tij në fatin e shqiptarëve të Kosovës, gazeta Shqiptari.eu bisedoi me politologun Dr.Nikë Gjeloshin, i cili nga detyra e zv.kryeministrit të Kosovës, ka pasur rastin të shkëmbejë letra zyrtare për të diskutuar dhe gjetur përkrahje për çështjen e Kosovës.

Ish Kancelari Helmut Kohl vdiq para pak ditësh në moshën 87 vjeçare, duke lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme politike në Gjermani, dhe i cili do të mbahet mend për bashkimin e Gjermanisë, para së gjithash.

Në vazhdim biseda me Dr.Nikë Gjeloshin.

Cili ishte roli i kancelarit Helmut Kohl në çështjen e Kosovës, dhe çfarë kontaktesh apo komunikimi kishit me të, Dr.Gjeloshi?

“Kancelari gjerman Dr. Helmut Kol, siç thoshte presidenti amerikan Bill Klinton, ishte burrështetasi më i madh i Europës pas Luftës së Dytë Botërore.

Për ne shqiptarët e Kosovës ishte njëri ndër mbështetësit e parë të kauzës sonë për liri. Ishte mbështetës i qëllimit të popullit tonë të unifikimit tonë. Ishte ndër burrështetasit që me vendosmëri ka ndikuar në nxjerrjen e rezolutave për Kosovën, kurse kah fundi i vitit 1998 për intervenimin e forcave të NATO-s në Kosovë.

Ne si popull dhe si shtet, Dr.Kolit do të duhej ti jemi përgjithmonë, falënderues dhe respektues për krejt atë që ka bërë për ne.

Në cilësinë e nënkryetarit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil, me 5 prill 1993, kancelarit Kol i jam drejtuar dhe ia kam dërguar një shkresë për gjendjen e krijuar në Ballkan, pas shpërthimit të luftës në ish Jugosllavi, veçmas për gjendjen në Kosovë… “dhe lus kancelarin Kohl për mbështetjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Ndër të tjera në atë shkresë, do të theksohet: “Kosova nuk kishte të drejtë të ndahej nga tërësia etnike shqiptare në Konferencën e ambasadorëve në Londër, korrik 1913, më vonë në Konferencën e paqes së Versajit 1919, me të cilën populli shqiptar kurrë nuk u pajtua.

Për fatin tonë dhe të popujve që iu takuan bllokut të ideologjisë pansllaviste, ajo ideologji u thye, dhe doli opsioni i rregullimit të ri të rendit botëror, që ka parim lirinë dhe pavarësinë e popujve e të njerëzve, e që mundësoi krijimin e shumë shteteve të reja sovrane.

Me mbajtjen e referendumit të shtatorit të vitit 1991 për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, me zgjedhjen e qeverisë së Kosovës, tetor 1991, dhe me zgjedhjen e Kuvendit dhe të Presidentit të Kosovës në maj 1992, definitivisht i jemi kthyer Europës dhe rregullimit të rendit të ri botëror.

Rezolutat e reja të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, qëndrimet e presidentit amerikan Klinton dhe angazhimet e juaja, që të ndërpritet me çdo kusht lufta në Bosnje, e të mos eskalojë në Kosovë, na shtojnë besimin se çështja jonë do të shtrohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dhe do të kemi mbështetje për zgjidhjen e drejt të çështjes sonë, e cila do të ketë rëndësi edhe për paqen në Europë”.

Më tutje theksohej në atë shkresë, “… jemi të gatshëm ta ushtrojmë pushtetin në Repubikën e Kosovës në të ciën do të jenë të barabartë të gjithë popujt që jetojnë brenda saj, dhe nuk do të jemi barrë e rëndë për Europën dhe perëndimin sepse kemi potencialin njerëzor, pasuri të mjaftueshme natyrore, dhe vullnetin që të ndërtohemi mbi baza të demokracisë, ta ruajmë paqen në rajon, dhe si popull të bashkohemi në Europën e bashkuar.

Ndërkaq në shkresën e 29 tetorit 1996 ndër të tjera do të theksohet se: “Pa mbështetjen dhe ndihmën e popujve të mëdhenj dhe shteteve të mëdha, popujt e vegjël përkundër dëshirës vështirë pavarësohen.

Duke ditur gjendjen para shpërthimit të pakontrolluar të popullit shqiptar në Kosovë, e cila gjendje çon drejt një lufte, e cila mund të rrezikojë edhe paqen në botë, lutej ai, që të angazhohej, ashtu që problemi i Kosovës të shtrohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe konform kartës së OKB-së, Kosova të vihet nën protektorat si zonë strategjike me interes për paqen në botë.

Një vendim i tillë i OKB-së do ta siguronte zgjidhjen definitve të problemit të Kosovës dhe do ta siguronte paqen e qëndrueshme në Ballkan, dhe do të mundësonte integrimin më të shpejtë të shqiptarëve etnik në Ballkan në Europën e Bashkuar”, përfundonte letrën e tij Dr.Nikë Gjeloshi. SHQIPTARI.eu

 

(Më gjerësisht në librin: “Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës 1991-1995”, f.111-114, me autor Dr.Nikë Gjeloshi)

 

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...